Dossier

Nipi i Bonapartit, kandidat për mbret të Shqipërisë

               Publikuar në : 09:44 - 08/06/19 E Liberale

Gazeta amerikane “The Ogden Standard Examiner” shkruan në vitin 1923 mbi përpjekjet e shqiptarëve që të bënin mbret, vëllain e perandorit Napoleon Bonaparti … Bazuar në informacionet e gazetares Rose Wilder Lane ndërtohet historia e një përpjekjeje të gjatë diplomatike për të zgjedhur mbretin e Shqipërisë … UET PRESS ka sjellë jetën e Lane të plotë në një libër.

Zherom Napoleon Bonaparti, nipi i Napoleon Bonapartit, i cili më vonë do të bëhej mbret i Westphalia-s, ka qenë kandidat për t’u bërë mbret i Shqipërisë. Gazeta amerikane “The Ogden Standard Examiner” në vitin 1923, në një shkrim të titulluar “Nuk është çudi pse znj. Bonapart nuk dëshiron të jetë mbretëresha e Shqipërisë”, tregon për negociatat e Shqiptarëve me Zherom Bonapartin, për postin e mbretit. Gazeta u referohet informacioneve të marra nga gazetarja amerikane, që në atë periudhë jetonte në Shqipëri, Rose Wilder Lane. Me humor, e pak ironi, gazeta e lidh refuzimin e Zherom për këtë post, me ambiciet e gruas së tij, e cila pëlqente jetën vanitoze që s’mund ta gjente në një vend të varfër si Shqipëria. “Një eksperiencë ngjethëse e një gruaje të re amerikane në tokën misterioze, ku dritaret përdoren fare pak, nga shkaku i plumbave të shumtë. Zoti Zherom Napoleon Bonaparti është amerikan, po në venat e tij rrjedh gjak mbretëror europian. Ai është stërnip i një figure të famshme historike. Është, as më shumë e as më pak, nipi i perandorit Napoleon Bonaparti, gjeniut ushtarak që u bë perandor i Francës. Duke u nisur nga kjo prejardhje e vjetër mbretërore, populli i Shqipërisë, i këtij vendi të egër dhe pak të njohur të Ballkanit, mendoi se z. Bonaparti do të ishte një mbret ideal për ta. Froni i përgjakur e aspak i sigurt i vendit të tyre ka qenë i pazënë për një kohë të gjatë, prandaj së fundmi ata po bëjnë përçapje diplomatike, për të parë nëse pasaniku z. Bonaparti do të pranojë apo jo ta zërë atë fron e të marrë përsipër të ndreqë punët kaotike të kombit. Megjithatë, për zhgënjimin e madh të shqiptarëve, z. Bonapart, me mirësjellje, po me këmbëngulje nuk e pranoi propozimin e tyre”, shkruan “The Ogden Standard Examiner”. Sipas saj, të gjithë mendojnë se mospranimi i tij lidhet ngushtë me mosdashjen e gruas së tij për t’i hyrë një karriere mbretërore. “Zonja Bonaparti është një nga gratë më të dashura e më të këndshme të shoqërisë amerikane. Gjithkush që e njeh atë, që njeh edhe kushtet primitive të jetës në Shqipëri, nuk habitet pse ajo nuk do t’ia dijë për këtë propozim, pse nuk do ta shkëmbejë atë me luksin e shkujdesur të shoqërisë së lartë në Amerikën mendjehollë e të qytetëruar. Dhe sa më shumë mësojmë për Shqipërinë, aq më i qartë bëhet fakti se zonja Bonaparte tregoi të ishte një grua mjaft e ndjeshme, kur nuk i lejoi vetes të binte në ngasjen e shkëlqimit të një froni apo të blatimeve, të cilat i gëzon një mbretëreshë”, shkruan “The Ogden Standard Examiner”. Më tej gazeta ndalet te gazetarja Rose Wilder Lane “një grua nga Kalifornia, e cila së fundmi i është rikthyer një udhëtimi të kuturisur në malet e Shqipërisë, atje ku pak gra amerikane kanë ngrënë ndonjëherë bukë misri”.

Rose, gazetarja e aventurave

“Gjithë çfarë mund të thotë ajo për vendin dhe popullsinë e atjeshme, e bën të qartë se ai është i fundit vend në botë ku një grua e shoqërisë së lartë do të kishte dëshirë të ngrinte shtëpinë e saj. Fakti është se znj. Lane u kënaq pamasë atje, po kjo ndodhi ngaqë ajo ka një pasion të vërtetë për aventura në vendet ku fërshëllejnë plumbat, sipas saj: jeta merr tjetër vlerë kur arrin të përballesh me banditë vrasës dhe kur provon rrezikun buzë thejqafjeve nëpër male”, shkruan “The Ogden Standard Examiner” për Rose Lane. Sipas saj, ajo kishte mundur që me dy gra bashkudhëtare të hynte thellë në zonat e egra malore të Shqipërisë, e shoqëruar vetëm nga një përkthyes vendas dhe nga një djalë i vogël shqiptar. “Ata udhëtuan mbi kuaj, natyrisht, të armatosur rëndë, sepse shtigjet gjarpëruese nëpër ato male të errëta e plot humnera, janë vende të parapëlqyera gjuetie për banditët, po edhe skena gjakmarrjesh të përhershme midis fiseve. Fakti që Lufta Botërore ka mbaruar, nuk ka shumë rëndësi për Shqipërinë, ku gjithnjë ka një gjendje si në luftë. Kur nuk kanë ndonjë armik të huaj për t’i bërë ballë apo për të sulmuar, njerëzit nisin të luftojnë me njëri-tjetrin, ashtu si kanë bërë për aq breza sa nuk mbahet mend. Jeta është e njëllojtë me atë jetë që bëhej në Europën mesjetare, me të vetmin ndryshim se shumë nga shqiptarët tani janë pajisur me armë zjarri dhe janë bërë mjeshtër të rrezikshëm të përdorimit të tyre.” Shoqe të zonjës Llejn në këtë aventurë ishin: Frensis Hardi, “një vajzë e hollë, atletike, e nxirë nga dielli, plot energji, sa dukej sikur nga çdo gisht i saj dalin shkëndija elektrike”; si dhe një tjetër grua e re, e quajtur Aleks, e cila “dukej si një kopertinë reviste, me flokë të ndritshëm si dielli, të butë si mëndafsh, me sy të mëdhenj, të kaltër dhe me një çehre të bardhë e rozë, si trëndafilat e pikturuara mbi pjatat prej porcelani kinez, pamje që do të nxiste zilinë në zemrën e çdo gruaje dhe do të bënte pasanikë gjithë prodhuesit e kozmetikave”. “Po edhe zonja Llejn, edhe pse është shumë modeste për ta pranuar, nuk është më pak tërheqëse”, shkruan “The Ogden Standard Examiner”. Më tej gazeta vazhdon duke shkruar se “Rinia dhe pamja e këndshme e të tria grave të kësaj aventure, e bënin këtë udhëtim edhe më të habitshëm, që nuk do të ishte i tillë, po qe se ato do të udhëtonin të sigurta nga çdo rrezik. Sepse, në disa vende të Shqipërisë, një grua e re dhe e këndshme ende shihet si një çmim i ligjshëm për një burrë, i cili ka aq guxim dhe forcë sa të mund ta shtjerë në dorë. Rruga e marrë nga ato gra ishte aq e thepisur dhe e rrezikshme, sa shpesh u duhej t’i linin kuajt e të ngjiteshin me këmbë për kilometra të tëra, vetëm me ndihmën e ca shkopinjve prej druri. Udhëtimi i tyre nisi kur shqiptarët sapo kishin përzënë nga toka e tyre ushtrinë pushtuese italiane. Ushtria serbe mbante ende malet; ngado bridhnin banditë e një luftë fisnore ishte ndezur me egërsi të pazakontë”.

Rrëfimi i tre amerikaneve

“Gjithçka që deri atëherë kishte qenë e zakonshme në jetën tonë të përditshme, tani na dukej larg, si të ishte në një tjetër planet”, shkruan Lane, në librin e saj “Majat e Shalës”, për futjen e tyre në brendësi të maleve shqiptare. “Dukej sikur ne kishim shkarë në një vrimë të kohës dhe kishim rënë në ditët kur njeriu ishte një krijesë e egër e pyllit. Ishim në atë tokë, ku një shteg prej 50 centimetrash ishte për ata njerëz, siç është Twentieth’ Century Limited për Amerikën.”

“Shtegun e gjenim me shkopinjtë në dorë e bënim përpara me

këmbët që na dhembnin. Na mavijoseshin gjunjët në ca shkëmbinj që nuk i shihnim, rrëshqisnim kur shkelnim mbi gurë që nuk i vinim re. Një orë më vonë, kalit, ku kisha hipur unë, i shkau këmba në dheun e shkrifët të shtegut e ne shpëtuam, vetëm se shoqëruesi im e mbërtheu kalin prej bishtit dhe nuk e la të binte në humnerë. Kjo ndodhí për një çast ma ndërpreu atë ndjenjë kënaqësie që po më jepte skena e egër dhe e pazakontë – qindra kilometra maja malesh, që me hijet e tyre luftonin kundër dritës së hënës.”

“Në orën dhjetë u zbritëm kuajve në oborrin e rrethuar me mur të një banese të bardhë si fantazmë, ku një figurë e gjatë me rrobën me kapuç të priftit françeskan doli e na ndriçoi rrugën me dritën e një pishtari. Ishim vërtet në Mesjetë, mbase në ca shekuj edhe më të hershëm. Një orë më pas, kur po përshëndeteshim me peshkopin e Pultit, tanimë ne kishim harruar se ku ishim – aq shpejt u përshtatkan qeniet njerëzore, sa na dukej sikur qytetërimin modern nuk e kishim jetuar kurrë. Prifti me rrobën me kapuç e me pishtar na ndriçoi rrugën nëpër ca shkallë prej guri, për në banesën e peshkopit. Atje, në një dhomë të zhveshur e të ftohtë, peshkopi u ngrit nga një stol druri e na përshëndeti në shqip e në latinisht, pastaj unë, Aleksa e Fransis u ulëm në rresht edhe ne mbi një stol druri. Gjatë mbrëmjes peshkopi na foli për gjakmarrjen, që i bën malet

aq të rrezikshme për të huajt, nga shkaku i ndonjë plumbi të rastit.”

“Po mos i keqkuptoni njerëzit e mi. Gjakmarrja është e keqe, por

këtu është mënyra e vetme për të zbatuar ligjet. Gjakmarrja është

një lloj dënimi kapital, që edhe kombet e tjera e kanë e që rregullohet me ligje nga më të rreptët.

Ai është i bazuar në nderin e secilit, që është edhe nderi i fisit. Një njeri apo një fis është i detyruar ta dënojë një fyerje, duke e vrarë njeriun që fyen.”

Më pas ato shkuan në një fshat tjetër malor dhe ndaluan për të fjetur në një shtëpi vendase. Dhoma me mure të gurta atyre iu duk e gjerë, me tavan të ulët dhe plot me hije. Në skajin më të largët

të dhomës me dysheme guri, një zjarr i madh digjej në mes të një

rreth hiri. Në këndin afër derës ca dhi, dy fëmijë e dy dele ndaluan

së rrëmuari në pirgun e degëve me gjethe të thata dhe po shihnin

udhëtaret. “Pak nga pak pamja e shtëpisë po bëhej më e qartë për sytë tanë”, shkruan Lane.

“Sytë na u mësuan me dritën e zjarrit e me hijet dhe vumë re armët e varura në mur, dhitë me tingëllimat e zileve të tyre të trembura duke këputur e duke ngrënë gjethet e gjelbra të thara të dushkut të mbledhura për to, siluetën e një arke druri të ngjyrosur, ku mbanin miell misri, pranë së cilës, mbi një dërrasë të sheshtë, një grua po punonte e po bënte një çyrek buke. Njëri nga burrat shkriftoi thëngjijtë e prushit dhe vuri mbi ca këmbëza një tigan hekuri të rrumbullakët për ta nxehur. Pas pak gruaja solli bukën, një çyrek i madh nja gjashtëdhjetë centimetra dhe rreth pesë centimetra i trashë e me shkathtësi e hodhi nga dërrasa në tigan. Më e mira shtëpi, që ato kishin parë gjatë endjeve të tyre, ishte e njërit prej krerëve të një fshati shqiptar, por edhe ajo kishte dritare fare të vogla, për shkak të rrezikut nga ndonjë plumb i rastit. Ky njeri i rëndësishëm për bashkësinë e tij u tregoi me trishtim se sa shumë i donte dritaret. ‘Po tani është e rrezikshme të kesh dritare”, tha ai. Njeriu kurrë nuk e di se kur do të bjerë në gjak fisi i tij, as kur armiqtë do i shtinin nga dritarja’. Një gjë tjetër e pakëndshme në Shqipëri ishte zakoni për t’i lënë qentë zgjidhur natën, ca qen që ngjanin më shumë si ujq, sesa si kafshë të zbutura. Kështu, kur binte nata, vetëm njerëzit më të patrembur guxonin të dilnin jashtë mureve të gurta të fshatit të tyre. Dhe qentë janë po aq të rrezikshëm sa edhe plumbat që aq shpesh fishkëllejnë nëpër ajër”, shkruan Lane./ Gazeta Liberale

(Visited 21 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *