Jo më pak se dy muaj më parë BE mbajti një samit historik në Tiranë, duke qenë se Shqipëria, ashtu si Ukraina, i ka çelur negociatat dhe aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Por ndryshe nga Shqipëria, samiti i nesërm do të mbahet në një vend, aktualisht i përfshirë në luftë, dhe veç të tjerash qëllimi kryesor është për t’i dhënë një mesazh politik Rusisë.
Samiti BE-Ukrainë do të zhvillohet të premten dhe zyrtarët e lartë europianë kanë filluar që të enjten të mbërrijnë në kryeqytetin ukrainas. Përpara takimit, kryeministri Denys Shmyhal tha se Ukraina kishte vendosur atë, që ai e quajti një “qëllim ambicioz”, për t’u bashkuar brenda dy viteve me Bashkimin Europian.
Por një grup shtetesh anëtare kanë paralajmëruar se duhet t’i bëhet e qartë Kievit se kjo nuk do të jetë e mundur. Qershorin e kaluar Ukraina fitoi statusin e kandidaturës në BE, përmes një vendimi që është marrë me shpejtësi rekord, në atë që Presidenti Volodymyr Zelensky tha se ishte një moment unik dhe historik. Ndonëse është hapi i parë drejt anëtarësimit, procesi zakonisht zgjat shumë vite dhe disa vende të tjera aktualisht janë në radhë (përfshirë edhe Shqipërinë).
Zelensky tha përpara samitit se kjo do të jetë një javë e integrimit evropian dhe Kievi po pret vendime nga partnerët e tij në BE, në përputhje me përparimin e arritur pavarësisht luftës në shkallë të plotë me Rusinë.
Megjithatë, pak në Bruksel e shohin objektivin dy-vjeçar të anëtarësimit si një synim real, me shqetësime se mesazhet e forta nga disa figura të larta brenda BE-së mund të çojnë në zhgënjim.
“Kjo nuk është ajo që i duhet Ukrainës,” – tha një diplomat i BE-së. Një tjetër foli për presion, që vjen nga vende si Polonia, për të përshpejtuar procesin.
“Çdo gjë që ka doza kritike ndaj Ukrainës konsiderohet si herezi ose bashkëpunim me rusët.”
Një projekt-deklaratë e BE-së, që do të publikohet pas samitit, vendet e bllokut do të zotohen se e ardhmja e Ukrainës qëndron brenda BE-së dhe do të pranojnë “përpjekjet e konsiderueshme” të bëra muajt e fundit drejt përmbushjes së objektivave që mbështesin statusin e saj kandidat dhe kryerjes së reformave.
Por burime i thanë BBC-së se një pjesë e deklaratës u ndryshua sepse ishte shumë “e prirur përpara”, për anëtarësimin e Ukrainës në BE. Franca, Gjermania, Italia dhe vendet e tjera të BE-së, thuhet se të gjitha kanë dalë kundër një toni tepër optimist (çka do të thotë se mund të jenë edhe nën presionin e SHBA-ve).
Anëtarëve të mundshëm të BE-së u kërkohet të përputhen me rregulla, ligje dhe standarde. Përpjekjet e Ukrainës për reforma po vlerësohen gjerësisht, por ende nuk ka pasur asnjë vlerësim publik të BE-së për përparimin.
Sakaq, nga ana tjetër një valë e re bastisjesh kundër korrupsionit u zhvillua të mërkurën para samitit, teksa u publikuan imazhe të një bastisjeje në shtëpinë e një prej njerëzve më të pasur të vendit, Ihor Kolomoisky. Shmyhal tha se Ukraina planifikon të zbatojë të shtatë rekomandimet e Komisionit Evropian, të cilat përfshijnë masa të mëtejshme kundër korrupsionit, forcimin e ligjeve kundër pastrimit të parave dhe ndikimin e tepruar të oligarkëve të pasur të Ukrainës, në jetën politike dhe ekonomike të vendit.
Qëllimi i samitit është gjithashtu që BE të tregojë solidaritet me Ukrainën, dhe natyra historike e mbajtjes së një takimi të tillë, në një zonë lufte, ka për qëllim që t’i dërgojë një sinjal politik Rusisë se mbështetja për Kievin nuk po bie. Vendimet që pritet të zyrtarizohen përfshijnë dyfishimin e misionit të trajnimit për trupat ukrainase në 30,000 ushtarë dhe 25 milionë euro për të ndihmuar në çlirimin e territorit të çliruar nga minat tokësore.
Një përditësim mbi përparimin e Ukrainës drejt anëtarësimit pritet të publikohet në pranverë me një vlerësim më formal që do të pasojë më vonë gjatë vitit. Zyrtarët e lartë thonë se anëtarësimi i ardhshëm i Ukrainës nuk është në dyshim, por askush nuk është i gatshëm të përcaktojë një afat të saktë kohor.
/Përgatiti: Liberale.al/