Aktualitet

Nga se shkaktohet dhe çfarë është, zbulohet sëmundja e rëndë nga e cila vuan Fatos Nano

Shkruar nga Liberale
Nga se shkaktohet dhe çfarë është, zbulohet sëmundja

Ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili ndodhet prej disa ditësh i shtruar në gjendje të rëndë në spital, i është kthyer problemi kronik respirator që në gjuhën mjekësore, njihet me SPOK, sëmundje pulmonare obstruktive kronike nga e cila vuan prej disa kohesh.

Por çfarë është SPOK?

Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike (SPOK, COPD) është një sëmundje (patologji) që prek mushkëritë dhe mund të parandalohet. Karakterizohet nga një ngushtim (obstruksion) i parikthyeshëm ose pjesërisht i rikthyeshëm i rrugëve ajrore.

Ky obstruksion zakonisht është progresiv dhe shoqërohet me një përgjigje inflamatore jo normale kronike të mushkërive kundrejt grimcave të pluhurit dhe/ose gazeve si psh: monoksidi i karbonit prezent në tymin e duhanit dhe dioksodi i karbonit që gjendet në ajrin e ndotur të ambientit që na rrethon.

SPOK-u është shkaktari i tretë i vdekjeve në të gjithë botën dhe shkaktari i dytë që akuzohet për invaliditet të plotë të pacientëve. Në vitin 2010 janë raportuar mbi tre milionë vdekje nga kjo sëmundje në rang botëror.

Në Shqipëri kjo patologji nuk njihet mirë dhe si rrjedhojë ngelet e padiagnostikuar dhe/ose e keqtrajtuar. Studimet tregojnë që vendi ynë ka një prevalencë të lartë të SPOK-ut, duke prekur përafërsisht 5-6% të popullatës.

1- Cilët janë shkaktarët e kësaj sëmundje?

Duhanpirja është shkaku kryesor dhe më i zakonshëm. Njihen edhe faktorë të tjerë ndër të cilët përmenden: ndotja e ambientit, defiçitet e α1-antitripsinës, mosha, dieta ushqimore dhe aktiviteti i pakët fizik.

  1. Cilat janë shenjat dhe simptomat që shoqërojnë këtë sëmundje?

Kolla kronike me sekrecione dhe vështirësia në frymëmarrje kryesisht gjatë ecjes (efortit), janë më të shpeshtat në këtë sëmundje. Preken më tepër meshkujt > 40 vjeç duhanpirës, por kohët e fundit po shtohet edhe numri i femrave me SPOK si rrjedhojë e duhanit.

  1. Si diagnostikohet?

Diagnoza vendoset me anë të një testi të thjeshtë që quhet Spirometri me provën me bronkodilatatore (ventoline). Çdo subjekt me moshë mbi 40 vjeç mashkull ose femër, me ose pa ankesa, i rekomandohet të kryejë këtë egzaminim. Nëse pacienti diagnostikohet me SPOK duhet të përcaktohet grada e sëmundjes, që janë A,B,C,D (stadi I,II,III,IV).

  1. Cilat janë alternativat e trajtimit të kësaj sëmundje?

Duhet inkurajuar ndërpreja e pirjes së duhanit. Plani i mjekimit përcaktohet në varësi të gradës (stadit). Grada e parë nuk kërkon mjekim të vazhdueshëm, por vetëm në rast se pacienti ka ankesa.

Gradat e tjera kërkojnë mjekim më të gjatë. Mjekimi në përgjithësi konsiston fillimisht në ndërprerjen e pirjes së duhanit nga ana e pacientit dhe në përdorimin e medikamenteve që merren në formë inhalatore (në formë pompe) për një kohë të gjatë, por kjo në varësi të stadit të sëmundjes dhe gjendjes së përgjithshme të pacientit (sëmundjet shoqëruese).

SPOK është një sëmundje që nëse prek një person nuk mund të shërohet më. Mjekimi ka për qëllim frenimin sadopak të sëmundjes në stadin që diagnostikohet. Ndërlikimet e sëmundjes janë të shumta si psh: kardiake, endokrinologjike, muskulare, deri në invalidizim të plotë të pacientit./DITA/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH