Dossier

Në kujtim të Reposh Kastriotit

               Publikuar në : 09:12 - 25/07/19 V Liberale

Familja e Kastriotëve, familja më e famshme shqiptare

Historia e familjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është e ndërlikuar, plot enigma dhe konspiracione, qoftë nga disa historianë të paaftë tanët, qoftë nga disa historianë mashtrues fqinjë, qoftë edhe nga politikat e shteteve fqinje të sotme, apo edhe nga grindjet se kujt religjioni i përket familja Kastrioti dhe se nëse ishin serbë apo epirotë-arbër.

Sipas dokumentit, që flet për herë të parë për emrin Kastrioti, është dokumenti nr. 1019, nga fondi i dokumenteve të Vjenës, i shkruar më 2 shtator të vitit 1368 për një person me mbiemrin Kastriot në vitin 1368 si kështjellar ose kefali në Kaninë në Principatën e Vlorës që i përkiste Despotatit të Epirit të pushtuar nga serbët. Përkthimi i këtij dokumenti ishte i vështirë, për shkak të vjetërsisë së gjuhës së shkruar në sllavishten e vjetër në formën gllagoliane. Më i sakti mbetet Fan Noli ynë, i cili sqaroi gabimin, duke thënë se në dokument ishte vetëm fjala Kastriot kefale i Kaninës, kurse emri Branillo i përkiste një personi tjetër. Nuk mund të thuhet se ky person i përket 100% familjes Kastrioti, por besohet se është i vetmi me këtë mbiemër në atë kohë.

Sipas dokumenteve, ky person, i cili sipas Fan S. Nolit dhe Boban Petrovic, e kishte emrin Kostandin dhe ishte babai i Pal Kastriotit, gjyshit të Skënderbeut. Këtij personi, Mbreti i Serbisë, Stefan Dushani, i dhuroi disa toka që në vitin 1345, midis të cilave dhe dy fshatrat afër malit Qidhën Dibër Sinja dhe Gardhi (ishta) i poshtëm (ndoshta fshati Kastriot, Peshkopi).

Më pas, në vitin 1553, një tjetër arbër, Andre Ëngjëlli, ka shkruar në Romë se paraardhësit e Gjon Kastriotit, përveç Matit, kanë zotëruar Kastorien dhe Ymenestrien. Sipas këtij autori, Gjon Kastrioti ka qenë i biri i “Gjergj (Pal) Kastriotit” dhe ky i “Kostandin Kastriotit, të mbiquajtur Mazreku (Meserech)”, që kishte vdekur në vitin 1390.

Kostandin Kastrioti si Kefale (apo kastellan) i Kaninës, në vitin 1356 ishte në shërbim të Aleksandër Komnenos Asen (me origjinë bullgare), Zot i Vlorës dhe i Kaninës, pjesë e Despotatit të Epirit në varësi të Mbretërisë serbe.

Disa historianë serbë e përshkruajnë Kastriotin e parë si një aventurier serb, të cilit Stefan Dushani i dhuroi prona në Dibër dhe në Kaninë në vitin 1345, po kështu dhe Schmid, por dëshminë më të fortë përveç historianëve austriakë, kroatë, dhe Fan Nolit të madh, e jep vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në letrën që ai i dërgon princit të Tarentit, Xhovani Antonio Orsinit, më 31 tetor të vitit 1460, ku vetë Skënderbeu pohon origjinën e tij shqiptare. Botimi i këtij dokumenti e mbylli përgjithmonë këtë debat, duke vërtetuar plotësisht origjinën shqiptare të Kastriotëve. Djali i Kostandin Kastriotit që përmendet në dokumentin Nr. 1018 të Vjenës, quhej Pal Kastrioti, i cili mori pjesë në Betejën e famshme të vitit 1389 në Kosovë në koalicionin e krishterë ballkanik kundër osmanëve, me njerëzit e tij dhe princat e tjerë shqiptarë si Muzakaj, Jonima, Kobiliq, Balshajt, Dushmani (dihet që familjet e princërve të Arbërisë dhe Epirit martoheshin me familje princërore brenda vendit dhe të huaja, kryesisht me serbët, bizantinët, Napolin dhe venedikasit), madje përmendet që t’i ketë propozuar Car Llazarit që t’i sulmonin osmanët natën.

Pal Kastrioti, gjyshi i Skënderbeut, ka një histori më të qartë. Kishte tre djem: Aleks, Gjon – babanë e Skënderbeut dhe Kostandin Kastrioti (për nder të të gjyshit; kështu vendoseshin emrat në atë kohë duke marrë emrat e prindërve dhe të gjyshërve, njëlloj si dhe sot) sipas një dokumenti venecian, të gjetur nga Karl Hopf, titulli i Kostandin Kastrioti, pra vëllait të Gjonit dhe Aleksit ishte Lord i Kështjellës së Cerunjës (ndoshta Currilave, pra Dominua Serine).

Aleks Kastrioti zotëronte tri fshatra, Kostandini (pas martesës me Helena Topia), zotëronte territorin e quajtur Serina apo Sina në Durrës (Currila), dhe Gjoni zotëronte Sinjën dhe Gardhin e poshtëm që e trashëgoi nga i ati Pal (Pavël).

Sipas një dokumenti tjetër, thuhet se Pal Kastrioti, babai i Gjonit, zotëronte dy fshatrat Sina dhe Gardhi i Poshtëm (sot fshati Kastriot), të cilat ndodheshin në veriperëndim të Dibrës pranë malit Qidhna. Këto fshatra i ishin dhuruar nga familja Balsha II, Lordi i Zeta, si çiflig.

Gjon Kastrioti quhej ndryshe dhe Gjon Dibrani dhe u bë vasal i Sulltanit më 1385.

Familja e Gjon Kastriotit

Gjon Kastrioti, djali i Pal Kastriotit, dhe nipi i Kostandin Kastriotit, ka lindur më 1386-n, vdekur 2 (4) maj 1437 si murg me ermin Joachim në Manastirin e Hilandarit te kulla e Shën Gjergjit që quhet nga vetë serbët sot e kësaj dite si Pirgu Arbanas.

U quajt edhe Lord i Emathia (Mati) dhe nga venecianët u quajt Lord i një pjese të Arbërisë (Albania): dominus partium Albanie. Sipas Dhimitër Frângut shkruhet se Kastriotët zotëronin edhe Ujmishin.

Më i njohuri, Gjon Kastrioti, babai i Gjergj Kastriotit, në dokumentet e vjetra shkruhej si Ivan ose Jovan, ose si Joachim, dhe ky është shkaku që të huajt e etiketonin si serb. Djemtë dhe vajzat e Gjon Kastriotit duken sikur janë emra sllavë, por dihet që edhe në ditët e sotme shqiptarët preferojnë që të vendosin emra të huaj sipas shteteve dominuese në periudha të ndryshme të ngjarjeve: në perandorinë romake, emrat e arbërve dhe epirotëve ishin kryesisht romakë, në kohën e Bizantit emrat ishin ortodoksë bizantinë, në kohën e pushtimit sllav emrat ishin sllav, në kohën e Perandorisë Osmane, emrat ishin turq, në periudhën sovjetike, patën emra rusë, në kohën e sotme emrat janë perëndimorë. Pra emrat nuk do të thonë asgjë. Në atë kohë emrat vendoseshin sipas religjionit dhe sipas ditëve të shenjtorëve përkatës. Duhet theksuar se emrat Gjon, Gjin, Gjergj, Pal, Nik, Shtjefën (Stefan), Koll, Kolë (Nikolla, Kola), Ndoi, Ndues (Andon, Ndoni), nuk ishin emra katolikë, por përdoreshin dhe nga ortodoksët. Konfuzioni për emrat është shtuar edhe nga disa katolikë, të cilët për shkak të zhargonit krahinor që përdoret sot kujtojnë se emrat e asaj kohe ishin katolikë dhe familja Kastrioti ishte katolik. Gabohen me thes.

Gjon Kastrioti ka historinë më të saktë, të cilën do ta përshkruajmë shumë shkurt.

Nga i ati, Pal Kastrioti, babai i Gjonit, trashëgoi dy fshatrat Sina dhe Gardhi i Poshtëm (sot fshati Kastriot), të cilat ndodheshin në veriperëndim të Dibrës pranë malit Qidhna. Këto fshatra i ishin dhuruar nga familja Balsha I, Lordi i Zeta, si çiflig më 1382-shin, por ka zotëruar edhe Kastorien dhe Ymenestrien.

Gjon Kastrioti quhej ndryshe dhe Gjon Dibrani, zgjeroi kufijtë e principatës së vet. Mbiemri Mazreku (Meserechi), që kishte gjyshi i tij, Kostandin, ndoshta vjen, sepse ky Kostandin vinte nga Kosova perëndimore nga Hasi, dhe bë Kefale në Kaninë, prandaj kishte dy mbiemra Kastrioti dhe Mazreku apo Kastrioti nga Mazreku.

Nga besimi familja (ashtu si e kam shpjeguar në shkrimin “Religjioni i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot – Skënderbeu), ishte ortodoks, sepse Perandoria Bizantine, në të cilat shtriheshin dhe banonte kjo familje, kishte religjionin ortodoks. Por, sipas politikave, sa për sy e faqe Gjon Kastrioti dihet që ka ndërruar fenë në katolik, për shkak të marrëveshjeve me Venedikun dhe më vonë në mysliman, dhe në fund të jetës jetoi si murg në Manastirin Hilandar, Mali Athos (Mali i AT-it), – gjë që tregon katërcipërisht se ai vdiq ashtu si e kishte fenë e vet, ortodoks.

Për shkak se osmanët hynë në Ballkan dhe pushtuan tokat në Kosovë e Maqedoni, Kastrioti u detyrua t’u nënshtrohet osmanëve si vasal, me qëllim që të ruante pronat.

Më 1402, Gjoni shkoi si vasal, në ndihmë të ushtrisë osmane në betejën e Ankarasë kundër Timurlengut, ku ushtria osmane humbi dhe sulltani u kap rob nga Timuri.

Territoret e fituara

Në vitin 1410, Gjoni arriti të siguronte banesë në Ulqin, por nuk u pranuan prej Venedikut kërkesat e tij të vitit 1417 për t’i dhënë fshatin Barbullush dhe malin Medua (Shëngjinin), ku dëshironte të ngrinte një kështjellë. Më pas arriti ta merrte Shëngjinin. Zotërimet e tij u bënë kufitare në veri me Despotatin e Rashës dhe në verilindje me rajonin e Prishtinës, banorët e së cilës njihnin taksat doganore që paguheshin për kalimin nëpër shtetin e Gjonit. Në jug zotërimet e Gjon Kastriotit kufizoheshin me ato të Arianitëve dhe të Topiajve, kurse në lindje me viset që ishin nën pushtuesit osmanë, të cilët, përveç Shkupit, zotëronin në perëndim të tij kështjellën e Tetovës. Pjesa më e madhe e fushës përgjatë rrjedhjes së sipërme të lumit Vardar e në perëndim të Tetovës për një kohë mbeti nën zotërimin e Gjon Kastriotit, të cilën M. Barleti e ka emërtuar Dibra e Poshtme. Edhe rajonet më në jug ishin pjesë e shtetit të Gjon Kastriotit, kufijtë e të cilit në atë drejtim shtriheshin deri në afërsi të qytetit të Kërçovës, që kishte rënë nën pushtimin osman qysh në fund të shek. XIV.

Në fillim të vitit 1415, kaloi në duart e osmanëve Kruja, e cila ishte dikur në zotërim të vëllait të tij, Kostandin Kastriotit.

Siç ishte zakon ndër fisnikët shqiptarë, djemtë e tij iu morën peng nga oborri osman për t’u siguruar që Gjon Kastrioti të mos i luftonte turqit dhe të ishte besnik ndaj Perandorisë Osmane.

Në shkurt të vitit 1420, ai nënshkroi një akt tregtar me Republikën e Raguzës, nëpërmjet së cilës u garantonte tregtarëve të saj lëvizje të sigurt nëpër rrugët e sipërpërmendura. Në mars të vitit 1422, Gjon Kastrioti siguroi edhe miratimin e Venedikut për të lejuar tregtarët raguzanë, që në vend të Shkodrës të vinin në Lezhë për të rrahur rrugët e zotërimeve të tij.

Burimet historike tregojnë se gjatë vitit 1422, një nga djemtë e tij komandonte trupat e Kastriotëve në rrethinat e Shkodrës. Kurse në vitin 1428, përmendet një djalë i Gjon Kastriotit “i bërë turk e mysliman”, që kishte trupa ushtarake pranë zotërimeve të Venedikut po në rajonin e Shkodrës, faktikisht ishte Stanisha Kastrioti, komandant i trupave.

Në vitin 1430, Gjon Kastrioti udhëhoqi një kryengritje të pasuksesshme kundër osmanëve në qytetin e Krujës.

Gjon Kastrioti u martua me Vojsava Kastrioti (shih edhe shkrimin tim “Vojsava Kastrioti ishte Arbër”). Sipas Fan Nolit dhe Boban Petrovic, pohuar dhe nga Testatmenti i Gjon Muzakës, Vojsava ishte vajza e Mara Muzaka dhe e Gërgur Tribalda, një pronar i zonës së Pollogut që përfshinte Tetovën dhe Gostivarin e sotëm, të cilët i zotëronte që nga viti 1371 me qendër Leshnica, në kohën kur mbretëronte në Maqedoninë Veriperëndimore mbreti Volkashin. Familja Tripalda (Tri-balla) ishte një familje me origjinë arbër dhe jo serbe, ashtu si ngatërrohen të gjithë sot, meqenëse emri i babait të Vojsavës ishte Gërgur (Grigor). Sipas Barletit, Gjon u martua me vajzën e një fisniku nga Pollogu. Pra Gërguri nuk ishte as me mbiemrin Mladenovic dhe as me mbiemrin Brankovic, por Tribalda.

Lindën katër djem dhe pesë vajza, nëntë fëmijë.

Më 1426-n, Gjon Kastrioti si ortodoks i mirë që ishte, i dhuroi Manastirit Hilandar dy fshatra: Trebishta dhe Radostusha, përfshi dhe Kishën (në Pollog), nëpërmjet një adelfati (dokument pronësie i përkohshëm) dhe në këmbim mori kullën e Shën Gjergjit brenda Manastirit, ku aty mund të kalonin jetën e tyre në pleqëri e të varroseshin aty, por pas vdekjes prona do t’i përkiste përsëri Manastirit që sot i ka mbetur emri Pirgu Arbanas. Dokumenti u firmos nga Gjoni dhe katër djemtë e tij: Stanisha, Reposh, Gjergj, Kostandin, dhe u kundërfirmos nga murgu Athanas.

Më 1430-n u firmos një dokument i dytë, por firma e Stanishës mungon, sepse nuk u lejua, ngaqë ishte kthyer në mysliman dhe kishte bërë circumcizio.

Gjon Kastrioti, pas vdekjes së të birit Reposh, më 25 korrik 1431, u tërhoq nga principata, sepse ajo u mor në zotërim nga osmanët dhe veçanërisht nga sanxhakbeu i Shkupit, Isa bej Evrenozi, dhe u strehua në manastir ku jetoi si murg me ermin Joachim dhe vdiq e u varros aty më 2 (4) maj 1437. Reposh Kastrioti vdiq më 25 korrik 1431 dhe në varrin e tij, sipas studiuesit rus që e kishte parë ,ishte shkruar si epitaf: Reposh Kastrioti Dux illyricum (B. Korablev, Actes de l’Athos V. Actes slaves de Chilandar). Kjo vërtetohet edhe nga dëshmitarë, të cilët panë vendin kur ra zjarri në Manastirin Hilandar në vitin 2004: “Zjarri në Hyllenderi kurseu kapelen (kishën) kryesore, ku në nartheksin e brendshëm që rrethon afreskun e Virgjëreshës me Krishtin, ndodhen pikturat e Shën Simeonit (Stefan Nemenjës) dhe të birit Shën Sava, me nënshkrimin poshtë tyre: Dhuruar nga shërbëtori i zotit Repos 6936″ (1431) – një dëshmi autentike që vëllai më i madh i Skëndërbeut, ishte “murg” ne Hyllender para se te vdiste. “.

Reposh Kastrioti, ka lënë një dorëshkrim për familjen Kastrioti, dorëshkrim, i cili me gjithë përpjekjet e mia, nuk është gjendur, ndoshta e kanë fshehur.

Të varrosur në Hilandar janë Reposhi, Kostandini, Gjoni, dhe ka shumë mundësi edhe Gjergj Kastrioti (ndoshta rivarrosur).

Ka shumë mundësi që edhe eshtrat e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, të jenë lëvizur nga Lezha para se ajo të pushtohej nga osmanët më 1478-n, për arsye se historianët osmanë që morën pjesë në betejën e pushtimit të Lezhës, nuk përmendin që ushtarët osmanë të kenë hapur varrin e Heroit. Meqenëse Adelfati siguronte vendin si varrezë në manastir, ka shumë mundësi që Donika Kastrioti ta ketë zhvendosur fshehurazi në Hilandar tek i ashtuquajturi “Pirgu Arbanas”, pra Kulla e Shën Gjergjit. Ashtu si thotë një kërkues: … “vetëm testi i ADN i mbetjeve në varrin e Car Dushanit dhe njërit prej Kastriotëve të konfirmuar (vëlla/baba) do të duhej për të konfirmuar me saktësi shkencore nëse Skënderbeu dhe jo tjetër fisnik shqiptar shtrihej në atë varr. Kësaj ia kanë prerë udhën, sepse vetëm djegia është mënyra e vetme për të penguar gjetjen e së vërtetës…” Sidoqoftë duhen vazhduar kërkimet.

Familja Kastrioti vazhdon edhe pas vdekjes se Gjergj Kastriotit me djalin e tij Gjon i dytë dhe Gjergji i dytë në Itali. Pasardhësit e tjerë janë të shumtë, gjenden në Napoli, Pulja dhe Spanjë.

Vojsava Kastrioti ka vdekur në Valencia dhe është varrosur në vitin 1505 në Manastirin e Trinisë së Shenjtë në Valencia. Hamza Kastrioti, pasi u burgos nga Skënderbeu dhe u dërgua në Napoli, pas një viti u lirua, u konvertua në të krishterë, u martua me një serbe Helena, dhe më vonë u larguan për në Kostandinopojë në kërkim të të atit, Stanisha, i cili jetonte aty. Duhet të ketë vdekur rreth vitit 1460. Stanisha duhet të ketë vdekur në Kostandinopojë rreth viteve 1456-1460 si mysliman i mirë. Nuk dihet varri. Pinjoll të Kastriotëve ka shumë sot. Njëri nga ata i dha flamurin kushëririt të Ismail Qemalit, i cili është baza e flamurit kombëtar që i qepi thekët e tij Marigo Pozzo (Poçi) më 27 nëntor 1912.

I përjetshëm qoftë kujtimi i familjes më të famshme arbër-epirote- shqiptare Kastrioti.

Shpresoj që qeveritë shqiptare të sotme dhe të ardhshme të nxjerrin një fond për të rregulluar Pirgun Arbanas dhe të ndihmojnë të gjenden të vërtetat historike./Gazeta Liberale

(Visited 53 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *