Edhe nëse presidenti mund t’i ketë tejkaluar kompetencat, aktet e tij mund të mos e justifikojnë shkarkimin. Ka qenë ky opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias, miratuar dje në prani të përfaqësuesve të palëve.
Ende pa u botuar raporti përfundimtar, maxhoranca sheh se ekspertët kushtetues të Këshillit të Europës kanë certifikuar 30 qershorin, ndërsa komisioni hetimor do të vijojë punën, pa u ndikuar nga mendimi i “Venecias”, edhe pse u kërkua nga Kuvendi
Suadela Balliu
Leximet kontradiktore rreth opinionin të ekspertëve të Komisionit të Venecias vijojnë edhe pas shkëmbimit të pikëpamjeve ditën e djeshme në Venecia, me përfaqësues të maxhorancës dhe presidentit Meta, rreth shkarkimit të këtij të fundit.
I dërguari i shumicës parlamentare, Taulant Balla do të rendiste në një postim në rrjetet sociale katër pika nga raporti përfundimtar, i miratuar nga Komisioni në mbledhjen e 11 tetorit. Sipas kreut të grupit parlamentar të PS-së, raporti i ekspertëve kushtetues kishte dalë në përfundimin se presidenti kishte anuluar dhe shtyrë zgjedhjet pa pasur kompetencë në Kushtetutë apo ligjin elektoral dhe se aktet e tij kishin cenuar të drejtën e shtetasve për të zgjedhur, një e drejtë themelore e të drejtave të njeriut, siç citohej në raportin paraprak, i cili rrodhi në media disa ditë më parë.
Në një deklaratë për shtyp, Komisioni i Venecias theksonte rrjedhjen e raportit para se të miratohej, ndërsa theksonte se vetëm ai që do të publikohet në uebsajtin zyrtar ditën e hënë, pasqyron pozicionin zyrtar të Komisionit të Venecias.
Por, në mënyrë të përmbledhur në deklaratë Komisioni theksonte se edhe nëse presidenti Meta mund të ketë tejkaluar kompetencat në shtyrjen e zgjedhjeve lokale, shkarkimi mund të mos justifikohet.
Në opinionin e miratuar dje, i kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Komisioni i Venecias vëren se edhe në rast të një gjendjeje emergjence, si luftë apo katastrofa natyrore, Parlamenti do të duhet të përshtatë legjislacion ad hoc, për shtyrjen e zgjedhjeve.
Duke përshkruar se akti i presidentit erdhi në përgjigje të krizës politike në vend dhe bojkotit elektoral nga disa parti të mëdha politike. “Edhe nëse Parlamenti do të gjejë se presidenti ka kapërcyer kompetencat, Komisioni i Venecias vë në pikëpyetje nëse kjo është e një karakteri aq të domosdoshëm për të arsyetuar një “shkelje të rëndë””, thuhet në komunikatën për mediat, ndërsa ekspertët nënvizojnë thirrjet e presidentit për dialog dhe pritshmërinë e tij se shtyrja e zgjedhjeve mund të kishte kontribuar për një kompromis mes partive. Ata theksojnë se dekretet të presidentit nuk janë sfiduar përpara një gjykate.
Ashtu siç edhe theksonin në raportin paraprak, ekspertët e Venecias nuk i vendosin zgjedhjet lokale me të njëjtin status kushtetues, si zgjedhjet parlamentare.
“Shtyrja e zgjedhjeve lokal nuk është aq domethënës apo i dëmshëm ndaj funksionimit kushtetues të shtetit sesa një shtyrje e zgjedhjeve parlamentare”, shkruhej në raportin paraprak, i cili dje është diskutuar mes përfaqësuesve të palëve, ku presidenti Meta edhe pse kishte deklaruar publikisht se do të shkonte vetë në Venecia, u përfaqësua nga shefi i kabinetit Arben Cici, këshilltari ligjor Bledar Dervishi dhe këshilltarja për Integrimin, Ilda Zhulali
Ekspertët e Venecias, gjithashtu thonë se, edhe nëse Parlamenti do të vendosë natyrën e rëndë të shkeljes, kjo nuk ka nevojë të çojë domosdoshmërisht tek shkarkimi, duke marrë në konsideratë fuqinë e seancës plenare të Kuvendit për të konsideruar të tjera synime kushtetuese, si ruajtja e parimit të kontrollit dhe ekuilibrave, si edhe stabilitetit në vend.
Interpretimet e palëve
Sipas draft-opinionit, të publikuar në fund të shtatorit në media, Komisioni theksonte se edhe nëse Kuvendi do të marrë në konsideratë shkeljen e rëndë të Kushtetutës, mund të vendosë në mënyrë legjitime të ndalet nga vazhdimi i procedurave për shkarkim.
Por ndryshe e ka parë ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila është shprehur se puna e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit do të vijojë e pandikuar nga raporti i Venecias, të cilin siç pranoi ajo ende nuk e dispononin në formën e tij finale.
“Presidenti s’mund t’i anulonte zgjedhjet, nuk kishte asnjë konsensus. Ka marrë kompetenca të parlamentit, dhe presidenti për të gjitha këto shkelje duhet të ballafaqohet në komision hetimor e më pas në Kuvend”, është shprehur Spiropali, duke shtuar se dokumenti përfundimtar nuk ndryshon shumë nga drafti. Ndonëse Komisioni i Venecias u ftua për të dhënë opinionin e tij mbi tetë pyetje lidhur me aktet e presidentit për anulimin dhe shtyrjen e zgjedhjeve nga vetë kryetari i Kuvendit, Spiropali thotë se maxhoranca i beson gjykimit të Komisionit Hetimor, duke e ftuar të bëjë punën i pandikuar e të dorëzojë raporti në parlament. “E më pas gjykata kushtetuese do të japë vendimin e saj.”
Megjithëse objekti i shqyrtimit të ekspertëve të Venecias, të cilët vizituan Tiranën dhe u takuan me një sërë aktorësh, ishte ai i akteve të presidentit dhe nëse anulimi dhe shtyrja e zgjedhjeve lokale mund të konsideroheshin shkelje e rëndë e Kushtetutës, për të garantuar shkarkimin e tij, maxhoranca e sheh si certifikim të zgjedhjeve të 30 qershorit.
Pas miratimit të raportit ka reaguar edhe kryeministri Rama, duke nënvizuar tre përfundime, sipas tij, thelbësore të Komisionit të Venecias “që konfirmojnë pa asnjë ekuivok, drejtësinë e qëndrimit tonë para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 30 qershorit”, shkruante kreu i qeverisë, i cili nuk u lëkund në qëndrimin e tij duke e argumentuar se shtyrja e zgjedhjeve do të sillte në krijimin e një precedenti të rrezikshëm, ku parti politike në zgjedhje të ardhshme mund të bojkotonin zgjedhjet e të kërkonin shtyrjen e tyre, që do të çonte edhe në tejkalimin e afateve të mandateve për përfaqësuesit e pushtetit vendor, por edhe qendror.
“Bojkoti elektoral nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të
Elektoratit nuk mund të parandalojë zgjedhjet e rregullta. Përndryshe, këto parti do të kenë mjetet për të parandaluar plotësisht çdo zgjedhje”, shkruhej edhe në konkluzionet e raportit paraprak të Venecias. Ky ka qenë edhe përfundimi i parë i renditur nga kryeministri Rama, ndërsa i dyti ishte cenimi i së drejtës së shtetasve për të zgjedhur dhe ashtu siç kishte publikuar më herët edhe Balla që ishte i pranishëm në mbledhjen me përfaqësuesit e Komisionti të Venecias, kryeministri theksonte si përfundim të tretë mungesën e bazës ligjore në veprimet e presidentit, pas pasur kompetenca në Kushtetutë dhe ligj.
Nuk ka vonuar përgjigja e presidencës, përmes zëdhënësit Tedi Blushi, i cili doli në një konferencë për mediat. Ai tha se Kreu i Shtetit, Ilir Meta nuk ka shkelur kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Zëdhënësi theksoi se dokumenti i publikuar nga “Rilindja” nuk është i vërtetë.
Sipas zëdhënësit të Presidencës, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla së bashku me ministren për marrëdhënien me parlamentin, Elisa Spiropalit kanë shpërndarë informacioni jo të vërtetë në media në lidhje me raportin e Venecias mbi 30 qershorin, ku thuhej se: Komisioni i Venecias shprehet se Presidenti Ilir Meta ka shkelur kushtetutën me vendimin për anulimin e datës 30 qershor për zgjedhjet në vend.
“Diferencat në përmbajtje janë shumë të qarta dhe për këdo që ka dyshimin më të vogël mund t’i adresohet faqes zyrtare në internet të KiE-s për të kuptuar të vërtetën e vetme. Është kjo arsyeja pse Presidenti i Republikës në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje për të ruajtur dhe mbrojtur integritetin e Komisionit të Venecias, nga lolot e shtetit të propagandës”, ka thënë Blushi, ndërsa ka cituar paragrafë nga deklarata për mediat e Komisionit të Venecias. Zëdhënësi i presidencës u shpreh se Komisioni i Venecias ka vlerësuar thirrjet e Presidentit për dialog dhe përpjekjet e tij për arritjen e një kompromisi midis palëve, që ishin të rëndësishme për zgjidhjen e krizës. “Kjo është e vërteta e vetme që në ditët në vazhdim do t’i bëhet e ditur çdo shqiptari!”, është shprehur ai, ndërsa dy ditë më parë në një intervistë televizive presidenti Meta tha se shqetësimi i tij i vetëm më 11 tetor ishte Kombëtarja e Futbollit, në ndeshjen kundër Turqisë dhe gjendja e shëndetësore e futbollistit të dëmtuar Elseid Hysaj.
Në pritje të raportit përfundimtar të Komisionit të Venecias, që edhe në draft-opinionin e para disa ditëve theksonte se vendimi i mbetet Kuvendit dhe në fund Gjykatës Kushtetuese, paraprakisht e kishin theksuar, siç edhe dje përmes deklaratës zyrtare, se ka tregues se aktet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre që justifikon shkarkimin.
Në raportin paraprak, Komisioni i drejtohej Kuvendit që të kishte parasysh nëse shkarkimi i presidentit do ta ulte apo rriste tensionin politik dhe nëse ndjekja e kësaj rruge për shkarkim do t’i shërbente unitetit të popullit dhe a do të siguronte besueshmëri të shtetit shqiptar, në optikën ndërkombëtare, në një kohë kur parlamenti dhe të gjitha bashkitë dominohen nga një parti.
Presidenca: Zero shkelje e Kushtetutës
Titrat dhe lajmet e gënjeshtërta të shpërndara në panik nga shteti i propagandës, dhe të qarkulluara nga përsheshngrënësit mediatikë të PPP-ve, janë një dëshmi e qartë e dëshpërimit dhe stresit, ku kanë rënë lolot e Rilindjes, me në krye famozin e mashtrimit dhe jo vetëm, Tao Tao, në lidhje me konkluzionet e Opinionit final të Komisionit të Venecias.
Së pari dua t’ju bëj me dije një fakt të pakundërshtueshëm dhe lehtësisht të verifikueshëm, që nxjerr në dritë, para të gjithë shqiptarëve dhe opinionit ndërkombëtar, pacipësinë dhe pafytyrësinë e lolove të Rilindjes dhe famozit Tao Tao, që mashtrojnë dhe ndajnë në media, gjoja në emër të Venecias, raporte dhe konkluzione të pavërteta.Ky është dokumenti i vetëm zyrtar i publikuar sot nga Këshilli i Europës, në lidhje me konkluzionet e raportit final të Komisionit të Venecias. Ndërsa ky këtu është dokumenti që Tao Tao, lolot dhe përsheshngrënësit mediatikë kanë publikuar dhe shpërndarë me email, sms apo me titra. Dokumenti Tao Tao përhap lajmin e gënjeshtërt se sipas Venecias, Presidenti nuk mundet të anulojë zgjedhjet. Ndërkohë sipas deklaratës zyrtare për shtyp të Këshillit të Europës, mbi raportin final të Komisionit të Venecias thuhet si më poshtë: “Sipas opinionit të miratuar sot, i cili ishte kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruci, Komisioni i Venecias vëren se edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta apo katastrofa natyrore, Parlamenti do të duhej të miratojë legjislacion ad hoc (të posaçëm) për të shtyrë zgjedhjet”.Duke këshilluar kështu Kuvendin të investohet në plotësimin e vakumeve ligjore, siç rekomandojnë ekspertët e Venecias, dhe jo të investohet me të gjithë arsenalin e papagajve për të prodhuar dokumente Tao Tao dhe për të keqinformuar opinionin publik.Gjithashtu ky dokument thotë si më poshtë, citoj: “Ekspertët theksojnë thirrjet e Presidentit për dialog dhe pritshmërinë e tij se shtyrja e zgjedhjeve mund të kishte kontribuar në një kompromis midis palëve. Ata theksojnë mungesën e një sfide të drejtpërdrejtë të Dekreteve të Presidentit përpara ndonjë gjykate.”
Për më tepër, në këtë deklaratë zyrtare të KiE-së, këshillohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, citoj: “të marrë parasysh qëllimet e tjera kushtetuese, siç janë mbajtja e kontrolleve dhe ekuilibrave dhe stabilitetit në vend”.Diferencat në përmbajtje janë shumë të qarta dhe për këdo që ka dyshimin më të vogël mund t’i adresohet faqes zyrtare në internet të KiE-s për të kuptuar të vërtetën e vetme.Është kjo arsyeja pse Presidenti i Republikës në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje për të ruajtur dhe mbrojtur integritetin e Komisionit të Venecias, nga lolot e shtetit të propagandës. Gjithashtu ju bëj me dije, se është e provuar me fakte e prova të pakundërshtueshme, por që për etikë nuk mund të bëhen publike, se Tao Tao dhe lolot që e shoqëronin në “Venecia” janë detyruar sot të kërkonin falje me përulje para Komisionit, për keqpërdorimin politik të Draft Opinionit, për shkelje të konfidencialitetit dhe për përdorimin e “Venecias” për të keqinformuar shqiptarët, duke zhvendosur vëmendjen nga problemet e vendit dhe të integrimit.Duke i lënë në pacipësinë e tyre të gjithë lolot e shëmtuar të shtetit të propagandës dhe përsheshngrënësit e tyre mediatikë që nxitojnë të publikojnë lajme të pakonfirmuara, mbështetura mbi dokumente Tao Tao, ju sqarojmë se:
Opinioni Final i Komisionit të Venecias së shpejti bëhet publik dhe shqiptarët do e lexojë me sytë e tyre, e zeza mbi të bardhë, të vërtetën që Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka thënë gjithmonë:
Zero Shkelje të Kushtetutës!
Zero Shkelje të Kompetencave Kushtetuese!
Mbrojtje e shkëlqyer e Kushtetutës!
Mbrojtje e shkëlqyer e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut!
Mbrojtje e shkëlqyer e vendimit të Gjykatës së Strasburgut për të drejtën e zgjedhjes!
Mbrojtje e shkëlqyer e detyrimeve ligjore që ka Shqipëria nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian
Ju bëj me dije dhe ju konfirmoj me përgjegjësi maksimale se: Komisioni i Venecias vërtetoi sërish se Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.Komisioni i Venecias gjithashtu ka vlerësuar maksimalisht thirrjet e Presidentit për dialog dhe përpjekjet e tij për arritjen e një kompromisi midis palëve, që ishin të rëndësishme për zgjidhjen e krizës. Kjo është e vërteta e vetme që në ditët në vazhdim do t’i bëhet e ditur çdo shqiptari!
Deklarata
Venecia: Edhe nëse presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat, shkarkimi mund të mos justifikohet
Përballë sfondit të procesit të shkarkimit kundër presidentit shqiptar Ilir Meta, për shtyrjen e zgjedhjeve lokale përtej mandatit elektoral të autoriteteve vendore, ekspertët kushtetues, të Këshillit të Europës së Komisionit të Venecias dalin në përfundimin se, megjithëse presidenti mund të ketë vepruar përtej kompetencave të tij kushtetuese, ka tregues se aktet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre që justifikon shkarkimin.
Në opinionin e miratuar sot, që është kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, Komisioni i Venecias vëren se edhe në rast të një gjendjeje emergjence, si luftë apo katastrofa natyrore, parlamenti duhet të përshtatë legjislacion ad hoc për shtyrjen e zgjedhjeve.
Në përgjigje të krizës politike në vend dhe bojkotit elektoral nga disa parti të mëdha politike, presidenti fillimisht anuloi e më pas shtyu zgjedhjet lokale. Edhe nëse Parlamenti do të gjejë se presidenti ka kapërcyer kompetencat, Komisioni i Venecias vë në pikëpyetje nëse kjo është e një karakteri aq të domosdoshëm për të arsyetuar një “shkelje të rëndë”.
Ekspertët nënvizojnë thirrjet e presidentit për dialog dhe pritshmërinë se shtyrja e zgjedhjeve mund të kishte kontribuar për një kompromis mes partive. Ata theksojnë mungesën e kundërshtimit direkt të dekreteve të presidentit përpara një gjykate.
Për më të tepër, zgjedhjet lokale nuk kanë të njëjtin status kushtetues, si zgjedhjet parlamentare. Ekspertët thonë se edhe nëse Parlamenti do të vendosë natyrën e rëndë të shkeljes, kjo nuk ka nevojë të çojë domosdoshmërisht tek shkarkimi, duke marrë në konsideratë fuqinë e seancës plenare të Kuvendit për të konsideruar të tjera synime kushtetuese, si ruajtja e “check and balance” dhe stabiliteti në vend. Nëse Parlamenti do të vendosë në favor të shkarkimit, i takon në fund Gjykatës Kushtetuese, që aktualisht nuk funksionon, për të konfirmuar nëse vendimet e presidentit janë shkelje “të rënda” që do të justifikonin shkarkimin e tij./Gazeta Liberale