Kryesore

Në pritje të hapjes

               Publikuar në : 09:55 - 27/05/21 liberale

Mbledhja e sotme e Komitetit të Ekspertëve pritet të lehtësojë masat anti-covid, ndërsa vendi përgatitet për sezonin turistik. Megjithëse sipas kreut të qeverisë dhe ministres së Shëndetësisë fundi i qershorit do të shohë rreth 1 milionë shqiptarë të vaksinuar, sipas të dhënave botërore, vaksinimet po ecin me ritme më të ngadalta se ato në vende që e kanë turizmin parësor. Mbledhja e sotme do të jetë vendimtare edhe për disa kategori biznesesh, të penalizuara  nga masat e deritanishme  

Kryeministri Rama  e pati  lajmëruar më herët një sezon turistik pa kufizime, ndërsa bëri premtimin se brenda qershorit vendi do të kishte më shumë se pesëqind mijë të vaksinuar.

Dje, kreu i qeverisë tha se Komiteti Teknik i Ekspertëve do të dalë sot me një plan të ri, ndërsa njoftoi se do të ketë lehtësim të mëtejshëm të masave.

“Ambicia jonë për një sezon turistik shumë më të lehtësuar se sezonin e kaluar besoj do të realizohet”, deklaroi dje zoti Rama.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shpreh përmes rrjeteve sociale se pas 244 ditësh në vend nuk u shënua asnjë humbje jete nga koronavirusi, ndërsa në 24 orët e fundit u regjistruan 15 të infektuar.

Ndërsa disa nga spitalet e dedikuara Covid janë mbyllur nëpër rrethe, aktualisht po trajtohen 43 pacientë, ndër të cilët vetëm 7 janë në terapi intensive.

Për kryeministrin situata duket optimale, ndonëse është treguar i kujdesshëm në optimizëm, duke shtuar se nuk mundet ende të parashikohet dalja nga tuneli.

Pas më shumë se 730 mijë qytetarëve që kanë marrë të paktën nga një dozë të vaksinave anti-Covid, sipas Manastirliut afro 260 mijë i kanë marrë të dyja dozat, ndërsa dje nisi edhe vaksinimi i punonjësve të transportit publik.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se do të vijojë vaksinimi i kombinuar, i personave mbi 60 vjeç me punonjësit e shërbimeve kritike, teksa shtoi se me mbërritjen e dozave të tjera të vaksinës së Sinovac, pritet të ulet edhe fasha e grupmoshës për vaksinimet.

“Po ecim me ritme të mira drejt objektivit 1 milion vaksinimeve deri në fund të qershorit, duke vijuar kalendarin tonë të vaksinimit të kombinuar dhe sigurisht duke synuar uljen e grupmoshës nën 60 vjeç”, theksoi Manastirliu.

Por ndonëse qeveria flet për vaksinime masive, kur në 24 orë janë shënuar 11 mijë vaksinime, sipas të dhënave të Our Ëorld In Data të Universitetit të Oksfordit, ritmet e vaksinimit janë ngadalësuar javëve të fundit në Shqipëri.

Sipas të dhënave të Our World in Data, gati 9% e popullsisë është vaksinuar plotësisht, ndërsa rreth 8% ka marrë vetëm një dozë, duke bërë që rreth 17% e popullsisë të ketë marrë të paktën një dozë. Shqipëria ia kalon në ritmet e vaksinimit vetëm shteteve të rajonit, përveç Serbisë dhe vendeve të ish Bashkimit Sovjetik.

Kryeministri Rama do të përplasej me ministrin gjerman të Shëndetësisë në  gazetën “Bild”.

Ky i fundit, deklaroi për BILD se  vitin e kaluar rreth 50% e rasteve të reja në Gjermani erdhën si pasojë e udhëtimeve në Ballkan e Turqi, dhe këtë vit duhet parandaluar.

Edhe kryeministri shqiptar zgjodhi BILD për t’iu përgjigjur ministrin gjerman Spahn, duke e cilësuar deklaratën e tij si skandal.

“Skandal që një ministër gjerman denoncon publikisht Ballkanin dhe kështu gjithashtu zhvlerëson njerëzit me një sfond migrimi. Unë nuk do të lejoj që Shqipëria të portretizohet si një zonë rreziku për udhëtimet e pushimeve, nuk ka shifra për ta provuar këtë”, do të shprehej kryeministri Rama, duke shtuar se “Një ministër gjerman i shëndetësisë duhet të kujdeset për vaksinimin e popullsisë gjermane dhe të mos zgjojë pakënaqësi stereotipike kundër Ballkanit në mënyrë që të mbrojë një rekord dukshëm të keq”.

Por megjithë normat e ulëta të infektimit, Shqipëria është e vendosur në kategorinë E të shteteve me rrezikshmëri të lartë të Covid, bashkë me vende si Brazili apo India që po gjenden para një katastrofe njerëzore të shkaktuar nga koronavirusi i ri. Ky kategorizim sjell për shtetasit italian edhe më shumë kufizime në lëvizjen e lirë në vendet e BE-së,  ku udhëtimet lejohen vetëm për arsye të caktuara si pune, shëndeti apo urgjence.

Por ndërsa vendi përgatitet për sezonin turistik dhe kryeministri do të deklaronte në muajin mars se turistëve të huaj që do të zgjedhin si destinacion Shqipërinë nuk do t’u kërkohet pasaportë vaksinimi, ritmet e vaksinimit të popullsisë nuk duken po aq të shpejta sa të vendeve që e kanë turizmin parësor si Italia, Spanja apo edhe Greqia.

Kjo e fundit e ka shtyrë afatin për ta mbajtur të mbyllur kufirin me Shqipërinë deri më 31 maj, ndërsa kanë mbërritur turistët e parë nga Britania. Megjithatë, ministri shqiptar i Turizmit dhe Blendi Klosi mori pak ditëm ë parë një garanci nga homologu grek për

lëvizjen e lirë në kufi, në zbatim të protokolleve shëndetësore anticovid.

Kryeministri Mitsotakis ka bërë të ditur se së shpejti do të nisë vaksinimi i fëmijëve mbi 12 vjecc.

Ndërkohë në aeroportin “Nënë Tereza” tri ditë më parë mbërritën 14 mijë doza vaksina Pfizer, ndërsa kryeministri bëri të ditur se mbi 847 mijë doza vaksinash – ndër to Astrazeneca, Sinovac apo Sputnik – kishin mbërritur në Shqipëri, ndërsa këtë javë pritet të mbërrijnë doza të tjera.

Sipas minsitrit Klosi ky sezon turistik do të jetë “covid-free”, ndërsa një tjetër kategori punonjësish që po vaksinohen janë ato të operatorëve turistikë.

Por përtej sezonit dhe turistëve që priten të vijnë nga jashtë, mbledhja e sotme e Komitetit të Ekspertëve do të jetë vendimtare për shumë kategori biznesesh, të penalizuar nga masat anti-covid. Siç edhe kryeministri lajmëroi dje, mbledhja do të sjellë padyshim lehtësim të masave- ku ende është në fuqi ora policore -, por sicc nënvizoi ai është ende herët për të parë dritë në fund të tunelit, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë një hapje të madhe apo të plotë.

Our World In Data: Shqipëria, ritme të ngadalta vaksinimi

Italia dhe Spanja, dy shtete që kanë varësi të lartë nga turizmi kanë përshpejtuar ndjeshëm ritmet e vaksinimit gjatë javëve të fundit.

Il Sole24 ore shkuan se Italia u rendit ndër shtetet e para në Europë për përqindjen e popullsisë që është vaksinuar plotësisht, së bashku me Spanjën, sipas të dhënave të Our Ëorld In Data të Universitetit të Oksfordit, duke qenë mbi mesataren europiane.

Italia shpreson të administrojë 17 milionë doza në maj dhe 20 milionë në qershor, në mënyrë që të vaksinojë të gjithë në prag të sezonit turistik duke i “çliruar” të gjithë, që t’i hapet rrugë rimëkëmbjes së ekonomisë, e cila ka një varësi të lartë nga turizmi.

Sipas të dhënave të faqes (azhurnuar në 22 maj) në Evropë 13.1% e popullsisë ka përfunduar ciklin, ndërsa në Itali janë 15.75% dhe në Spanjë 16.8%, që ndiqen nga Franca (14.2%) dhe Gjermania (13.1%). Ndër vendet që kanë marrë të paktën një dozë, Gjermania kryeson “renditjen” e Bashkimit Europiane me 39.1%, ndërsa Italia ka vaksinuar 33.5% të popullsisë. Mesatarja e Europës është në 28%.

Në të gjithë Europën vijon të kryesojë Mbretëria e bashkuar, me gati 60% të popullsisë që ka marrë të paktën një dozë dhe mbi 30% që është vaksinuar plotësisht. Pas Mbretërisë së Bashkuar, për vaksinimin total renditen Hungaria dhe Serbia.

Në nivel global, grafikët tregojnë ndryshimet e mëdha në shkallën e vaksinimit, ku Izraeli, Britania e Madhe dhe SHBA-të janë shumë përpara vendeve të tjera perëndimore dhe mbi 50% të popullsisë së mbuluar me të paktën një dozë. Ndërsa Brazili dhe India., të cilat janë ndër vendet më të prekurat nga pandemia, kanë përkatësisht 18% dhe 10% të popullsisë që kanë marrë të paktën një dozë, ndërsa shumë vende afrikane nuk kanë dhënë as edhe një dozë.

Shqipëria, ndër të fundit e Europës

 Ritmet e vaksinimit janë ngadalësuar në Shqipëri javët e fundit, ndonëse me afrimin e turizmit pritej të ndodhte e kundërta. Sipas të dhënave të Our Ëorld in Data, gati 9% e popullsisë është vaksinuar plotësisht, ndërsa rreth 8% ka marrë vetëm një dozë, duke bërë që rreth 17% e popullsisë të ketë marrë të paktën një dozë. Shqipëria ia kalon në ritmet e vaksinimit vetëm shteteve të rajonit (përveç Serbisë) dhe vendeve të ish Bashkimit Sovjetik (shih grafikun).

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë janë administruar në total rreth 725 mijë doza vaksinash në vend (Prej tyre 249,898 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID), ndërsa plani është që numri i tyre të arrijë në 1 milion brenda majit. Ritmet e vaksinimit u ngadalësuan dy javët e fundit për shkak të mungesës së vaksinës kineze, e cila është administruar për pjesën më të madhe të të vaksinuarve. Pas ardhjes së dozave, procesi ka rifilluar normalisht. 475 mijë persona në vend kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës deri në 24 maj, gjysma e të cilëve janë vaksinuar tashmë plotësisht

Covid-19: Asnjë humbje jete në 24 orë, 15 raste të reja infektimi

Më në fund, pas plot 244 ditësh, në Shqipëri nuk është regjistruar asnjë viktimë nga koronavirusi.

Ministria e Shëndetësisë raporton se në këto 24 orë kanë rezultuar pozitivë 15 persona, nga  2691 testime të kryera.

Sipas MSH, “Aktualisht në spitalet COVID po trajtohen 43 pacientë nga të cilët 7 pacientë janë në terapi intensive”.

Njoftimi i MSH:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID19: Vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë, ruani distancimin fizik; kujdesuni për higjenën vetjake dhe vetizolohuni kur dyshoni se jeni të prekur nga COVID19.

Situata e COVID19 në 24 orët e fundit është si vijon: Pas një periudhe të gjatë të pandemisë, për herë të parë nuk ka asnjë vdekjet në spitalet COVID në 24 orët e fundit. Aktualisht në spitalet COVID po trajtohen 43 pacientë nga të cilët 7 pacientë janë në terapi intensive.

Janë kryer 2,691 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 15 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 5 raste në Tiranë, 2 raste në Berat, Skrapar, 1 rast në Shkodër, Durrës, Fier, Devoll, Mat, Shijak.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 71 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 128,978 që nga fillimi i epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në numri 127 të Urgjencës Kombëtare për çdo emergjencë apo referim në spital./Gazeta Liberale

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back