Letërsi

Ne shqiptarët dhe modeli ynë europian

Shkruar nga Liberale
Ne shqiptarët dhe modeli ynë europian

Petrit Nika

Kam shkruar edhe një herë tjetër për vitin e paharruar 1990; për vitin anno domini, për vitin e bekuar kur u shembën muret dhe barrierat vrasëse të vetizolimit komunist, për vitin kur ne shqiptarët kuptuam se përtej nesh ekzistonte një botë tjetër, nga e cila ishim vetëpërjashtuar tragjikisht. Gjatë kohës së gjatë të regjimit diktatorial, propaganda komuniste trumbetonte në popull idenë moralizuese, sikur gjoja ne si shtet dhe partia e asaj kohe, si e përkryer në shërbim të popullit, ishim qendra e botës.

Por pas rënies së komunizmit dhe ballafaqimit tonë të beftë me botën, ne kuptuam me dhimbje se e gjithë ajo propagandë kishte qenë një gënjeshtër e paskrupullt dhe naive. Evropa për çdo shqiptar, pas kësaj u shndërrua në një ëndërr. Një ëndërr që kishte të bënte me dëshirën e integrimit shqiptar në arenën ndërkombëtare, një ëndërr jetike e individit të keqtrajtuar shqiptar në diktaturë; për më shumë bukë, për më shumë dritë, për më shumë liri, më shumë dinjitet njerëzor dhe më shumë mundësi për një jetë më të mirë.

Kjo ëndërr na ka ushqyer me shpresë dhe vitalitet për t’i përballuar me stoicizëm për më se njëzet vite, vështirësitë e panumërta të tranzicionit, disfatat politike, oshilacionet akrobateske të luhatjes së nivelit ekonomik, premtimet dhe refuzimet e ndërkombëtarëve, derisa vjen një moment si ky i pozicionit ku gjendemi tani në raport me Europën, ku mund të themi se gjithësesi, diçka më së fundi është arritur. Por kjo diçka është shumë e brishtë dhe fare pak optimiste, nëse vetë ne nuk e vlerësojmë qenien tonë kombëtare si pjesë e pandarë e Europës, jo sepse ajo na pranoi tani, por sepse ne kemi qenë pjesë e saj, dhe si të tillë duhet të ecim me hap të sigurtë në vetvete në drejtim të integrimit.

Në fakt, po t’i kërkojmë thellë në histori rrënjët e evropianizimit shqiptar, ato rezultojnë gjithnjë të vendosura në një taban shumë të lashtë dhe të qëndrueshëm. Që në kohë të lashta. Të paktën që në shekujt e parë të historisë së Perandorisë së Romës, kur trualli shqiptar banohej nga paraardhësit tanë ilirët. Edhe gjatë Mesjetës ky truall ka qenë vazhdimisht pjesë e pandarë e historisë së përbashkët europiane. Ka vuajtur bashkë me Europën, është gëzuar bashkë me Europën. Të paktën deri me pushtimin osman, kur roli i saj gjatë mbretërimit të Gjergj Kastriotit u bë akoma më i dukshëm për fatet e Europës së asaj kohe.

Siç e ka cilësuar dhe gjuhëtari i shquar shqiptar Eqerem Çabej, Shqipëria ka patur gjithnjë një rol të rëndësishëm në fatet e të dy pjesëve të kontinentit Europian, sepse vetë pozicioni gjeografik i vendit tonë e përcakton një rol të tillë. (Eqerem Çabej; Shqiptarët midis Lindjes dhe Perëndimit).

Gjithnjë sipas Çabejt, Shqipëria ka shërbyer si pika e takimit të dy kulturave të mëdha, pika e takimit të dy qytetërimeve; Orient-it dhe Ocident-it. Shqipëria ka qenë porta për të kaluar nga Perëndimi në Lindje dhe anasjelltas. Si e tillë gjithmonë ajo ka qenë edhe e prekur nga rrymat e forta të fateve të historisë europiane, të cilat herë kanë vepruar pozitivisht, e herë të tjera negativisht. Një mbresë e paharrueshme e ndikimeve të Europës Lindore ishte pikërisht sistemi komunist që u instalua në Shqipërinë e gjysmës së dytë të shekullit XX, sistem i cili u importua pikërisht nga modeli më diktatorial në historinë e kësaj filozofie politike, nga stalinizmi sovjetik.

Por më së shumti kulturat europiane perëndimore për shqiptarët kanë qenë orientuese e mënyrës së qeverisjes dhe jetesës, të paktën që në Mesjetë, mbasi titujt e elitave (aristokracisë) të Europës së asaj kohe, jo vetëm që kanë qenë të njohur dhe të përdorur nga fisnikët shqiptarë të kohëve para pushtimit osman, por shenjat e kësaj kulture ruhen ende sot në mbiemrat e njerëzve, apo në emrat e vendeve. Si p.sh., Dukagjin. Dukagjin është emër vendi në veri të Shqipërisë dhe në Kosovë, i formuar nga emrat Dukë (titull i lartë aristokracie) dhe Gjin (antroponim shumë i përhapur nëpër krejt viset shqiptare të para pushtimit osman). Apo mbiemri Gjikondi që përdoret edhe sot e kësaj dite, kryesisht si mbiemër në jug, në zonën e Vlorës, emër i cili është formuar nga emrat Gjikë (antroponim) dhe Kont (titull fisnikërie).

Nën pushtimin e gjatë osman, shiptarët humbën shumë gjëra, por jo thelbin e tyre prej banorësh me orientim të lashtë perëndimor. Kjo, qoftë në besime (edhe pjesa islame e Shqipërisë është mjaft tolerante ndaj besimeve të tjera, gjë që s’ndodh as në ditët tona në kulturat orientale), qoftë në mënyrën e jetesës, në psikologjinë e të menduarit, apo nga ana antropologjike, ku raca shqiptare, sipas antropologut të njohur shqiptar Jakov Milaj, klasifikohet si racë e pastër ariane. (Jakov Milaj; Raca shqiptare)

Momenti që do ta vulosë prej vërteti, “de jure” Shqipërinë si faktor europian tashmë i përket së ardhmes. Le të shpresojmë se kjo e ardhme do të jetë e afërt. Dhe ky moment do jetë patjetër pranimi i Shqipërisë me statusin e plotë si vend i shoqërisë tërësisht europiane. Është fjala për pranimin në Bashkimin Europian.

Siç e dimë, diktatura komuniste na la mbrapa në integrimin tonë me sens kombëtar dhe ndërkombëtar. Gjatë kësaj kohe, kur vendi qeverisej nga diktatura, vendet mike të Shqipërisë u bënë përgjithësisht vendet e ish bllokut sovjetik, prej të cilave me rol kryesues ishin Rusia dhe Kina. Por dhe kjo nuk zgjati shumë, sepse me kalimin e kohës këto vende e zbutën luftën e brendshme klasore të diktaturës së proletariatit, ndërsa tek ne, diktatori Enver Hoxha nuk e pranoi një zbutje të tillë. Pas kësaj për dekada me radhë vendi u izolua tërësisht.

Por fryma evopiane shqiptare, e cila kishte mbijetuar për pesë shekuj nën hordhitë e panumërta aziatike, nuk mund të zhdukej megjithë propagandën dhe dhunën e fuqishme të regjimit.

Në fillim të vitit 1990 për Shqipërinë dhe shqiptarët filloi të fryjë një erë e re. Ishte era e demokracisë. Ishte era e konfirmimit të qenies europiane për shqiptarët nën diktaturë. Në Shqipërinë e asaj kohe u shfaqën shenjat e një etjeje të madhe për qytetërimin europian. Duke filluar me muzikën, veshjet e modës, mënyrën e mbajtjes së flokëve etj.

Por këto nuk mund të realizoheshin tashmë pa e parë Europën nga afër. Nuk mund të realizoheshin në Shqipërinë ku mendësia komuniste ishte ende e fortë. Përveç kësaj, edhe vetë shteti komunist ende nuk kishte rënë. Atëherë rruga e shpëtimit ishte braktisja e atdheut të “pushtuar” nga diktatura. Dhe kështu ndodhi.

Me 2 korrik 1990 ndodhi eksodi i parë i braktisjes së atdheut në kërkim të Europës, përmes dyndjes së popullit nëpër ambasada në Tiranë. Në nëntor të po këtij viti, si për të legjitimuar dhe përkrahur moralisht refuzimin e asaj jete në atdheun e dhunuar nga vetë bashkatdhetarët komunistë, u arratis nga Shqipëria edhe vetë shkrimtari Ismail Kadare, i cili ndërkohë me famën e tij i kishte kapërcyer kufijtë e vetë Europës.

Në dhjetor të këtij viti ndodhën ato ngjarje të paharrueshme që sollën përmbysjen e regjimit komunist dhe vendosjen e sistemit të ri politik pluralist. Megjithatë, as pas kësaj, rruga e shqiptarëve për në Europë s’do të ishte e lehtë. Prapambetja e gjatë e sistemeve dhunuese që s’iu kishin ndarë shqiptarëve prej shekujve, u la atyre trashëgim vendin më të varfër dhe më të prapambetur në aspektin e mbijetesës, në krejt vendet e Europës. Këtu do fillonte ajo periudhë e gjatë që do të quhej tranzicion.

Ngjarja më e rëndësishme në periudhën e tranzicionit ndoshta do të ishte pranimi i Shqipërisë në Këshillin e Europës, në vitin 1995. Kjo ngjarje do të pasohej me dy ngjarje të tjera shumë të rëndësishme për shqiptarët; me pranimin e Shqipërisë si anëtare në NATO dhe më pas me liberalizimin e vizave për lëvizjen e lirë në Europë. Ngjarja e tretë sigurisht do të jetë pranimi i vendit tonë në BE.

Tashmë jemi më afër se kurrë nga ana institucionale me Europën. Nga ana mentale dhe etnike, siç e evokuam në përshkrimin e shkurtër historik më lart, nuk kemi qenë të privuar as në shekujt më të errët. Por edhe vetë Europa ndodhet tashmë përballë dilemash jo të vogla për ruajtjen e pozitave të veta social-ekonomike dhe politike.

Vetë periudha historike që po kalojmë përcakton natyrën e një raporti kërkues të individit ndaj vetvetes, ndaj të tjerëve në rolin e partnerit dhe domosdo, edhe ndaj elitave qeverisëse. Kufinjtë fizikë po “zhduken”, bashkë me kufinjtë fizikë po reduktohen dhe shkojnë drejt zhdukjes dhe kufinjtë socialë. Duke analizuar këtë fenomen Thierry de Montbrial thotë se: “Sot nuk ka shtete-kombe të pasura të gjalla pranë shteteve-kombe të varfëra. Pasuri e varfëri gjenden të përziera ngushtësisht gjithkund në brendësi të të njëjtit qytet. Duke marrë parasysh këtë mjegullnajë kaleidoskopike, urbanizmi duhet të konsiderohet si një fakt politik madhor.” (Thierry de Montbrial; në “Lindja e një qytetërimi”)

Shqipëria e sotme është në rrugën europiane dhe ne s’mund të pretendojmë më ndonjë gjë të madhe nga Europa. Na duhet vetëm të prezantohemi me modelin tonë më të mirë dhe kultura, letërsia mbeten një pasuri e vyer. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH