Kryesore

NEIN i frau Merkel 

               Publikuar në : 11:02 - 08/06/19 Liberale

Suadela Balliu

Betejat e politikës shqiptare në fushën e Berlinit. Nga mesazhet kundërthënëse të deputetëve të CDU/CSU, për çeljen e negociatave, lobimi shqiptar i orëve të fundit, vizita e Bashës në përpjekje për të gjetur mbështetës për zgjidhjen e krizës, publikimi i përgjimeve të reja nga “Bild” dhe refuzimi i kancelares Merkel ndaj rekomandimit të KE për t’i çelur sa më shpejt negociatave me Shqipërinë.

Në fillim ishte Wadephul. Kur ndërkombëtarët, pas mesazheve të  para që cilësonin  djegien e mandateve parlamentare si minim të demokracisë dhe rrugës drejt BE-së, nisën të heshtin zv/kryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman,  ishte i pari që do të ofronte dorën e ndihmës për palët politike në Shqipëri, duke bërë thirrje për një dialog pa kushte. Zërit të deputetit Johann Wadephul do t’i bashkohej edhe ai i Christian Schmidt, i cili është edhe raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm, duke e çuar edhe më përtej idenë e tyre për zgjidhjen e krizës shqiptare, me një mundësi të shtyrjes së datës së zgjedhjeve. Idesë së ardhur nga figurat e rëndësishme të partisë simotër të PD-së, kryeministri Rama do t’u përgjigjej me afatet e kushtetutës, duke përcjellë mesazhin se nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve të dekretuara për t’u mbajtur më 30 qershor.

Zërave jozyrtarë nga qarqet e unionit kristiandemokrat dhe kristiansocial, ku veç shtyrjeve të zgjedhjeve propozohej të mos shihej si tabu edhe dorëheqja e kryeministrit – siç u përcollën nga gazetarja e Deutche Welle -, kryeministri Rama do t’u përgjigjej përmes letrave publike drejtuar kreut të PD-së, të hedhura si ftesa për dialog. “Ata miqtë gjermanë të Shqipërisë në partinë tuaj simotër, bëni mirë t’i dëgjoni kur Ju sugjerojnë dialog pa kushte, e jo të abuzoni publikisht për të çoroditur dynjanë, duke spekuluar me opinionet e tyre krejt miqësore”, do të shkruante Rama, ndërsa Basha pas reagimit të dy deputetëve do të shprehej se e mirëpriste angazhimin e “miqve gjermanë”.

E megjithëse parti simotër e  PD-së në çadrën e madhe të Partive Popullore Europiane, zërat nga CDU/CSU nuk ishin krejt të të njëjtit mendim me dyshen Wadephul -Schimdt.

Të pyetur mbi krizën në Shqipëri deputetët Lobel dhe Gutting nga grupimi CDU/CSU do të shprehnin mendimin kundër shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershorit dhe se bojkoti i parlamentit ishte i papranueshëm. Sipas Lobel-it, Gjermania mund të ndihmonte si mike, si mbështetëse, por zgjidhja u takonte vendasve. Ndërsa Gutting, ndryshe nga kolegët senior të unionit që i shohin protestat si reagim të pakënaqësisë popullore, nuk e sheh hedhjen e molotovëve një opsion që ndihmon në zgjidhjen e krizës.

Berlini “kryeqyteti” i BE

Rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave me Shqipërinë e mobilizoi maxhorancën në fushatën e fundit të lobimit për të marrë një “pro” nga Gjermania, ndërsa deri më tani  ministri gjerman për Europën

Michael Roth, nga partia SPD,  është një ndër mbështetësit kryesorë që Shqipërisë t’i çelen negociatat në qershor, sikurse është premtuar një vit më parë.

Nga Gjermania,  kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, njëherazi edhe kryetar i grupit parlamentar gjermano-shqiptar, do të deklaronte se shteti gjerman mbështeste fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Takime me deputetë në Bundestag dhe  përfaqësues të qeverisë gjermane, lidhur me lidhur me rekomandimin pozitiv pa kushte të Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian si dhe shqyrtimi i rekomandimit nga Bundestagu gjerman në një kohë sa më të afërt.

Por Wadephul nuk e ka menduar aspak kështu. Në një deklaratë të disa ditëve më parë, ai tha se Shqipëria nuk ka përmbushur asnjë nga kushtet e vendosura nga ministrat e jashtëm të BE-së, qershorin e kaluar duke e vënë gishtin, sipas tij, në plagë si mosfunksionimi i sistemit gjyqësor, mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, por edhe vonesën në krijimin e organit të posaçëm antikorrupsion SPAK apo Byronë Kombëtare të Hetimit. Veç kësaj nga analiza fillestare e CDU/CSU ndaj politikanëve dhe kriminelëve të përgjuar në fillim të vitit për blerje të votave nuk është nisur asnjë procedurë ligjore.

“Grupi parlamentar i CDU/CSU do të analizojë me kujdes raportet e progresit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe do t’i krahasojë me analizat e tjera që ka në dispozicion. Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim një vendim të përgjegjshëm, nëse janë plotësuar kushtet për nisjen e bisedimeve të pranimit me dy vendet”, do të shprehej Wadephul, i cili në intervistat e mëparshme, para zgjedhjeve të parlamentit europian, do të caktonte vjeshtën si kohë optimale që do t’i duhej Bundestagut të shqyrtonte raportin. “Një shqyrtim i tillë nuk duhet bërë me ngut. Kjo nuk do ishte e pranueshme për popullin gjerman dhe do të ishte e padrejtë edhe për vendet në fjalë”, ka thënë ai.

Në të njëjtën kohë me vizitën e Ballës përkoi, për rastësi apo qëllim, edhe vizita e kreut të PD-së në Berlin. Shkak ishte pjesëmarrja në një kongres ekonomik organizuar nga CDU/ CSU, por  takimet me një sërë zyrtarësh, përfshi edhe zv/kryekëshilltarin  e kancelares Merkel, Joachim Bertele. Mesazhi i Bashës pas takimeve ishte; nuk do të ketë hapje negociatash pa zgjidhje të krizës politike. “Në momentin aktual, në Gjermani, sikundër dhe në shumicën e vendeve vendimmarrëse të Bashkimit Europian, predominon mendimi që nuk do të ketë një vendim pozitiv për hapjen e negociatave pa u tejkaluar kriza politike”, do të shprehej Basha nga Gjermania, ndërsa ashtu si deputeti Balla nga ana e maxhorancës, edhe kreu i opozitës tashmë jashtëparlamentare do të thoshte se gjeti mbështetje.

Ndryshe nga sa do të  deklaronte kryeministri Rama, gjatë samitit të Berlinit se me kancelaren Merkel kriza politike në Shqipëri ishte diskutuar  fare shkarazi, Basha do të thoshte pas takimit në Kancelari  se  Gjermania ishte  thellësisht e shqetësuar për gjendjen ku ndodhet vendi aktualisht. Basha do të shprehej madje se ai ishte një partner i besueshëm i Gjermanisë, sot si kreu i opozitës e pas zgjedhjeve të lira të ndershme kryeministër i vendit  ndërsa Rama e ka humbur sipas tij, seriozitetin përballë europianëve.

Përkimi me Bild

Serioziteti i krizës politike dhe pretendimet e opozitës për shitblerje të votave, marrë shkas edhe  nga publikimi i përgjimeve telefonike nga dosja “339”, u përforcua vetëm një ditë pas vizitës së kreut të opozitës në Berlin. Gazeta gjermane “Bild”, pas artikullit të botuar pak javë më parë që e paraqiste Shqipërinë si vend i qeverisur nga gangsterë e kriminelë në një gjysmë koment të gazetarit Peter Tiede, do të publikonte sërish përmes të njëjtit gazetar gjashtë audio-përgjime të reja nga dosja e shumëpërfolur për krim elektoral, që e lidhin kryetarin e bashkisë së Durrësit me anëtarë të bandës kriminale të Avdylajve, të arrestuar për trafik të lëndëve narkotike dhe krim të organizuar. Në bisedat e reja, dëgjohet Vangjush Dako duke biseduar me Astrit Avdylaj, kreun e bandës dhe ndikimin që ky i fundit ka tek një sërë figurash të PS-së në Durrës, përfshi kryebashkiakun e Shijakut.

Megjithëse gazetë e llojit “tabloid”, “Bild” është e përditshmja më të shitura në Europë, ndërsa vetë gazetari, i cili siguroi se materialet ishin autentike dhe ishin përftuar nga burime të sigurta që nuk i bëri të ditura, tha se disponon të tjera materiale nga audio-përgjimet e se do t’i publikojë në ditët në vijim.

Megjithatë, në një media tjetër gjermane “Die Ëelt”, u botua një reportazh mbi 25 faqe për Shqipërinë dhe një intervistë e kryeministrit Rama, ku ai shpreh optimizmin e tij tragjik për çeljen e negociatave dhe se Shqipëria ka bërë reforma që asnjë vend negociues nuk i ka realizuar më parë.  Me gjithë artikujt pozitivë, të cilët ishin të sponsorizuar dhe me deklaratën e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj po nga Berlini, edhe ai në kuadër të lobimit para çeljes së negociatave, se publikimi të përgjimeve nga “Bild” nuk ia prishin imazhin  Shqipërisë, Merkel do të merrte një pozicion të ndryshëm nga ai i vitit të kaluar.

Refuzimi i Frau Merkel

Kancelarja ka refuzuar kërkesën e Komisionit Europian për hapje të shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.  Në  një seancë të komisionit parlamentar të Bundestagut për Europën, sipas informacioneve të “Süddeutsche Zeitung”, Merkel e bëri të qartë se afati më i afërt për të marrë vendimin për çeljen ose jo të negociatave për anëtarësim me dy vendet ballkanike, do të vinte në tetor. Vendimi i Merkel është më pranë me qëndrimin e partisë së saj CDU, ashtu siç deputeti Wadephul e kishte bërë të ditur më herët se vjeshta do të ishte stina e marrjes së vendimeve, ndërsa partia tjetër e koalicionit qeverisës, SPD ka qëndrime të tjera ndaj Shqipërisë.

Ndërkohë që perspektiva europiane e Shqipërisë e ka transferuar qendrën e vëmendjes nga Brukseli tek pushteti de facto, në Berlin, një artikull i “Euroactiv” kushtuar zgjerimit të Bashkimit Europian e sheh Shqipërinë si “delja e zezë” e duetit, të cilat prej pak ditësh kanë marrë formalisht rekomandimit për çeljen e bisedave të pranimit.

Edhe pse kancelarja nuk ka dhënë një “Nein” përfundimtar, duke i lënë kohë Bundestagut për shqyrtimin e raport-progresit për të dy vendet, kohë që mund të përdoret në favor të tij nga kryeministri Rama të paktën deri në vjeshtë, Holanda e ka dhënë tashmë verdiktin e saj kundër. Vendim aspak surprizues nga Holanda, e cila edhe vitin e kaluar ishte kundër çeljes së negociatave me Shqipërinë, ndërsa këtë vit parlamenti votoi projekt rezolutën  për vendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë, e cila aktualisht po shqyrtohet nga Komisioni Europian në Bruksel.

“Qeveria nuk është e interesuar në negociatat e pranimit midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Për Maqedoninë Veriore ajo e lë derën hapur”, do të bënte të qartë ministri i Jashtëm holandez Stef Blok. Vendim që Holanda, pak gjasa ka ta ketë marrë pa u konsultuar me Gjermaninë.

Zërave kundër mes shteteve anëtare, pa shumë surpriza, pritet t’i bashkohet edhe Franca. Para zgjedhjeve europiane, ish-ministrja franceze e Çështjeve Europiane Natali Luazo do të shprehej sërish  kundër çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.  “Ne vijojmë të jemi kundër. Ata janë gjeografikisht në Europë dhe duhet t’i ndihmojmë, por jemi kundër zgjerimit”, do të thoshte ajo, në një deklaratë që tingëllonte si për të mbajtur nën fre pakënaqësitë e opozitës franceze kundër zgjerimit para zgjedhjeve për parlamentin europian, kur në fakt partia “En Marche” e Macron, u rendit e dyta në Francë.

Simbioza me Maqedoninë

Pakënaqësitë  në rast të përgjigjes negative nga BE për çeljen e negociatave ka nisur t’i shprehë edhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, i cili  parashikon edhe rënien e qeverisë. Zaev do të deklaronte nga Brukseli se nëse negociatave do të çeleshin me Maqedoninë e Veriut dhe lihet jashtë Shqipëria, do problemi i krijuar do të ndikonte edhe  tek Kosova. “Gjermanët frikësohen nga kërcënimet e mikut tim Edi Rama për ndryshime të mundshme të kufijve ose bashkimit me Kosovën, por unë nuk besoj në këto punë, pasi kjo do të thotë kthim prapa për 10 vjet për Shqipërinë. Ndërsa një gjë të tillë nuk e dëshiron askush”, u shpreh Zaev, duke lënë të kuptohej se Maqedonia e Veriut mund të digjej nga projekti që Rama dhe Thaçi e kanë artikuluar prej kohësh, në bashkimin mes dy vendeve. Kështu një “jo” në bllok për të dyja vendet, do të merrej vetëm për të mbajtur nën kontroll kërcënimin e kryeministrit Rama, në një kohë kur fqinjët kanë një notë plus me zgjidhjen e çështjes së emrit dhe se marrëveshja e Prespës mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë është parë si historike.

Vizita e presidentit Meta, i fundmit në Berlin këto ditë pas marrjes së rekomandimit, erdhi ndërsa kancelarja  gjermane bëri të ditur se vendimi për çeljen e negociatave do të merrej në tetor.

Meta , i pranishëm në Takimin e 24-të Ndërkombëtar të Berlinit, ku mbajti edhe një fjalë në Mëngjesin e Lutjeve do të kërkonte çeljen sa më shpejt të negociatave.  “Bashkatdhetarët dhe bashkatdhetaret e mia presin që negociatat e pranimit me Bashkimin Europian të hapen sa më shpejt, shpresoj këtë muaj, ashtu siç dua t’ju siguroj se ata mbeten po aq kërkues edhe ndaj qeverisë së tyre që ajo të përmbushë detyrimet e të kryejë punët që i takojnë”, u shpreh presidenti, i cili më pas në një intervistë për Deutche Welle, tha se nga takimet me përfaqësues të fraksioneve parlamentare si të CDU/CSU apo edhe të SPD dhe grupeve të tjera, janë pozitivë për sa i takon mbështetjes për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

Pas vendimit të kancelares që e kapërcen qershorin si muaj të dhënies së përgjigjeve, nuk dihet nëse kreu i PD-së Basha më herët por edhe presidenti Meta dje, i cili është ofruar edhe për shtyrje të datës së zgjedhjeve nëse palët do të binin dakord, kanë marrë një mbështetje gjermane për zgjidhjen e krizës, veç asaj të artikuluar nga Wadephul dhe Schmidt, megjithatë një mesazh i presidentit në rrjetet sociale, ku citon kancelaren gjermane “Çdo gjë, edhe nëse duket e gdhendur në gur dhe e pandryshueshme, në të vërtetë mund të ndryshojë”, ka hedhur dyshimet se është një sinjalizim për shtyrje të zgjedhjeve.

Nuk dihet nëse pas ditës së djeshme, kryeministri Rama është aq i bindur sa u shpreh nga samiti i Berlinit se Shqipëria nuk do të dështonte këtë vit në hapjen e negociatave, siç dëshironin sipas tij kundërshtarët politikë, megjithatë një “Jo”, edhe për këtë vit nuk do të vinte si rrufe në qiell të hapur e do të bënte gati shfajësimin e kryeministrit ndaj akuzave për dështim, nëse do të ishte e tillë edhe për Maqedoninë e Veriut. Për të tjerat, edhe pse disa muaj larg, tetori nuk pritet të sjellë asgjë të re, aq më pak ndryshimin e të pamundurave, siç do t’u  thoshte zonja Merkel historianëve…

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *