Aktualitet

Një gropë e madhe përpin rrugën, si shpjegohet fenomeni i çuditshëm në Dumre

Shkruar nga Liberale
Një gropë e madhe përpin rrugën, si shpjegohet fenomeni i

Fenomene të shpeshta të çuditshme natyrore shfaqen kohë pas kohe në zonën e Dumresë në Qarkun e Elbasanit. Një i tillë është shfaqur pranë një fshati, duke përpirë rrugën.

Një gropë karstike rreth 20 metra e thellë dhe 10 metra e gjerë është shfaqur në rrugë, pranë fshatit Çestije në Belsh. Fenomeni natyror është i zakonshëm për zonën e Dumresë e cila numëron mbi 80 liqene të krijuara, si pasojë e fenomeneve karstike.

Gjatë viteve  të fundit është shfaqur një tjetër gropë karstike, thellësia e së cilës llogaritet mbi 4-5 metra ndërsa diametri i saj në rreth 2 metra.

Gropa karstike është vërejtur nga banorët në pyllin e Grakanit në afërsi të fshatit Guras, në një zonë jo shumë larg nga qendra e Bashkisë së Belshit, në zonën e Dumresë.

Sipas gjeologëve, në thellësi të kësaj grope gjendet ujë dhe formacioni gjeologjik i saj është i tipit gips, i cili në prani të ujërave nëntokësorë tretet, duke përbërë kështu një rrezik që duhet frenuar në kohë.

Një gropë karstike u shfaq në këtë zonë edhe në liqenin karstik të Marinës duke thithur qindra mijë m3 në thellësi të saj. Gropat karstike të krijuara vitet e fundit, pas vlerësimit të bërë nga gjeologët janë mbyllur duke hedhur në to një masë të konsiderueshme dheu.

Proceset dhe format karstike janë fenomene tipike të zonës së Dumresë. Relievi karstik i ka vënë vulën dhe elementeve të tjerë të natyrës, aq sa në Dumre mund të bëhet fjalë për peizazhe karstike.

Karsti në Dumre, në dallim nga zonat e tjera karstike është zhvilluar kryesisht në gipset dhe anhidridet si në sipërfaqe, ashtu edhe në thellësi. Relievi karstik sipërfaqësor përfaqësohet kryesisht nga gropa, të cilat paraqiten në dy tipe: në formë hinke dhe në formë plateje.

Të parat janë më të thella dhe me shpate më të pjerrëta që në disa raste i kalojnë 30-40 gradët. Të dytat paraqiten të cekëta dhe me shpate me pjerrësi të vogël, kurse diametri i tyre në shumicën e rasteve lëviz nga 15 në 30 metra.

Sipas origjinës, mbizotërojnë gropat karstike të krijuara nga tretja, kurse ato të krijuara nga shembja paraqiten të thella, me shpate gati të thikta.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH