Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së dielës në fshatin Alarup në Pogradec. Nënë e bijë janë mbytur në një gropë uji që shërbente për vaditjen e tokave.
Një banor i fshatit dhe fqinj i viktimave, Sherif Lilo ka treguar se këto gropa hapeshin nga vetë banorët për të vaditur tokat e tyre, si e vetmja mundësi për të siguruar disi jetën e tyre.
“Unë nuk ndodhesha në fshat. Nga bashkëfshatarët e mi e mësova se çfarë kishte ndodhur. Më morën në telefon dhe më thanë që të vija në fshat se kishte ndodhur një fatkeqësi. Fshati është i vogël dhe që të gjithë njihemi me njëri-tjetrin. Liria kujdesej për tokat se i shoqi kishte shkuar në emigrim. Shkonte nga 3 muaj, herë në Maqedoni e herë në Greqi, sa të nxirrte bukën e fëmijëve. Kishte katër fëmijë, por kjo që u ndodhi është e tmerrshme.
Ne të gjithë kemi hapur gropa nëpër tokat tona se mbledhim ujë për vaditje, çfarë të bëjmë, është e vështirë. Me pompa vaditim tokat që nxjerrim ndonjë prodhim, se me ato i mbajmë shtëpitë. Po deri më sot nuk kemi pasur probleme. Janë nga 2-3 metra të thella dhe mbushen me ujë e kur na duhet, i përdorim. Këtë zgjidhje kemi gjetur, se ne s’kemi ujë për të pirë, jo më për të vaditur. Në shtëpi me puse, këtu me gropa, ja në këtë gjendje jemi”, ka thënë ai./Gazeta Liberale