Dossier

Nevila Nika: Si shpëtoi libri nga referencat nga librat e Enverit

               Publikuar në : 09:27 - 19/10/19 liberale

UET PRESS promovoi në hapësirat e Universitetit Europian të Tiranës, librin “Në shtëpinë e Zotit” me autore historianen Nevila Nika

UET PRESS prezantoi dje librin studimor “Në shtëpinë e Zotit”, Famullitë e Ipeshkvisë së Shkodrës, me autore historianen dhe Rektoren e Universitetit Europian të Tiranës Nevila Nika. Ky studim është një punim i hershëm i doktoraturës së Nikës, dhe vjen si pjesë e rëndësishme e kolanës Thesis e botimeve UET PRESS. Botuesi Henri Çili vlerësoi studimin si tepër të qenësishëm për shkencën e historisë dhe kontributin e Nikës, si përfaqësuese e një brezi të denjë historianësh që i kanë dhënë aq shumë vendit. Dritan Egro historian dhe profesor në UET u shpreh se ky libër pasuron historiografinë fetare. “Duke bërë një vlerësim të historiografisë fetare të shqiptarëve deri në vitet e Luftës II Botërore prifti-historian italian Giuseppe Valentini e gjeti atë krejt të pamjaftueshme. Sipas tij, kishte shumë për të bërë në këtë fushë për të mbledhur burimet primare, kryesisht në arkivat osmane dhe ato italiane, por edhe dokumentet që gjendeshin në kishat dhe manastiret e Shqipërisë. Pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia e librit Famullitë e Ipeshkvisë së Shkodrës, i historianes Nevila Nika. Ai plotëson me lëndë të parë nga burimet arkivore vendase një vakum për territoret coreland të Katolicizmit në Shqipëri. Përmes regjistrave të vetë institucioneve katolike përftojmë një panoramë shumë të mirë të jetës së këtij komuniteti për segmentin kohor nga gjysma e dytë e shek. XVIII deri në dekadat e para të shek. XIX”, tha Egro. Profesorë, historianë dhe figura të njohur të jetës publike ishin të pranishëm në promovimin e librit në Universitetin Europian të Tiranës. Në fjalën e saj para të pranishmëve, rektorja Nika vlerësoi punën e gjatë në arkiva si një përvojë që e bëri të njihte më mirë të vërtetat historike. Sipas saj, ky libër i nisur vite më parë si punim doktorature nuk mundi të mbrohej në ato vite, por ndoshta ky është dhe fati i librit sipas saj, pasi një pjesë e referimeve në ato kohë do të ishin nga veprat e Enver Hoxhës.

KLERI KATOLIK SHQIPTAR DHE POZITA

E TIJ NË PERANDORINË OSMANE

 Nevila Nika

Historia e këtyre shkrimeve ka të bëjë me krizën e gjithanshme të institucioneve dhe ndjenjave fetare, që lindi e mori formë gjatë shek. XV për të shpërthyer vrullshëm gjatë shekullit pasardhës. Megjithatë, shenjat e kësaj krize ishin dukur edhe më parë pothuaj në të gjithë vendet evropiane ku popullsia praktikonte besimin e krishterë të ritit katolik. Koncili IV Lateranens më 1215 në sajë të përpjekjes së Inoncentit III vendosi normën, që i detyronte besimtarët të rrëfeheshin dhe të kungoheshn të paktën për festën e Pashkëve. Moszbatimi i kësaj norme u desh të shoqërohej me dënime të ashpra për ata që nuk i përmbaheshin asaj. Dënimet konsistonin në ndalimin e hyrjes në kishë për së gjalli dhe varrosjen në tokë të bekuar d.m.th. në varrezat e përdorura për të gjithë besimtarët, por jashtë këtyre. Këto masa dëshmonin qartas se si autoritetet kishtare ishin të detyruar qysh atëherë të imponoheshin nën petkun e rregullave të detyrueshme për të gjithë praktikat bazë fetare, shenjë kjo që besimi i fortë mesjetar po fillonte të zbehej. Megjithatë u desh shpërthimi i Reformës për të shkundur kishën nga plogështia në të cilën e kishin zhytur shekuj pushteti të padiskutueshëm. Ajo arriti të kuptojë se origjina e parë e krizës së katolicizmit ishte mondaniteti i kishës. Në këto kushte ajo mendoi se duke u bazuar në rinovimin moral të institucionit të vet do të mund të rifitonte besimtarët dhe pushtetin e humbur. Kështu u bënë përpjekje për të përmbushur dëshirat e përgjithshme për reformim duke krijuar urdhra të rinj fetarë, duke filluar nga jezuitët në mënyrë që të jepej një shembull i një shërbimi baritor më modern e më rigoroz. Ndër masat që kisha i quajti me vend t’i adapotojë, veçanërisht të dobishme qenë ato që i takojnë sektorit politiko-administrativ. Këto masa falë përvojës së gjatë qeverisëse, të lidhura ngushtë edhe me traditën shtetërore romake, bënë që Kisha Katolike shumë shpejt të ishte në gjendje të riorganizohej mjaft mirë për të kombinuar nevojat e karakterit fetar e moral me ato të karakterit absolutizmit të një organizmi pushtetar në fillimet e epokës bashkëkohore.

Vendimet e Koncilit Tridentin janë një shprehje tipike e këtyre masave. Objektivi më imediat i këtyre masave nuk mund të mos ishte Kuria romake, organi kryesor administrativ kishtar, pushteti politik dhe ekonomik i të cilit kishte një kufizim vetëm në personin e Papës. Shembull në këtë drejtim qe reforma e kongregacioneve të kardinalëve, me të cilën Sisti V donte të mundte stërpushtetin e kardinalëve, të cilët mbanin postet kyçe të Kuries. Institucioni i kongregacioneve të kardinalëve ishte, siç dihet, një manifestim tipik i absolutizmit. Pushteti politik tradicional, armiqësor ndaj absolutizmit papnor i Kolegjit të Shenjtë u zëvendësua me kompetenca të veçanta administrative aq sa kongregacione ishin. Kjo gjë ndoshta u favorizua objektivisht edhe nga numri mbizotërues i juristëve në krahasim me teologët në gjirin e kolegjit të kardinalëve. Papa Sisti V, autor i rregullores përfundimtare të kongregacioneve të qëndrueshme e shpjegonte problemin duke vëzhguar se donte t’i përdorte kardinalët si republika përdor senatorët. Ky vëzhgim ishte mbase qëllimisht me nënkuptim, pasi nuk donte të përplasej me ndjeshmërinë e Kolegjit të Shenjtë. Por nuk ka dyshim se Papa me këtë donte të thoshte se kardinalët duhet të punonin në zyrat e tyre si çdo zyrtar i lartë burokrat, si për shembull, senatorët e Republikës së Venedikut. Gjithashtu është domethënëse se vlerësimi përfundimtar i kongregacioneve të kryera prej Sistit V, duhet të shihet e lidhur me aksionin e vendosur zhvilluar nga Papa për vënien në zbatim të reformës së kishës katolike. Megjithatë, garancinë e vetme të pushtetit të saj efektiv mund ta kishte vetëm nga besimi i fortë i popullit dhe për të patur një kontroll politiko – fetar sa më efikas organi ideal u duk se ishte famullia. Për sa i takon këtij enti, u desh një impenjim më i madh për rinovimin e tij sesa për organet qendrore. Kjo për dy arsye:

  1. Duhej ndërruar mendësia e famullitarëve, të cilët e shihnin famullinë vetëm si një burim të ardhurash, në pritje për të ngjitur shkallët e hierarkisë kishtare sesa një përkujdesje për shpirtrat e pjesëtarëve të famullive.
  2. Një klerik më i ndërgjegjshëm për detyrat e tij kishte nevojë për mjete veprimi më të përshtatshme për detyrat që i kërkoheshin.

Vendosjen e rregullave bazë e bëri Koncili Tridentin, i cili gjatë sesioneve të gjata mundi të sqarojë njëherë përgjithmonë se çfarë duhej kuptuar për mision priftëror dhe se si shumë implikime mondane ishin të papajtueshme me të. Dhe nga ana tjetër vendimi për të vendosur detyrimin e mbajtjes me famullitarët e librave të pagëzimeve dhe të martesave kishte për qëllim të bënte që administrimi i sakramenteve të ishte thelbi i shërbimit priftëror, një rast për të njohur më thellë jetën shoqërore e fetare të pjesëtarëve të famullisë. Për këtë mbas këtij Koncili shumë sinodë dioqezanë u morën me këtë problem. Por nuk qe e lehtë të detyroheshin famullitarët të mbanin këto lloj regjistrash dhe veçanërisht ato për “Gjendjen e frymëve” (Libri Status animarum). U pa e nevojshme vendosja shprehimisht e detyrimit me Ritualin Roman të vitit 1614 – Rituali roman, realizuar në formën përfundimtare të tij me hyrjen në përdorim si pasojë e bulës “Apostolicae sedi” të Papës Pali V në vitin 1614. Ai është libri liturgjik, që përmban formulat për ritet e bekimit, ceremonive, administrimit të sakramenteve, asistencën e ulokëve, me fjalë gjithçka përmbledh misionin baritor, pra edhe metodën e përpilimit të librave të famullive, që u bënë pjesë përbërëse e saj. Për sa i takon librit të “Gjendjes së frymëve”, jepen normat se si duhet të plotësohen3. Vetëm pas kësaj date fillon përhapja e gjerë e tyre. Megjithatë na duhet të pohojmë se përpilimi i tyre mbeti gjithnjë problematik për kishën katolike romane. Gatishmëria e famullitarëve për përmbushjen e kësaj detyre, d.m.th. përpilimi i këtyre librave, nuk ishte ajo që duhej. Dhe kjo kuptohet lehtë, pasi ata për të kryer këtë punë duhej të shkonin shtëpi më shtëpi në periudhën para Pashkës. Rituali i kërkonte famullitarëve të shënonin të paktën emrin dhe mbiemrin, sa vjeç është çdo pjesëtar i familjeve të famullisë, duke i shënuar njëkohësisht edhe një “K” për aktet e kungimit. Famullitarëve, veçanërisht në famullitë më të populluara mund t’u jepeshin edhe skeda emërore, të cilat dorëzoheshin në çastin e kungimit të Pashkës. Këto skeda do t’i jepnin mundësi famullitarit të verifikonte përmbushjen e preçetos së Pashkës. Në fund të librit famullitari duhej të përmblidhte të dhënat e mbledhura në një lloj tabele e t’ia dërgonte atë Ipeshkvit.

Është i qartë volumi i punës që duhej të kryhej. Por për famullitarët në dioqezat shqiptare nuk ishte kurrsesi numri i madh i popullsisë, që krijonte vështirësi në përmbushjen e kësaj detyre. Famullitarët në trevat shqiptare punonin në kushtet e sundimit osman, gjë që natyrisht nuk ishte e lehtë për t’u kapërcyer aq më tepër në kushtet kur besimi zyrtar në Perandorinë Osmane, ishte ai islam.

Tjetër vështirësi, shpesh kryesorja, në mosplotësimin e këtij detyrimi, ishte pozicioni gjeografik i fshatrave që bënin pjesë në një famulli. Largësia jo gjithnjë e vogël midis fshatrave dhe rrugët tepër të vështira për t’u përshkuar për shkak të terrenit tepër të ashpër dhe pasigurisë politike.

Gjithashtu këtu duhet të pranojmë se një rol jo të vogël negativ për mosplotësimin e detyrimeve, që parashikonte Rituali, luante edhe varfëria e madhe e besimtarëve dhe vetë famullitarëve.

Megjithatë në thelb mosrespektimi i normave të vendosura nga autoritetet eprore kishtare, nga ana e famullitarëve përbëri për një kohë të gjatë, jo një përjashtim, por një rregull.

Kështu nga dioqezat shqiptare nuk kemi mundur të kemi asnjë nga këto libra për “Gjendjen e frymëve” dhe për rrjedhojë nuk jemi në gjendje të përcaktojmë nëse famullitarët në dioqezat shqiptare e kanë ose jo kryer këtë detyrim. Megjithatë, për hir të së vërtetës duhet të themi këtu se në Sinodin e mbajtur në Beltojë më 31 Mars 1704, nën kryesinë e Imzot Anton Babit, është vendosur mbajtja në libra të veçantë ashtu siç është parashikuar në Ritualin Roman, e pagëzimeve, martesave, konfirmimeve, vdekjeve dhe Gjendjes së Frymëve.4 Duke nisur nga vendimet e këtij Sinodi, na lejohet të mendojmë se ndoshta në kushtet e pushtimit osman, klerikët katolikë në dioqezat shqiptare, mund ta kenë kryer detyrimin e mbajtjes së librit të Gjendjes së Frymëve, në formë relacionesh vetëm për Selinë e Shenjtë dhe Kongregacionin e Propagandës Fide. Për të arritur në këtë përfundim na vjen në ndihmë edhe një shënim i vetë Ipeshkvit të Shkodrës i vitit 1750,5 ku thuhet se Papa Benedikti i XIV (1740-1758), ka nxjerrë një dekret mbi dërgimin e raporteve çdo tre vjet pranë Kongregacionit të Propagandës Fide mbi famullitë e dioqezat. Pra si rrjedhim i këtij dekreti jemi të mendimit se kleri shqiptar natyrisht e ka zbatuar dhe njëkohësisht ka patur edhe kopjen e vet të këtyre raporteve. Mirëpo duke qenë se autoritetet pushtuese osmane mund ta përdornin këtë dokumentacion për qëllimet e tyre, si për nxjerrjen e shtimin e taksave, angarive e atributeve të ndryshme, pjesa më e madhe e tyre nuk është ruajtur.

Por ndërsa deri më sot nuk kemi mundur të ndeshemi me një libër të Gjendjes së Frymëve, të përpiluar prej ndonjë nga famullitarët e shumtë të dioqezave shqiptare, e kundërta ka ndodhur me librat e tjera të famullive. Deri më sot kemi mundur të grumbullojmë një sasi jo të vogël të librave të famullive, ku janë regjistruar aktet e martesave, lindjeve, vdekjeve dhe krezmimeve, por edhe në këtë drejtim Ipeshkvia e Shkodrës ka hasur në vështirësi nga mosrespektimi nga ana e famullitarëve të detyrimit për të mbajtur në rregull këtë lloj dokumentacioni. Kështu Ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Pal Pema Kampsi gjatë vizitës së tij baritore më 26.12.1747 në famullinë e Top-hannës 6 konstaton se famullitari nuk i ka mbajtur në rregull aktet e pagëzimit, martesave dhe vdekjeve. Për këtë ai urdhëron se nëse nuk do të veprohet konform udhëzimeve të nxjerra nga instancat e larta kishtare famullitari rrezikon të shkishërohet.

Gjithashtu ka edhe regjistra të Ipeshkvisë e më vonë të Arqipeshkvisë së Shkodrës, ku përveç të dhënave të mësipërme (lindje, maretesa, vdekje e krezmime), janë kopjuar relacione të Ipeshkvëve dhe të Vizitatorëve Apostolikë rreth vizitave të tyre baritore në famulli të ndryshme, testamente të personave të ndryshëm, pronat e famullive, kishat e pajisjet e tyre, sasia e meshave të mbajtura ose që duhet të mbahen etj.

Duke qenë se kisha katolike e konsideronte mbajtjen e dokumentacionit të saj, d.m.th. librave të sipërpërmendur dhe çdo lloj tjetër dokumenti të përpiluar nga instancat e ndryshme të hierarkisë kishtare, një detyrë parësore të saj, drejtuesit e dioqezave kryenin kontrolle të shpeshta për të verifikuar mënyrën e mbajtjes dhe rregullsinë e përpilimit. Me rastin e këtyre kontrolleve periodike, Ipeshkvit bënin edhe shënimet përkatëse në dokumente, duke thënë nëse çdo gjë është gjetur e shkruar e kryer sipas rregullave kishtare ose nëse ka nevojë për një plotësim apo rregullim. Konstatohet nga dokumentacioni që na ka mbërritur deri më sot se arkiva kishin jo vetëm Dioqezat dhe Kryedioqezat, por edhe secila famulli e mision shëtitës françeskan./Gazeta Liberale

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back