Aktualitet

Nënshtresat e pazëshme që sollën ndryshimin

               Publikuar në : 10:07 - 15/05/21 liberale

Gazmend Muka, in memoriam

Vladimir Myrtezai

Gjithnjë ndodh që pas një prishje ekuilibresh apo pas një stuhie si ajo e 90-s, në të gjithë fshirjen e radikalizuar të asaj që quajtëm “ndryshim”, në ngut e sipër harruam një çast që në këtë kalim drastik do të duheshin disa ura të padukshme, që për kohën ishin pika referimi dhe mbështetjeje për të mos merituar një dështim.

E gjithë ajo panoramë përmbysëse ruajti disa ekuilibra që e bënë kalimin ripërtëritës, me një bazament të rishtruar e të heshtur, që pak kush e vuri re, si një fenomen që do të na bënte të rikujtoheshim pas vlagës së parë të revolucionit, që për fat kish dhënë shenja edhe më parë.
Në rrokopujë e sipër nuk kishim kuptuar asgjë veç forcës shtytëse për të rrëzuar një rregjim, pa menduar se si do të kollandrisej një e ardhme e panjohur. Pikërisht për këtë lloj transpozicioni kulturor vlejnë shumë sot gjurmët që e bënë të qëndrueshëm ndryshimin nga një sistem i dështuar në një tjetër shtresë mbajtëse. Historia nuk arriti të na kthjellonte se çfarë ndodhi në të vërtetë me transpozicionin kulturor shqiptar. Sidoqoftë historia është kokëfortë, rizbuluese; na bën që të përkulemi me dinjitetin e kërkimit për shakqet, ku një pjesë e mirë syresh ishin të nëndheshëm, por përcaktues.
Besoj se jo vetëm në kulturë, por edhe në të tjera shkaklime ka patur nënkalesa të tilla, pa zhurmë, që i garantuan vijimësinë zhvillimeve.

Për shkak të kohës, nxehtësisë dhe radikalizimit të pikëpamjeve nuk ishim të aftë të zbulonim nuanca të tilla të brishta, që parë në distancë na bëjnë të turpërohemi disi.
Në fakt, periudha para 90-s ishte e mbarsur me një kulturë të padeklaruar, që endej sa andej-këndej në forma shoqërizimesh e miqësish në kimi, si pararendëse e një lënde që erdhi duke u kthyer në një protestë të pashmangshme. Ishte një lloj lënde që shfaqej në qarqe të mbyllura, por të gjindshme në pakënaqësitë e para të mbylljes dhe në njëfarë përtharjeje nga propaganda e kohës.
Duhet të ishe qorr që të mos të dalloje korrente të ndryshme në të menduar. Ndiehej një pakënaqësi që sa vinte e po dilte nga rrathët e grupeve të veçuara në një arsye më të zgjeruar nëpër mjediset e artit në përgjithësi, veçmas te disa grupime të rinjsh, që manifestohej si një tërheqje e detyruar nga gjërat e ashtuquajtura konfidenciale.

Gjithsesi, në atë acar të regjimit rravgonte një lloj bimësie hibride, që në gjuhën e kulturës kishte filluar të lëshonte rrënjë të forta, sepse nuk kish se si shpjegohej ndryshe që fill pas 90-s, me talent e intuitë, u shfaq një numër individësh me ide të qarta e të mirëorientuara në prirjet e tyre për një ndryshim që ishte në rezonancë me kohën. Grupime simpatizantësh të këtij konfidencialiteti lindën kudo, në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Berat, e gjetkë, me emra konkretë, që dukeshin si të mbjellë në kohë e të gatshëm për këtë ndryshim të kthjellët e të menjëhershëm:
Në Tiranë me Ed Ramën, Gazmend Lekën, Edi Hilën, Thoma Thomain,Ilir Pojanin, Bashkim Ahmetin dhe një grupim të rinjsh të Kinostudios. Në Shkodër me Danish Juknin, Franc Ashikun, Ismail Lulanin, Pjerin Kolnikën… Në Vlorë me Skënder Kamberin, Nestor Jonuzin, Zini Veshin, Artur Myharremin dhe disa të rinj. Në Berat me Agron Bregun, Gazmend Mukën, Fabio Thaçin,Mina Zakën, Ben Golemin… Këta protagonistë e kishin bërë ndryshimin që të niste qysh në thellësi, duke e farkëtuar pak nga pak.
Prania e këtyre pararendësve ushqente atmosferën e një ndryshimi rrënjësor, i cili qe nisur për t’u bërë realitet.

Sot, parë nga larg, duket si një moment pa rëndësi, por, kur e sheh të shkuarën si nënshtresë të së sotmes, besoj se disa syresh dhe grupimet në lloj ishin dallandyshet e para që lajmëronin pranverën.
Shtysën për këtë lloj reflektimi në kohë ma dha ekspozita e veçantë retrospektivë e Gazmend Mukës, e cila më rilidhi me atë nënshtresë të heshtur, që na detyron të rishikojmë shumëçka. Është historia e një personazhi kufitar, që jetoi në kohë interesante, por me një lloj agresiviteti të padukshëm, si një vlerë që na dha mundësinë e një reflektimi të nevojshëm.
Gazmend Muka hyn te të heshturit, tek ata njerëz që lanë një shenjë të kursyer, por të thellë e të kulturuar.

Thellësinë e një njeriu shumëplanësh mund ta dallojmë pikërisht në këtë ekspozitë të tij në mungesë, që na (ri)kujton se kemi parakaluar një subjekt me mjaft interes e me ndjeshmëri për çka lëvroi.
Tekstet e tij me tituj si “Postcurriculum”, “ Onografi”, “Data në hapësirë” etj., i dhanë domenin dhe sigurinë e merituar të kumunikimit në publik.
Muka qe një figurë komplekse, që nuk bërtiste. Me një përskuqje modeste nënshkruante pa u ndierë refleksionet e tij kulturore duke na bërë të mendojmë se asgjë nuk ishte e rastësishme në gjërat që ai na la si trashëgimi.

Risjellja e tij në fokus përmes kuratorëve Ardian Kapo dhe Ergys Krisiko na bën të mendojmë pikërisht për këtë lloj nënshtrese të pluhurosur nga harresa e nga nguti i së tashmes.
Më kujtohet takimi i parë me të në Berat, diku rreth viteve 1994-95, në një nga ato studiot e miksuara të ateliesë së monumenteve të kulturës, mes punës së restauratorit dhe piktorit. Nuk kish situatë me relevante sesa një mjedis ku trajtoheshin e rimëkëmbeshin vlera të artit mesjetar, një alkimi kohësh e stilesh që kërkojnë harmoni. Më kujtohet me një batanije në trajtë pelerinë hedhur kurrizit. Ishte shumë ftohtë. Për të ishin ditë bashkëjetese me ikonat, librat në gjuhën frënge dhe një seri aksesorësh një qoshkun kult të cilit i qe dorëzuar. Mbaj mend se folëm për pikturën, për artin, poezinë, librat e kohës; për kontaktet me artin perëndimor dhe për ëndrra të rinjsh në pritje. I bënim karshillëk botës me aftësinë për të qenë të vetëngujuar në dashuritë tona të fshehura e të paverifikueshme, duke mos i dhënë mundësi botës të na lexonte ësndrrën tonë të shenjtë. Ishte një lloj deliri e kënaqësie e patreguar, stolisur me sekrete e trokitje fatesh.

Askush nuk mund të të ndalonte të ëndërroje, pasi e kishin të pamundur të futeshin në ngujime të tilla deliri. Kjo mbante të ndezur një flakë që na ngrohte si pa e kuptuar përballë kontrollit sistematik. Jetë të tilla të ngjashme qenë të mbjellura e të shpërndara gjithandej me vokacionin për një të ardhme akoma të papërkthyer. Ishte pikërisht kjo që ushqente edhe ëndrrat e atyre që nuk arritën të shihnin ndryshimin. Gjithçka që erdhi ishte mbjellë si pa e kuptuar në këtë ëndërrim nxitës të fshehtë.
Në fakt, provoja një lloj zilie kur e gjeja në Berat të mbyllur e miqësor, sepse ndieheshin nënshtresimet e një qyteti që i buronte nga leximet e shumta dhe përfshirja e thelluar në historikun e pikturës. Po flasim për një qytet me tradita të hershme e me emra të spikatur në domenin e kulturës.

Gazmend Muka ishte një natyrë e brishtë, larg performancës së dhunshme në arenën publike. Si sot e mbaj mend përskuqjen e tij mes të qeshurës dhe ironisë kur diskutonim profile artistësh radikalë apo të eksituar, gati si të parakohshëm në prirjet e tyre pa kufij kohorë. Qeshte e më thoshte se çdo gjë ka një pararendës, gjë për të cilën nuk kemi pse ndiehemi të turpëruar.
Bota e artistëve nën tutelë e në marshim zmadhohej e zbukurohej nga natyra të tilla përcjellëse që filtronin delikatesë, por edhe një lloj kulture që shpesh kamuflohej në dobësi të pashfaqura. Natyra të tilla karakterizohen nga një dritë zbuluese për të ngushëlluar kurajën e për të bërë rezistencën e padukshme që pritej të shpërthente pas viteve 1990. Pra, ajo çfarë ndodhi në këto vite kishte pararendësit vet, që do zbuloheshin në një udhëtim të ri.

Ekspozita “In memoriam” e Gaz Mukës përmbledh një pjesë të krijimtarisë ku autori afrohet si një alternativë karshi artit zyrtar të kohës. Ajo vjen e artefaktuar në objekte dhe prekje alternative, me një frymë tjetër nga ajo e traditës. Autori rreket mes fjalës së shkruar, objekteve dhe gjetjeve konceptuale në një parashtrim ku merr referenca nga fundi i viteve 60, për t’i personalizuar konform karakterit të tij.
Muka krijon thellësi në pikturën e tij të menduar, duke na dhënë shenja kulturore të kriptuara. Ai është i ndërmjetëm në kalimet e tij nëpër lëndë të ndryshme.

Falë edhe mjeshtrisë së kurimit të këtij lloj materiali të vështirë, kuratorët kanë arritur ta ngrenë një formë leximi të mesazheve të autorit. Gjithsesi, vetë prekjet dhe materiali i shtruar afron konsekuencat e tij pamore: referencat dhe preferencat e krijuara në kohë.
Nëse kjo ekspozitë do shfaqej në vitet e para pas 90-s, pa dyshim që do ishte një nga krijuesit e avantgardës së pikturës shqiptare. Nga kalimet e qarta e ndërprerëse, edhe kur ato janë kontradiktore, e bëjnë të vyer këtë prurje rishikuese të veprës.

Shumë e rëndësishme në punët e Gazmend Mukës është atmosfera përbashkuese e një akti rezonativ me një nga elementet udhëheqës të këtij personalizimi. Ndikimi prej artit bizantin dhe përthyerjet në gjuhë bashkëkohore si një miksim i hapur, udhëheqin aktet metafizike dhe gjuhët e shkurtuara të saj. Kjo ia shton mistikën veprës dhe e bën atë lundruese. Detaje të menduara gjatë të japin idenë e një kulturologu që luan shah përmes dijes dhe instinktit të artistit. Gjithsesi mbetet një lloj krijimtarie që të lë të lirë ndër akte interpretuese.
Autori na afrohet edhe si një studiues i artit bizantin, me aftësinë për të komunikuar një subjekt që duhet zbuluar kulturalisht.
Edhe sot ndiejmë peshën e kohës së akumuluar në lëndën e paraqitur. I pazbukuruar dhe në gjurmë të thelluara ai vazhdon të qëndrojë me dinjitetin e një krijuesi serioz.

Gaz Muka qe një nga ato nukle që i takon fazës së ndërmjetme të kthesës së fortë që pati arti i pikturës. Në gjuhën e shenjës ai la mjaftueshëm kode, gjë që e bën leximin e artit sot si një paradhomë të mendimit të lirë.
Është bërë zakon që pas vdekjes të flitet mirë, por nuk është ky rasti, sepse shkas për t’i shkruar një miku në mungesë u bë vetëm trashëgimia që ai la pas, pa lënë anash kohën unike që bashkëndamë. Kjo kohë pati në vetvete ekspresionin e vet, qoftë në tonalitet, qoftë në koloritin që ushqeu vetë jeta.
Shumë gjëra ndodhën mes nesh, dhe ia dolëm t’i ndanim në një hall e peshë kolektive.
E pata ftuar në ato vite që të mbante peshën e atelierit që drejtoj sot, por ishte më i prirë në një tjetër ajër, ku ishullohej dhe nuk derdhej menjëherë mbi atë çfarë mendonte e kuptonte; diçka e ndërmjetme që e kanë dhunti studiuesit.
Edhe në aspektin njerëzor ishte disi i rezervuar, pa vrulle të përqendruara me shumë fjalë, gjë që haset shpesh te piktorët.
Me sa mbaj mend ishte një personazh me ulje-ngritje e me kontraste të brendshme, ku më së shumti i vuante dhe i bluante gjërat veçan në mullirin e tij të qetë.

Poezitë nga Gazmend Muka

MBARTJE

Kërkoja nëpër lëndina
Lule të bukura plot ngjyra,
i konservoja nëpër shtëpi
bashkë
me aromat e tyre
Vetëm
vazoja qeramike
me një glazurë të kuqe zemreje
në skaj
nuk u vyshk

POSTMORTUM

Në shtrat
kthehesh në bukuri
ndjeshmëri
epsh
Perëndi…
Ajrin ndalon
Miliona hije fut në dhe.
Ndërkohë
në Tokë
Qindra
miliarda
vite kalojnë
Pa Ty
Pa Ty
Jetë e trishtë
Vjen.

DRITHËRIME

O banesë e dashur,
përhumbur në qelq,
ngjyrëkuq buzësh,
të formuar me puthje.
Ngrohtësinë tënde
aromën e dlirë
do të ketë përherë
pika ime e kripur
e lotit,
diku me hënë
diku me diell
LAMTUMIRË

Gazeta Liberale

Tags: ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back