Kryesore

Nisma e pedagogëve “Mos e braktisni Shqipërinë” është arsyeja pse…

               Publikuar në : 08:50 - 17/02/20 Gentian Kaprata

Gentian Kaprata – Urbanism & Democracy

Në një nga televizionet e mia të preferuara, që sigurisht nuk është një televizion kombëtar, mora përgjigjen që prisja prej vitesh. Disa pedagogë të Universitetit të Tiranës, kanë marrë iniciativën që t’ju mbushin mendjen studentëve, në fakt gjithë rinisë, që të mos e braktisin Shqipërinë. Dhe këtë kanë vendosur ta bëjnë duke i bindur studentët të mos ikin nga vendi i tyre, ose të ikin vetëm për studime dhe pastaj të kthehen për të kontribuuar me njohuritë e tyre për vendin e tyre!

Prej një dekade tashmë, shqetësimi im teknik mbetet se do vij një ditë kur Shqipëria do të humbë popullsinë në atë masë sa të konsiderohet e shpopulluar.

Shumë opinione kam shkruar me këtë temë, që duket se nuk shqetësonin njeri, deri para pak muajsh kur kjo temë u bë popullore për opinionin shqiptar. Një nga çështjet e shumta që e shoqërorin këtë shqetësim profesional ishte pyetja: mirë politikanët që merren me punët e tyre, po pedagogët nuk kanë asgjë për të bërë, apo të paktën për të thënë, për këtë tumor që po gërryen kockat e Atdheut!? Dhe ja, më së fundi, e mora përgjigjen nga kjo nismë e propagandës kolektiviste të pedagogëve të Universitetit Publik.

Sepse e tillë është kjo nismë e atyre që duhet të ishin elita e shoqërisë shqiptare, dhe jo vetëm elita akademike, por edhe politike e vendit. Pedagogët e Universitetit publik, po rreken t’iu mbushnin mendjen të rinjve se Shqipëria do të bëhet po aq të prosperuar sa vendet ku duan të ikin. Ata, me një theks të fortë “patriotik”, synonin të mobilizonin rininë shqiptare drejt “idealit” për të mos braktisur vendin, shumë ngjashëm me 30 vite më parë për ideale të të njëjtit format.

Po, Shqipëria po braktiset, dhe kjo është një tragjedi për vendin. Porse ky nuk është një aksident i rastësishëm dhe momental, por një konsekuencë e logjikshme edhe e mënyrës se si elita akademike, përfshirë dhe veçanërisht pedagogët, kanë bërë punën e tyre. Patriotizmi nuk mund të jetë propagandë, ai nuk mund të zhvillohet me aksione apo me nisma.

Patriotizmi nuk do as sakrifica, ai kërkon që çdo individ, çdo ditë, të bëjë punën e tij me moral dhe me përgjegjshmëri.

Patriotizmi elitar, ai lloj patriotizmi që shfaqet nga elita e kombit, përfshirë dhe në mënyrë të veçantë nga pedagogët, ka lidhje më së pari me detyrat akademike që ata kryejnë. Dhe nuk po flas këtu, vetëm për faktin sesi e kanë katandisur procesin akademik nëpër universitetet ku punojnë. Sepse këtë duhet ta dinë edhe ata vet, përderisa i bëjnë thirrje të rinjve të ikin vetëm për studime jashtë dhe të kthehen për të kontribuuar në vendin e tyre! Edhe ata vet e dinë sesi i kanë katandisur universitetet, ku nuk shkohet për dije, por vetëm për të marrë një diplomë, që ju duhet për të filluar punë në “ndërmarrjet” e punëmarrësit më të madh e të vetëm në vend, Shtetit!

E kam fjalën, më shumë, për kontributin e tyre në punët e Atdheut, sepse Atdheu nuk u bë i pajtueshëm këtë vitin e fundit. Perspektiva e të rinjve në Shqipëri nuk u mbyll këtë vit, por pak nga pak, në 25 vitet e fundit, që pas reformave liberalizuese të qeverisë Meksi.

Ku ishin pedagogët këto vite, kur ndërmerreshin reforma dhe liheshin në mes nga qeveritë, apo akoma më keq, në këto shtatë vitet e fundit ku Shqipëria i është nënshtruar kundër-reformave të “Rilindjes”!

Këtë duhet të kishin bërë pedagogët e universiteteve, të kishin kontribuar me dijet e tyre në përshpejtimin e reformave liberalizuese dhe modernizuese të vendit të tyre. Të kishin përdorur njohuritë e tyre për të penguar kundër-reformat e “Rilindjes”, që të paktën Atdheu të mos ishte kthyer mbrapsht, si në vitin 1992. Në këtë mënyrë Atdheu do të ecte më shpejt në rrugën e zhvillimit dhe modernizimit dhe të rinjtë të kishin arsye logjike për të mos ikur, dhe jo për qasje mobilizuese.

Por, pedagogët janë akoma në kohë, të paktën për të mbajtur këta të rinj e studentë që iu kanë mbetur. Së pari, t’i kthejnë auditorët në qendra të vërteta dijeje, që përfshijnë vetëm ata studentë që vijnë në universitet për dije dhe jo për diplomë. Dhe së dyti, ç’ka është edhe më e rëndësishmja, t’i marrin ato leksionet që kanë lektuar deri tani e ti hedhin në plehra, dhe të nxjerrin tezat e tyre të masterave dhe të doktoraturave që kanë mbrojtur. Ti kthejnë çështjet që ato trajtojnë në debate të hapura dhe t’ju tregojnë studentëve të tyre, se ka mënyra të tjera, shkencore dhe teknike, sesi mund të bëhen punët e Shqipërisë. Sepse dija shkencore e shpërndarë nga pedagogët është thirrje më e mirë sesa propaganda mobilizuese e ‘të vërtetave që janë të tilla për shkak të atij që i thotë’!

gentiankaprata.blogspot.com /Gazeta Liberale

Tags: , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back