Aktualitet

Në tregimet e errëta të Shkëlqim Çelës

               Publikuar në : 10:51 - 12/08/19 LP

Tobias Xhaxhiu

Nëse do të kryenim një kërkim të shpejtë në “Google”, do të shihnim se me “embriologji” përcaktohet shkenca që merr në studim qelizat seksuale, gametët dhe zhvillimin e fetusit. Ky kërkim ishte i nevojshëm për të deshifruar nëntekstin e triptikut të titulluar po ashtu “Embriologji” nga Shkëlqim Çela, fitues i edicionit të parë të çmimit prestigjioz “Kadare”, 2016.

Për ta transkriptuar më qartë thelbin e librit, i cili për hir të së vërtetës përshkruan një epokë aspak romantike të historisë së re shqiptare, si ajo e viteve ‘70’ – ‘80 të shekullit të kaluar, m’u desh të rrëmoja paksa në literaturë, tek ato koka të mendimit modern që e kanë gdhendur profilin psiko-social të njeriut bashkëkohor.

Marksi dhe Frojdi morën përsipër barrën e rëndë të çlirimit të bashkëkohësve të tyre, i pari doemos nga tjetërsimi shoqëror, ndërsa i dyti nga tjetërsimi psikologjik, dhe për t’ia arritur qëllimit u mbështetën mbi metoda të huazuara nga shkencat e natyrës, pezmi arkaik i të cilave ndihet edhe në gjuhën e këtij libri, duke marrë parasysh profesionin e autorit, mjaft të largët me letërsinë. Ditëve tona, përpjekja për të kombinuar këta dy pararendës të postmodernizmit është e ethshme dhe kjo për dy arsye legjitime:

e para: sepse të dy e shqyrtojnë shoqërinë në veçantinë e situatës së tyre historike, ku Marksi bazohet te historia e shoqërisë, ndërsa Frojdi tek ajo individuale;

e dyta: të dy e shohin kërkimin e tyre si thellësisht shkencor, pasi ata kallëzojnë atë që është e dukshme, por njëherësh një mbulesë që fsheh realitetin konkret veprues. Marksi denoncon mbështetjen te feja, arti, kultura apo etika, për shkak të natyrës së tyre qartësisht ideologjike dhe për faktin se shërbejnë si maska të realitetit, atij realiteti ku ndërvaren mjetet e prodhimit me konfliktin e interesave etj. Ndërsa Frojdi ka një optikë të ngjashme kur shprehet se feja, etika, apo arti janë krijime të njeriut që shërbejnë për të fshehur dhe lartuar nxitjet seksuale të ndrydhura nga censura, që prapëseprapë mbeten realiteti i vetëm.

Tani, çlidhje mund të ketë kjo sintezë e filozofisë me librin modest të Çelës?

Novela e parë, “Përgjuesit”, është njëherësh një fillim dhe një fund. Aty flitet për një brez veteranësh të Luftës së Dytë, që i kanë humbur dhe vijojnë t’i humbin dita-ditës iluzionet e tyre, duke formësuar kështu një trupëzim shoqëror, ku zhgënjimi i madh mund të portretizohet në figurën e partizanit të panjohur. Jo më kot, te personazhi kryesor, autori mbase qëllimshëm nuk ka investuar aq shumë sa t’i japë një emër për të qenë, duke e quajtur thjesht V. K.

1. K.-ja është bartës i embrionit të shkallmuar nga sistemi, produkt i të cilit ai ish. Tanimë, edhe bëmat e tij janë të cenueshme, madje deri brenda gjirit familjar. Shtëpia, e shoqja, madje dhe vajza e tyre beqare ngjajnë me një fotografi të zbehur nga koha. Një atmosferë sa e kalbur aq edhe klinike shoqëron rrëfimin. Përtej dramës vetjake të VK-së, kjo novelë është një pasqyrë e efektit dërrmues që propaganda dhe nënshtrimi ideologjik ushtron mbi jetën e individit, aq sa e shpie këtë të fundit në tjetërsim. Këtu rikthehemi përsëri te filozofët e përmendur më sipër, të cilët janë të idesë se ajo që është e fshehur në ndërgjegje është gjithnjë më reale se ajo që prodhohet në dritë nga ndërgjegjja, ashtu si dhe jetët e këtyre veteranëve, të destinuar për zvetënim.

Materia e bjerrë embrionale tenton të ripërtërihet te personazhet e novelës së dytë, “Zbor”. Kësaj radhe kemi të bëjmë me atë që sot cilësohet rëndom si brezi i djegur, i përfaqësuar nga një student province në kërkim të dëshpëruar për t’u kapur pas iluzioneve të servirura nga sistemi. Ngjarja, në kemi të tillë, zhvillohet gjatë ditëve të zborit, ku dialogët mes personazheve reflektojnë shpresat, aspiratat e një brezi të ushqyer me demagogji, që shfaqet po aq e shtirur dhe e zbërdhulur sa vetë uniformat prej zboristësh. Djaloshi ynë, që me një përllogaritje të qëllimtë na rezulton të jetë nipi i “ditur” i V. K.-së nga novela e parë, e përjeton zborin si një test të qartë të sistemit fasadë, ku asgjë nuk është siç duket.

“Yje të pash(q)uar” është titulli i novelës së tretë, ku autori kryen një lloj përmbysjeje të rendit natyror, në të cilin embrioni ynë rikthehet te gjeneza, si në një cikël të mbyllur, ndaj mendja të vete padashur te “Rasti i çuditshëm i Benjamin Button” nga Fitzgerald dhe fati i tij tragjik. Në këtë novelë përmbyllëse, autori na njeh me një djalë kopshti, i cili përjeton me kureshtjen e një fëmije botën që e rrethon, përpiqet ta zbërthejë atë duke i dhuruar lexuesit një radiografi naive të sistemit. Fëmija mbingopet çdo ditë nga qarkullimi i imazheve, ideve e marrëdhënieve të deformuara, për shkak të frikës e manipulimit shtetëror, duke ndërtuar në mendjen e brishtë një realitet kallp, të destinuar për zhgënjim, porsi paraardhësi i tij V. K.

Libri është shkruar me një shqipe të rrjedhshme, me dialog funksional, por ku mungon fabula e plotë dhe leximi ngrihet deri në nivelin e një përjetimi personal, si në ditarin e një emigranti, i cili duke kërkuar të bëjë paqe me veten, risjell falë talentit të tij një analizë post-factum mbi ngjarjet e konservuara në memorie./Gazeta Liberale

 

(Visited 53 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *