Aktualitet

Në zonat pa internet nuk do të ketë “fiskalizim”

Shkruar nga Liberale
Në zonat pa internet nuk do të ketë “fiskalizim”

Hyrja në fuqi e ligjit për faturën elektronike, fillimisht me autoritetet publike, e prej Korrikut biznes më biznes e më pas me transaksionet e konsumatorit, ka sjellë probleme për sipërmarrje që operojnë në zona të cilat nuk kanë mbulim të mirë me internet.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka marrë vendim që për këtë kategori të mos implementohet procesi i fiskalizimit, por ndërmarrjet të vazhdojnë të funksionojnë të lëshojnë fatura përmes kasës pasi të bëjnë një aplikim te tatimet.

Tatimpaguesi që operon në një zonë pa mbulim me internet duhet të njoftojë administratën tatimore për pamundësinë e krijimit të një lidhje elektronike për shkëmbimin e të dhënave me sistemin e informacionit të administratës tatimore”, thuhet në njoftim.

Tatimet më pas do të verifikojnë vërtetësinë e deklaratës dhe do të japin një konfirmim elektronik për subjektin i cili do të jetë i vlefshëm për 1 vit. Pas 1 viti, nëse do të ketë pamundësi mbulimi me internet sërish, kërkesa duhet të përsëritet.

Në 1 janar hyri në fuqi zyrtarisht procesi i fiskalizimit, fillimisht për faturat me entet publike. Fatura elektronike do të mundësojë në kohë reale kryqëzimin e të dhënave dhe do të rritë luftën kundër informalitetit.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH