Kryesore

Një gjyq pa Gjykatë

               Publikuar në : 10:09 - 09/09/19 V Liberale

Derisa Gjykata Kushtetuese të jetë gati, gjithçka do t’i ngjajë një loje politike me akuza, kundërakuza e thumbime ironike, siç pritet të jetë edhe kjo e sotmja në Parlament, ku Ilir Meta rikthehet dy vite pasi u votua nga ai parlament

Salla e Kuvendit të Shqipërisë shndërrohet në një sallë gjyqi, ku merret në pyetje presidenti i Republikës, i pari  në historinë e tranzicionit postkomunist ndaj të cilit kanë nisur procedurat për shkarkim. Sot, në orën dhjetë pa një minutë, Meta shkon në Parlamentin që e drejtoi deri më 2017-n, kur deputetët e tij e votuan në krye të shtetit. Dy vjet më vonë, po ata deputetë së bashku me anëtarët e opozitës së re miratuan me 101 vota ngritjen e Komisionit Hetimor, që do të verifikojë nëse presidenti ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, siç pretendon maxhoranca  që edhe e nisi këtë proces pas dekretit të Metës më 8 qershor,  për anulimin e zgjedhjeve lokale.

“Presidentit si Kryetar i Shtetit, i takon të jetë shembull i bashkëpunimit institucional. Dhe besoj se në këto dy vite kam bërë gjithçka për të vendosur këtë bashkëpunim, në respekt të plotë të Kushtetutës, shtetit ligjor dhe interesit publik”, përgjigjej Meta për gazetarët që e kishin pyetur nëse do të paraqitej të hënën e 9 shtatorit në sallën e Parlamentit, ndërsa shtonte se mezi priste të kthehej atje.

Pak kohë më parë, në një letër dërguar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, presidenti e cilësonte procesin për shkarkimin e tij si fiktiv, të palegjitimuar, e të gabuar. Sipas Metës, i takon Gjykatës Kushtetutese të interpretojë rolin e presidentit.

Por mungesa e Kushtetueses nuk e ndali maxhorancës që fill pas firmosjes së dekretit për shfuqizimin e 30 qershorit si datë e zgjedhjeve lokale, të miratonte një rezolutë që e shpallte të pavlefshëm aktin e presidentit dhe t’i bënte thirrje atij ta kthente institucionin e presidencës brenda kompetencave. Pas rezolutës dhe zgjedhjeve të 30 qershorit, që maxhoranca i mbajti megjithë dekretin e presidentit dhe mungesën e opozitës, Kuvendi miratoi kërkesën e Partisë Socialiste për të ngritur një Komision Hetimor për shkarkimin e Metës.

Megjithëse Gjykata Kushtetuese ende nuk është formuar dhe që gjithaq mungonte në kohën kur presidenti nxori dy dekretet, fillimisht atë të anulimit të 30 qershorit e më pas atë të caktimit të 13 tetorit për zgjedhjet lokale, maxhoranca e ka gjykuar juridikisht se presidenti e ka shkelur Kushtetutën, duke mos pritur krijimin e autoritetit kompetent për ta gjykuar atë.

Komisioni Hetimor i ngritur më 8 korrik dhe  i kryesuar nga Ulsi Manja, aktualisht edhe kreu i Komisionit të Ligjeve, ka miratuar në fillim të shtatorit një plan me  9 pika, ku e para është seanca e sotme dëgjimore me presidentin Meta, i cili e argumentoi dekretin e tij si akt për të shmangur konfliktin civil në një kohë kur opozita jashtëparlamentare fliste për pamundësim të zgjedhjeve, por edhe për të shmangur zgjedhje njëpartiake 28 vjet pas vendosjes së regjimit pluralist.

Ndërsa shtyrja e datës së zgjedhjeve, duke shkelur kështu dekretet e mëparshme, nuk ishte krejt e re, ku më herët presidentët Moisiu dhe Nishani e kishin bërë me konsensus të palëve dhe brenda afateve kushtetuese, presidenti Meta do të thoshte se konsensusin mes palëve për dekretin e tij e kishte gjetur pikërisht tek mosdakordësia e tyre.

Edhe njëherë në seancën e sotme, presidenti do gjendet përballë pyetjeve të lidhura me dekretin e tij mbi 30 qershorin. Edhe pse data e mbajtjes së zgjedhjeve u përkrah nga faktori ndërkombëtar, raporti i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR theksonte se këto zgjedhje nuk kishin pasur parasysh interesin e elektoratit dhe qytetarët në më shumë se gjysmën e bashkive nuk patën mundësi zgjedhjeje. Por megjithëse në 31 bashki kandidatët e PS-së nuk patën rivalë, kryeministri Rama mbrëmjen e 30 qershorit do të thoshte se kishte fituar shteti dhe se merita e tyre kish qenë që ishin radhitur nga ana e duhur e historisë.

Por fitorja e 61 bashkive, megjithëse kryebashkiaku i Shkodrës u tërhoq pa e marrë mandatin për shkak të skandalit me të kaluarën e tij, nuk e ndali maxhorancën ta çonte deri në fund kërkesën për shkarkimin e presidentit Meta pa humbur kohë.

Presidenti, në letrën dërguar kreut të Kuvendit, i kujtonte atij dhe maxhorancës se një komision hetimor nuk mund të dalë mbi Gjykatën Kushtetuese, por edhe Gjykatat Europiane Ndërkombëtare me juridiksion vendimmarrës mbi vendin tonë. Por, pak ditë pas ngritjes së Komisionit Hetimor, Kuvendi do t’i dërgonte një letër me tetë pyetje Komisionit të Venecias, organizëm këshillues për çështjet kushtetuese e që, me kalimin e kohës është shndërruar në konsulent ligjor të pavarur e të njohur ndërkombëtarisht.

Komisioni i Venecias, i cili mbërrin po sot në Tiranë, ndërsa presidenti zhvillon seancën dëgjimore në  Parlament mori në adresë të tij pyetje mbi rolin dhe kompetencat e  presidentit në regjimet parlamentare, në caktimin e datës së zgjedhjeve apo anulimit kur i ka caktuar më herët ato apo efektet ligjore që ka shtyrja e datës së zgjedhjeve, duke u zgjatur mandatet kryebashkiakëve.

Delegacioni, i cili vjen për të mbledhur fakte e për të përpunuar më pas një opinion mbi çështjen, pritet të takohet nesër dhe pasnesër me presidentin kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, drejtuesit e opozitës në Kuvend, anëtarët e Komisionit Hetimor, Ministrin e Brendshëm, përfaqësues të KQZ-së, kryetaren në detyrë të Gjykatës Kushtetuese, por siç ka bërë me dije PD-ja edhe përfaqësues të opozitës jashtëparlamentare si Oerd Bylykbashi dhe ish-ministrja Klajda Gjosha. Por megjithë opinionin e Komisionit të Venecias, edhe në rast të gjetjes së shkeljes së rëndë të Kushtetutës ku sipas nenit 90 të saj mund të shkarkohet, megjithë votimin me dy të tretat në Parlament, vendimi do duhet t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese e cila deklaron shkarkimin pas vërtetimit të fajësisë së presidentit.

Argumentat e Presidentit

Në vakumin e krijuar prej mungesës së Kushtetueses, edhe presidenti ashtu si maxhoranca ka  bërë arsyetimet e tij juridike, duke thënë se edhe me krijimin e Gjykatës, vendimet e saj nuk kanë fuqi prapavepruese. Sipas Metës, i cili sot shoqërohet në Parlament nga tre këshilltarët e tij,  edhe me shkarkimin  dekreti për zgjedhjet lokale më 13 tetor mbetet në fuqi.

Komisioni i Venecias do të përballet gjithashtu me veprimet e maxhorancës që zgjodhi të respektojë dekretin e parë të presidentit lëshuar në tetor të 2018 -s dhe afatet kushtetuese për organizimin e zgjedhjeve por edhe vendimin e Kolegjit Zgjedhor për të rrëzuar kërkesën e partisë Uniteti Kombëtar për çregjistrim nga zgjedhjet pas dekretit të presidentit.

Meta, do ta cilësonte procesin e shkarkimit të tij si propagandë anti-president që përpiqej të zhvendoste vëmendjen nga zgjedhjet e 13 tetorit, sipas tij e vetmja zgjidhje për krizën politike. Komisioni Hetimor pritet të ketë të përpiluar hetimin dhe gjetjet nëse ka apo jo shkelje të rëndë të Kushtetutës nga presidenti, pak  ditë para ditës që presidenti caktoi për zgjedhje lokale, duke u bërë thirrje palëve të regjistroheshin, edhe pse KQZ nuk nisi procedurat dhe as partia më e madhe opozitare nuk paraqiti kërkesë për të marrë pjesë në to.

Në letrën e tij, dërguar Ruçit, presidenti Meta i kujtonte kreut, rekordet problematike që  Kuvendi ka në raport me Kushtetutën “dhe nuk i duhen tejkalime të tjera që do të mbyllnin rrugën europiane të vendit tonë për një kohë të pacaktuar”, shprehej Meta.

Ndërsa nënkryetari i Komisionit dhe përfaqësues i opozitës, Alban Zeneli, propozonte shtyrjen e komisionit deri në ngritjen e  Gjykatës Kushtetuese , një tjetër anëtare e maxhorancës, Vasilika Hysi e shihte të panevojshme pasi ishte ekskluzivitet i Kuvendit e që duhej të respektonte afatet. Por derisa Gjykata Kushtetuese do të ketë anëtarët e nevojshëm për të formuar trupë gjykuese për të parë edhe vendime konkrete, gjithçka do t’i ngjajë një loje politike me akuza, kundërakuza e thumbime ironike, siç pritet të jetë edhe kjo e sotmja në Parlament, ku Ilir Meta rikthehet dy vite pasi u votua nga ai parlament, sipas tij atëkohë legjitim. /Gazeta Liberale

(Visited 42 times, 1 visits today)

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *