Kryesore

Në Parlament, pa Berishën!

               Publikuar në : 12:52 - 31/07/21 liberale

Pas takimit me kryedemokratin Basha, mesazhi i ambasadores Yuri Kim ishte i qartë. Në shtator, ShBA pret që PD të jetë në Parlament, pa ish-kryeministrin Berisha, i shpallur non grata nga Sekretari Amerikan i Shtetit. Berisha ka rikonfirmuar qëndrimin se do të jetë në Kuvend, ndërsa Basha ende nuk ka artikuluar qartë hapat që PD do të hedhë në të ashtuquajturën betejë për demokraci dhe zbardhjes së masakrës zgjedhore, ndërsa presioni ndërkombëtar rritet

Suadela Balliu

 Ambasadorja e ShBA-së në Tiranë e ka theksuar rolin e saj si diplomate përballë pyetjeve të drejtpërdrejta rreth peshqve të mëdhenj, por gjithaq nuk ka hezituar të përcjellë mesazhe të forta e të shënjestruara ndaj liderëve politikë.

Ajo ka folur rreth përpjekjeve për të minuar Reformën në Drejtësi, ka dënuar hapur deklaratat e presidentit Meta pak ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit, i ka bërë thirrje kryeministrit të mos bëjë aleancë me ata që ShBA i ka shpallur non-grata, ku i referohej kreut të PSD Tom Doshi.

Ndërsa shprehej se i kishte lexuar deklaratat e kreut të PD-së si pohim për të hyrë në shtator në Parlament, zonja Kim nuk kishte mbajtur qëndrim të artikuluar ndaj ish-kryeministrit Berisha, më i riu i listës së caktimeve publike nga Sekretari Amerikan i Shtetit.

Tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare dhe pas apelit të përsëritur ndaj institucioneve të Drejtësisë për hetim të krimeve zgjedhore, ambasadorja amerikane zhvilloi dje një takim me kryedemokratin Basha.

Deklarata e saj pas takimit ishte e fortë dhe e qartë drejtuar kreut të PD-së dhe ish-kreut të saj, Berisha.

“Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu”, tha zonja Kim para mediave dje, duke e cilësuar takimin me Bashën si një diskutim të mirë dhe të plotë.

Ky takim, zbuloi më tej ajo, ishte një vijim të atij që zoti Basha pati me Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit Reeker, kur ky i fundit vizitoi Tiranën, pak kohë më parë.

“Nuk ka dyshim për rolin historik që Partia Demokratike ka luajtur, është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm dhe, në këtë kuptim është lajm shumë i mirë që PD do të rikthehet në parlament në shtator”, u shpreh zonja Kim, ndërsa vetë Basha nuk ka artikuluar ende qartë nëse PD do të jetë në parlament në legjislaturën e re apo do t’u kthehet protestave në vjeshtë.

Kryedemokrati Basha, pas rikonfirmimit në parti, ka folur për një betejë me çdo mjet dhe mënyrë për të vërtetuar masakrën zgjedhore dhe atë që ai e cilëson si aleancë të kryeministrit me bandat kriminale.

Në dritën e kritikave brenda partisë së tij, pas humbjes së tretë radhazi të demokratëve në zgjedhje, Basha e pa rikonfirmimin e tij në krye të PD-së si mbështetja e demokratëve për betejën e shumëfolur. Kreu i selisë blu madje është shprehur se demokratët dhe shqiptarët nuk mund të presin deri më 2025-n për ndryshim.

Por ndryshe nga 2019, duket se Basha dhe demokratët po ndjekin hapat institucionalë. Pas shterimit të ankesave në KAS dhe Kolegj Zgjedhor, pa ndonjë ndryshim në rezultatin zgjedhor, është radha e SPAK të thotë fjalën e tij në hetimet e krimeve zgjedhore.

Pas diplomatëve të huaj, ishte ODIHR që u bëri thirrje institucioneve në raportin përfundimtar të zgjedhjeve të 25 Prillit për të hetuar pretendimet e opozitës, që flasin për shitblerje të votës.

“Kuptoj që PD dhe të tjerë kanë shqetësime në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit dhe të gjithë e dimë që ato shqetësime janë pasqyruar në raportin përfundimtar të nxjerrë nga ODIHR. Do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e nevojshme që institucionet përkatëse t’i trajtojnë ato shqetësime në mënyrë kuptimplotë dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin këto përpjekje për të përmirësuar në mënyrë konstante zgjedhjet dhe demokracinë në Shqipëri”, vijoi më tej ambasadorja Kim.

Edhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varlehyi në vizitën e tij në Rinas, foli për rëndësinë e një Parlamenti të plotë për integrimin europian të vendit.

Yuri Kim  i bëri thirrje Partisë Socialiste, të tregojë se është serioze për t’u ngritur mbi interesat partiake për hir të vendit.

Kryeministri Rama do ta ftonte kryedemokratin në një bashkëpunim pa kushte e pa tabu, pas zgjedhjeve të 25 Prillit, por duke e saktësuar se bëhej fjalë për çështje në të mirë të së ardhmes europiane të vendit dhe jo për një bashkëqeverisje.

Por më herët, gjatë fushatës elektorale, kreu i qeverisë i drejtohet rivalit politik për bashkëpunim me kushtin që ky i fundit të ndahej nga ndikimi i presidentit Meta dhe ish-kryeministrit Berisha.

Ndërsa zoti Basha ka folur për një regjim Rama-Doshi, duke theksuar faktin se ish-aleati i kryeministrit është shpallur i padëshiruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për korrupsion, kërkoi transparencë nga Sekretari i Shtetit Blinken pas vendimit për Berishën.

Megjithatë, zoti Basha u kujdes që të theksonte se PD mbetet partnere e ShBA në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa Berisha paditi në një gjykatë franceze për dëmtim të reputacionit Sekretarin amerikan të Shtetit. Zoti Berisha u shpall non-grata pas informacioneve të besueshme që DASH kishte ndaj tij për korrupsion dhe minim të demokracisë, veçanërisht gjatë dy mandateve të tij si kryeministër.

“Folëm për forcën e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, rolin shumë të rëndësishëm që Partia Demokratike ka luajtur në vendosjen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri si dhe rëndësinë që ka që Shqipëria të qëndrojë në rrugën e saj drejt Europës”, theksoi zonja Kim dje.

Me tone të qarta ajo iu drejtua kryetarëve të partive, që “kur të hyjnë në atë parlament, të shoqërohen nga anëtarë që janë të denjë për të përfaqësuar Shqipërinë. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme që edhe PD t’i mendojë këto çështje”, tha ambasadorja amerikane. Një mesazh të ngjashëm dhe të drejtpërdrejtë zonja Kim e mbajti edhe gjatë fushatës elektorale, duke u shprehur se në Parlament nuk duhet të kishte individë të shpallur non-grata nga ShBA.

I pyetur nga gazetarët, zoti Berisha u shpreh i vendosur për të qenë në parlament, pasi u zgjodh deputetet nga zgjedhjet e 25 Prillit, madje ai nuk i rrëzoi as zërat që mund të rikandidonte për kreun e PD-së, në të ardhmen.

“Shpresa jonë është që partitë do të ecin përpara, që ky vend do të ecë përpara, që bashkëpunimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë të ecë përpara. E ardhmja po pret. Ka vendime të vështira përpara për të gjithë”, u shpreh zonja Kim, ndërsa shtoi “Shpresoj që të gjithë të mund të pushojnë mirë gjatë gushtit, por shpresoj edhe që kur të kthehen të freskët dhe të ripërtërirë në vendosmërinë e tyre për të zgjedhur të ardhmen kundrejt të kaluarës”.

Ish-kryeministri e cilësoi deklaratën e ambasadores si fyese, ndërsa përforcoi përmes një njoftimi qëndrimin e tij për të qenë në parlament, në shtator.

Ndryshe nga ambasadorja Kim, e cila komentoi takimin menjëherë pas daljes nga selia blu, zoti Basha nuk u shpreh rreth tij dhe as nga PD nuk pati një deklaratë zyrtare.

Ky takim i ambasadores me kryedemokratin vjen ndërsa Basha ka paralajmëruar se muajt e verës do të jenë të vrullshëm për Partinë Demokratike, ndërsa ajo iu nënshtrua një analize të thellë rreth zgjedhjeve të 25 Prillit, me konkluzione të ngjashme me akuzat e kreut për shitblerje të votave. Por megjithatë zoti Basha ka qenë i kujdesshëm në zbulimin e hapave që do të ndërmarrë për atë që e ka cilësuar si betejë për demokracinë. Në retorikën e tij, ai nuk e ka përjashtuar opsionin e Parlamentit, por as të protestave. Deklaratat e ambasadores, që thekson se ShBA e pret PD në shtator brenda parlamentit – dy vjet pasi dogji mandatet parlamentare dhe u përfshi në një sërë protestash dhe bojkotim të zgjedhjeve lokale – vijnë si një presion i fortë amerikan për kreun e PD-së. Zonja Kim do të shprehej pas zgjedhjeve që partitë politike ta pranonin rezultatin si vendim i sovranit, i cili kishte folur përmes votës. Ndoshta kjo vjeshtë do i ngjajë disi asaj të dy viteve më parë, ku Basha ndryshoi qëndrim nga protestat tek platformat përmes pesë pikave. Pas dy viteve, PD mbetet sërish në opozitë, me të njëjtat akuza ndaj maxhorancës, e cila bën aleancë me krimin dhe i fut kriminelët brenda Parlamentit, ndërsa tashmë hapi i radhës i Bashës jo vetëm është i monitoruar, por edhe me rekomandimin se ç’drejtim duhet të marrë. Një mesazh mëse i qartë për PD-në dhe kreun e saj.

Berisha: Asnjë shpifje apo trillim nuk më pengon

 Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në FB për kërkesën që ambasadorja Yuri Kim i bëri Bashës ditën e sotme për ta mbajtur jashtë parlamentit.

Njoftim shtypi

Sot ambasadorja e SHBA Yuri Kim, me një deklarate fyese për çdo demokrat dhe shqiptar duke iu përmendur barin, në dhunim flagrant të misionit të saj, i kërkoi Kryetarit të PD që Sali Berisha te mos futet ne parlamentin e ardhshëm. Lidhur me këto deklaroj sa vijon:

Asnjë shpifje, trillim apo sajim nuk mund te pengoje kurrë Sali Berishën të përmbushë misionin e tij të besuar nga zgjedhësit shqiptar nëmbrojtje të interesit Kombëtar dhe publik te shqiptareve.

Që nga data 19 maj 2021 dhe deri sot pas vendimit të Sekretarit Blinken, të  bazuar në lobimin korruptiv te Edi Ramës dhe George Soros, armik i demokracisë së  shqiptareve dhe shpifjet e tyre, unë i kam kërkuar dhe i kërkoj Sekretarit Blinken të publikoje çdo fakt, dokument apo prove qe ai ose kushdo tjetër mbi tokë  disponon për të  faktuar ato që  ka shkruar ne vendimin e tij. Por deri sot nuk është publikuar asnjë prove dokument apo fakt vetëm e vetëm se ato nuk ekzistojnë. Për të  gjitha këto,  unë kam njoftuar se kam paditur Sekretarin Blinken për shpifje ne Gjykatën Korreksionale të  Parisit.

Deri sot, Departamenti i Shtetit me zëdhënësin e tij ka informuar se Sekretari Blinken vendimin e ka të  bazuar në raporte të NGO lokale, rajonale dhe ndërkombëtare, raportet e mediave dhe raportet investigative antikorrupsion të qeverise shqiptare.

Domethënë vendimi i Sekretarit Blinken është bazuar ne raportet e armiqve të  mi, NGO te kontrolluara nga George Soros dhe raportet e mediave te kontrolluara nga qeveria dhe raportet sekrete te Edvin Ramës të pa publikuara kurrë në  Shqipëri.

Duke shprehur bindjen se vendimi është një abuzim i pastër me ligjin e Kongresit të ShBA, përdorimin e tij si arme kundër kundërshtarëve politikë të multimilardierit George Soros dhe mikut të tij të ngushte Edi Rama, unë pavarësisht nga këto përsëri ftoj Sekretarin Blinken t’i bëjë  gjithçka publike.

Përveç këtyre e ftoj Sekretarin e Shtetit të ndikoje tek Edi Rama që të votojmë në parlament ligjin e vetingut të politikaneve.

Unë dua ti rikujtoj Zonjës ambasadore se ke gabuar rende me barin qe iu përmende demokrateve. Në këtë kontekst , shprehja juaj se PD nuk mund të haje bar është një fyerje për çdo demokrat dhe për çdo shqiptar, të  cilët citate te ngjashme i kanë  dëgjuar vetëm ne diktature apo nga racistë albanofobë.

Se fundi, nuk e di nëse takimi i sotëm i Znj.ambasadore Kim ka ndonjë nxitje nga denoncimi im i marrëveshjes së dyshimtë  që u njoftua se u arrit në  prani dhe me nxitjen tuaj midis Kryetares se KLGJ, Llagami dhe Institut East Ëest që,  sipas burimeve amerikane drejtohet nga Delina Fico. Duke ju kërkuar mundësisht të  bëni transparente këtë marrëveshje ju siguroj se sikundër deri sot,  do të denoncoj çdo aferë  te dyshimte nga cilido dhe pa asnjë hezitim.

Shqiptaret janë njerëz të  lirë dhe me dinjitet që nuk meritojnë bar,  por transparencë! Sb

Kadilli: E pafalshme që vendimet e nesërme të jenë në kundërshtim me kërkesat e SHBA!

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD Fatbardh Kadilli ka reaguar lidhur me ultimatumin e ambasadores Yuri Kim për kreun e PD Lulzim Basha të cilit i dha mesazh të qartë se SHBA nuk e do ish-kryeministrin Sali Berisha në Kuvend në shtator pas shpalljes “Non Grata”.

Në reagimin e tij Kadilli thotë se është e pafalshme që vendimet e nesërme të jenë në kundërshtim me kërkesat e SHBA dhe është e patolerueshme që Basha të marrë vendime vetëm për të ruajtur karrigen e tij

“Është e turpshme që kryetari i Partisë Demokratike vihet me shpatulla pas muri nga Ambasadorja e USA për një çështje që zvarritet prej kohe, për një çështje që bën sikur nuk është. Është e pafalshme që vendimet e nesërme të jenë në kundërshtim me standardin dhe kërkesat e SHBA, vendit që ka një peshë të madhe në krijimin dhe mbështetjen e Partisë Demokratike. Është e papranueshme që Kryetari, pas këtij takimi, të kryejë veprime dhe të marrë vendime të detyruara vetëm e vetëm për të ruajtur karrierën apo karriken, por aspak pse ai beson me sinqeritet tek aleanca strategjike me SHBA.

Mbërritja në këtë situatë nuk e rrit besimin tek lidershipi i tij por e zvogëlon atë edhe më shumë në raport me Shqipërinë, SHBA dhe demokracinë. Në Kuvendin Kombëtar u bëra thirrje demokratëve “për tu ndarë nga çdo trashëgimi që na komprometon, që na mban peng. Sado emocione të na lidhin me atë”. Demokratë të shohim nga e ardhmja”, tha Kadilli.

Gjatë takimit në selinë blu, diplomatja amerikane i ka kërkuar Bashës që të distancohet nga Berisha dhe këtë mesazh e dha duke iu referuar një shprehje të periudhës së komunizmit. “Një parti nuk mund të ‘hajë bar’ për hir të një deputeti”, tha sot Kim, referuar shprehjes së thënë në komunizëm “edhe bar do hamë dhe nuk do i përkulemi armikut”.

Ambasadorja e SHBA tha se PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga diktatura, nga komunizmi dhe se do ishte ironi historike dhe po aq tragjike nëse “partia do duhej të hante bar” për hir të një deputeti të saj, duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha i shpallur “Non Grata” nga DASH.

/Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back