Kryesore

Në republikat parlamentare, ministrat duhet të jenë politikë

               Publikuar në : 09:01 - 10/09/20 Ervis Iljazaj

Ervis Iljazaj

Ka zëra të shumtë që Kryeministri Edi Rama është duke menduar për ndryshime të rëndësishme në kabinetin qeveritar. Gjë e cila, duke parë kontekstin politik, me shumë gjasa do të ndodhë.

Kjo është një shenjë e qartë se puna e ministrave aktualë nuk ka shkuar në rrugën e duhur, ndoshta edhe më keq, ka dështuar

Në fakt, emrat e kabinetit të Ramës deri më tani, me ndonjë përjashtim të vogël, nuk i kanë dhënë asgjë popullaritetit dhe punës së Kryeministrit. Përkundrazi, shumë nga ministrat kanë përfituar nga popullariteti i tij për të fshehur herë pas herë dhe dështimet e tyre personale, për të mos thënë më tepër.

Kudo në vendet europiane është Kryeministri ai që përfiton nga kontributi dhe puna e ministrave në aspektin e kredive politike. Ndërsa me qeverinë Rama, ka ndodhur totalisht e kundërta.

Ky raport i përmbysur midis Kryeministrit dhe ministrave të tij, ka ardhur edhe si pasojë e karakteristikave që kanë patur një pjesë e madhe e tyre. Shumë nga emrat e kabinetit Rama, të këtij mandati apo mandatit të kaluar, kanë qenë të një profili të ulët dhe që nuk ka dhënë asnjë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e reformave që i duhen vendit.

Është vështirë të gjesh një ligj, një iniciativë apo një reformë që mban emrin e një ministri të caktuar. Sepse, e gjithë puna dhe iniciativat e qeverisë kanë ardhur në mënyrë të përqendruar, si pasojë e marrjes përsipër të të gjithë pushtetit ekzekutiv nga vetë Kryeministri.

Kështu që, ka ardhur koha që Rama duhet të vendosë në krye të ministrive emra politikë. Emra të cilët vijnë dhe i takojnë grupit parlamentar, si një përfaqësim i grupeve të ndryshme që përbëjnë një parti politike. Ashtu sikurse ndodh në çdo republikë parlamentare europiane.

Në këtë kuptim, pesha politike e qeverisjes do të shpërndahej. Dhe, në këtë mënyrë, qeverisja dhe artikulimi politik i kabinetit qeveritar.

Megjithatë, përtej çdo detaji të punës së gjithsecilit nga ministrat aktualë, formati i ministrave “teknikë”, të shkëputur nga grupi parlamentar, është një format totalisht i gabuar për një qeverisje parlamentare.

Shpeshherë kemi të bëjmë me emra që përpara se të bëhen ministra nuk janë dalluar për asgjë të veçantë apo që nuk përfaqësojnë asgjë politikisht.

Edi Rama insistoi në këtë model që në mandatin e tij të parë dhe vazhdoi po ashtu edhe në atë të dytin me profile të tilla. Madje, në mandatin e parë kërkoi në mënyrë aspak kushtetuese, por edhe jo korrekte që të ndante qartësisht ministrat nga grupi parlamentar, kur i kërkoi atyre të linin mandatin e deputetit.

Një formulë e cila nuk funksionoi. Sepse, shkëputi totalisht punën e qeverisë nga partia politike, duke bërë kështu, një ndarje që shpeshherë krijoi mosmarrëveshje dhe hendek të madh midis partisë dhe qeverisë.

Prandaj, duhet të marrë fund për këtë qeveri apo për këdo që vjen më pas, emërimi i ministrave të cilët nuk përfaqësojnë askënd politikisht. Sepse në fund të fundit, të drejtosh një portofol ministror është më së shumti një post politik. Duke qenë i tillë, duhet me patjetër që personat në krye të tyre të jenë me kontribute të caktuara.

Vetëm kontributet politike të personave të caktuar, dhe përkatësia e tyre me grupin parlamentar krijojnë një ekuilibër të qëndrueshëm midis legjislativit dhe ekzekutivit.

Në të kundërt, vazhdimi i të njëjtit model, me emra pa asnjë peshë politike, krijon kabinete qeveritare jo efikase, pa asnjë meritë apo përgjegjësi personale të ministrave dhe mbi të gjitha, pa mbështetjen e duhur politike. /Gazeta Liberale

 

Tags: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back