Letërsi

Ne vijmë nga shpella...

Shkruar nga Liberale
Ne vijmë nga shpella...

Pirro Loli

Ne vijmë nga shpella, shtetrrethimet, shpellë-rrethimet, bllokadat, izolimet...

Kujdes, mos dil përtej portës së shtëpisë (shpellës) tënde; ka dalë një lubi, a përbindësh, a cerber që ha njerëz; kujdes, ka një emër allosua – koronavirus. Është një virus, thonë, dy milion herë më i vogël se kunupi, që të përcjell me kurora karafilash zbukuruar. Kujdes! Mos prek gjë me dorë! Mos puth njeri, mos përqafo; mos e prek me dorë as gojën tënde, as hundën, as sytë e tu! Dhe të dashurën puthe me maskë. Ngujim modern ky, me racionin e lejes diçital...(E -Albania) Luftë pa armë kjo, me vdekje masive në heshtje. Nuk jam vetëm unë i ngujuar, por të gjithë, e gjithë bota – pandemi - shpellë planetare kjo, që ra nën sundimin terrorist të një virusi mikroskopik… Heshtën topat, tanket, avionët luftarakë. Të gjithë u strukën të trembur nga një palo covid-19, kunup mikroskopik, virus i pabesë, i rrezikshëm dhe i panjohur. Izolim. Bllokim. Karantinë.

Durim, durim – pëshpërisin njerëzit e ngujuar me urdhër luftarak.

Durim, i thashë dhe unë vetes…Dhe mendja m’ u arratis nëpër shpellat e hershme..

Ne i njohim epidemitë, ngujimet, bllokadat e izolimet. Durimi na është thinjur dhe kemi ekzistuar si tek fillesat e njeriut ose te:

“SHPELLA E PLATONIT” …

Tani na duhet të futemi së bashku paksa në Shpellën origjinale të Platonit që të përvijoj atë që dua të them.

…Më duhet të shoh nga brenda, të dëgjoj zërat e tyre, do flas me ta, e pastaj vit pas viti, shekuj e mijëvjeçarë, sipas rrugës platoniane të shohim ngritjen e njeriut deri te mendimi – të kaloj nga ndijimi i thjeshtë i të ngujuarve, përtej syrit, te perceptimi. Të shohim më mirë përmes dritës së jashtme diellore e pastaj në të përpjetën: te të menduarit, te arsyetimi, te bota e shpirtit ose, siç thotë filozofi gjenial, “te bota e intelektit”.

…Orientimi i parë është syri e veshi. Atë që shohim dhe atë që dëgjojmë. Ja:… Disa qenie njerëzore jetojnë në një shpellë nën tokë vetëm me një dalje, një grykë si frëngi, që lëshon pak dritë deri në fund të shpellës. Këtu janë që fëmijë, lidhur për qafe e këmbësh me zinxirë; shohin vetëm pak para, se kokën nuk e kthejnë dot. Mbi ta e prapa tyre, larg, paska një zjarr. Në faqen e shpellës ka një mur, ku nëpër të e sipër tij lëvizin ca njerëz të tjerë, por ata shohin vetëm hijet e veta dhe të njëri tjetrit…Veshi dëgjon ca zëra mosbesimi, ata mund të flasin. Shpella sjell vetëm jehonë zërash nga jashtë, por ata nuk kuptojnë. Hijet e tyre s’kanë zë. Ai tjetri jashtë është i panjohur, i frikshëm …

Prej këtij çasti, filozofi, si mjeshtri i lëvizjes dhe i statusit relativ të qenies njerëzore, supozon dyshon dhe pyet shoqëruesin ose vetveten … po sikur ata të lëroheshin nga zinxirët? Pse ai që guxoi e doli e u kthye, dhe pse duket si i verbër? Mos ajo drita të verbon?

Ata, fatkeqët e lashtë, të ngujuarit e Platonit, kanë mbi 3000 vjet që janë mbërthyer në një shpellë. Filozofi më i madh i njerëzimit, ka lënë një kumt filozofik, ndoshta, i pari kumt shkrimor, më universali, që çdo individ e shoqëri njerëzore është në proces zhvillimi e duhet të dalë nga shpella, jo vetëm për të gjetur shpella më të mira (nuk po them luks e lumturi), por stade të reja zhvillimi drejt njohjes – shtrirë kjo - në mijëravjeçarë, brez pas brezi që nga fillesat e njeriut, para e pas Platonit, deri sot. Njeriu synon të lëvizë i lirë, të dalë nga shpella në shpellë drejt komoditetit jetësor, drejt një përshtatjeje, drejt dijes, internetit dhe intelektit gjithë dimensional…

PËRTEJ SHPELLËS ...

Përtej shpellës nis procesi i njohjes. Ai që provoi e doli, ia vrau sytë drita e do të rikthehet përsëri në shpellë, pak i verbër se erdhi nga drita në errësirë. Pak i hutuar, por diçka fitoi. (Ashtu siç na ndodhi kur u kthyen emigrantët e parë në shpellën tonë, kur do dëgjonim atë që kishin parë - një realitet krejt tjetër me diellin përsipër. Ata guxuan. Kishte njerëz që u bindën e të tjerë që nuk besonin.) Kureshtja, dyshimi, është dalje nga shpella. Fillon të ndryshojë pasqyrimi mendor, hapja e mendjes, jo vetëm pasqyrimi empirik shqisor. E nga individë të shquar, në kërkim të së vërtetës, do lindnin shkrimi, artet, letërsia, disiplinat shkencore, filozofia etj.

Filozofia e Platonit ngrihet mbi një dualizëm, mbi një realitet fizik edhe metafizik, në proces zhvillimi të pandërprerë. Po njësoj si edhe tek Shopenhaueri, Platoni konsideronte se realiteti i ndjeshëm, apo shqisor, me të cilin ne jemi direkt në kontakt përmes shqisave tona, nuk është i plotë, nuk është i vetmi, as i vërteti.. Botën e ndjeshme, Platoni e konsideronte botën shqisore, dukjeve, ose aparencës. Dhe përtej kësaj bote, për të ekzistonte një tjetër botë që ai e quan bota e esencës, e thelbit. Pra bota e formës së kuptueshme. Shqisat janë në shërbim të njohjes. Dyshimi, hamendja, pyetjet e pafundme, dëshira dhe kureshtja për të lëvizur, për të krahasuar, mohuar, përkufizuar, revizionuar, synon kapërcimin nga shpella në shpellë; është nevojë dhe një proces i gjatë dhe tepër kompleks që zgjatet e zgjatet si një aventurë e njeriut për një tjetërsim mentar në stade të larta të mirëqenies ose dijes.

Nga Platoni diçka mbetet gjithmonë e pa kuptuar, megjithëse mijëra janë marrë me të(në veçanti edhe kolosët e njohur, Hegeli. Niçe, Shopenhauri etj.). Ky filozof e merr prej dore njeriun dhe nis rrugëtimin nëpër vite e shekuj, për të parë ngritjen e tij si qenie shoqërore deri te arsyeja - si luksi i epërm i natyrës biologjike. Dhe kalon hap pas hapi nga ndijimi i thjeshtë i të ngujuarve, përtej syrit; te perceptimi për të parë më mirë përmes dritës së jashtme diellore e pastaj, përmes pyetjeve të njëpasnjëshme, dyshimit, akt pas akti dramatik, te finalja, te arsyetimi, në botën lart, te trojet e dritës së shpirtit, ose siç thotë vetë, deri “te bota e intelektit”.

Sipas tij, “Shpella është bota e asaj që shikojmë”. Kjo është ana e dukshme e metaforës. Thelbi është më i thellë: rruga për te zjarri, drita e diellit që sheh njeriu në çdo dalje nga shpella, është rruga për më lart, rruga drejt dijes, drejt lirisë, e kjo, kur është proporcionale me plotësimin e nevojave jetike (lexo me pronën), - e gjitha kjo është ngjitja e shpirtit në botën e intelektit. Kjo botë(e sipërme) arrihet me përpjekje dhe kërkon forcën voluptive të arsyes për të arritur tek e vërteta. E vërteta e çdo shpelle është forcë, të tërheq, të thërret, të sulmon; është një përpjekje që duhet përballuar, midis shpellës së vjetër që tashmë është kuptuar si botë e pa dijes , injorancës, me botën e dritës përtej shqisave. Në mes të diellit është drita , në mes të dritës është arsyeja dhe në në mes të kësaj është e vërteta. Si individ apo si komunitet. Platoni tha: arsimimi. Tha kultura. Tha natyra.

Pika e lartë e arritjes nuk ka kuotë të caktuar, ajo gjithmonë është relative për individin dhe shoqërinë. Nuk gaboj të them se Ajshtajni, idenë gjeniale të relativitetit, e ka marrë nga Platoni. Rruga e dijes kalon nëpër rrugë të errët dhe kudo, në çdo stad, frika e verbimit (e përshtatjes) nga errësira në dritë dhe anasjelltas, nuk e shmang dot verbimin e përkohshëm. Murin. Deri në përshtatje me natyrën dhe shoqërinë, shtrihet gjatë e gjerë jeta e njeriut.

Sipas këtij akti mitik, njeriu kudo që ndodhet nuk është veçse një i burgosur në një shpellë; nga një shpellë e vogël në një më të madhe. Dhe e gjithë jeta e tij kalon “shpellave”. Nga fshati në qytet, nga qyteti në qytetërim. Shpellë mund të jetë dhe familja, shtëpia, vendlindja, madje dhe atdheu e pse jo dhe rendi shoqëror.

KARANTINA BOLSHEVIKE...

Ne vijmë nga shpellat shkretinore pesë shekullore të pushtimit otoman, vijmë nga shpella bolshevike të një izolimi të egër. E gjithmonë, “kur kemi dalë” na kanë shoqëruar emra të tjerë, me një farë tjetërsimi (mutacion, i thonë sot) si nizamë, jeniçerë, renegatë, bejlerë, agallarë, ushtarë a bujq, e gjithmonë të mbyllur, të zhgënjyer, të lodhur, të paditur, midis besës dhe pabesisë - që nga shekujt otomanë deri te përmbysja e komunizmit, kemi rezultuar të fundit sepse më të rënda i kemi pasur heshtjet, pajtimet, rrethanat, por edhe sepse nuk e kemi kërkuar ndryshimin.

Për Platonin, ka një dallim mes “të jesh” dhe “të ekzistosh.” Qenia nuk ka nevojë të ekzistojë që të jetë, përkundrazi ne kemi nevojë për këtë botë të kuptueshme që të ekzistojmë. Ekzistenca ka nevojë për qenien. Këtë raport që ekziston mes dy botëve, Platoni e përcakton si raport pjesëmarrje. Ai që do të dijë, guxon dhe mësuesi e merr prej krahu dhe e çon përtej derës. Hyrje dalja dhe anasjelltas, janë veprime ekzistenciale; është përpjekja e njeriut drejt të panjohurës për një emër tjetër diku, për të kuptuar ç’janë ato hije(qytete, autostrada, avionë, metro, gjelbërim, lule, mirëqenie…) që lëvizin përtej shpellës? Shpella jonë turko komuniste ishte më e lumtura në botë... Por gjallesat nuk mund ta shkruanin dot kronikën e tyre, sepse...

***

Te ajo shpellë që kaluam – bolshevizma - gati u bë pandemi një shekullore, jeta na u mat me një kohë të ndaluar, urrejtje klasore, luftë klasash, izolim, urdhra, krisma , pushkatime, terror, tortura e burgje, uri, strehim, rraskapitje... Dhe mësuesit tanë na thanë: Bota që na rrethon është armiqësore, gjithçka me forcat tona. Jetojmë në rrethim, madje në gojë të ujkut. Rrufetë i kish Zeusi në dorë dhe shoqëria hante vetveten...Shkrepte drita e vetëtimës, por “qorrat e lidhur të shpellës platonike” i gëzoheshin dritës së çastit dhe nuk shihnin ku, e kë godiste, ndërsa viktimat s’kishin gojë e mbetën dhe pa varr. Koha staliniste në atë shpellën tonë, ishte më e rënda ngarkesë, më e frikshmja frikë nga ç’ mund të duronte njeriu. Absurditet. Fatalisht të detyruar. Mision hipotetik. Ne jemi qendra e botës. Hapa në errësirë. Kuturu. Ndalohet mendimi. Ka kush mendon për ty. Historia e shpellave të tjera, kultura dhe progresi i njerëzimit fillon e mbaron në shpellën bolshevike. Histori pa gjak. Pa vazhdimësi dhe zhvillim të natyrshëm e logjik. Me rrip shtërnguar, nga fitorja në fitore. Ëndërr funebre. Lumturia s’ka emër tjetër veç barazi në mjerim. Fatalitet historik. Që u gremis nga vetvetja. Terrori shtetëror fuqizohej nga viktimat e veta (mbarë popullore) nga ato turmat pa thelb, pa ide, pa instinkte mbrojtëse, pa mendim; gjithsesi rezultante e kulturave të vogla, rurale, estetikisht të pakorrigjueshme; prandaj jemi të detyruar që e sotmja duhet ta yshtë të shkuarën për marrëveshje e drejtësi, nga brezi në brez, nga shpella në shpellë.

Vonë shumë vonë, shpella jonë bolshevike staliniane filloi të shikojë nga dritarja se, atje tej kishte dhe të tjerë që ecnin, “kundër nesh” që po lëvizin; Po ndryshonte me shpejtësi uni i përvojave dhe shpella e kuqe u gremis nga vetvetja. Sidoqoftë, situatat e dikurshme, mund të ruhen edhe në arshivën metafizike të shoqërisë sonë e, edhe se mund të mos vijë kurrë ajo shpellë, mund ta tronditin fort kujtesën e të thërrasin për veprim.

Shqipëria nuk kishte parë ndonjëherë liri e dritë, por vetëm mjegull dhe errësirë, gjithmonë kokulur; ishte kënaqur me shumë pak gjë, aq sa ofronte perceptimi shqisor.

Të gjithë e dimë se është e pamundur të shohësh dritën menjëherë, kur ke jetuar gjithmonë në errësirë dhe izolim në atë farësoj lumturie si ne; sapo hapëm portën vumë dorën në sy të mos verboheshim nga drita e shpellës tjetër, në vitet 90`. Qemë të verbuar totalisht, të uritur, të paditur, dhe i hodhëm hapat kuturu nën atë verbimin jashtë kasolles; shpella u ça nga të gjitha anët dhe ne dolëm pothuaj symbyllur; i hipëm malit, detit e qiellit dhe patëm viktima edhe nga liria që prisnim.

...Thashë që shpellë është dhe rendi demokratik aktual. Kundërshtimet, mos kënaqësitë, heshtja, madje dhe mohimet agresive si shkopinj në rrota, vërtetojnë më së miri filozofin, luhatjet e shikimit metaforik në raport me diellin; por jo vetëm - është dhe lakmia e babëzia e njeriut për pasuri pushtet - (ishim më mirë atëherë kur ishim më keq … Ata, shumica e shumicave, e majtë a e djathtë, i druhen frikës se mos humbasin identitetin. Identitet sipas njeriut të babëzitur do të thotë pushtet, para, farefis i privilegjuar). Shqiptari po ndërton raporte të reja me shpellën jashtë shpellës, pra, dhe me atdheun. Dhe me demokracinë që e kemi marrë si të lehtë e pse jo( për ish shpellarët) dhe mëkatarë, dhe nuk dimë ç’të bëjmë me lirinë… Veçse, kujdes: kur zgjohet plotësisht qenia njerëzore, shteti anakronik bëhet i padurueshëm, madje dhe atdheu e humbet rolin e vet dhe vjen e zvogëlohet deri në shpërfillje. Akoma dhe sot pas tridhjetë vjetësh shpellarët e kuq a mavi, ankohen se nuk e durojnë dot këtë diell të fortë, dhe anipse, xhepin e kanë mbushur me të vjedhura e privilegje bllokmenësh, nuk rrinë dot pa mallkuar e goditur muret e brishtë të kësaj shpelle të re. Kësisoj, në rendin e ri demokratik cënohet e dëmtohet edhe kombi, prioriteti i racës, psikologjisë, traditat, virtytet shekullore, folklori brilant, madje vjen e lëkundet deri në gremisje vetë qytetërimi që kemi zgjedhur, brenda apo jashtë shpellës sonë, e pse jo dhe rendi demokratik…Të fut në mendime thënia e Emil Cioran: S’ka asgjë më të rrezikshme, sesa vullneti për të mos qenë i mashtruar! /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH