Globi

Një ditë pas vrasjes së familjes së tij nga Izraeli, gazetari i Al Jazeera i kthehet raportimit: Është detyra ime, pavarësisht dhimbjes

Shkruar nga Liberale
Një ditë pas vrasjes së familjes së tij nga Izraeli,
Një gazetar i Al Jazeera u kthye në punë sot duke raportuar nga Gaza, vetëm një ditë pasi anëtarët e familjes së tij u vranë në një sulm ajror izraelit në një kamp refugjatësh palestinezë. Në një video të postuar nga AJ+, Wael Dahdouh tha se ishte "detyrë" e tij që të kthehej shpejt në punë pavarësisht humbjes së disa anëtarëve të familjes. "E ndjeva se ishte detyra ime, pavarësisht dhimbjes dhe plagës së hapur, të kthehesha para kamerës dhe të kontaktoja sa më shpejt në rrjetet sociale. Ju falënderoj të gjithëve dhe ju lutem na mbani në lutjet tuaja”, tha Wael Dahdouh. Të mërkurën, një sulm ajror izraelit goditi kampin e refugjatëve Nusseirat në Rripin qendror të Gazës, duke vrarë disa palestinezë - përfshirë gruan e tij 44-vjeçare Amna, djalin 16-vjeçar Mahmoud, vajzën 7-vjeçare Sam dhe nipin Adam. Tetë anëtarë të tjerë të familjes u vranë gjithashtu, duke përfshirë vajzën e kushëririt të tij, Hadeer, dhe katër fëmijët e saj. Vajza 27-vjeçare e Dahdouh, Bisan, nuk ishte në kamp në kohën e sulmit ajror, sipas Al Jazeera. Të enjten, ai ishte duke pritur në spital për një përditësim mbi katër fëmijët e tij të plagosur, por të mbijetuar. Hanan, vjehrra 81-vjeçare e gazetarit, i mbijetoi sulmit, por u plagos rëndë. Ajo është në koma dhe nuk është në dijeni të humbjeve të mëdha që ka pësuar familja e saj, tha djali i saj Ali. Wael Dahdouh shkoi dje në funeralet e njerëzve të tij dhe më pas u kthye në punë. Familja Dahdouh kishte lënë shtëpinë e tyre në lagjen Tal al-Hawa në veri të Gazës për në kampin Nusseirat kur Izraeli urdhëroi palestinezët të lëviznin në jug për të shmangur vrasjen. Wael Dahdouh, i cili prej vitesh mbulon ngjarjet në Lindjen e Mesme, transmetoi drejtpërdrejt sulmin ajror që ka gjasa të ketë vrarë familjen e tij. Fotot dhe videot e marra nga kolegë gazetarë në Gaza treguan Dahdouh duke ecur pranë spitalit dhe duke mbajtur trupat pjesërisht të mbështjellë të fëmijëve të tij të vdekur. Diku tjetër ai shihet duke mbajtur trupin e pajetë të nipit të tij, ndërsa dy gra, që thuhet se janë të afërm, qajnë dhe ndihmojnë në mbështetjen e trupit të fëmijës./Liberale.al  

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH