Medium Personazhe

Në mundsh si grua të jetosh

               Publikuar në : 10:00 - 14/12/21 ro ot

Sytë e saj tregojnë shumë, ato shkëlqejnë thellë e të ngjallin guxim, kurajo, dëshirë për të sfiduar, krenari, ambicie për sukses, dëshirë për të jetuar, të gjitha këto tipare që në përditshmëri jo rrallëherë ia ‘veshim’ burrave e në pak raste një femre. Në fakt, pas tyre…është një botë grash, një botë e bukur femërore që pret ta zbulosh.

Jam e sigurt se nëse Kipling do e ri-shkruante sot poemën e tij të famshme “Në mundsh!” do e titullonte “Në mundsh si grua të jetosh!”

Barazia gjinore, ekuilibrat mes dy gjinive, meshkujve dhe femrave, feminizmi, maskilizmi, të gjitha këto etiketa që shoqëritë ku jetojmë i flasin, i përdorin, i promovojnë, i kundërshtojnë, i bëjnë projekt-ligje, i miratojnë…të gjitha këto i japin formë të jetuarit të një qenieje njerëzore brenda gjinisë duke lënë në hije vlerën e patjetërsueshme që kemi në vetvete me gjithë vlerat apo kontradiktat që mbart. Diskutimet janë ndarë në dy pjesë: pro dhe kundër grave, por pakkush flet për burrat. Megjithatë nuk është kështu për Alketën. Historia e saj është një shembull frymëzimi për të gjitha gratë dhe burrat.

“Historia ime është histori e gjatë vuajtjesh. Që ditën që mamaja ime më lindi, ajo u sëmur rëndë dhe u diagnostikua me anemi molitike dhe babai im iu përkushtua gjithë jetën asaj duke e shtruar në spital e duke e nxjerrë nga spitali me qindra herë. Të gjitha i kam bërë vetë, i kam arritur vetë dhe i bëj më mirë se një burrë,”- kështu e nis rrëfimin e saj Alketa, sot 40 vjeçe, nënë e dy fëmijëve.

E qetë, krenare, me sy që i lëvizin nga shkathtësia, me një gjuhë trupi që do sfidonte çdo burrë në fshat se kush do arrinte të shkulte më shumë panxhar brenda një ore. Alketa ka lindur në një fshat të thellë malor dhe i është dashur të përballet me kushte të vështira jetese. Që në moshë të vogël ajo ka kontribuar në familje duke ndihmuar prindërit me punët e shtëpisë, të cilat siç tregon ajo, në fshat, janë të shumta edhe përtej pragut të shtëpisë.

“Kam lindur në një fshat të thellë malor dhe kemi mbijetuar në kushte ekstreme. Më duhej që në moshë të vogël të shkoja të mbushja ujë në një pus që e kisha 300-400 metra larg shtëpisë, e më pas të laja rrobat me dorë, e të gatuaja, e të zija bukë, e të bëja lakror. Por pastaj duhet të sigurohesha edhe për kuajt, t’i ushqeja, t’i ngarkoja me bar. Pastaj korrja me kosë jonxhën për lopët, korrja grurin me drapër, ngrija mullar. Të gjitha këto nga mosha 10 vjeç e deri tani,”– rrefen ajo. Kushtet e vështira dhe sakrificat e mëdha për tu kujdesur dhe mbajtur familjen janë përforcuar edhe më vonë kur ajo është martuar. “Edhe vitet e mia të para të martesës nuk kanë qenë shumë të lehta. I kam rritur fëmijët në skamje, duke larë rroba jashtë duke u përpjekur në maksimum të bëja punë baraz me një burrë dhe mbi të gjitha duke sfiduar imazhin që ishte krijuar për gruan e fshatit,”– na tregon Alketa.

Sot, ajo vazhdon punon më shumë se një burrë, nget makinën në fshat jo me më pak kujdes dhe vetbesim se një burrë, është ajo që drejton grupin e fermerëve dhe jo një burrë, hyn në lokalet e fshatit dhe merr pjesë në mbledhje edhe pse në fshat konsiderohet si atribut i një burri, pastaj heq “petkun” e të tilla angazhimeve që konsiderohen tabu, vesh takat dhe del e shijon një kafe me shoqet e saj në qytet.

“Jam kthyer në një element të rrezikshëm për gratë e fshatit- thotë duke qeshur me të madhe. Është e çuditshme, paragjykimin që kam ndjerë nga gratë nuk e kam ndjerë kurrë nga burrat. Të gjithë burrat e fshatit më kanë respektuar sepse më kanë matur me fuqinë fizike dhe me mënyrën si i kam bërë ballë jetës deri tani. Një grua, që mban gjithë shtëpinë pasi burrin nuk e ka gjithmonë aty për shkak të largësisë nga emigracioni,”– na tregon Alketa.

Në një nga trajnimet që kam marrë pjesë me grupet e fermerëve me World Vision Albania, duke folur e duke ndarë eksperiencën me njëri-tjetrin, më drejtohet dikush, një burrë nga grupi i fermerëve të një fshati tjetër:

“Ua, Alketa, po ti je e paparë,”

“Jam burrneshë”– i replikova me të shpejtë aty për aty.

“Në fakt ti je një grua e mrekullueshme, nuk ka përse të jesh burrneshë, të ka krijuar Zoti në një mënyrë të mrekullueshme duke të falur të gjitha cilësitë e një njeriu të përsosur,”- më tha ai.

Kam menduar gjatë për këtë fjalë. Është e çuditshme se si ne gratë qasemi, sillemi ndaj sfidave, ndaj jetës. I përballojmë me sukses por kur na thonë jeni burrnesha ndjehemi krenare. Në fakt pas atij momenti në trajnim, fillova të kuptoj që në fakt nuk ka përse të jesh burrë që të jesh i suksesshëm, nuk ka përse të jesh burrë që të jesh i fuqishëm, nuk ka përse të jesh burrë që të jesh i lirë të marrësh makinën e të ikësh të pish kafe, mjafton të jesh njeri me vlera, me parime si korrektësia, durimi, këmbëngulja, të jesh njeri i përgjegjshëm.

Fuqia e saj ndoshta vjen nga fakti se ajo e ka gjithmonë një krah ku të mbështesë kokën për të zgjidhur problemet e ndryshme të jetës familjare. Marrëdheniet e mira me te shoqin por dhe raporti i mirë burrë- grua i kanë dhënë asaj shtysë të shoh gjithmonë përpara.

“Kam patur dhe kam një fat të madh në fakt, në krah kam një bashkëshort që e dua dhe më do dhe ne jemi shokë, jemi partnerë nuk jemi “burri” dhe “gruaja” klasike që jemi mësuar të shohim gjithmonë. Marrëdhënien tonë e kemi të ndërtuar te besimi. Ai kurrë s’më ka penguar për asnjë gjë në jetë, madje ai ka qenë shtysa më e madhe që unë të bëhem e pavarur, që të bëj hapin e radhës. Kjo në fakt është një gjë shumë e rallë për realitetin gruas rurale. Shumica e grave që shoh janë thjesht shtëpiake dhe të nënshtruara: fjalën e fundit e ka ose vjehrra ose burri. Kjo për mua nuk ekziston,:– thotë Alketa krenare.

Përtej kësaj, 40 vjeçarja problemin e përparimit të gruas e sheh në luftën brenda llojit, e cila siç na tregon ajo është më e ashpër se ajo burrë-grua apo burrë me burrë.

“Gjëja që më bën përshtypje është mënyra si përkufizohemi nga vetë lloji ynë. Thonë gratë e fshatit për mua: “Sa e rrezikshme është, kur vajti nga tokat, kur erdhi u ndërrua, kur iku të pijë kafe”, ndërkohë që burrat thonë” sa e shkathët”. Është për të ardhur keq sa pak e mbështesim njëra-tjetrën ne gratë dhe presim që të jemi të kuptuara e të pranuara nga burrat. Shoqëria jonë na mëson që me njëra-tjetrën të jemi në garë e jo të gëzohemi për arritjet brenda gjinisë sonë. Dhe kjo nuk më duket normale,”– thotë e shqetësuar ajo.

Në fakt, gratë nga burrat i ndan vetëm anatomia e trupit, të tjerat janë justifikime. Jeta me historitë e saj të suksesit për secilën gjini na ka treguar se nuk është çështje gjinie të jesh i zgjuar, të jesh i guximshëm, të jesh luftarak, të jesh i përgjegjshëm, të kesh intuitë, është thjesht ceshtje karakteri e njeriut, dhe kjo shkon përtej ndasisë se cilës gjini i përket. Janë virtyte që Krijuesi I ka dhuruar për të dy gjinitë, ndonëse jeta i ka pozicionuar rolet dhe detyrat e burrave dhe grave shpesh në mënyrë arbitrare, paragjykuese apo frenuese në shoqëri.

Këtë na e tregon edhe njëherë rasti Alketës e cila nget makinën si një çdo njeri pa dallim nëse është burrë apo grua, shkul panxharin si një fermere pavarsësisht se fermerët janë zakonisht burra, edukon fëmijët si një prind jo vetëm si nënë, është bashkëudhëtare me bashkëshortin e saj për t’ja dalë mbanë sfidave të jetës sepse në fund të fundit është një qënie njerëzore me të drejta të barabarta dhe e aftë të mendoj, arsyetoj, ndjej, reagoj, përgjigjet apo ta jetoj jetën në plotësinë e saj.

“E vetmja gjë që më ka kufizuar në jetë ka qenë varfëria, sepse për shkak të skamjes mbeta pa shkollë,  jo për shkak se isha vajzë. Nëse do kisha kushte të tjera ekonomike nuk do pyesja nëse ishte e pa pranueshme që vajzat e fshatrave të thella të shkolloheshin, thjesht do bëja luftën time për ta ndjekur shkollën sic bëj luftën time çdo ditë për të qenë një version më i mire i vetes sime, një grua më e mirë por mbi të gjitha një njeri më i mirë, një qytetare më e përgjegjshme, një fermere më e sukseshsme, një sipërmarrëse më inovatore.

Alketa është pjesë e 404 fermerëve të trajnuar për bujqësi të qëndrueshme. Ajo është e angazhuar prej 4 vitesh tashmë me World Vision dhe prej 2 vitesh ka marrë rolin e drejtueses së grupit të fermerëve të fshatit të saj.

World Vision Albania punon me fermerët për të ndërtuar konceptin e bujqësisë së qëndrueshme, për fuqizimin e botëkuptimit për jetesën, përmirësimin e zinxhirit të vlerës dhe aftësimi financiar. Ajo vetë ka drejtuar trajnimet për Empowered World View për zonën e saj.

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back