Aktualitet

Nga lindja në adoleshencë, si “rriten” fëmijët?

Shkruar nga Liberale

Kolana UETPRESS – 15 vjet

Autore: Voltisa Lama

Titulli: Zhvillimi i Fëmijës

Voltisa Lama

Të rriturit e perceptojnë fëmijën nga këndvështrimi i tyre. Pavarësisht vetëdijes së përgjithshme së të menduarit, ndjenjat dhe sjelljet e të vegjëlve janë të ndryshme nga ato të të rriturve, njohuritë specifike mbi zhvillimin janë të kufizuara. Si adultë ndeshemi shumë me sensibilizimin social e mediatik për fëmijët në këndvështrimin edukativ dhe të rritjes fizike, por ofrohen njohuri sipërfaqësore për të njohur botën e fëmijës në këndvështrimin psikologjik. Ndërveprimi ynë me fëmijët do të përmirësohej më tepër nga njohja e botës së tyre, sesa udhëzimet moralizuese sesi duhet të sillemi me ta dhe t´i edukojmë. Prindërimi për ata që bëhen prindër për herë të parë është një udhëtim i panjohur. Si studentët, edhe profesionistët të cilët kanë përvetësuar njohuri teorike mbi zhvillimin, do të qartësojnë dhe ndoshta do të riformulojnë disa prej këtyre teorive kur të përballen nga afër me zhvillimin e një fëmije.

Në kohën kur sapo kisha nisur specializimin për “Psikiatri të Fëmijëve dhe Adoleshentëve” në vitin 2004, Prof. Schreier psikiatër me përvojë i fëmijëve dhe adoleshentëve më sugjeroi të vëzhgoja nga afër zhvillimin e një fëmije përgjatë gjithë viteve të specializimit dhe të mbaja një ditar për ecurinë e zhvillimit të këtij fëmije nga lindja deri në vitin e pestë të jetës. Në atë kohë iu përkushtova leximit dhe hedhjes në manuscripte të teorive të zhvillimit normal të fëmijës, krahas punës me raste klinike të fëmijëve dhe adoleshentëve, pa i kushtuar vëmendjen e duhur këshillës së tij. Vite më pas kuptova rëndësinë jo vetëm të vëzhgimit, por edhe të analizës mbi ato vëzhgime, proces i cili mund të kërkojë përsëri kohë. Gjatë tre viteve si lektore e lëndës  “Zhvillimi i fëmijës dhe adoleshentit” me studentët e ciklit Master Shkencor, dega Psikologji në Universitetin Europian të Tiranës përmblodha, ripunova dhe përditësova manuskriptet për teoritë e zhvillimit, si edhe shtova vëzhgimet e reflektimet personale mbi zhvillimin e fëmijëve në vitet 2011-2015, çka shërbyen si burim primar i materialeve të këtij libri.

Zhvillimi është rezultat i marrëdhënies midis fëmijës dhe ambientit ku ai rritet. Zhvillimi bazohet në karakteristikat e lindura të fëmijës, shpaloset sipas kohëve të maturimit dhe ecën përpara përmes disa detyrave dhe sfidave gjithnjë e më komplekse, të cilat fëmija duhet t’i zotërojë me qëllim që të jetë i aftë të funksionojë me veten dhe ambientin. Fëmija ka kapacitet të ndryshëm për të kuptuar veten, botën dhe për të vepruar në mosha të ndryshme. Libri qartëson pritshmërinë normale të një sjelljeje të caktuar të fëmijës sipas moshës dhe sesi kjo sjellje ndryshon në etapa të caktuara të jetës. Gjithashtu brenda një grupi fëmijësh të së njëjtës moshë ka dallime individuale, të cilat vijnë nga karakteristikat e lindura individuale të temperamentit dhe modelimi i këtyre karakteristikave në rrethanat e veçanta të ambientit ku rritet fëmija.

Libri përfshin zhvillimin nga lindja në adoleshencë. Vitet e para të jetës janë paraqitur më të detajuara, për arsye të vëzhgimeve të mia gjatë kësaj periudhe kryesisht me foshnjat  dhe fëmijët deri në moshat 5 vjeç, por edhe të domosdoshmërisë për një pasqyrim më të hollësishëm të ritmeve më të shpejta që ka zhvillimi në vitet e para të jetës. Zhvillimi normal i fëmijës ilustrohet me shumë shembuj nga praktika. Falenderoj prindërit të cilët më lejuan vëzhgimin dhe ndihmuan me përfshirjen e disa fotove të fëmijëve të tyre, si edhe të vegjëlit që i bënë të prekshme konceptet e zhvillimit. Uroj që ndërsa rriten, këto foto të mbeten për ta  pasqyrim i shprehjes së vetes në atë moment të zhvillimit.

Ky libër i shërben studentëve të psikologjisë, studentëve të psikiatrisë së fëmijëve, prindërve, mësuesve, klinicistëve dhe punonjëve socialë që merren me fëmijët. Libri ndihmon të kuptohen kompetencat kognitive, sociale, emocionale, pritshmëritë dhe kufizimet e zhvillimit për çdo grup-moshë. Kapitujt janë ndarë sipas sferave të zhvillimit - zhvillimi social & gjuhësor, emocional, kognitiv, psikoseksual dhe moral - secila prej tyre e shtjelluar në harkun kohor nga lindja deri në adoleshencë. Periudha nga lindja në adoleshencë është strukturuar sipas grup-moshave: foshnjëria 0-1 vjeç, toddler 2-3 vjeç, fëmijëria e hershme 3-6 vjeç, fëmijëria e mesme 6-11 vjeç dhe adoleshenca. Kjo ndarje është skematike dhe bëhet për të qënë lehtësuese për të kuptuar zhvillimin, por nuk është e ngurtë, sepse zhvillimi është proces që konsiston në shtimin gradual të tipeve të njëjta të aftësive që janë shfaqur më herët ose shtim të aftësive të reja. Kapitulli i parë dhe dy të fundit shtjellojnë influencat mbi zhvillimin. Libri fillon me “attachment” pasi kjo cilësi është mediator themelor për zhvillimin - zhvillimi do të ndodhë në mënyrë optimale vetëm brenda kornizës së attachment. Pjesa e fundit e librit lidhet me ndikimet e temperamentit, familjare, sociale dhe kulturore, për të treguar se zhvillimi është rezultat i marrëdhënies midis fëmijës dhe ambientit dhe i pandalur. Në një edicion të ri të librit pas disa vitesh planifikoj të zgjeroj kapitullin e ndikimeve familjare dhe social-kulturore, si edhe të pasqyroj lojën e fëmijëve në një kapitull të veçantë.

PJESË NGA LIBRI

Dobishmëria e lidhjes shpirtërore

”Attachment” krijon themelin e të ndjerit i sigurt, ofron mbrojtje. Foshnja shqetësohet më pak në një situatë të panjohur ose të frikshme nëse bashkë me të ndodhet një familjar.

Një funksion tjetër shumë i rëndësishëm i attachment për jetën e pavarur të fëmijës në të ardhmen është vetë rregullimi i humorit. Rregullimi i përsëritur, i suksesshëm dhe reciprok nga prindi i gjendjes së tensionit emocional e ndihmon foshnjën që të bëhet i aftë për ta rregulluar më vonë shqetësimin me forcat e veta (Davis, 2004). Foshnja zhvillon aftësinë për të gjetur strategji vetë qetësuese dhe për të kontrolluar reagimet e veta ndaj stimujve stresues. Nëse prindi si rregull nuk i përgjigjet, foshnja nuk ndihmohet për të rregulluar ngacmueshmërinë e brendshme përmes attachment dhe kur të rritet mund të përjetojë emocione dhe impulse të forta apo krijon strategji përballuese keqpërshtatëse ndaj stresit për shembull sheshimi i emocioneve apo hiperaktiviteti. Kur prindi i përgjigjet negativisht shqetësimit të foshnjës, foshnja mëson se për të ruajtur lidhjen shpirtërore me prindin duhet t’i frenojë ndjenjat e forta, veçanërisht ato negative. Me kalimin e kohës fëmija internalizon stilin e mbajtjes në kontroll të gjendjes së ngacmuar gjithmonë brenda vetes, duke minimizuar dhe shmangur shprehjen e emocioneve të forta.

Lidhja shpirtërore shërben gjithashtu për të nxitur shprehjen e ndjenjave dhe komunikimin. Attachment bëhet mjeti për të ndarë ndjenjat pozitive, për ta mësuar fëmijën të komunikojë dhe të luajë. Kur kjo lidhje vendoset mirë, fëmija mbështetet indirekt që të eksplorojë ambientin, sidomos nga mosha 1 vjeçare e në vazhdim. Nëqoftëse foshnja ka lidhje të sigurt, do të ndihet e gatshme për të eksploruar ambientin, pasi është e vetëdijshme që kujdestari do të jetë në dispozicion kur t’i nevojitet. Kujtoni fëmijët që vriten, vrapojnë tek nëna derisa e përqafojnë dhe qetësohen e më pas vazhdojnë lojën përsëri. Nëse foshnja nuk e ka vendosur ekuilibrin e lidhjes shpirtërore me prindin mund të mos shfaqë interes për të eksploruar ambientin, pasi mbetet e ngjitur pas prindit.

Origjina e sjelljes sociale është që në foshnjërinë e hershme dhe procesi i attachment përfaqëson fillesën thelbësore për socializim. Marrëdhëniet e hershme prind-fëmijë influencojnë rrjedhën e zhvillimit të fëmijës. Cilësia e attachment është mediator themelor për zhvillimin. Në modelin sesi funksionon bota që secili ndërton, karakteristikë bazë është nocioni i individit; cilat janë figurat e tij të attachment, ku mund të gjenden ata, dhe cila është pritshmëria për mënyrën sesi ata do të përgjigjen (Bowlby, 1973). Aftësia e mëvonshme e fëmijës për të zhvilluar marrëdhënie sociale bazohet në mënyrën me të cilën vendoset lidhja shpirtërore me prindërit. Sipas konceptit psikoanalitik fëmija zhvillon një model veprues të brendshëm të attachment bazuar në përvojën e tij.

…Lidhja shpirtërore është dinamike, gjen rrugë të reja duke u përpjekur të ruajë ekuilibrin e marrëdhënies. Lidhja emocionale e mëparshme dhe njohja e njëri-tjetrit e ndihmojnë marrëdhënien dypalëshe përballë vështirësive. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH