Kryesore

Një dorëheqje e detyruar

               Publikuar në : 09:54 - 16/08/19  Suadela Balliu

Edhe pse Valdrin Pjetri mund t’a ketë harruar atë që e quan ngjarje banale mes të rinjsh, e shkuara kthehet jo vetëm  duke përndjekur, por duke ia mbyllur rrugëtimin e karrierës politike ku si qytetar i thjeshtë do të presë zbardhjen e së vërtetës, të cilën ai  e njeh më mirë se kushdo e që u përpoq ta fshihte nga formularët e vetëdeklarimit

 Suadela Balliu

Mesazhi i dorëheqjes së Valdrin Pjetrit si kryebashkiak i Shkodrës, ende pa u ulur në karrigen e re, i ngjante atij të Saimir Tahirit një vit më parë, kur duke dorëzuar dikasterin e Brendshëm tha se do ta priste zbardhjen e së vërtetës si qytetar i thjeshtë.

Fituesi i zgjedhjeve të 30 qershorit në Shkodrën, me pjesëmarrjen më të ulët të votimeve në rang bashkish, shkruante dje në profilin e tij të Facebook-ut se merrte pozitat e qytetarit të thjeshtë dhe duke u dorëhequr shprehte vendosmërinë për të mos iu bërë barrë Partisë Socialiste deri në sqarimin e pretendimeve të opozitës, të mbështetura edhe me dokumente, se 16 vjet më parë Pjetri është dënuar nga gjykata e Firences për trafik droge.

Në mesazhin e tij, në kundërshtim me veprimin e dorëheqjes Pjetri,  që me gjasë ka humbur edhe rolin e drejtuesit politik të caktuar nga Rama një muaj më parë, ngulmon t’i quajë publikimet e Partisë Demokratike thashetheme. Megjithatë, për herë të parë, ndryshe nga tundja me krenari e certifikatave të përftuara nga autoritetet italiane , ka rrëfyer disa hollësi nga një ngjarja që solli arrestimin e tij, të cilën e ka cilësuar si banale e të ndodhur mes shokëve studentë, por për të cilën ai ngulmon se nuk kishte as faj e as përgjegjësi.

“U nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor”, do të vijonte Pjetri. Ashtu si edhe kryetari i PS-së që do të thoshte se nuk e kishte menduar  kurrë se i besuari  i tij për bashkinë e Shkodrës me fitore aspak surprizë, do të fshihte të vërtetën në raport me ligjin, Pjetri do të shprehej se nuk e kishte menduar kurrë

që një ditë do të gjendej përballë akuzave.

“Dhe sado i bindur të jem në pafajësinë ligjore dhe pastërtinë morale të personit tim, me keqardhje ju rrëfej se të tilla shpifje kanë shkaktuar dhimbje të mëdha tek unë e familja ime dhe se unë kurrë nuk kam qenë pjesë e kësaj kategorie për të cilën sot akuzohem”, thotë Pjetri.

Megjithëse dokumentet e publikuara nga PD zbulojnë se vendimi i Gjykatës së Firences për 18 muaj burg dhe 1000 euro gjobë, është i formës së prerë, kryebashkiaku i zgjedhur e tanimë i dorëhequr thotë se nuk ka pasur përgjegjësi ligjore në atë kohë. Pjetri nuk ka kryer dënimin me burg në shtetin italian, pasi ka pranuar fajësinë, por prej asaj kohe është dëbuar nga Italia.

“Ishte një ëndërr e bukur t’i jepnim Shkodrës atë çka meriton. Por fatet e një qyteti nuk duhen të jenë kurrë të lidhura pashmangshmërisht me fatet e një individi, cilido qoftë ai”, shkruante në përfundim të mesazhit të dorëheqjes Pjetri, i cili mundi të fitonte bashkinë historikisht të djathtë të Shkodrës në zgjedhjet pa opozitën e ku rezultati ishte i garantuar, pavarësisht pjesëmarrjes së ulët.

Të vështira i ka quajtur kryebashkiaku i dorëhequr këto ditë gushti, ku PD ka denoncuar vazhdimisht të shkuarën kriminale të Pjetrit, ndërsa pas publikimit të dokumenteve  ka pohuar se ishte vënë në dijeni nga autoritetet italiane në të njëjtën kohë me kryeministrin Rama, që në deklaratën e tij kur vendosi ta mënjanojë Pjetrin nga rruga kryesore e PS-së, u shpreh i befasuar, por edhe i ashpër me të tijtë për të mos toleruar barra të tilla mbi supet e tij dhe të partisë, e cila ka parë edhe episode të tjerë të anëtarëve të saj që dorëhiqen pas akuzave për lidhje me krimin dhe trafikun e drogës, megjithë pretendimet  e këtyre të fundit për pafajësi.

Kryeministri dhe kryesocialisti Rama është mjaftuar me reagimin e parë dhe të vetëm për Pjetrin, ndërsa duket se dorëheqja e tij ka qenë një dorëheqje e urdhëruar.

Pas dorëheqjes së kryebashkiakut të Shkodrës, ka reaguar kreu i PD-së, duke e cilësuar Pjetrin si  një kriminel më pak në politikë. “Një kriminel më pak në politikë; një uzurpator më pak në pushtetin vendor. Asgjë nuk ndryshon deri sa të largojmë Edi Ramën, kokën e krimit politik”, shkruante Basha në Tëitter, ndërsa ka përsëritur kërkesën e patjetërsueshme të opozitës për largimin e kryeministrit duke i cilësuar 61 kryebashkiakët socialistë të dalë  nga zgjedhjet e 30 qershorit si uzurpatorë të pushtetit vendor.

Kur do bëhen zgjedhjet në Shkodër

Megjithë letrën dërguar përfaqësive diplomatike të ShBA-së, BE-së dhe Italisë nga ana e kryebashkiakes ende në detyrë Voltana Ademi dhe një grupimi qytetarësh shkodranë ku kërkojnë të ndalohet konstituimi i këshillit bashkiak, Partia Socialiste është distancuar vetëm nga Pjetri ndërsa këshilli pritet të konstatohet më 19 gusht, dy ditë më herët  sesa data e parashikuar.

Dorëheqja e Pjetrit, lë aktualisht në detyrë Voltana Ademin, e cila nga ana e saj ishte zotuar për të mos e lëshuar karrigen për socialistin, duke u kërkuar ambasadave të huaja një komision ndërkombëtar si më 1913-n, që të administronte Shkodrën, pas përfundimit të mandatit të saj, që sipas afateve kushtetuese përkon me 20 gushtin. Ademi do të gjendet këto ditë përballë një këshilli bashkiak tërësisht socialist.

Por qëndrimi në detyrë përtej afateve kushtetues nuk ishte problem për presidentin Meta, që caktoi zgjedhjet lokale më 13 tetor. Përballë kësaj date dhe domosdoshmërisë për zgjedhje të parakohshme në Shkodër, socialistët dhe Rama do të përballen sërish me presidentin të cilin kërkojnë ta shkarkojnë me ngritjen e Kushtetueses, për një datë të dekretuar prej tij.

Rasti është i ndryshëm nga ai i 30 qershorit, të cilin Meta e kishte dekretuar në tetor të 2018-s, brenda afateve kushtetuese që u dha motiv socialistëve të ngulmonin tek ajo datë për mbajtjen e zgjedhjeve të pushtetit vendor. Duke i quajtur të pavlefshme, presidenti njeh vetëm 13 tetorin, edhe pse KQZ nuk ka nisur punën me procedurat zgjedhore dhe regjistrimi i partive aleate të gatshme për të hyrë në zgjedhje kanë mbetur vetëm kërkesë. Por edhe kërkesa e tyre, sipas kreut të opozitës, ishte vetëm një manovër në dakordësi me Bashën dhe PD-në, për të shtrënguar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të mos shkojë drejt shkeljeve kushtetuese dhe se qëndrimi i opozitës së bashkuar  ka mbetur i pandryshuar për largim të kryeministrit, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Për këto të fundit, presidenti Meta do të propozonte të njëjtën datë, atë të 13 tetorit, edhe pse pa fuqi për ta dekretuar pa pasur më parë një marrëveshje politike mes opozitës dhe maxhorancës marrëveshje që është rrëzuar si opsion nga Basha, i cili e sheh zgjidhjen tek largimi i Ramës. Kreu i qeverisë ka bërë të qartë se e shtrin dorën për marrëveshje vetëm për Reformën Zgjedhore. Presidenti mund t’u bëjë thirrje edhe njëherë palëve  për 13 tetorin, por edhe sikur Rama të binte dakord për përsëritjen e zgjedhjeve lokale, kundërshtia do të vinte nga Basha dhe PD, e cila kërkon “gjithçka ose asgjë” nga kërkesat e saj për zgjidhjen e krizës.

Ndërkohë, sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme po punon për të mbledhur informacionin e nevojshëm për figurën e Valdrin Pjetrit dhe për të zbardhur të vërtetën e dënimit të tij në Itali, edhe pse Zëri i Amerikës ka pohuar autenticitetin e tyre, pas verifikimeve të kryera.

Një vit më parë, edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri pretendonte pafajësinë e tij, ndërsa këto kohë pret vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, që e ka shtyrë shqyrtimin e çështjes së tij, ndërsa ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar.

Llogaritë me drejtësinë italiane, Pjetri i ka mbyllur  16 vjet më parë, ndërsa certifikata aktuale rezulton e pastër nga veprat penale, megjithatë Partia Demokratike ka kërkuar nga Prokuroria hetimin e pasurisë së tij. Edhe pse kryebashkiaku mund ta ketë harruar atë që e quan ngjarje banale mes të rinjsh, e shkuara kthehet jo vetëm  duke përndjekur, por duke ia mbyllur rrugëtimin e karrierës politike ku si qytetar i thjeshtë do të presë zbardhjen e së vërtetës, të cilën ai  e njeh më mirë se kushdo e që u përpoq ta fshihte nga formularët e vetëdeklarimit./Gazeta Liberale

 

(Visited 90 times, 1 visits today)

Etiketa: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *