Aktualitet

Në Shqipëri mburren me protesta, në Britani kryeministri iku dhe kërkoi ndjesë

Shkruar nga Liberale

Deputetja demokrate Flutura Açka komenton protestën e djeshme që u zhvillua në Tiranë. Sipas saj, shqiptarët i nxori në shesh mjerimi dhe mërgimi i fëmijëve, ndërsa opozita ua grabiti protestën.

‘Protesta është e drejta dhe detyrimi i shqiptarëve në kushtet e një Shqipërie në agoni. Mjerisht politika është mësuar t’ia grabisë kreditet qytetarit të thjeshtë që proteston, siç po ndodh me protestën qytetare të djeshme”, shkruan Açka.

Në Britaninë e Madhe ironikisht nuk u zhvillua asnjë protestë, sepse ajo u përket qytetarëve dhe jo politikës, ndërsa demokracia e detyroi të largohej kryeministri Boris Johnson. Në vendin tonë siç ka ndodhur në 30 vite me radhë opozitat iu bëjnë jehonë protestave, kurse kryeministri dhe qeveria vijojnë të qetë detyrën e tyre.

Reagimi i plotë i Flutura Açkës: Protestat… dhe ndjesat

Boris Johnson kërkoi ndjesë dje dhe iku.

Demokracitë solide ia heqin faqen politikanëve po gabuan, e mbi të gjitha kur përpiqen të rrinë kür u kërkohet të ikin.

Demokracitë solide nuk mbjellin e nuk vadisin kujtesë të shkurtër.

Boris Johnson iku nga dera dhe nuk hyn dot më nga dritarja, e lëre më nga oxhaku.

Protesta është e drejta dhe detyrimi i shqiptarëve në kushtet e një Shqipërie në agoni. Mjerisht politika është mësuar t’ia grabisë kreditet qytetarit të thjeshtë që proteston, siç po ndodh me protestën qytetare të djeshme.

Shqiptarët i nxori në shesh mjerimi, mërgimi i fëmijëve, dritat, uji, frika për të hyrë në market, tallja e politikës me ta, paturpësia dhe babëzia e pushtetit. Dhe sa e sa arsye të tjera.

Opozita para shqiptarëve duhet të reflektojë ndjesë për të shkuarën dhe të kërkojë dorëheqjen e përbindëshit me pushtet sot…

…jo të bëjë apelin demoniak politik brenda vetes.  /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH