
Vështirësohet njehsimi i qëndrimeve për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërinë në gjirin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, raporton Abc News. Në takimin e 28 ambasadorëve të përhershëm të BE-së mbajtur në Bruksel, Franca nuk ka prezantuar ende një qëndrim lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Holanda është mjaftuar duke thënë, që qëndrimi i saj për Shqipërinë nuk ka ndryshuar. Për qeverinë holandeze, aktualisht mbetet ende në fuqi mocioni i parlamentit holandez të aprovuar në qershor të këtij viti, kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë. Danimarka ka lënë të kuptohet, se tashmë vendi ka një qeveri të re, që nuk është entuziaste për zgjerimin dhe rrjedhimisht mund të jetë më strikte se qeveria e mëparshme.
Nga ana tjetër kryeministri i Holandës, Mark Rutte, pas një takimi me kancelaren gjermane, Angela Merkel, tha se është i shqetësuar nga mungesa e përparimit. Sipas tij, Shkupi ka bërë më shumë progres se Tirana, duke theksuar edhe një herë skepticizmin e Holandës mbi votën pro për Shqipërinë për hapjen e negociatave. /Gazeta Liberale