Kryesore

Ngulmimi i zonjës Merkel

               Publikuar në : 11:05 - 18/01/20 liberale

Pas një zbutjeje të qëndrimit të Macron nga vetoja franceze, kancelarja Merkel i kthehet idesë së çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Edhe pse në tetor u duk e dorëzuar ndaj vendimit të liderëve në Bruksel për të refuzuar dy kandidatet, duke shprehur keqardhjen për mos mbajtjen e premtimit, dy ditë më parë ajo do të thoshte se BE do t’i rikthehet çështjes gjatë muajit mars. Shpresa do të jepte edhe komisioneri i ri për Zgjerimin, i cili vizitoi Tiranën pak ditë më parë

Kancelarja gjermane, e cila megjithë veton që vuri për të mos i ndarë dy kandidatet ballkanike për çeljen e negociatave nuk mundi ta bindë presidentin francez qoftë edhe për një “po” me kushte tetorin e shkuar, nuk është dorëzuar në idenë e saj se rruga e Ballkanit Perëndimor është ajo drejt BE-së.

Pas takimit të liderëve të unionit në Berlin,  zonja Merkel u shpreh e keqardhur pasi Bashkimi Europian kishte dështuar në mbajtjen e premtimit ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke ua njohur punën e bërë në rrugën e integrimit të dy vendeve.

Në konferencën për shtyp me kryeministrin kroat mbajtur dy ditë më parë, Merkel do t’i kthehej temës së negociatave me të dy vendeve, duke theksuar se ishte e rëndësishme të kishte përparime në këtë çështje.

Ndërsa e lajmëroi, së bashku me presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk, se çështja e negociatave do të diskutohej sërish në maj, gjatë samitit të Zagrebit, duket se tema do të rikthehet në tryezën e BE-së më përpara se ishte parashikuar.

“Nëse duam të jemi të drejtë, atëherë ne duhet t’i trajtojmë të dy vendet së bashku, pavarësisht se ato pastaj do të ndjekin procedura të ndryshme, në bazë të vlerësimeve që do t’u bëhen”, do të shprehej Merkel, duke zbuluar se tema do të diskutohet sërish në Bruksel në samitin e Këshillit të BE-së, në muajin mars.

Kancelarja do të vlerësonte edhe arritjet e të dy vendeve, duke theksuar procesin e vetingut si një nga kërkesat që Shqipëria kishte plotësuar ndër të tjera.

Edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkovic do të ndalej tek çelja e negociatave të dy vendeve ballkanike, duke shprehur se Kroacia gjatë presidencës së BE-së do të ketë prioritet çelje ne negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ne nuk e fshehim ambicien tonë për të mbështetur vendet anëtare që të hapin negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Raporti i radhës i Komisionit Evropian dhe propozimet për përmirësimin e metodologjisë së procesit të negociatave do të jenë thelbësore në këtë drejtim”, do të shprehej ai pak ditë më parë, ndërsa më herët ka pasur edhe një takim me presidentin Macron, i cili refuzoi hapjen e derës për të dy vendet jo vetëm për shkak të problematikave të brendshme të unionit dhe vizionin e ri të zgjerimit, por edhe sepse nuk i sheh të dy vendet ende gati për të nisur rrugëtimin e anëtarësimit. Një nga problematikat e Shqipërisë, do të veçonte ai, ishte numri i azilkërkuesve shqiptarë në Francë.

Që çështja e negociatave do të kthehet së shpejti si temë për liderët e BE-së, do ta lajmëronte më herët gjatë vizitës së tij në Shqipëri edhe komisioneri i ri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi.

Zgjerimi dhe Ballkani Perëndimor janë prioritet. Dëshirojmë ta rrisim praninë në rajon dhe të kemi më shumë ndikim. Duam të jemi një partner edhe më i rëndësishëm për të gjithë rajonin”, do të shprehej komisioneri gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin shqiptar, ndërsa më herët kishte mbyllur vizitën në Maqedoninë e Veriut.

Várhelyi do të shtonte se Komisioni i ri Europian merrte në konsideratë raportin e Komisionit të mëparshëm, ndonëse në BE kanë nisur t’i shohin me skepticizëm duke thënë se raportet shpesh janë të sheqerosura e që  nuk tregojnë plotësisht realitetin.

Vitin e kaluar, komisioneri Johannes Hahn edhe pse kishte rekomandime pozitive për cceljen e negociatave pa kushte me të dy vendet, gjatë vizitës që pati në Shkup do të deklaronte se Maqedonia e Veriut kishte më shumë gjasa për çeljen e negociatave.

Një mendim i tillë qarkulloi për disa muaj në Europë, ndërsa u duk se fqinjët i kishin plotësuar detyra e shtëpisë me arritjen e marrëveshjes së Ohrit, për ndryshimin e emrit.

Qëndrimeve të tilla kryeministri Rama do t’u përgjigjej se ndarja e dy vendeve do të ishte jo vetëm një padrejtësi, por mund të shkaktonte edhe destabilitet në rajon.

Pas Holandës që shihte Maqedoninë e Veriut më pranë hapjes së negociatave, por larg Shqipërinë, edhe në Bundestagun gjerman  do të qarkullonte një mendim i tillë. Por ishte kancelarja Merkel ajo që vuri veton për të mos i ndarë dy vendet në rrugën e tyre të negociatave, që çoi më pas në një votim “pro” shoqëruar me nëntë kushte, të cilat do të duhet të përmbusheshin në rast se liderët e BE-së më 18 tetor do të vononin për çelje të negociatave, në konferencën e parë dhe të dytë të anëtarësimit.

Kryeministri Rama do t’ia faturonte përgjegjësinë e refuzimit politikës së brendshme të BE-së dhe qasjes së presidentit Macron për reformim, i bindur se qeveria i tij i kishte përmbushur detyrat e vendosura nga BE, aq sa do të thoshte se asnjë vend brenda unionit nuk do të mundej të arrinte anëtarësimin me kushtet e rrepta të vëna ndaj kandidatëve.

Sipas komisionerit të ri për Zgjerim, mosçelja e negociatave të pranimit në tetorin e kaluar lidhet me disa shqetësime  të shteteve anëtare.

Po punojmë me këto shtete të gjejmë një zgjidhje, që të krijojë një shans të ri për të ecur para me procesin e integrimit,” do të shprehej Várhelyi, ndërsa do të shtonte se kishte pasur bisedime me Francën dhe Holandën, të cilat vunë veton kundër çeljes së negociatave në tetor.

Ndërkohë, unë në fakt po bisedoj dhe me të dy këto shtete që në fakt u ndikuan nga Samiti i Tetorit dhe ajo që po bëj është që po përpiqem të shoh ecurinë, përparimin që është arritur tashmë dhe se çfarë do të mund të arrihet gjatë kësaj periudhe.   Në fakt, jam shpresëplotë që me metodologjinë e re, me qasjen e re që do të ribalancojë, ekuilibrojë, në rast se mund ta them në këtë formë”, u shpreh komisioner, duke mos i anashkaluar edhe sfidat që duhet të përballojë Shqipërinë për të merituar hapjen e negociatave, si luftë më e madhe për të  luftuar krimin e organizuar dhe  korrupsionin, më shumë siguri për një shtet të përmirësuar të së drejtës.

Për kancelaren Merkel është koha që të hapen bisedimet e pranimit.

Nëse duam të jemi të drejtë, atëherë ne duhet t’i trajtojmë të dy vendet së bashku, pavarësisht se ato pastaj do të ndjekin procedura të ndryshme, në bazë të vlerësimeve që do t’u bëhen”, do të shprehej Merkel, ndërsa sipas saj parlamenti gjerman e ka dhënë miratimin për çelje të negociatave shtatorin e shkuar dhe deputetët nga unioni CDU/CSU do të shpreheshin se rruga drejt negociatave për Shqipërinë mbetet përmbushja e nëntë kushteve, të  cilat do të bindnin edhe shtetet skeptike. Ata do të përshëndesnin edhe marrëveshjen për Reformën Zgjedhore, si një nga kushtet për hapjen e negociatave.

Komisioneri i BE-së zbardh strategjinë e re me tre pika për negociatat: Në tetor u bënë gabime

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, komisioneri për zgjerimin Olivèr Várhelyi zhvilloi një takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Kryetari i Kuvendit e përgëzoi Komisionerin Várhelyi dhe e falenderoi që vizitën e parë në kuadër të detyrës së re e realizon në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. “Ne i ndjekim nga afër zhvillimet në kuadër të BE-së siç është procesi i zgjerimit. Jemi te inkurajuar nga mbështetja dhe deklaratat që keni bërë ju personalisht si dhe Presidentja e Komisionit, znj. Ursula von der Leyen, Presidenti i PE, David Sassoli, për mbështetjen e integrimit evropian tëBallkanit Perëndimor e veçanërisht Shqipërisë e Maqedonisësë Veriut”.

Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e ofruar nga BE pas tërmetit të datës 26 nëntor në Shqipëri si dhe për organizimin e Konferencës së Donatorëve më 17 shkurt në Bruksel. “Vendimi i Këshillit Evropian të tetorit 2019,” vijoi me tej Ruçi “nuk ishte i mirëpritur për ne, por ai vendim nuk na ka demotivuar dhe plani jonë i vetëm vijon të jetë integrimi evropian. Ne kemi vijuar punën tonë. Kemi hartuar Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të dhëna për Kuvendin në Raportin 2019 të Komisionit Europian për Shqipërinë, me 6 objektiva dhe 44 masat për periudhën maj 2019-maj 2020. Në mbyllje të vitit 2019 kemi kompletuar paketën ligjore për Reformën në Drejtësi dhe po vazhdon plotësimi dhe ngritja e organeve te reja të sistemit te drejtësisë. Opozita jashtëparlamentare ka pranuar të ulet në tryezë dhe të japë kontributin e saj për reformën zgjedhore dhe ky vendim i saj është për t’u vlerësuar. Shpresojmë që shumë shpejt do përmbyllet edhe kjo reformë,” tha Ruçi.

Nga ana e tij, Komisioneri i BE për Zgjerimin rikonfirmoi faktin se BE dhe ai vetë e kanë prioritet Ballkanin Perëndimor, ndaj u realizua dhe kjo vizitë e tij e parë në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. “Disa gabime u bënë në tetor, por ne jemi këtu për të krijuar një mundësi dhe për të rigjallëruar procesin e integrimit me një qasje pak më ndryshe, por nuk do të ndryshojmë planin. Tashmë kemi filluar punën për përpilimin e një strategjie të re që mbështetet në tri shtylla: metodologji e re për shtetet anëtare që nuk ishin mbështetëse për hapjen e negociatave; fillimi i punës për përgatitjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave para Samitit të Zagrebit; si dhe dorëzimi i një plani ekonomik për Ballkanin perëndimor në Samitin e Zagrebit” tha ai.

“Ka detyra shtëpie për t’u bërë”/ Soreca deputetëve: Roli i parlamenteve s’mund të nënvlerësohet

Gjatë fjalës së tij në konferencën XVI të komisioneve parlamentare, ndër të tjera, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luiggi Soreca deklaroi se vendet e rajonit që presin të anëtarësohen në BE kanë ende detyra shtëpie për të bërë.

“Këtë javë presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen deklaroi se nëse samiti i Zagrebit do të jetë i suksesshëm, BE do të bëjë detyrat e saj. Procesi i Zgjerimit do të nisë bazuar në propozimet e komisionit. Por ka detyra shtëpie për t’u bërë në rajon. Ne duhet të punojmë për angazhime dhe qeveritë në rajon duhet të punojnë. Ju si parlamentarë keni rol jetik në qeverinë tuaj sa i përket zbatimit të reformave, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar”, u shpreh Soreca.

Më tej shtoi: “Roli i parlamenteve nuk mund të nënvlerësohet. Integrimi në BE kërkon vendosmëri politike. Ju jeni në zemër të këtij procesi, luani rol jetik. Integrimi në BE nuk është qëllim në vetvete. Ju si anëtarë të parlamentit keni rol të rëndësishëm. Nuk është gjithmonë dialogu, por ai është jetik për një progres të suksesshëm por edhe për procesin e integrimit në BE.”

Për ta përmbyllur me:“Dialogu nuk është i rëndësishëm vetëm për vendin, por mes vendeve, qeverive të rajonit. Stabiliteti nuk mund të arrihet në izolim. Rajoni në nëntor u bashkua pas pasojave të tërmetit në Shqipëri. Solidariteti që kemi parë këto javë ka qenë i madh. Ju mund të besoni se BE është në anën tuaj dhe në frymën e dialogut ju uroj një diskutim të suksesshëm.“/Gazeta Liberale

Tags: , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back