Aktualitet

Në tregun e urisë: humnera e Kabulit

Shkruar nga Liberale
Në tregun e urisë: humnera e Kabulit

LORENZO CREMONESI

Televizorë, komplete pjatash, gotash, lugësh, pirunësh e thikash, orendi të çdo lloji, kostume, male qilimash, stufa elektrike, freskuese, ngrohëse, biçikleta, motoçikleta, deri edhe djepe: afganët shesin nën çmim gjërat e tyre për të kërkuar të mbijetojnë. Duhet të vihet në tregjet qytetare për të kuptuar të keqen e shembjes ekonomike. Ai i Jadei Maiwan, në qendër të kryeqytetit, ka pushtuar rrugët, shitësit janë më të shumtë se blerësit. “Oferta e kalon kërkesën. Pashmangmërisht çmimet janë në rënie të lirë. Kush ka të holla mund të bëjë allishverishe t’arta. Mund të blesh çdo gjë me njëzet për qind më pak se çmimi në kohë të zakonshme” thotë Zoaker Brahimi, një tregtar 28 vjeç, që po blen nga një familje fqinjë kulluqet dhe tavolinat e sallës me një vlerë prej 40.000 afganësh për rreth 5.000. “Kemi nevojë për të holla për të ngrënë. Nuk ka alternativë, veçse të shesim nën çmim” shpjegojnë ata. Zona është e mbuluar me komplete sallonesh. Por ka edhe shtretër prej druri të çmuar, komo, dollapë. “Prej dy muajsh jam pa rrogë. Jam martuar ka pak, për fat nuk kam fëmijë. Por duhet të mbaj edhe prindërit e moshuar. Shes atë që mundem me shpresë të mundem të iki sapo të më jepet mundësia”, tregon Nader Khan, një tridhjetëvjeçar i sapo diplomuar në mjekësi. Hedh në tokë një qilim të mbështjellë: vlera 16.000 afganë, por nuk nxjerr më shumë se 2.000. Asgjë nëse mendohet se, për të ngrënë mirë në restorantet e qendrës, duhen së paku 1.000 afganë për njeri.

Në tregun e vogël të Wazir Akhbabar Khan, një nga lagjet më të kamura, arsyetohet me dollarë, mallrat janë më të çmuara. Ka mobilje luksoze, kostume të çmuara: por muzika nuk ndryshon. “E kishin vlerësuar televizorin tim të ri për 350 dollarë, kam marrë 60. Shpresoja të nxirrja së paku 280 për frigoriferin amerikan, m’u desh të kënaqem me 80”, thotë 32 vjeçari Sulltan Ahmad. Xhaxhai i tij ka punuar për bazat ushtarake amerikane, ka vizën e hyrjes për në SHBA. Sulltani don të niset me të. Janë të gjitha pamje të të njëjtit problem. Shet kush ka mbetur pa punë, ka llogarinë rrjedhëse në bankë të bllokuar e i duhen të holla. Krahas atyre shesin të gjithë ata që shpresojnë të nisen. Mbas një muaji e gjysmë të fitores ushtarake talebane, Afganistani jeton një nga krizat më të rënda të historisë së tij. Ekonomia është e paralizuar. Bankat nuk japin më shumë se 200 dollarë në javë për kreditorët e tyre. Pothuajse asnjë nuk paguan rrogat. Më shumë se 9 miliard dollarët e rezervave të Shtetit janë ngrirë në bankat amerikane, që detyrojnë embargon. Kombet e Bashkuara flasin për dramë të sapo filluar. Talebanët luten të mos mbyllen kanalet humanitare, i kërkojnë OKB-së të ndigjohen, ndërsa ndihma ekonomike është karta e vetme që bashkësia ndërkombëtare mund të përdorë për të shtrënguar në urtësi qeverinë e re të Kabulit. Ndërkaq World Food Program lajmëron se janë 14 milion njerëz (pothuaj gjysma e popullsisë) në “krizë ushqimore” dhe 2 milionë në rrezik jete. Të ikurit e brendshëm janë rreth 600.000 mijë.

“Ju mediat perëndimore shqetësoheni për gratë, por duhet të dini se këtu për qytetarin e mesëm drama më e madhe është mbijetesa e përditshme”, shpjegon një reporter vendor i Reuters. Por në vitet e fundit shumë punonjëse kishin mbetur mbështetja e vetme e familjes dhe tani urdhëri për të qëndruar në shtëpi shton problemin e varfërisë. “Çdo marrëveshje ndërkombëtare është e paralizuar që nga 15 gushti. Edhe institutet më të shëndosha të kreditit janë në rrezik falimentimi. Ne dhe 700.000 klientët tanë nuk dijmë se çfarë të bëjmë. Talebanët nuk japin asnjë njoftim”, dëshpërohet Ahmed Shah Siddiqi i Afghanistan International Bank.

E gjithë shtresa e mesme e lartë rrezikon të fshihet. Shitësit e Hares Plaza, pallati i “computer technology”, nuk shohin një klient nga gjysma e gushtit. Shumë duan të mërgojnë menjëherë. “Jetojmë në pasigurinë e përgjithshme”, thotë tridhjetëvjeçari Aharon Raufi, pronar i Kabul Shop, që prej pesë vitesh shet kostume të prerjes perëndimore të importuar nga Turqia. “Për talebanët un jam një armik. Nuk do të më vrasin. Thjesht nuk do të më lejojnë më të shes mallin që kam në magazina. Pra do të shkoj në falimentim”.

“Corriere della Sera”,

 Përktheu Eugjen Merlika /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH