Aktualitet

Nga propozimi live për martesë, te hedhja e kapelave/ UET feston me një ceremoni emocionuese që përshkruan qindra histori njerëzore

Shkruar nga Liberale

Ai që nisi si një fjalim i zakonshëm falënderimi dhe mirënjohjeje, brenda pak sekondash u kthye në një moment impresionues e të paharrueshëm për çdo të pranishëm. Në ambientet e gurta të Amfiteatrit të Tiranës, nën vigjilencën e mijëra syve, nën ajrin e freskët të mbrëmjes dhe tingujve romantikë të këngës së John Legend ,“All of me”, Glejdis Shabani u ul në gjunjë dhe i ofroi vajzës së zemrës dashuri të përjetshme. Studenti i sapodiplomuar zgjodhi kështu, të kurorëzojë suksesin dhe dashurinë në të njëjtën ditë. E sigurisht, ajo tha ‘Po’!

Ishte ky një nga çastet më emocionuese, mes dhjetëra të tillëve që dhuroi ceremonia e diplomimit të studentëve të bachelorit në Universitetin Europian të Tiranës. Lodhja, sfidat, puna dhe arritjet e tre viteve studim dhe jetë universitare, u kurorëzuan me një ceremoni shumë të veçantë, që do të mbahet mend gjatë, e ndoshta përgjithmonë, për të gjithë studentët e diplomuar, por edhe për prindërit e pedagogët e tyre që kishin mbushur stolat e gurtë të Amfiteatrit.

Ceremonia u shoqërua me përshëndetjen e themeluesve dhe drejtuesve më të lartë të universitetit, të cilët kujtuan momentet pikante në rrugëtimin 16 vjeçar, rikujtuan bazat mbi të cilat u hodhën themelet e kësaj godine njerëzore, që lëviz së bashku me emrin dhe arritjet e çdo të diplomuari. Nuk munguan falënderimet për ata që i besojnë UET-së të ardhmen, dhe për ata që punojnë palodhur, duke ofruar copëza të shpirtit të tyre. 13 korriku ishte një ditë me shumë gëzime edhe për vetë universitetin, teksa rektori lajmëroi përmbylljen me sukses të akreditimit institucional periodik nga një agjenci britanike.

“Kam kënaqësinë të ndaj me ju sonte se UET sapo përmbylli me sukses akreditimin institucional në 16 vite, atë që njihet si akreditimi periodik. Në ndryshim nga institucionet e larta të tjera publike ose jopublike, e realizoi këtë proces me një agjenci të huaj, atë të Sigurimit të Cilësisë – QAA në Britaninë e Madhe. Draft- raporti shkruan dhe nënvizon qartë se UET ka përmbushur plotësisht ato që njihen si njihen si 10-të ESG-të, European Standards and Guidelines, Standardet dhe Udhërrëfimet Evropiane, për arsimin e lartë, pa asnjë kusht. Kjo është shumë reputacionale për ju, për ne, për arsimin e lartë në vend, për vlerën e diplomës në tregun e punës”, nënvizoi Prof. Dr. Gjuraj, duke ftuar maturantët dhe të rinjtë të bëjnë në ditët e ardhshme, pa asnjë hezitim, zgjedhjen e programeve të UET-së, pasi diploma e tyre është zyrtarisht në përputhje me standardet evropiane të cilësisë.

Një nga dhjetëra bashkëpunëtorë të universitetit, Bashkia e Tiranës, përshëndeti rrugëtimin dhe suksesin e arritur nga UET dhe studentët, duke nënvizuar se ata kanë përfituar jo vetëm nëpërmjet realizimit të praktikës mësimore, por edhe nëpërmjet projekteve të ndryshme, ku shumica kanë qenë fitues.

“Në emër të Bashkisë së Tiranës do të doja t’iu falënderoja dhe t’iu përshëndesja. Jeni një universitet fantastik. Tani jeni kolegët e mi, sepse një pjesë prej jush i kemi pasur në praktikë, një pjesë do të jenë kolegë në të ardhmen dhe do të jeni ata që do ta çojnë Shqipërinë përpara. Bashkia nuk është rastësisht këtu. Ne e shohim universitetin si partnerin tonë të parë, jo vetëm për praktikat e punës, projektet që bëjmë bashkë, por detyrimisht për të krijuar atë rrjedhë e transformim që do t’i ndodhë shoqërisë sonë”, theksoi nënkryetarja e Bashkisë, Keti Luarasi.

