Aktualitet

Një betejë e paprecedentë elektorale e PS përballë PD dhe LSI

Shkruar nga Liberale
Një betejë e paprecedentë elektorale e PS përballë PD

Alfred Peza

Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që të zhvillosh një betejë elektorale, si ajo që i duhet të përballojë mazhoranca socialiste, në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm. Një betejë e pangjashme me asnjë tjetër, që të bie rasti ta shohësh diku tjetër, apo që ta përballosh atë në praktikë në botën demokratike.

Vetëm Partia Socialiste në Shqipëri, ka fatin që të ketë përballë parti rivale që tjetër kanë për kryetar dhe tjetër kanë për lider. Tjetër udhëheqës formal dhe tjetër, real. Tjetër kryetar “de jure” dhe tjetër kanë “de facto”. Tjetër që del publikisht në fushëbetejë dhe një tjetër që e udhëheq atë, duke luajtur fijet e padukshme në prapaskenë.

Kjo temë nuk do të kishte ridalë për tu diskutuar sot publikisht, nëse nuk do të kishim orët e fundit, disa zhvillime që e kanë rikthyer këtë çështje sërisht në fokus. I pari ishte Ilir Meta, i cili u bë figura kryesore e festimeve të 16 vjetorit të themelimit të LSI. Çdo status, çdo postim, çdo kujtim dhe çdo gjë tjetër që lidhej me të sotmen e kësaj partie, kishte vetëm një emër, një figurë, një imazh, një foto dhe një video: Ilir Metën.

Nuk kanë faj, sepse pavarësisht se Kushtetuta e detyron formalisht Kreun e Shtetit sapo mer detyrën që të dorëzojë teserën e partisë politike prej nga vjen, në realitet Ilir Meta nuk u shkëput asnjë ditë nga qenia “de facto” kryetar i LSI. Për aq kohë sa gjatë gjithë kohës në Presidencë; ka bërë opozitarin dhe jo shtetarin. Përfaqësuesin e unitetit të popullit opozitar dhe ajo atë të popullit shqiptar. Ndaj edhe në zgjedhjet e 25 prillit, PS do të ketë përballë LSI me Ilir Metën në krye dhe jo Monika Kryemadhin.

Edhe më interesante u bë kjo lojë në radhët e PD, kur u rikthye sërisht në skenë loja përmes një aktori të vjetër. Lulzim Basha ka që nga 2013, kur u zgjodh Kryetar i kësaj partie, që mundohet të krijojë lidershipin e vet. Duke dashur të tregojë se në radhët e saj, është ai violinë e parë dhe askush tjetër. Gati u duk sikur ia arriti kur Genc Ruli, njëri nga 5 anëtarët e komisionit për përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë të PD në zgjedhjet e 2021, tha se për Berishën sot është dita për ta mbyllur karrierën, “për të mos ta mbyllur të tjerët ty”.

Pas disa javësh heshtje, Berisha e dha përgjigjen: “Genc Ruli është një burrë i mençur, por ndonjëherë viktimë e mençurisë së tij. Ai ngatërron dy gjëra elementare që nuk mund të ngatërrohen kurrë me njëra-tjetrën. Ngatërron karrierën me betejën. Tjetër është beteja, tjetër është karriera. Për karrierë, Berisha i ka dhënë fund më 26 qershor 2013. Të mendosh që një njeri që ka pasur disa funksione, qëndron deputet për karrierë, është e pamendueshme. Beteja do vazhdojë deri në arritjen e qëllimeve të PD. Ruli është viktimë e mençurisë së tij”.

Me një fjalë, Berisha jo vetëm që nuk pyeti se çfarë tha Ruli, por as që “ia bën syri tërr” se ai dikushi tjetër që mund tia mbylli karrierën politike në PD, mund të jetë Lulzim Basha. E si të mos mjaftonte kjo, shkoi më larg kur tha se jo vetëm që do jetë sërisht në garë, por e konsideroi atë të vitit të ardhshëm si betejën e tij. Një “betejë (që) do të vazhdojë deri në arritjen e qëllimeve të Partisë Demokratike”. Kaq mjafton për të kuptuar, se kush është ende dhe do të jetë edhe në zgjedhjet e reja, lideri “de facto” i PD.

Në këto kushte Edi Rama dhe PS do të kenë përballë në fushëbetejën e re politiko-elektorale Lulzim Bashën dhe PD nga njëra anë dhe Monika Kryemadhin dhe LSI krah tyre. Por, siç duket ato nuk janë më shumë sesa dytësit e opozitës. Kopjet e liderëve të vërtetë. Manekinët. Zëvendësat. Administratorët e deleguar apo çfarëdolloj gjëje tjetër që të doni ti quani. Por, asesi, ato nuk janë Kryetarët realë. Liderët e vërtetë. Udhëheqësit origjinalë, me të cilët duhet të përballesh. Të debatosh. Të luftosh. Apo të ballafaqosh idetë, platformat, programet, aleternativat.

Ata dy udhëheqësit që marin vendimet fundore, që thonë fjalën e fundit, që i vendosin vulën përfundimtare gjithçkaje në kampin tjetër, as që duken fare në meidan. Sepse ndodhen larg prej aty. Të mbyllur nëpër kështjellat e tyre. Larg selive të partive politike të opozitës. Shtabeve politike dhe elektorale. Kjo duket sikur ia vështirëson paksa punën mazhorancës. Por, në fakt, ia lehtëson si kurrë më parë atë. Sepse shqiptarët, pas 30 vjetësh, janë në gjendje që të dallojnë liderin e vërtetë.

Ndaj edhe zgjedhja e tyre pas kësaj, është shumë herë më e lehtë. Sepse asnjë shqiptar nuk është budalla sa mund të të japë votën,- si një monedhë elektorale,- për të blerë për origjinal një mall fals!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH