Editorial

Nëse Rama nuk prek buxhetin për tërmetin është një lajm i mirë

Shkruar nga Liberale
Nëse Rama nuk prek buxhetin për tërmetin është një

Ervis Iljazaj

Pas kalimit të fazës së emergjencës si pasojë e tërmetit dhe dhimbjes kombëtare që e pasoi, tashmë politika dhe shoqëria shqiptare duhet të përballojë fazën e rindërtimit të dëmeve kolosale që shkaktoi ai.  Një fazë e cila do të ketë sforco të mëdha shoqërore dhe sidomos financiare.

Ende nuk ka një faturë financiare të saktë për rindërtimin, por shumat konsiderohen jo më pak se 500 milion euro. Një faturë që shpatullat e brishta të ekonomisë shqiptare nuk  e mbajnë dot, ose nëse e përballojnë ka efekte të mëdha në komponentët makroekonomik.

Çështja është se nga do të dalin këto para? Kryeminsitri Rama dje deklaroi se për këtë faturë nuk do të preket buxheti i shtetit. Nëse do ta mbajë fjalën, atëherë ky është një lajm i mirë, jo vetëm për ekonominë shqiptare por në tërësi për të ndërtuar një kulturë të re në përballimin e risqeve që vijnë nga fatkeqësitë natyrore .

Zakonisht në këto raste, krijohet një frymë solidariteti për fatkeqët e prekur nga tërmeti, e në ktë kuptim, të gjithë mendojnë se shtëpitë duhet të rindërtohen nga buxhet i shtetit, pra nga taksat e qytetarëve shqiptar.

Në fakt, në raste të tilla në vëndet e tjera shteti nuk ndërton shtëpi nga buxheti i tij për të prekurit nga fatkeqësitë natyore, por i ndihmon me mënyra të tjera, duke i dhënë bonuse qiraje, duke dhënë kredi të buta, apo duke mbledhur fondacione për të përballuar sa më shumë kostot financiare. Sepse, pavarësisht cdo fatkeqësie dhe dhimbjes që ndihet për të prekurit, buxheti i shtetit ka për të përballuar jetën e tre milion shqiptarëve të tjerë.  Ka për të paguar pensione, rroga, ka për të paguar fatuara apo projekte, të cilat nëse ndalin bllokojnë të gjithë procesin ekonomik të një vëndi, dhe pastaj dëmet ekonomike dhe shoqërore do të jene edhe më shumë se sa ato të tërmetit.

Aq më tepër kur këto kosto vijnë si pasojë e korrupsionit shtetëror, gabimeve të të tretëve, apo legalizimeve të banesave pa asnjë kriter ndërtimi. Në këtë kuptim, pavarësisht se ata njërëz duhen ndihmuar, kjo nuk duhet të behet në kurriz të të gjithë shoqërisë shqiptare dhe ekonomisë së saj.

Të imagjinojmë për një moment që në rastet e tërmetit dhe dëmeve që ai shkaktoi ka nga ato ndërtesa që janë ndërtuar në prona të zëna, të ndërtuara pa asnjë kriter ndërtimi dhe të legalizuar thjesht për arsye elektorale, dhe tashmë duhet të paguajmë përpsëri nga taksat tona pë ta ndërtuar atë shtëpi. Kjo nuk është as e drejtë as e duhur, pasi nuk ka asnjë llogjikë politike, shoqëore, kulturore dhe ekonomike.

Rastin e tërmetit duhet ta përdorim për të ndërtuar një kulturë të re për ndërtimet, për menaxhimin e situatave të tilla dhe krijimin e disa tregjeve të cilat do të na ulin kostot dhe do të shpëtojnë jetë dhe pronën në të ardhmen.

Për të zgjidhur këtë problem njëherë e mirë, ndoshta ka ardhur koha që riskun e fatkeqësive të tilla ta marrë përsipër vetë individi dhe qytetarët, dhe jo më shteti, sepse nëse nuk kalojmë në një fazë të re të kësaj situate, do të vazhdojmë ende të vuajmë pasojat e kostove materiale që fatkeqësi të tilla shkaktojnë. Deri më tani makutëria e pushtetit politik ka shkuar totalisht në drejtim të kundërt.

Megjithatë, për të reduktuar kostot financiare ka nevojë dhe për një sjellje të re nga ana e qytetarëve shqiptarë.

Në radhë të parë, ende nuk kemi kulturën e sigurimit të pronave të paluajtshme. Tregu i siguracioneve në këtë sektor, nga të gjitha të dhënat, është në nivele minimale. Nëse një treg i tillë do të ishte në nivelin e duhur, atëherë qytetarët e dëmtuar në pronat e tyre, nuk do të rropateshin nëpër zyrat e shtetit për dëmshpërblimet e tyre, apo këto dëmshpërblime të ktheheshin në fushata elektorale.

Në radhë të dytë, ka nevojë për një kulturë të përgjithshme të ndërtimeve. Deri më tani janë lejuar për shkak të lëvizjeve demografike ndërtime pa asnjë kriter dhe kudo, edhe në zona të rrezikshme, që i ruan vetëm Zoti dhe jo aspektet teknike të sigurisë së ndërtimit. Këtij fenomeni duhet t’i jepet fund njëherë e mirë. Sepse është absurde të mendosh, që shteti të legalizon një shtëpi edhe nëse ajo ndodhet afër një lumi apo pa asnjë kriter ndërtimi,  dhe pastaj të pretendosh që këtë shtëpi,duhet ta dëmshpërblejë në rast përmbytjeje.

Prandaj, për të siguruar pronat e çdo qytetari, ka nevojë për një ndryshim të qasjes në raport me pronën private të çdokujt. Në këtë mënyrë, çdo palë bën detyrën e vet. Individi siguron riskun për pasurinë e tij, dhe shteti merr çdo përgjegjësi për mungesën e çdo kontrolli teknik dhe burokratik që duhet ti bëjë pronave dhe ndërtimit të tyre në këto raste.  E vetmja zgjidhje për të ardhmen e shoqërisë shqiptare është kalimi nga një shoqëri emocionale në një shoqëri racioanle, në të kundërt, populizmi ashtu sikurse po e bën do ti marrë frymën të ardhmes tonë. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH