Aktualitet

Nishani, kritika Kuvendit të PD: Basha u tregoi “dhëmbët” demokratëve

Shkruar nga Liberale
Nishani, kritika Kuvendit të PD: Basha u tregoi

Ish-presidenti, Bujar Nishani, dhe njëkohësisht kryetari i Këshillit Kombëtar Demokrat, ka lëshuar kritika të ashpra në lidhje me kuvendin demokrat të zhvilluar, të shtunën.

Në një postim të gjatë në Facebook, që vjen fill pas deklaratës së përbashkët të “Grupit për PD-në”, ku edhe ai bën pjesë, Nishani e cilëson Kuvendin një teatër absurd që duhet harruar. Sipas tij, ky kuvend nuk adresoi hallin e PD-së dhe të demokratëve, por u thirr për të mbuluar hallin politik të Lulzim Bashës.

“Kuvendi i fundit Kombëtar, ai i 17 korrikut 2021, megjithëse i pari në llojin e vet do të duhet të harrohet sa më shpejt. Si shumë fenomene që po i ndodhin PD-së, për herë të parë në historinë e vet, ashtu dhe Kuvendi i saj Kombëtar për herë të parë, u kthye në një Teatër Absurd! Kuvendi Kombëtar i PDSH-së u mblodh jo për të adresuar hallin politik të PD-së e demokratëve, të opozitës shqiptare e vuajtjeve të shqiptarëve, por u thirr për të mbuluar hallin politik të L. Bashës”.

Nishani akuzon Lulzim Bashën se i tregoi “dhëmbët” anëtarësisë, simpatizantëve, veprimtarëve, dhe votuesve të Partisë Demokratike.

“E vetmja retorikë dhe akt statutor i këtij Kuvendi ishte garantimi i “represionit” të L. Bashës mbi Partinë Demokratike. L. Basha vendosi pas 8 vitesh t’i tregojë “dhëmbët” e pushtetit të tij anëtarësisë, simpatizantëve, veprimtarëve, votuesve të Partisë Demokratike. L. Basha nuk e kupton dot se kjo sjellje qesharake e degradon edhe më shumë perceptimin për të në mes antarësisë së PD, në mes votuesve të PD-së, e madje tek i gjithë opinioni publik. L. Basha pasi e ka zvogëluar, dobësuar dhe kthyer Partinë Demokratike pothuajse në një Organizatë me kohë të pjesshme, (për nga forca politike dhe perceptimi publik), tashmë po injekton në të edhe mungesën e seriozitetit. L Basha nuk do garë se nuk do hapjen e partisë. Nuk do hapje se ka frike nga kontrasti i madh me personalitetet që mund të integrohen në PD, që do ta ekspozonin atë totalisht në syrin dhe gjykimin e opinionit publik”.

Nishani thekson se beteja për ta shpëtuar PD-në është sot një mision dhe përgjegjshmëri.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH