Aktualitet

Nënstacioni elektrik në Karavastasa, Balluku: Furnizim pa ndërprerje

               Publikuar në : 16:12 - 23/02/21 liberale

Në nënstacionin elektrik të Karavastasë ka përfunduar investimi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për fuqizimin e kapaciteteve të këtij nënstacioni si dhe rikonstruksionin e godinës. Ky nënstacion, shërben si nyje qendrore për furnizim me energji në zonën Fier – Lushnjë ndërsa prej tij furnizohen me energji edhe një numër i madh hidrovoresh.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me zëvendëskryeministrin, Erion Braçe, kryetarin e bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi dhe drejtues të OSHEE inspektuan nga afër ndërhyrjet e bëra në këtë nënstacion, falë të cilave u bë i mundur furnizimi i pandërprerë me energji elektrike i hidrovorëve të zonës, duke shmangur kështu përmbytjet gjatë periudhës së motit të keq.

Nga ky investim do të përfitojnë cilësi më të mirë furnizimi me energji edhe afro 1 mijë banorë si dhe një sërë biznesesh agro-përpunuese, të cilat ushtrojnë aktivitetin në këtë zonë.

“Ky investim na ndihmon jashtë mase edhe për këtë polin e ri të biznesit, që po vendoset në këtë zonë. Ndërkohë që projekti, që Kryeministri na vuri në dispozicion për të gjithë zonën turistike, nis këtu dhe mbaron në grykëderdhje të Shkumbinit. Kështu që është shumë e rëndësishme edhe për investimin e ri, apo për perspektivën turistike të të gjithë zones, që ne të kemi energji elektrike. Ky investim merr vlerë shumëfish këtu dhe bëhemi gati që për punë javësh të fillojmë investimin në hidrovor”, u shpreh zëvendëskryeministri Braçe.

Një investim të mirë studiuar, e cilësoi ministrja Balluku ndërhyrjen e realizuar në nënstacionin elektrik të Karavastasë, i cili i dha efekte pozitive gjatë javëve të fundit ku garantoi furnizim të pandërprerë me energji për të gjithë hidrovorët që furnizohen prej tij.

“Testi që kaloi nga muaji dhjetor deri në muajin shkurt, me të gjitha reshjet që pati këtë vit, ishte testi më i mirë. Ne i kemi monitoruar nga OSHEE për të parë sesi do funksionojnë investimet, por ishte testi që tregoi se me këto sasi reshjesh që ne patëm, në nivele historike shumë të larta, do të jemi shumë mirë dhe të përgatitur për gjithçka që do të ndodhë në të ardhmen”, tha Balluku, duke shtuar se këto investime janë planifikuar për t’ju përgjigjur zhvillimit të zonës për 10 vitet e ardhshme.

Investimet në sistemin energjetik, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, synojnë rritjen e cilësisë së furnizimit për të gjithë abonentët, por njëkohësisht edhe reduktimin e humbjeve në rrjet si dhe aplikimin e pajisjeve më të fundit, të cilat shkurtojnë kohën e identifikimit dhe riparimit të defekteve.

“Ne po investojmë kudo në sisteme të automatizuara, të cilat na shkurtojnë kohë përsa i përket identifikimit të avarive si dhe riparimit të tyre. Nëse dikur duhet të gjenim me telefon cila shtyllë ishte rrëzuar, ku ishte problemi, sot e identifikojmë përmes të gjitha sistemeve automatike se ku e kemi problemin, realizojmë ndërhyrjen, kështu që koha e riparimit është shumë më e shkurtër”, shtoi Balluku.

Duke ju referuar zonës së Divjakës, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, bëri të ditur se të gjitha këto investime i paraprijnë ndërtimit të parkut fotovoltaik të Karavastasë, i cili do të jetë parku më i madh i këtij lloji në Ballkan dhe që pritet të ketë një impakt të madh jo vetëm në zonën ku do ndërtohet.

Investimi i realizuar në nënstacionin elektrik të Karavastasë, krahas rikonstruksionit të godinës përfshiu edhe krijimin e sallës së re për mbrojtjen dhe komandimin e pajisjeve elektrike 35 kV në distancë, ku më parë sigurimi dhe komandimi bëhej në mënyrë manuale nga operatori. Kjo ndërhyrje ka ulur kohën e manovrimeve si dhe ka rritur sigurinë e jetës së punonjësve.

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back