Një apel drejtuar të rinjve, për t’i shërbyer vendit të tyre

"E ardhmja është gjithmonë e pasigurt, por ne që festojmë atë që keni bërë, që festojmë të gjitha arritjet tuaja, ne jemi të sigurt për një gjë në këtë ditë: Ju nuk do të na zhgënjeni”. Fjalët e aktorit të njohur amerikan, Tom Hanks, fitues i Çmimit Oscar, në një ceremoni diplomimi të dy viteve më parë në Wright State University, duken aq të qenësishme për vendin ku jetojmë. E njëjta thirrje dhe i njëjti mesazh u transmetua në fjalët e presidentit të UET-së, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, i cili iu rikujtoi të rinjve se jo vetëm familja, por edhe shoqëria pret shumë prej tyre. Në kohë pasigurie dhe tranzicioni, vigjilenca duhet edhe më e lartë, por Xhepa premtoi se UET do të jetë pranë të studentëve të diplomuar, për t’iu lehtësuar kalimin dhe përshtatjen me tregun e punës.

“Shumëçka duket se është futur në një proces të shpejtë shpërbërjeje: që nga qetësia e jetës së përditshme të dikurshme, e deri tek rendi botëror siç u përjetua në dy brezat e fundit. Industri që vdesin dhe të reja që lindin; teknologji dhe sisteme që nuk e kalojnë jetëgjatësinë e tyre me më shumë se një vit; kompetenca profesionale që duken gjithnjë e më të paqëndrueshme për shkak të zhvendosjeve tektonike në ekonomi dhe shoqëri. Ky destabilitet dhe pasiguria që e shoqëron, e bëjnë edhe më të vështirë orientimin tonë në botën reale. Dijet që keni marrë dhe aftësitë që keni krijuar përmes programeve tuaja të studimit, janë ndihmuese, por të pamjaftueshme për të kryer lehtësisht atë tranzicionin drejt botës reale. UET do ju jetë pranë me të gjitha zyrat e saj mbështetëse për të mundësuar një integrim sa më të shpejtë në tregun e punës. Por më shumë se kaq, rreth 15 mijë studentë të diplomuar në UET në të gjithë ciklet e studimeve janë rrjeti ynë i fuqishëm ndihmues për brezat e të sapodiplomuarve”, u shpreh Xhepa.

Ai preku një çështje mjaft të mprehtë, që është bërë lajtmotivi i jetës së çdo të riu, i cili pret me padurim rastin e volitshëm për të shtegtuar, herë- herë edhe pa kthim, drejt vendeve dhe mundësive të reja. Xhepa tha se studentët e diplomuar në UET nuk janë më pak të përgatitur se kolegët e tyre të huaj, pasi dijet, ekspertiza dhe kompetencat e fituara janë të njëjta me ato që ofrohen në çdo universitet të botës, kjo falë edhe ndërkombëtarizimit dhe përafrimit të kurrikulave.

“Apeli im sot është që ta vëmë talentin dhe dijen në shërbim të shoqërisë sonë. Vendi ynë i bekuar dhe me potenciale të jashtëzakonshme, është transformuar rrënjësisht në këto vite, kryesisht për mirë. Por kontributi juaj do të jetë shumë i nevojshëm për ta kaluar pragun e vendit në zhvillim dhe për t’u shndërruar në një vend dhe një shoqëri të zhvilluar të standardeve perëndimore. Por edhe shoqëria duhet të bëjë më shumë për ju të rinjtë. Institucionet publike dhe sektori privat, në veçanti biznesi i madh, duhet të ofrojnë për të rinjtë një mjedis pune ku ata të realizohen materialisht dhe shpirtërisht, ku përmes punës të keni mundësi të ndërtoni një të ardhme dinjitoze për familjet që ju do të krijoni”, theksoi më tej Xhepa.

16 vite UET, në syrin e atyre që i dhanë jetë

Në vitin 2006, Universiteti Europian i Tiranës do t’i shtohej tregut të arsimit të lartë, me ide të qarta, të pakonkurrueshme, të domosdoshme për shoqërinë shqiptare. Koha e tregoi nevojën dhe vlerën që solli, duke mbajtur mbi supe vite e  dekada.

Një nga gjashtë themeluesit, Laert Duraj kujtoi momentet e para dhe rolin që ai pati, krejt i ndryshëm nga shokët e vet. ”Unë kam qenë me shumë fat që kam qenë që nga momenti i parë që kur nisi të ngjizej UET. Në fokusin tim kanë qenë infrastruktura, godina, ambientet, gjëra që shkokët e mi akademik nuk para i kishin shumë qejf, as Çili, as Kajsiu, as Nurellari e as Hasimja. Kështu që më ra mua ajo barrë, por jam i lumtur gjithsesi. Nëse do të dija të shkruaja dhe nëse UET Press do të më kalonte në filtrin e saj të rreptë, do të kishte dalë një libër interesant, në këndvështrimin tim, sesi u rrit ky universitet”, tha Duraj.

Ai kujtoi se blerja e pare që bëri në cilësinë e administratorit të atëhershëm, ishte gjeneratori, që ndoshta sot mund të duket pak e pakonceptueshme për të rinjtë, por ikja e dritave ka qenë një realitet. Në harkun kohor të 16 viteve shumë gjëra kanë ndryshuar jo vetëm për universitetin, por edhe për vendin tonë.

“Në këtë udhëtim fantastik që ka bërë Shqipëria jonë, kryeqyteti ynë, UET me studentët e tij të shkëlqyer ka luajtur padyshim një rol të dorës së parë. Jam i sigurt që ju do të vazhdoni ta bëni, ashtu si secili prej nesh duhet ta bëjë, të japë kontributin maksimal për vendin e tij. Përveç studentëve të aftë e të talentuar UET, ka edhe një dimension që është unik në Shqipëri, atë të organizimit të eventeve vërtet fantastike, prodhimin e vlerave, veprave, shkrimtarëve, artistëve, gjithçkaje që ka një vlerë intelektuale në këtë vend”, u shpreh Duraj, duke kujtuar ceremoninë e dhënies së titullit Doctor Honoris Causa, të ndjerit Petrit Ruka, “poetit të mirë ulur në gurin e tij”, siç do ta përkufizonte kryeministri Edi Rama.

Mesazhe frymëzuese zgjodhi të japë edhe administratori i aktual i UET, Tildi Çadri, duke shprehur sërish mbështetjen për studentët, pasi shtëpia e tyre i pret gjithmonë krahëhapur për studime të tjera, projekte apo bashkëpunime. Çadri u shpreh krenarë që nga dyert e universitetit dalin jo vetëm profesionistë, por edhe qytetarë të denjë të Shqipërisë.

“Ajo që mbetet e rëndësishme në vijim, nuk është ajo se çfarë do të bëni, por cilët do të jeni, për të afërmit tuaj, për shoqërinë ku jetoni, cilët do të jeni për veten tuaj. Mbase në rrugëtimin tuaj do të hasni vështirësi e pengesa, ashtu si një notë jo pozitive, e cila duket se e ngadalëson progresin, por në fakt nxit etjen dhe ambicien për të qenë më të mirë. Gjatë këtyre viteve, pata fatin të takoj shumë prej jush, të dëgjoj nga pranë çdo pretendim, shqetësim dhe vërejtje. Më besoni, çdo fjalë e juaja na ka shërbyer për t’i bërë gjërat më mirë, në funksion të progresit dhe zhvillimit në këtë vend. Kini kurajon t’i thoni gjithmonë të vërteta tuaja! Do ta habiteshit sesa ndryshim do të sillnin”, theksoi Çadri.

Në fund të ceremonisë, pesë studentë ekselentë thanë fjalën e tyre, në këtë ditë që më shumë se kushdo, ata ndjenë peshën e rëndësinë e hapave të hedhur dhe gjurmëve të lëna ndër vite. E ndërsa në sfond luhej kënga himn e UET, studentët u bashkuan për të fluturuar kapelat e tyre, ashtu si ëndrrat dhe shpresat e tyre rendin pareshtur drejt lartësive.

[gallery columns="1" size="full" jnewsslider="true" ids="1256333,1256336,1256335,1256334"]

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH