Aktualitet

Në makinën e prokurorit Ndoja gjendet dosja e Skerdilajd Konomit

Shkruar nga Liberale
Në makinën e prokurorit Ndoja gjendet dosja e Skerdilajd Konomit

Detaje të reja kanë dalë sot në dritë nga atentati i prokurorit Arjan Ndoja në Shkozet, Durrës.

Sipas burimeve të TCH, në bagazhin e makinës ku ndodhej prokurori i Durrësit së bashku me një person me rekorde kriminale, janë gjetur disa thasë me dokumente.

Ndër këto dokumente është gjetur edhe dosja e vjedhur nga kasaforta e Prokurorisë së Durrësit disa kohë me pare, si edhe dosja e gjykatësit të vrarë disa vite me pare, Skerdilajd Konomi.

Të njëjtat burime thonë se pista kryesore e hetimit është pikërisht një konflikt për tokat e pretenduara nga familja e viktimës, ku disa kohë më parë është bërë një transaksion i dyshimtë në hipotekën e Durrësit në favor të një organizate kriminale, çka mendohet se ka çuar edhe në konfliktin mes prokurorit dhe drejtuesit të ri të hipotekës që kishte rënë në gjurmët e këtij transaksioni.

Në maj të vitit 2018 në Prokurorinë e Durrësit ndodhi një grabitje e dokumenteve nga persona të paidentifikuar të cilët kishin arritur të dëmtonin edhe serverin. Në atë kohë u dha se asnjë dokument nuk kishte humbur sepse ishte i dubluar. Dokumentet e tjera sipas burimeve lidhen me ish gjyqtarin Skerdilajd Konomi, i cili u ekzekutua me një bombë në vitin 2011. Makina e tij shpërtheu nga një eksploziv i telekomanduar, ndërsa gjyqtari ishte në timon në bulevardin Vlorë-Skelë. Një nga pistat kryesore të vrasjes së Konomit, mbetet çështja e pronave që paraardhësit e 33- vjeçarit zotëronin në Hamallaj të Durrësit.

Kujtojmë që ditën e sotme u vu në pranga Redjan Rraja, si një nga autorët e atentati, për shkak të gjurmëve të ADN-së të gjendura në makinën e braktisur disa ditë më parë në Durrës, që mendohej se ishte e atentatorëve./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH