Analizë

Nevoja e krijimit të manualit për Cyberwar

Shkruar nga Liberale
Nevoja e krijimit të manualit për Cyberwar

*Mikel Qafa

Lufta kibernetike që Rusia ka ushtruar ndaj Ukrainës ka qenë po aq e pamëshirshme sa ajo fizike. Sulmi kibernetik ndaj satelitëve në ditën e parë të luftimeve u shpërnda në pothuajse 6000 parqe të prodhimit të energjisë me erë në Gjermani. Ky malware "fshirës" u përhap në të gjithë vendin, duke shkatërruar të dhëna të rëndësishme. Gjithashtu Rusia sulmoi infrastrukturën civile të energjisë dhe ujit, duke iu shtuar mjerimit të shkaktuar prej predhave dhe raketave. Kjo konsiderohet si një nga fushatat kibernetike më intensive të kryera ndonjëherë, si në kohëzgjatje dhe në mjerimin që shkaktoi. Përdorimi i sulmeve kibernetike po bëhet në mënyrë të papërgjegjshme sepse nuk ka një set rregullash mbi këtë lloj lufte.

Britania e Madhe po përpiqet të krijojë rregullat e para mbi dinamikën e kësaj fuqie duke përshkruar një pamje realiste dhe të kufizuar të fuqisë kibernetike. Shembulli që po studion qeveria Britanike sugjeron vendosjen e disa kritereve për të gjykuar nëse fuqia kibernetike po përdoret me përgjegjësi në një konflikt:

  1. Lloji i objektivave që zgjidhen për tu sulmuar. Dikur hakerët koreano-veriorë sulmuan një studio amerikane të filmit (Sony), sepse ajo publikoi një film jo të këndshëm për Kim Jong Un, udhëheqësin e vendit. Irani vazhdimisht ka sulmuar bankat Amerikane në përgjigje të sanksioneve që SHBA vendos ndaj qeverisë së Iranit. Rusia ka përdorur taktika kibernetike për të ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA dhe Evropë.
  2. Detajet në të cilat janë kalibruar sulmet. A arrijnë sulmet të kenë efekt në mënyrë preçize dhe kujdesen që të mos përshkallëzohet sulmi, apo përhapet kodi ngado pa u kontrolluar? Zyrtarët dhe ekspertët kanë kaluar shumë vite duke debatuar sesi ligji ndërkombëtar, përfshirë ligjet e konfliktit të armatosur, zbatohet në hapësirën kibernetike. Manuali i Talinit (2017) i cili është krijuar në bashkëpunim me NATO-n, është një udhëzues i tillë. Shërbimet e inteligjencës Ruse nuk i kushtojnë shumë vëmendje gjërave të tilla, por komandantët e përgjegjshëm kibernetikë kanë nevojë për avokatë pranë tyre.
  3. Mbrojtja e arsenalit të sulmuesit nga vetë armët e tyre. Mjetet e hakerimit të përdorura nga shtetet janë shpesh të fuqishme dhe të rrezikshme. Ato mund të shkaktojnë dëm të konsiderueshëm nëse bëhen gjerësisht të disponueshme. Në vitin 2017, një sulm kibernetik i Koresë së Veriut përhapi ransomware në të gjithë botën pjesërisht duke rishkruar kodin e dalë nga NSA (Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA). Ndërsa më shumë vende përqafojnë operacionet sulmuese kibernetike, siguria e mjeteve të tyre do të bëhet një çështje më e madhe.
  4. Forcat kibernetike kanë nevojë për llogaridhënie. Mbikëqyrja e kësaj fuqie është dyfish e vështirë sepse puna është shumë sekrete dhe gjithashtu shumë teknike. Ligjvënësit dhe gjyqtarët shpesh kanë vështirësi për të kuptuar detajet, ndaj krijimi i një sistemi ligjor apo teknik për mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e konflikteve të tilla është komplet diçka e re dhe aspak e lehte duke patur parasysh nivelin e ulët të bashkëpunimit mes palëve konfliktuese.

*Pedagog në Universiteti Europian i Tiranës

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH