Editorial

Ngjarjet historike e kanë akoma të vështirë…

Shkruar nga Liberale
Ngjarjet historike e kanë akoma të vështirë…

Preç Zogaj

Me zinë që mbolli tërmeti  i 26 nëntorit anuloi kremtimet zyrtare të tri ngjarjeve historike  që vinin njëra pas tjetrën: Ditën e shpalljes së Pavarësisë , Ditën e çlirimit nga  trupat naziste të Hitlerit,  Ditët e Lëvizjes  Demokratike të Dhjetorit  1990, ku janë  ngjeshur  e  lidhur ngushtë  8 dhjetorit i fillimit, 11 dhjetori i vendosjes së pluralizmit politik dhe 12 dhjetori i daljes  për herë të parë në skenë  të Partisë Demokratike.

Ky trinitet ngjarjesh përfaqëson tri maja  të historisë së Shqipërisë gjatë shekullit të njëzetë. Janë kremtuar çdo vit.  Këtë vit  jo. Në qoftë se do t’i referoheshim  një shijeje të natyrës letrare –filozofike do të thoshim më mirë që nuk patëm kremtime. Poeti i madh rus, Majakovski, në periudhën e rebelimit dhe zhgënjimit  të tij me revolucionin leninist,  pati përdorur  për butaforinë  e  përkujtimeve të fryra  metaforën  “gropat e festave”. Dhe  vërtetë: të shohësh mënyrën si evokohen nganjëherë disa ngjarje historike-plot histeri dhe falsitet pushtetarësh-të duket sikur ke rënë  në gropë.

Shija  e ka inatin me shëmtimin e kremtimeve dhe  jo me vlerën  në vetvete të ngjarjeve historike. Ngjarjet janë shtyllat e jetës së një populli, janë pjesa jonë në koncertin e ngjarjeve botërore. Bashkë  me gjuhën dhe traditën  janë arkitektura  e  ndërtimit tonë  shpirtëror.  Për këtë arsye  kujtimi dhe nderimi i tyre  është shumë me tepër se një protokoll  ftohtë i kalendarit të festave. Është njohje, është lidhje me vijimësinë  dhe me majat.  Ku ishin dhe çfarë bënë të parët tanë kur vendi u sulmua nga otomanët? Ku ishin  dhe çfarë bënë  për të fituar pavarësinë?  Ku ishin dhe çfarë bënë  kur Hitleri  me aleatët e tij i hodhi  botës sfidën e rendit botëror të kryqit të  thyer nazist?  Ku ishin dhe çfarë bënë shqiptarët kur ra perdja e hekurt dhe gjithë vendet ish komuniste të Europës u ngritën për të  vendosur demokracinë?  Në përgjigjet  e këtyre pyetjeve brezat  e rinj  të Shqipërisë i kanë parë  paraardhësit  diku  në vijën e parë , diku  më të vonuar se të tjerët. Por sidoqoftë,  e vërteta e padiskutueshme  është se nuk kemi munguar në takimin me ngjarjet e mëdha dhe nuk na ka munguar guximi për të  shpresuar e sakrifikuar.  Me fjalë të tjera as  kemi pse fryhemi si gjeli,  as kemi pse ulim kokën.  Kemi arsye të rrimë drejt e të festojmë kur vjen dita.

Siç e thamë në krye, festimet zyrtare kësaj radhe u anuluan për shkak të situatës së tërmetit.  Ndërkaq, ndërsa jeta vazhdon,  tërmeti mund të mos e kishte ndaluar- dhe aty këtu nuk ka ndaluar-  një formë tjetër njerëzore të përkujtimit të ngjarjeve të mëdha:  Formën  intime familjare apo individuale, që  është  edhe prova  që tregon sa e ngulitur është historia  në  konshiencën e njerëzve. Sa  festohen këto festa  kur nuk organizohen nga shteti dhe qeveria?  Sa popullore janë?  Sa janë bërë pjesë e celebrimeve  në familje, siç janë festat fetare, ditëlindjet, e tjerë?  Festa  e  Pavarësisë  është natyrshëm më  e ndjeshme për të gjithë, të vjetër e të rinj. Pasi ka dalë nga një lloj eklipsimi  që i ka pas hedhur  përgjatë dekadave të komunizmit festimi me thekse  ideologjike i 29 nëntorit, festa e 28 nëntorit  ka dalë në vend të parë.  Kurse 29 nëntori dhe 11 dhjetori  duket se janë akoma ngjarje  palësh.  Dita e çlirimit shihet si një eskluzivitet i  të majtëve, pavarësisht  se  PD dhe  disa parti të tjera të djathta  nuk mungojnë të  marrin pjesë me ndonjë kurorë  me lule.  Lëvizjen e Dhjetorit 1990  dhe ngjarjet  e tjera që lidhen me të i përkujtojmë më shumë të djathtët, pavarësisht se  PS dhe  parti të tjera të majta marrin  pjesë e thonë ndonjë fjalë të mirë diku me sinqeritet, diku për oportunizëm, diku edhe për diversion  politik. Në të dy rastet jemi në kuadrin  e adeteve.

Politikanët shfaqen të ndarë në këto  kremtime sepse  rëndom edhe qytetarët  që i mbështesin janë të ndarë  në raport me to. Politikanët tanë rrallë rrezikojnë  t’i  tërheqin mbështetësit  në një  vështrim të ri të historisë  për të pranuar të gjithë, edhe ata që kanë qenë kundër kur ngjarja  ka ndodhur,  statusin historike  që ngjarja ka fituar  ndërkohë në  rrafshin e vlerave të civilizimit perëndimor apo në  produktin që ka sjellë në jetën e qytetarëve.  Shumë prej liderëve politikë dhe shtetarëve tanë nuk e kanë pasur e nuk e kanë  një  vështrim të tillë, u mungon dija e duhur, kultivimi, kuraja dhe oratoria për ta bërë këtë.  Disa llogarisin  si llogaritarë  të vegjël  votat.

Në  këto kushte njerëzit duhet të përpiqen ta  bëjnë vetë këtë kapërcim. Pra të bëjnë të gjithë pranueshme  ato ngjarje  që i ka prodhuar një palë apo një numër  jo i madh njerëzish,  “ushtarët e Salaminës”, siç  i quan  shkrimtari i shquar spanjoll  Havier Cerkas,  që në një moment të caktuar  tregojnë  me veprën e tyre  drejtimin e ri të historisë.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare  gjatë Luftës së Dytë  Botërore në dekadën e katër të shekullit të njëzetë dhe Lëvizja  Demokratike e Dhjetorit 1990 janë dy ngjarje  historike  për t’u pranuar nga të gjithë.

E para është një shëmbëlltyrë  e vendimit dhe sakrificës më të lartë të qindra  mijëra djemve dhe vajzave shqiptare  për t’i dalë zot  atdheut me armë në dorë . Në këtë apel janë luftëtarët e formacioneve partizane, por janë  edhe ata të  formacioneve nacionaliste. Të gjithë  shkuan në luftë për një qëllim, pavarësisht se si rrodhën ngjarjet  në kompleksitetin e tyre me vonë.  Janë dëshmorë të gjithë ata që i vret plumbi i armikut  në përballje.  Duke  qenë vetë  zot e vetë shkop  në regjimin e pasluftës Enver Hoxha më të tijtë  e shkruan historinë  siç deshën,  pa asnjë oponencë të brendshme.  Ka tashmë rreth  tre dekada që kjo histori  po rishkruhet në referim të fakteve, siç kanë ndodhur. Është një proces që vazhdon.

Në çdo rishikim e rishkrim të saj, lufta  patriotike antifashiste dhe antinaziste mbetet  një ngjarje e madhe  e pacenueshme  në historinë tonë. Kjo luftë e vendosi Shqipërinë në aleancën e madhe fitimtare  kundër mortajës naziste.  Është e vërtetë se krimet  e komunizmit  që u vendos pas luftës  hodhën një hije të rëndë mbi qëllimet për të cilët u bë ajo,  por  “kuptimi i ngjarjeve duke u nisur nga pasojat dhe duke i parë  ato nga këndvështrimi  i fitimtarit  të çon në padrejtësi të tmerrshme”,  thotë Rajmond Aron,  filozofi liberal mbi   tezat  e të cilit, apo edhe  mbi tezat e e të cilit  u ngrit Europa  demokratike  e pas luftës së dytë botërore.  Vështrime të tilla shumë më të gjera se sa citimi që sollëm këtu janë udhërrëfyese për trajtimin me  realizëm e  thellësi të problemeve të tilla kaq të ndjeshme. Nuk duhet hedhur  nga vaska bashkë me ujin edhe foshnja- kjo është  sentenca që  duhet të na bëjë në një mendje në këtë diskutim

Lëvizja studentore e Dhjetorit 1990  e ktheu Shqipërinë më fytyrë  nga Perëndimi dhe shënoi  drejtimin e  ri  demokratik dhe euroatlantik të historisë së vendit.  Edhe atëherë  ishin “ushtarët e Salaminiës”,  një grup studentësh kurajozë me Azem Hajdarin në krye,   të cilët hodhën dritën e pishtarit të demokracisë në udhën e re. Të tjerët erdhën pas tyre, dikush shpejt, dikush më vonë.   Nëse rëndësia e një ngjarjeje  matet me atë që prodhon në jetën e vendit,  Lëvizja  e Dhjetorit në gjithë komponentët e vet , përshirë   pluralizmin e negociuar mes përfaqësisë studentore   dhe ish Presidentit  Ramiz Alia ( Shqipëria ndoqi shembullin e Polonisë ku pluralizmi  u negociua mes Solidarnosit dhe  kreut të rregjimit,  Jaruzelski),   është  një  ngjarje e  madhe në historinë tonë.   Kurrë më parë  Shqipëria nuk ka  qenë kaq demokratike, kaq  e përfshirë  në rrjedhat e civilizimit perëndimor se në këto njëzet e nëntë vitet e  fundit.  Nga një  qeveri në tjetrën  vendi edhe ka zgjidhur, edhe ka akumuluar shumë probleme. Pandëshkueshmëria  në sferat e larta dhe kriza e drejtësisë, si dy anë të së njëjtës medalje,  janë dukuritë që e komprometojnë hapjen.  Por nuk cenojnë vlerën  e Lëvizjes nistore.  Në një vështrim të  përgjithshëm mund të  thuhet se Shqipëria është përpara ëndrrës së Dhjetorit 1990, por prapa kohës. Pra mund të kishte  bërë  me shumë. Sidoqoftë ngjarja  meriton të jetë e të përjetohet nga të gjithë  si  një pasuri e  përbashkët. Edhe nga ata që nuk e deshën atëherë.  Ky  kapërcim është në vetvete një moment civilizimi. Kështu rrënjoset historia dhe forcohet kohezioni  kombëtar.

Është e qartë se  ngjarjet historike e kanë  akoma të vështirë të nguliten si të gjithëpranuara në zemrat e të gjithëve.  Por ky është një udhëtim  në rrugën e emancipimit./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH