Aktualitet

Ngërçi me ndërkombëtarët, Kosova nis lobimin në SHBA

Shkruar nga Liberale

Kryeministri Albin Kurti, duket se po ndryshon mënyrën e funksionimit me ndërkombëtarët, pas tensioneve të fundit në veri dhe përplasjes që ka pasur me BE-në dhe SHBA. Për të pasur një qasje më të mirë ndaj ndërkombëtarëve, qeveria e Kosovës ka angazhuar një kompani lobimi në Uashington D.C.

Sipas dokumentit zyrtar të siguruar nga Euronews Albania, kompania lobuese e paguar nga qeveria e Kosovës me shumën e 147 mijë eurove do të ofrojë këshilla strategjike dhe përfaqësim të huaj brenda Shteteve të Bashkuara.

Sipas kontratës së nënshkruar nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, kompania do të ofrojë këshilla, përkrahje dhe komunikim me degët legjislative dhe ekzekutive të qeverisë amerikane për të përmirësuar marrëdhëniet bilaterale ndërmjet SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.

Kontrata, e nënshkruar më 26 qershor mes Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës së Kosovës dhe përfaqësuesit të kompanisë lobuese, shqiptaro-amerikanit Avni Mustafaj ka hyrë në fuqi më 3 korrik dhe është e vlefshme për një vit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH