Kryesore

Nëpër misteret e ditarit poetik të Adnan Mehmetit

               Publikuar në : 10:53 - 10/05/21 liberale

Dr. Yllka Filipi

Ditari poetik i Adnan Mehmetit i mbushur me udhëtime në Tokën e Premtuar, është një mozaik kulturor shumëngjyrësh, dekriptues i natyrës, i detit, i qiellit dhe i tokës, për t’i dhënë substancë kuriozitetit të qenies humane përmes syrit zhbirues të shkrimtarit e poetit që depërton në histori, antikitet e trashëgimisë kulturore dhe horizontit të pritjes; duke hyrë si në ëndërr, në shtëpi të mermerta, breza magjikë me filigranë ari, brigje shkëmbore apo shpella ku burojnë ujërat hyjnore. Aty ku prehen poetët, dehur në magji të gjelbër, festa dionisiake, homazhe, pikëllime, frikë, katastrofa natyrore e buzëqeshje të cilat rrjedhin që nga legjendat nën lupën poetike, magji e mrekulli natyrore, që poeti nuk i prek me këmbë, por me shpirt.

Ky libër është një ftesë për çdo kureshtar të përjetësisë dhe misticizmit të natyrës. Nuk ishin vetëm romantikët dhe admiruesit e tyre që gjenin prehje e qetësi në gjirin e natyrës, me sa duket poetët e çdo kohe do të mbeten romantikë të përjetshëm. Po të huazonim P. B. Shellin (sipas romantizmit anglez) poetët janë legjislatorët anonimë të botës dhe, sipas kësaj ligjësie, rruzulli tokësor i ngjan një vegimi parajsor që shfaqet e rishfaqet në ëndrrat e mbarë njerëzimit. Në pamje të parë, ky ditar udhëtimesh familjare është thjesht një përvojë përshtypjesh personale e autorit, por duke marrë në konsideratë se nga cili prizëm dritësohet ky përjetim, hapen shtigje të thella që konotojnë përjetimin individual poetik në ngjyra universale njohjesh, shijesh e vlerash historikogjeografiko-letrare, të cilat kthehen në një strategji sektorësh ndërlidhës përmes mrekullive të natyrës ku eksploron autori dhe kulturës në çdo pëllëmbë toke, qielli a oqeani, ku shpirti i tij i lirë fluturon. Arratisjet poetike të Adnan Mehmetit shtrihen gjeografikisht tej e përtej Amerikës, duke u bërë kështu një ditar shumëngjyrësh shpirtëror me shpërthime meditative.

Itinerari turistik nuk ka një destinacion të caktuar në zona të banuara, vende arkeologjike, muzeume, galeri arti, vende të shenjta, varreza heronjsh a figurash të ndritura historike, por autori gërmon thellë duke prekur shijet e horizontit të pritjes, i cili paralel merr jo vetëm informacion të përzgjedhur mbi zonat turistike, por edhe shijon mornicat poetike që përcjell autori përmes vibrimeve të fjalës. Bukuritë natyrore, historike, kulturore dhe artistike lidhen me forma të ndryshme arsyetimi dhe analizash të thella psikologjike mbi evolucionin e popullsisë së zonave ku shkel tabani i zemrës, duke shfrytëzuar edhe fjalorin terminologjik të emrave në gjuhë të huaj, si edhe toponiminë më efikase në fushën e turizmit. Në çdo cep të Amerikës ku shëtit poeti, përcjell një copë Shqipërie, një të kaluar të dhimbshme dhe një të tashme të ndritur.

Ky libër hap siparin e një shtegtimi nëpër çaste të paharruara të jetës, duke shkelur në gjurmët e historisë amerikane, shqiptare e botërore; udhëtim pa infinit drejt Misisipit, Illinoit, Luizianës, Arkansait, Tenesisë, Teksasit, Alabamës, Oklahomas, Uashington D.C.-së, Nevadas, Nju Jorkut, Merilendit, Floridës, Meksikës, Ontario-Kanadasë, Roud Ailandit, Nju Xhërsit, Pensilvanias, St. MartinKaraibes, Kënetikëtit, Miçiganit, Dellëuerës, Vermontit, Kebekut, Kanadasë, Virxhininë, Arizonës, Kalifornisë, Nju Hëmpshërit, Mejnit, Masaçusetsit,… e ndoshta ku i dihet në planetë të tjerë të pashkelur ende nga njerëzimi, pasi poetët nuk udhëtojnë, poetët magjepsin hapësirat. Buzëqeshja e lumit Misisipi, ky lumë-portë e parë për emigrantët evropianë dhe skllevërit e Afrikës, si edhe qyteti Xhekson ku rrjedh hijerëndë lumi Pearla, janë mbresat e para. Me gjithë rebelimin e tij, lumi buzëqesh kryeneç, prej nga jo vetëm Mark Tueni por edhe poeti Adnan Mehmeti ka gjetur këtu frymëzimim për ta përjetësuar portretin e tij. Lumi Misisipi kryeneç, i palodhur/ Nuk çlirohet nga dëshira e rebelimit. /I rrëmbyeshëm,/ U futet fushave, shtëpive…/ Duke u vjedhur ëndrrat, /Vetëm gratë e përdala, /Hedhin mbi valët e tij/ Grimca, nga dashuria e tyre e paputhur…

I humbur në bukurinë e Çikagos, poeti sodit dhe vrapon… Në udhët e Çikagos sikur po luaja me qiellin. E sikur isha bërë dhe unë një ballëdjersitur… për të mbajtur peng gjithë jetën me dashurinë e saj. Ecim me një tjetër përshtypje: Kujdes nga krokodilët!…u gjenda në qytetin Sulfur (Sulphur), ku banorët e tij piqnin në hell krokodilin… Luiziana është vendi i kulturave të ndryshme. Por, më të shquara janë grupet etnike kejxhën, pasardhësit e një grupi frëngjishtfolës akadians nga Kanadaja dhe kreolët, njerëz me gjuhë të përzier frëngjisht, spanjisht, karaibe, afrikane apo me prejardhje indiane… Për t’iu bashkuar më tej Paradës Mardi Gras, ku ngjyra lejla qëndron për drejtësi, e gjelbra për besimin dhe ari për pushtet. Poeti, metafora dhe librat janë një trinom i shenjtë. I magjepsur nga madhështia e Bibliotekës-Muze të Presidentit Bill Klinton, autori motivon qëllimin e këtij udhëtimi njëjavor në shtetin Arkansa, Kapitol Hill dhe Biblioteka e Bill Klintonit apo tri shtëpitë-muze të presidentit Klinton, përmasa të një burrë-shteti të famshëm. Qyteti është i frekuentuar nga turistët në katër stinët e vitit. Në rrëzë të malit, në qendër të qytetit është ndërtuar hoteli madhështor, aty ku i kalonte netët Al Kapone.

Duke kaluar natën në këtë hotel të shtrenjtë, seç m’u kujtua poeti Dritëro Agolli me poemën “Krevati i perandorit” – shkruan autori. Çdo vizitor, kam bindjen, kur vjen për herë të parë, pyet: “Pse ky objekt në formë të gjysmëkryer?” Ndërtesa simbolizon urën e ndërtuar për shekullin e ri, për shekullin XXI, që Bill Klintoni arriti të ndërtonte, të ndërlidhte, të bashkonte dy shekuj me veprën e tij të madhe. Të vjen ndër mend Pallati i ëndrrave të Kadaresë, veçse ndryshe, në invers, pro njerëzimit, pro lirisë: Kati i parë,… Këtu zë vend të rëndësishëm Lufta e Kosovës,… refugjatëve shqiptarë; karvanët e tyre në ikje nga shtëpitë, malësorët me plisa të bardhë me pamje të trishtuar, fëmijë të zhveshur, gra shqiptare duke vajtuar, paramilitarë barbarë serbë, 78 ditë rresht të bombardimeve të NATOS mbi Serbinë, mbledhjet në Shtëpinë e Bardhë nga qeveria amerikane, fjalimet e Klintonit për popullin e Kosovës,… duke shtypur butonin, arrin të dëgjojë fjalimet më kryesore për vendimet e Klintonit për luftën… Qyteti i Elvis Preslit në Tenesi i sjell autorit ndër mend vatrën e lëvizjes amerikane për të drejtat civile dhe vrasjen e Dr. Martin Luther King-ut në vitin 1968.

“Unë kam një ëndërr” … Kur ika nga ky qytet, natyrisht mora edhe mjaft objekte që lidheshin me këtë artist të madh. Qytete që vlerësojnë artistë të tillë nuk harrohen lehtë. Këtij emërtimi do t’ia shtoja edhe atë të Martin Luter Kingut. Yll të vetmuar që shkëlqen mbi Shtetet e Bashkuara e quan poeti Teksasin, lidhur me imazhin e kaubojit. Litarin e hedh lart në qiell, /Kauboji i ngrysur, /Duke lëshuar një iso të shkurtër. /Një re ogurzezë pritet shpejt/… Kafsha është e pushtuar/ Siç u pushtua kjo tokë me forcë. Vijojmë: “Kujtoni Alamon! /Një shtëpi e vjetër,/ E zhveshur nga mobiliet, /Si klithmë që nuk ndalet. /… Fillon ngjarja e madhe /Sa dhembja e saj. /Të kaluarën nuk e përfillin në Teksas. Alamo është fortesë e qëndresës heroike në San Antonio (1836) nga dyqind burra të Teksasit, në përleshje për pavarësi. Të gjithë luftëtarët u vranë nga katër mijë ushtarë meksikanë. “Kujtoni Alamon!”, i referohet rrethimit të tyre. Vijojmë me “Sweet Home Alabama”.

Ja si shprehet autori: “Vizita drejt Alabamës, tok me atë të Misisipit, ishte një dëshirë e vjetër. Kjo dëshirë e kamotshme gjenezën e ka pasur që kur isha gjimnazist. Oh, vitet rinore, të ardhkan këtu si një letër e largët që postieri e ka harruar diku në sirtarët e një poste të largët e ja, një ditë kujtohet të ma sjellë. Nuk ka më pengje postieri. Me kërshëri lexoja për ndasitë racore në shtetet jugore amerikane. Me ardhjen në Amerikë, m’u zgjua… Në Alabama, ku të gjithë rrugët të çojnë drejt portit Mobil (Mobile), një nga qytetet më të vjetra në Shtetet e Bashkuara, një qytet që ka një bukuri të rrallë.” Autori përmend Mobilin, i cili një kohë shërbeu si kryeqytet i kolonive franceze, si edhe Rosa Parks-in, simbolin e femrës afrikano-amerikane për të drejta të barabarta. Vijojmë drejt historisë indiane në Oklahoma, nga të cilat veçojmë: Nuk mund ta njohësh Amerikën pa e parë Oklahomën. Atje janë rrënjët e historisë jetike të saj… Duke kujtuar këto të dhëna, mendja më shkon sigurisht edhe në Kosovën time të pasluftës dhe peripecitë që na sollën armiqtë dhe kundërshtarët politikë. Ashtu siç i tha jo kongresi amerikan para një shekulli për ndarjen e Oklahomës, ashtu tha jo edhe për ndarjen e Kosovës.

Duke kërkuar rrënjët e historisë së popujve të botës, autori grish deri në dhimbje plagët e kombit të tij. Ndalemi te Shtëpia e Bardhë. Për ndërtimin e saj u deshën plot tetë vjet. Përveç presidentit të parë amerikan Xhorxh Uashington, i cili kishte propozuar për vendin e ndërtimit të saj, të gjithë presidentët e kanë kaluar mandatin e tyre në këtë shtëpi, duke filluar me presidentin e dytë Xhon Adams, që nga viti 1800. Gjatë luftës me Anglinë, në vitin 1812, u dogj, por u rindërtua duke ruajtur po të njëjtën arkitekturë. Poeti bëhet nostalgjik, u rikthehet shekujve: Në Kapitol Hill, duke përcjellë koncertin, seç u riktheva në histori. Nga ky tempull i demokracisë ku fillimisht “u pëshpërit” për një popull të vogël në Evropë, të rrethuar me armiq, tani në fillimin e shekullit të ri Njeriu numër 1 i Shteteve të Bashkuara, presidenti Xhorxh Bush, çoi në Tiranë një mesazh se Shqipëria dhe populli shqiptar është një realitet i ri politik në Ballkan dhe më gjerë. Për t’u ndalur në: Ditën e të rënëve (Memorial Day)…drejt Arlingtonit të Virxhinisë aty ku gjenden varrezat… në anën tjetër të lumit Potomak përballë qytetit të Uashingtonit. Atje flenë eshtrat e më se 300 mijë amerikanëve të vrarë që nga Lufta Civile Amerikane rreth 150 vjet më parë. Autori e përshkruan Las Vegas-in si qyteti i pagjumë… Aty i thonë se ka edhe shqiptarë… bindesh se po i afrohesh “oazës së parajsës”.

Palmat dhe bashkë me to mrekullitë që janë ndërtuar nga dora e njeriut në shkretëtirat e shtetit Nevada. Poeti fluturon për ca kohë me ëndrrat e bukurisë së qytetit… aq shumë drita. Drita. Drita. Vetëm drita. Darka romantike në katin 106, për çiftet që vallëzojnë në “qiellin e lumturisë”, duke zgjedhur simotrën e bukurisë së parajsës. Por, ja edhe një befasi e këndshme. Alban – Albania. Teuta – Albania, Enis – Albania… a ka shqiptarë në Las Vegas?… vetëm në këtë Casino & Resort punojnë mbi 70 shqiptarë. Më tej rrjedh madhështore nëpër faqet e ditarit poetik Ujëvara e Niagarës, aty ku bashkohet Qielli me Tokën. Pas Ujëvarës Viktoria në Afrikë është e dyta në botë. Ujëvara na foli shqip: “Mirë se vini në Niagara”. … me fuqinë e dallgëve që të gllabëronin në prehër, si në ëndërr… ishte simfonia… një magjepsje. Dhe kjo mrekulli luhet me mijëra vjet. A është njeriu i lirë pranë natyrës? A është liria brenda njeriut apo jashtë tij? Kush e sjell lirinë, të 15 rënët apo të gjallët? Poeti aludon e vetvetishëm na vijnë ndër mend filozofët: Njeriu – thotë Sartri, është i lirë, njeriu është liria! Në një frazë klasike ai thotë se njeriu është dënuar për të qenë i lirë… dhe se Liria është e tmerrshme! (Po, kështu kishte folur Kirkegardi për marramendjen e lirisë!)

Këtu kemi parasysh qenien në vetvete (l’en-soi) dhe qenien për vetveten (le pour -soi), pra njeriu krijon vlerat dhe nëpërmjet tyre vetveten si edhe imazhin e natyrës njerëzore. Brenda këtyre ligjeve universale alla-sartiane, autori ka zgjedhur procesin e krijimit të vetvetes, jo vetëm për veten, por për të gjithë njerëzit. Zgjerohet panorama poetike me Merilendin dhe qytetin Baltimore që na kujton poetin e madh amerikan Edgar Allan Poe, i cili botoi këtu librin e tij të famshëm “The Raver”. Panorama thyhet me magjinë e Orlandos dhe Disni Uorld (The Walt Disney World Resort), në Florida: … si ajo kështjella Sindorella në Disney World, për t’u futur në botën magjike, në botën përrallore, në botën ku sundon lumturia. Dhe: Hasta la vista Cancun – një ektazë turistike. Perla e Meksikos, zhytje në ujërat e Karaibeve. Është vërtet një moment që të ndalet fryma nga koloriteti i peshqve, koloriteti i botës detare – shprehet autori. Miliona peshq të afrohen dhe notojnë në drejtime të ndryshme. Asgjë nuk mund t’i nxjerrë më shumë në dritë detyrimet pafund që ka njerëzimi ndaj zbulimit të hyjnores, pasi konstatojmë se asnjë mjet tjetër nuk mund ta verifikojë këtë të vërtetë të madhe e të rëndësishme – shprehet Stumpf-i.

Në këtë rrugëtim pafund hasim Tulum-in, qytet i lashtë Majan me mure të trasha… para viteve 300 para erës sonë, piramida dhe tempuj, një formë e të shkruarit përmes… hieroglifeve… matematikë… astrologji dhe XCARET, ishull i dikurshëm i civilizimit Maja, i ndodhur në xhungël… futesh nëpër shpellat mijëvjeçare; zhytesh në fund të oqeanit për t’u mahnitur me bukurinë e peshqve, i hap sytë nën det dhe sodit një “parajsë” të çastit. Hasta la vista Cancun! – përsërit poeti. Vijon udhëtimi për në Kanada dhe kthehesh në historinë evropiane. Niagra Fallas, Ontario, CN Tower, ikonë e Torontos dhe simbol i Kanadasë. Njuporti me pallatet përrallore, nga ku futesh si në ëndërr në historinë e tyre të kahershme. Vetiu të kujtohen nimfat e detit, Bijat e Nereut, Nerejdat në ujdhesat oqeanike: Le të ndalemi në njërën prej tyre. Shtëpia e mermertë u ndërtua gjatë viteve 1888-1892, me më shumë se pesëdhjetë dhoma, e cila shërbeu vetëm si shtëpi vere dhe për koncerte.

Festat Dionisiake dhe vreshtat popullore, Fort Adams-i, më tej Koncerti i Valëve në Atlantic City, dallgëzohen mendimet, imazhet… A lëviz natyra në mënyrë të verbër? Qiell-Tokë-Qiell…”Yjet, ecin në mënyrë të verbër” – shprehet Stumpf-i. Nju Xhërsi, vendi i betejave në Revolucionin Amerikan… Kopshti i gjelbër, i quajtur ndryshe. Uodro Uilson (Woodrow Wilson), presidenti i 28-të i SHBA-së, ish-guvernator i Nju Xhërsit, i cili mbrojti çështjen shqiptare dhe shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi. Panoramojnë: Atlantic City, Ocean City, me shëtitore druri që shtrihet me një gjatësi 4 km… përballë valëve të detit. Apo: Simfonia e vendlindjes së Amerikës. Filadelfia… Kambana e Lirisë (Liberty Bell)…në bronz, pjesë e jetës shpirtërore… skulpturat dhe muralet… St. Martini ishulli magjepsës që laget nga Oqeani Atlantik dhe Deti Karaibe, porti Filipsburg pranë Plazhit Maho, një ndër plazhet më unike në Karaibe, ku zbresin avionët aq ulët, sa krijojnë një spektakël. Ishulli Pinel… nuk lejohet për ta kaluar natën. Ka vetëm dy restorante dhe një dyqan suveniresh, rërë të bardhë, ujë kristal. Fluturimet poetike vijojnë në Ishullin Pinel: … nën hijen e palmave tropikale… ku ke mundësi për të zgjedhur të gjallë llojet e peshqve, për t’i servuar në pjatën tënde.

Një restorant unik, … kamerierja zhytet në ujë për të sjellë ushqimin e detit të preferuar. … nëse gjithë hapësira e universi do të ishte e mbyllur nga të gjitha anët dhe do të ishte e kufizuar, atëherë materia do të kishte kapërcyer kufijtë nga të gjitha anët nga pesha e saj, asgjë nuk mund të kryhej nën kupolën e qiellit, nuk do të kishte aspak as qiell, as dritë dielli, pasi në fakt e gjithë materia do të kishte precipituar në fund nga të gjitha kohërat. Sipas së cilës: Materia dhe hapësira është baza e tërë gjërave (Lukreci). Dhe për disa çaste, mendoje veten, kur ikin të gjithë pushuesit, të mbetesh vetëm në këtë ishull të vogël, kur mbi kokë ke vetëm ndriçimin e hënës, ndërsa rreth e përqark ujin… dhe universin. Në këtë ishull festova një gjysmëshekull të jetës sime. Këtë ishull do ta mbaj si vazhdimësi në ekuilibrin e gjysmëshekullit tjetër… – shprehet poeti. Kënetikëti (Connecticut) apo Kenerike… Shtëpia muze e Mark Tuenit në qendër të Hartfordit, Universiteti i famshëm Yale, në vendin e tretë… pesë presidentët e SHBA-së dhe pesëdhjetë e një laureatë të çmimit Nobel kanë qenë të lidhur me Universitetin si studentë apo akademikë të këtij universiteti, me bibliotekën e famshme, e cila ka në gjirin e saj 12.5 milionë vëllime, duke u renditur në vendin e dytë si institucion akademik në botë.

Autori ndalet më tej në Miçigan, shtet me një diversitet si në asnjë shtet tjetër amerikan, i cili në mesin e dhjetë gjuhëve të huaja që fliten në shtëpi, pas anglishtes zyrtare, shqipja zë vendin e nëntë ose sipas përqindjes së popullsisë 0.19%. Mes aktiviteteve letrare dhe shëtitjeve në shtetin e vendlindjeve të makinave autori kujton: “Detroiti na foli shqip. Mirëseardhje na uruan Skënderbeu dhe Nënë Tereza” Më tej: Gjithashtu e magjeps perëndimi i diellit gjatë vizitës në Dover në kryeqytetin e shtetit Dellëuerë përmes fëshfëritjes së pemëve, bukuritë natyrore të Vermontit, Ujëvarës magjepsëse Buttermilk. Autori sjell ndër mend presidentin amerikan Kalvin Kulixh për mbështetjen që i dha Ahmet Zogut me 1 shtator të vitit 1928 kur u shpall mbret i shqiptarëve, dy javë më vonë me telegramin ekskluziv: “Unë jam i kënaqur t’i përcjell Madhërisë Suaj dhe popullit shqiptar urimet e mia me rastin e ngjitjes suaj në fron. Populli amerikan bashkohet me mua në formimin e dëshirave më të sinqerta për shëndetin dhe lumturinë e Madhërisë Suaj dhe për prosperitetin e Shqipërisë.”

Poetin e tërheq qyteti Montreal me katedrale të lashta, simotra të Parisit, me më shumë se tridhjetë muzeume të njohura, me rrokaqiej pa fund, me bukurinë dhe historinë që sfidon gjenezën franceze. E nëse ky emocion të godet në takimin e parë, ai të bëhet mjaft dallgëzues kur largohesh prej tij dhe kupton se ashtu si je mik i Stamfordit, i Nju Jorkut, i Bostonit, bëhesh pjesë edhe e këtij metropoli kanadez dhe botëror. Kur arrin në Virxhinia, në vendlindjen e presidentëve, poeti citon Presidentin Uodro Uilson: “Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë”. Heronjtë nuk jetojnë në qiell, ata janë në mesin tonë dhe kur kemi më shumë nevojë, ata janë në anën tonë. I tillë është presidenti amerikan Uilson, i cili nuk lejoi vazhdimin e copëtimit të Shqipërisë. Vijon Arizona, një ndër destinacionet më spektakolare të udhëtimit në Amerikë. Edhe Nënë Tereza në vitin 1987 e vizitoi dhe u magjeps me bukurinë e vendit. Kanioni i Madh e pushtoi imagjinatën time – thotë autori. Lugina e Diellit. Sa emër i bukur. Edhe në trojet tona etnike ka mjaft emra vendesh me fjalën “Diell”. Kujtoj sot Kodrën e Diellit në Prishtinë. Kodrën e Diellit në Tiranë. Pa harruar se edhe Lugina e Preshevës, edhe trojet e mia, janë po kaq të diellta sa dhe kjo Luginë. Në fund të fundit, mbase po bëhesha dhe vetë pjesë e diellit. M’u duk se isha bërë dhe vetë Lajmëtar i Diellit. Udhëtim në San Diego në “vendlindjen” e Kalifornisë, ka të tjera ngjyra, përmes valëve të Oqeanit Paqësor, si në një prekje ëndrre. Në San Diego jetoi dhe punoi prof. Peter Prifti, anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqitaro-Amerikanë që nga dita e parë e themelimit…

Autori Adnan Mehmeti e sheh udhëtimin si një sfidë: “Jeto i lirë, ose vdis!” metafora më e bukur gjatë udhëtimit në shtetin Nju Hëmpshër, ku shpirti i lirë amerikan duket se ka gjetur vetveten, si nga një bekim. Jeto i lirë ose vdis i lirë. Një thënie që nuk ka nevojë për koment. Aq më shumë për ne, shqiptarët, që për lirinë kemi luftuar me shekuj… Në qytetin Portsmouth, hymë të lirë në këtë shtet, po dolëm edhe më të lirë, se kishim marrë tërë atë dritë lirie që e kishin të gjithë njerëzit e këtij shteti. Udhëtim në shtetin Mejn, ku gjendet shtëpia muze e poetit të njohur amerikan Longfelloë, të cilin vetë presidenti amerikan, Abraham Linkolni, e admironte, siç ishte i admiruar edhe nga Fan Noli, i cili përktheu poemën e tij të titulluar “Scanderberg”. Masaçusets,… “Djepi i Lirisë” – kujton autori. Më tej sjell një panoramë të letërsisë amerikane të pasur me shkrimtarët që jetuan dhe krijuan në këtë vend: Edgar Allan Poe si një nga poetët dhe shkrimtarët më origjinalë; Emily Dikinson, poeten e njohur me fatin e botimit të poezive të saj; Ralf Ualdo Emerson poet dhe eseist, shquhet si një figurë e rëndësishme në letërsinë amerikane; Henry Uadsuorth Longfelloë, (atëbotë Portland, vendlindja e tij i takonte shtetit Masaçusets), poet i njohur amerikan, edukator dhe përkthyes.

Një vëmendje e rëndësishme në vepër i është kushtuar Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë në Boston për të nderuar Nolin dhe Konicën. “Me Nolin në Boston”: Me sytë e mi e pashë Nolin./ U ngjit shkallëve të Katedrales së Shën Gjergjit/ Kam festë sot, – tha./ Vijnë nga larg, shkrimtarët./ Mes historisë dhe bukurisë në kepin Kejp Kod dhe ishullin Vreshti i Martës, autori rikujton pelegrinazhin mbi historinë e anijes “Mayflower”, si edhe ndalet tek sharmi i mullinjve të erës në Kejp Kod. Pas më shumë se një gjysmë shekulli, duke bërë fotografi para mullinjve amerikanë të erës, rikthehem si fëmijë në vendin tim të dashur. Derisa amerikanët i kanë kthyer në vlerë turistike dhe lidhje me historinë, mulliri i ujit tek dajallarët ngelet vetëm kujtim përballë gërmadhave të mureve… Duke u kthyer nga Masaçusets, autori konkludon: Me këtë shkrim po e përmbyll këtë libër. Është një lumturi që rrallë e provon njeriu në jetë. Është një gjë që ai e gatuan në zemrën e tij dhe e dërgon te të tjerët. Guida turistike e Adnan Mehmetit është poezi, është arti që u jep substancë hijeve, po t’i referohemi Edmund Burke-it, apo arti i futjes së detit në një gotë po të huazojmë Italo Calvino-n, e për më tepër është koha të rindezim yjet, po të citojmë Guillaume Apollinaire-in… Tek panoramojnë në sytë tanë magjitë e këtij libri, mendja më thotë se një copëz Shqipërie, një copëz nga shpirti i mëmëdheut është mbjellë përjetësisht këtu!/Gazeta Liberale

Tags: ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back