Krye

Nga De Biasi tek “UET Sport Club”; konsolidimi i traditës sportive

               Publikuar në : 09:16 - 04/07/20 liberale

Viola Shkulaku

“Ji i vërtetë ndaj lojës, në mënyrë që loja të jetë e vërtetë ndaj teje. Nëse lojës i bën hile, edhe loja do të të bëjë hile.”

Këto ishin fjalët e Michael Jordan të cituara nga kryeministri Edi Rama si një ish-basketbollist, gjatë ceremonisë së dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës, për ish-trajnerin e Kombëtares, Gianni De Bias.

Ishte viti 2015 kur trajneri i cili e çoi Kombëtaren tonë të Futbollit në “Europian” mori titullin më të lartë akademik.

“Jam më i emocionuar se sa herën time të parë në “Camp Nou” të Barcelonës, ku përballë meje dhe skuadrës time ishin Mesi, Eto, Ronaldinjo, Xavi dhe Iniesta. Jam i nderuar që po e marr këtë nderim nga një Universitet prestigjioz me mbiemrin EUROPIAN. Shpresj shumë që ky titull të na sjellë fat për kualifikimin e Kombëtares sonë në Europianin 2016”, u shpreh De Biasi teksa mori titullin.

Këtu e ka zanafillën edhe hedhja e idesë së krijimit të programeve të studimit të profileve të ndryshme të sportit në UET.

Ndërsa kjo nuk mbeti vetëm ide, por një projekt i cili do të merrte frymë vetëm tre vite me vonë e që do t’i mbështeteshin rreth 150 studentë në vetëm dy vite.

“Ideja e hapjes dhe zhvillimit të programeve mësimore lidhur me Edukimin në UET, përkoi me dhënien e titullit të De Biasit. Çmimi u nis për Gianni De Biasin, si figurë historike dhe që ka lidhje me futbollin shqiptar. Ai ka meritat e tij të veçanta për kontributin që i ka dhënë futbollit shqiptar. Aty filluan diskutimet dhe hulumtimet e para brenda departamentit, si dhe u hodhën bazat e hartimit të programit. Programi u lancua në vitin akademik 2018-2019 duke u kurorzuar me 27 studentët e parë.”, tregon Përgjegjësi i Departamentit të Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve, Prof. asoc. dr. Edi Puka, duke u kthyer pas në kohë e duke kujtuar emocionet e asaj dite.

Si çdo ide fillestare edhe profilet e Sportit në UET nisën, si diçka e vogël, por shumë e suksesshme, që ende po ndjekin rrugëtimin e tyre duke iu dhënë formë dhe profesionalizëm në çdo drejtim.

Sot numërohen 150 studentë si dhe pesë profile studimi në Bachelor, ku mes tyre më të preferuarat janë, futbolli, volejbolli dhe basketbolli.

Sigurisht që misioni i universitetit ka të bëjë me të mësuarit, por jo të gjitha mësimet ndodhin në klasë, e sidomos kur bëhet fjalë për sportin. Aktivitetet jashtëshkollorë i ndihmojnë studentët të rritin talentin e tyre dhe të eksplorojnë interesa të reja.

Ato krijojnë mundësi unike për t’u lidhur me shokët e klasës dhe për të zhvilluar aftësi që iu shërbejnë studentëve gjatë gjithë jetës.

Kështu ka lindur edhe “UET Sport Club” si dhe ekipi i futbollit, ndërsa synimi i radhës është krijimi i dy ekipeve të reja, atij të basketbollit dhe volejbollit të cilët priten të jenë risi e vitit të ri akademik.

“Ky ishte vetëm fillimi, për të ardhmen mendojmë të plotesojmë të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të federuar skuadrën e futbollit. Aktualisht kemi marrëveshje bashkëpunimi me qendra sportive në të cilat studentët në bazë të kohës së caktuar dhe praktikave profesionale marrin pjesë sipas specifikave dhe fushave përkatëse”, u shpreh Edi Puka.

Por jo gjithçka mbaron këtu, pasi i gjithë konturi do të kurorëzohet me ndërtimin e kampusit të ri, ku sportistët e rinj të UET do të kenë ambiente specifike profesionale ekskluzivisht dhe vetëm për ta.

“UET Sport Club”

Që prej themelimit të tij, Universiteti Europian i Tiranës ka pasur si traditë zhvillimin e Klubit Studentor të Sportit, ku u kushtohet një rëndësi e veçantë aktiviteteve të ndryshme sportive, të cilat pasurojnë jetën e studentëve.

“UET Sport Club” mblidhet një herë në muaj dhe aty diskutohet mbi tematika të ndryshme mbi sportin dhe se si mund të organizohen aktivitete të ndryshme sportive.

Ndërsa në mbledhjen vjetore u bë një “check up” i klubit të Sportit dhe tematikave që u zhvilluan në mënyrë falenderuese për studentet që ishin aktiv gjatë kohës së pandemisë.

Mentori i klubit, Mario Shabanaj është personi përgjegjës për çdo organizimin dhe mirëfunksionim e klubit, që nga takimet me studentët anëtare të klubit e deri tek zhvillimi i aktiviteteve të cilat nuk mungojnë.

Në “UET Sport Club” janë të regjistruar rreth 70 studentë, ku jo domosdoshërisht të gjithë kanë lidhje me sportin. Një pjesë e tyre vijnë edhe nga fakultetet e tjera të UET-it, pasi sporti për ta është pasion.

Ekipet sportive në UET, rruga drejt të ardhmes

Universiteti Europian të Tiranës aktualisht ka ekipin e tij të futbollit, pjesë e të cilit janë të rinj të talentuar që venë në praktikë të gjitha dijet e marra në auditor.

Profesor Mario Shabanaj, njëkohësisht edhe trajneri i tyre, por edhe pjesë e Federatës së Futbollit tregon se në ekipin që ai drejton, këtë vit morën pjesë vetëm studentë të sporteve, por synimi i radhës është që të përfshihen të gjithë, mjafton të kenë pasionin dhe vullnetin e mirë.

“Futbolli ka më shumë studentë pasi është sporti më i dashur dhe më popullor dhe pas tij vijnë lojërat me dorë si basketbolli dhe volejbolli”, tregon Mario.

Ndërsa pjesa më emocionuese ka qenë pjesëmarrja në “Universiadë”, ku UET-i u përfaqësua me lojën e futbollit me ekipin e minifutbollit dhe futbollit të madh.

“Vitin tjetër do përfaqësohemi dhe me sportet e tjera si basketbolli dhe volejbolli”, vijoi më tej Shabanaj.

“Universiada” organizohet nga Federata Shqiptare e Sportit Universitar (FSHSU) ku marrin pjesë në kampionatin kombëtar të universiteteve të gjitha universiteteve të vendit.

Ndërsa ajo që na bën më shumë krenarë është fitorja e studentëve në 2013-n, ku ekipi i futbollit UET fitoi kampionatin kombëtar të universiteteve. Ndeshjet u zhvilluan në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe mes brohoritjeve të tifozëve studentë, djemtë ngritën kupën e shumëdëshiruar.

Bora Sulka është pedagoge në profilin e “Lojërave me Dorë”. Sipas saj marrja me sporte sjell shumë përfitime si nga ana funksionale me përmirësimin e cilësive fizike, por dhe nga ana psikologjike dhe emocionale dhe kjo bën që të rritet një brez i shëndetshëm.

Ajo tregon planet për organizimin e një ekipi volejbolli në UET që pritet të lançohet vitin që vjen.

“Kontigjenti i studentëve është mjaft i mirë pasi jo vetëm tek sportet, por edhe në fakultete të tjera në UET kemi studente të cilët ndjekin pasionin e tyre për sportin dhe janë pjesë e ekipeve të ndryshme në Kampionatin Shqiptar të Volejbollit”, shprehet pedagogia e apasionuar pas volejbollit.

Kush e njeh basketbollin me siguri e ka dëgjuar edhe emrin e Eni Llazanit, ndërsa në UET e njohin të gjithë, pasi ka qenë student i Financës.

“Ishte dëshira e prindërve”, tregon Eni, teksa shton se më pas iu përkushtua studimeve me orientim drejt sportit, i cili është edhe pasioni i tij.

Por gjithmonë duke i ndërthurur të dyja, sot ai mban disa detyra mbi supe, që nga drejtues i ekipit të Kamzës e deri tek Kombëtarja e U-18.

Ndërsa tani një tjetër projekt e ka në mendje. Bëhet fjalë për ngritjen e një ekipi bashketbolli në UET, me studentë pjesë e profilit të “Lojërave me Dorë” kryesisht.

“Përderisa Universiteti Europian i Tiranës ka një numër të madh studentësh dhe hapësirash të cilat do të krijohen atëherë do krijohet edhe një ekip që ta përfaqësojë UET-in në menyrë të denjë. Pastaj çdo gjë do vijë në rritje hap pas hapi.”, u shpreh Eni Llazani.

Ai thotë se basketbolli është një sport kolektiv që kërkon shumë bashkëpunim, inteligjencë dhe përgatitje të lartë fizike.

Sipas Llazanit, krijimi i një ekipi e fut UET në komunitetin e basketbollit përpara shumë universitetesh që akoma nuk e kanë ndërmarrë këtë hap.

“Studentët të cilët kanë dëshirë dhe përmbushin cilësitë e nevojshme për të qenë pjesë e ekipit mund të përfitojnë me ndonjë formë burse sipas nivelit të performancës në sport. Basketbolli ofron mjaft mundësi punësimi si trajner në ekipet e moshave ku ka shumë mungesë tregu, asistente, gjyqtarë tavolinë, arbitër, scout etj.”, thotë Llazani.

Studentët e Sporteve në UET ndajnë eksperiencat e tyre

E kush më mirë se sa vetë ata, studentët e UET, pjesë e ekipit të Futbollit, por dhe të dy ekipeve të tjera që pritet të organizohen, basketbollit dhe volejbollit mund të tregojnë emocionet që sjell loja?

Roxhens Zeqo është student i vitit të dytë dhe studion për Sporte në profilin Futboll. Ai tregon se është pjesë e “UET Sport Club”, por edhe pjesë e ekipit të Futbollit, pasi këtë vit ka marrë pjesë në kampionatin e futbollit mes të gjitha universiteteve.

“Më ka pëlqyer shumë, por fatkeqësisht u ndërpre për shkak të Covid-19”, tregon Roxhensi me keqardhje, ndërsa nuk lë pa përmendur se ka zgjedhur të studiojë sporte pasi ka pasur një rrugëtim jo të shkurtër si futbollist.

Edhe pse ka që 10 vjeç që luan futboll, ai tregon se eksperienca në UET është mjaft e bukur dhe se me “profe. Marion”, siç ai e quan me dashamirësi, “kalohet shumë mirë”.

Ndërsa Mamude Ademaj ka preferuar të zgjedhë “Lojëra me Dorë”. Ajo është në vitin e parë, dhe tregon se ka zgjedhur të studiojë për Edukim Fizik në UET pasi sipas saj e ardhmja e saj është e sigurt aty.

“Kam zgjedhur UET pasi mendoj se e ardhmja ime varet nga aty dhe e di që e kam të sigurt”, shprehet studentja, ndërsa siç thotë dhe vetë “në mendjen e saj ka shumë gjëra për të ardhmen”.

Ëndrra e saj është të bëhet jo vetëm një zyshë e Edukimit Fizik, por edhe të ketë një palestër të sajën.

“Do punoj fort që pasi të mbaroj studimet të jem një zyshe e edukimit fizik pasi sporti ka qenë ëndrra ime dhe do vazhdojë të jetë. Por kjo nuk domethënë që unë do ngelem vetëm tek të qenurit zysh. Një palestër e imja do jetë po ashtu në planet e mia. Në mendje kam shumë gjëra.”, tregon studentja ambicioze e cila përveç kësaj rrëfen edhe pasionin e veçantë për volejbollin.

E me siguri, ajo do të jetë pjesë e ekipit që do të krijohet vitin që vjen.

Ndërsa sa i përket “UET Sport Club”, rrëfen se fatkeqësisht gjatë pandemisë për sportet, jo vetëm në UET, por kudo organizimet fizike mungonin. Megjithatë nuk mungonte bashkëbisedimi online në lidhje me tema të caktuara.

Një tjetër studente e cila gjithashtu e adhuron volejbollin është, Zhani Gjondedaj. Edhe ajo është studente e vitit të parë dhe gjithashtu pjesë e “UET Sport Club”.

“Kam zgjedhur UET-in pasi aty shoh të ardhmen time. Nga klubi i sportit ne kemi fituar shumë njohuri bazë rreth sportit.”, tregon Zhani e cila thotë se sporti ka qenë ëndrra e saj dhe do punojë fort për të arritur atë që do.

Një zyshë fiskulture, një trajnere, por edhe shumë gjëra të tjera që ka dëshirë t’i arrijnë në të ardhmen.

Ashtu sikurse thotë zysh Bora, sporti është pasion dhe profesion dhe çdo sportist që nesër e shikon veten pjesë drejtuese dhe menaxhuese e klubeve duhet patjetër që të marrë njohuritë e duhura dhe këtë e ka bërë të mundur UET me degën që ka hapur.

Profilet në Bachelor në programin Edukim Fizik dhe Sporte

“Atletikë”

“Gjimnastikë”

“Futboll”

“Lojëra me Dorë”

“Gazetari” /Gazeta Liberale

Tags: , , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back