Editorial

Në luftë viktima e parë është e vërteta

Shkruar nga Liberale
Në luftë viktima e parë është e vërteta

Florian Çullhaj

Përmes masave të marra nga qeveria për të penguar përhapjen e virusit, pandemia e Covid-19-ës nuk shfaqet vetëm si një problem epidemiologjik. Përkundrazi, gjendja e jashtëzakonshme që po jetojmë po zbulon gjithnjë e më shumë të vërtetat e një sistemi demokratik në gjendje kome si ky i yni. Në muajt e fundit, qeveria ngriti një retorikë të re që sintetizohej në fjalën luftë. Lufta kundër epidemisë u përcoll në formën e një beteje jo frontale që bie mbi tërë komunitetin, duke e shndërruar këtë të fundit në një hapësirë të mbyllur ku mbretëron frika nga tjetri, ku virusi merr grimasën e fqinjit. Ideja e luftës sjell me vete ndjesinë e frikës, veçanërisht nëse armiku është i  kudondodhur, i padukshëm dhe si i tillë i papërcaktueshëm, për pasojë ai mund të gjendet tek akëcili prej nesh. Frika jo vetëm që paralizon marrëdhëniet, por veçanërisht forcon dëshirën për diktat dhe autoritarizëm, si mekanizëm mbrojtës kundër këtij agresori amorf.

Përmes hegjemonisë mbi të gjitha format e komunikimit, qeveria ka bërë të mundur që retorika e luftës dhe e frikës të penetrojnë ngado. Situata aktuale në vend krahasohet me realitete tragjike të vendeve të tjera. Këtu, mjafton të kujtojmë e-mailin e fundit që Kryeministria ka qarkulluar ditët e fundit ku literalisht shkruhej:  Shqipëria ia ka dalë mbanë me faqe të bardhë deri këtu, në përballjen me një nga fatkeqësitë më të mëdha të kohërave moderne, pandeminë e COVID-19. Kjo fazë e luftës kundër pandemisë nuk do mund të fitohej pa masat e forta të marra shpejt dhe pa mbështetjen e madhe të qytetarëve në zbatimin e tyre deri në mbylljen me sukses të Fazës 1. Vendosmëria jonë e përbashkët, shmangu një tragjedi të ngjashme me Italinë mike dhe fqinje, e me vende të tjera shumë më të fuqishme se Shqipëria. (Nënvizimet e mija)

Nëpërmjet një lexim hermeneutik, presioni i nënkuptuar që buis prej këtyre rreshtave është më se i qartë. Por, çka është më shqetësuese është fakti se ky presion provokon dhunë për të pabindurit, dhe veçanërisht justifikon paralizimin e demokracisë. Sot, Demokracia në vend zhvillohet pa debat, Habermasi do thoshte është jo deliberative edhe pse në kushtet e një katastrofe natyrore.

Shkencëtarët janë heshtur dhe u kanë dhënë rrugë ‘ekspertëve të politikës’ që planifikojnë luftën. Me heshtjen e shkencës, agorà publike u është lënë në dorë tërësisht politikës PPP-iste, ku deklaratat e tyre janë orakulli i ri ndaj të cilit mban vesh i madh e i vogël. Ata janë gjeneralët e një popullsie të frikësuar që ka humbur kontrollin mbi jetën e tyre. Gjithollogët e politikës, si eksponentë sine qua non të opinionit publik janë pikat e reja të referencës, fjalët e tyre janë të padiskutueshme. Epidemiologët bëjnë një hap prapa në mënyrë që të mos humbasin objektivitetin shkencor dhe ua delegojnë axhendën vendimmarrëse orakullit politik. Ky i fundit nuk njeh sprapsje, as përpara honit financiar të PPP-ve e as përpara objektivitetit të epidemiologëve.

Për këto arsye, sot po jetojmë në zbrazëtinë më të madhe të demokracisë shqiptare edhe pse në kushte pandemie. Shqiptarët nuk e praktikojnë më politikën sepse ata sot kanë pushuar së qeni komunitet. Politika dhe Komuniteti janë një kombinim i pandashëm siç na mësojnë klasikët. Pra, fjala luftë rezonon dhunshëm tek publiku i frikësuar, e për më tepër shërben për të përcjellë imazhin e një realiteti të ndryshëm nën fjalët e politikanëve. Për pasojë, pyetjet që lindin mbi përgjigjshmërinë e qeverisë ndaj kërkesave të popullit nuk mund të shtrohen, pasi lufta kërkon distancim në hapësirë dhe në kohë. Aty ku luftohet beteja ka vetëm ushtarë, secila shtëpi është një llogore e të gjithë qytetarët sot jetojnë në llogore. Kjo situatë na detyron të jetojmë të ndarë, gjegjësisht, në këto rrethana debati për politik(e)n nuk kanë më asnjë vlere. Viktimat e para të luftës janë pyetjet, kërkesat për sqarim, me një fjalë e vërteta.

Motoja e fundit që përcjell qeveria është se sot nuk ka kohë për debat. Në një vend normal demokratik, fjalë të tilla do të ishin të mjaftueshme për rënien e qeverisë. Aty ku nuk ka debat nuk ka demokraci.  Situata në Shqipëri është edhe më keq, sepse vendimet e qeverisë nuk janë objekt diskutimi, parlamenti është një cirk brenda të cilit nuk ka dialektikë konstruktive. Institucionet ndërkombëtare ndërhyjnë vetëm për çështje financiare, ndërsa për deficitin e demokracisë heshtin duke na konfirmuar idenë se janë thjesht mbikëqyrës formal.

Pra, përhapja e fjalës luftë është një mënyrë e shkëlqyer për të fshehur përgjegjësitë, dhe për t’i bërë jetët e humbura të paraqiten si normale dhe të natyrshme, sepse nëse ka luftë ka viktima dhe se askush nuk pyet nëse mund të ishin shmangur. Marioneta e qeverisë në media, me tone gjithnjë e më të ashpra nxisin për ndëshkimin të shkelësve,  duke e amnistuar qeverinë nga kritikat dhe gjykimet. Ndjesia e frikës e mpin arsyen e cila më pas kërkon menjëherë përgjegjësit, kështu ne gjendemi në rrjedhën e informacionit të pa filtruar, pa qenë në gjendje të vlerësojmë faktet.

Si përfundim, Demokracisë i duhet debati, pa të ajo është vetëm një trup pa jetë. Nëse Covid-19-ta nuk nxit dialektikën e së vërtetës, rrezikon t’i bëj nul jetët e humbura. Demokracia nuk jeton përmes frikës por përmes së vërtetës dhe dialektikës konstruktive. Ndaj, nëse fjalët që qarkullojnë janë vetëm; luftë e frikë, nuk do të ketë bashkësi demokratike por vetëm agresion në dëm të së vërtetës./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH