Aktualitet

Në kujtim të Qazim Ismail Likës, korrierit partizan 18-vjeçar

Shkruar nga Liberale
Në kujtim të Qazim Ismail Likës,  korrierit partizan

Në kujtim të Qazim Ismail Likës (1924-1951), korierit partizan 18 vjeçar, pjesë e rinisë antifashiste të fshatit Shetaj, pjesë e një familje e lidhur fort me formacionet partizane të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare

Qazim Lika është pjesë asaj plejade që jetojnë përjetësisht në zemrën e ngrohtë e të përjetshme të popullit, jetojnë në fisnikërinë e tij. Shetaj e historisë, fshat në krahinën e Ishmit, i lashtësisë Ilire, i qytetërimit venecan, i Heroit Kombëtar Skënderbeut, burrave të fortë si shkëmbi, i luftëtarëve të Skënderbeut, e më pas pjesëmarrës në luftra të ndryshme, në barikadë të parë në rreshtat kundërshtuese të pushtimeve nëpër shekuj, fshati i burrit të nderuar prijësit Ismail Selman Likës, por dhe trimave e luftatarëve të mëdhenj të luftrave për liri e pavarësi. Ismail Selman Lika, ishte i vetmi nga fshati-Shetaj, që mori pjesë në luftën e Vlorës të epopesë së madhe të 1920-tës, drejtuar nga Selam Musai, por edhe tre djemt e tij u rreshtuan në frontin Antifashist, fillimisht Sulejmani, dhe Selmani më pas dhe Qazimi, i cili ishte i vogël në moshë në raport me vëllezërit e tij. Djemtë e Shetajt, ndoshta një shumicë nuk e njihnin historinë e luftrave të shqiptarëve të lexuar në libra historie, biblioteka e arkiva, por njihnin mirë trimëritë e të parëve nga trashëgimia gojore e pasur. Ata ndoshta nuk kishin dijeni për Herodotin, Tukididin, Polibin, TitLivin, Plinin e ri, Plinin plak, Strabonin, Hans Delbrück-un, Sun Tzu-në, Marcus Tullius Cicero, Henri Zhominin, Karl Fon Klauseviç-in etj, (përjashto këtu një pakicë njerëzish të shkolluar), por përtej filozofëve, historianve të luftrave, gjeografëve e gjeneralëve botërorë, njihnin mirë artin e të luftuarit shekujve për rracën, arbërore, rracë që nuk e theu gjurin, para asnjë pushtuesi.

Kështu erdhi rinia e fshatit Shetaj dhe e gjithë Ishmit deri në prag të 7 prillit 1939, ditën e pushtimit nga fashizmi italian. E më pas nga pushtuesi Gjerman. Duke i dalë zot vatanit, çeta rrëmbeu armët dhe doli në mbrojtje në Ishëm deri më Krujë. Ishmi ishte nga fshatrat e parë që ngriti njësit guerril dhe çetën partizane të Krahinës.

Në Historikun e fshatit Shetaj, të shkruar nga një komision me 10 anëtarë në vitet 1970-1980, e cila ka nevojë, për t'u rishkruar dhe riformatuar, njëherazi dhe publikuar për t'u njohur nga të gjithë, pasi në ngjarjet e viteve 91 dhe muzeu i fshatit që ishte te shkolla fillore, u shkatërrua dhe u rrënua nga fshatarët, ku bashkë me mbylljen e shkollës fillore, u mbyll dhe muzeu i fshatit.

Rinia antifashiste e fshatit Shetaj ka qenë pjesë e gjithë formacioneve antifashiste të fshatit, krahinës së Ishmit dhe më gjerë.

Qazim Lika, në luftë kreu detyrën e korrierit nga Shetaj në Lalëz dhe anasjelltas që në moshën 18 - 19 vjeçare. Ai ishte fare i ri në moshë, akoma nuk i kishte mbushur të 18 vjetët, kur në një natë nëntori të vitit 1943, i shpëtoi për mrekulli, njësitit gjerman kur po kthej, nga Lalëzi për në Shetaj. Ai kishte me vete dhe dokumentet që duhet t'i dorëzonte në "destinacion"në afërsi të Bizës te vendi i quajtur "Guri me birë", i'u desh të fshihej për t'mos rënë në duart e gjermanëve. Ky ishte një nga episodet më të vështira që kishte hasur gjatë kryerjes së detyrës së korierit, këtë gjë na e tregonte gjyshi im Sulejmani.

Ai na ka treguar histori të ndryshme për luftërat me pushtuesit italianë dhe gjermanë. Familja jonë tregonte gjyshi i ka përkrahur luftrat për liri dhe pavarësi të vatanit. Ishte babai im, i cili mori pjesë në luftën e Vlorës në 1920 dhe në luftën e Shkodrës 1912-1913, kundër malazezëve nën drejtimin e gjeneral Toptanit.

Gjyshi tregonte se: kjo histori në pjesëmarrjen në luftrat antifashiste kundër pushtuesve italian dhe gjerman, u pasua nga pjesëmarrja ime, në çetën e drejtuar

nga Abaz Kupi, pas konferencës së Mukjes, Abaz Kupi u larga nga Shqipëria, ky ishte momenti që unë u largova nga ky formacion ushtarak antifashist. Pas kthimit në shtëpi u regjistrua dhe shkoi partizan Selmani, vëllai im i madh. Ai shkoi në vend të djalit të tij të vetëm, Haxhiut. Gjyshi tregonte se edhe të rinjtë e fshatit Shetaj nuk qëndruan prapa, ata u treguan trima e të vendosur, mbushën radhët e çetës partizane të Ishmit dhe të çetave të tjera të rregullta, ata ishin agjitatorë të zjarrtë për çështjen e luftës kundër fashizmit italian e gjerman, punuan pa u lodhur me rininë antifashiste të fshatit dhe luftuan me trimëri dhe disa prej tyre dhanë edhe jetën për çlirimin e Shqipërisë. Një nga të rinjtë e fshatit Shetaj që ra në luftë për çlirimin e Atdheut me armë në dorë kundër okupatorit fashist e bashkëpuntorëve të fashizmit ishte: Selim Rrush Muka. Pjesa tjetër e të rinjve, shumica e të cilëve u rreshtuan në radhët e çetave partizane e më vonë në batalionet dhe brigadat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si dhe disa prej tyre ushtruan një aktivitet të mirë në terren gjatë gjithë kohës së luftës ishin: Selman Ismail Lika, Xhemal Zenun Sheta, Baftjar dhe Kasem Zela, me rininë antifashiste ishin organizuar shumë të rinjë por më të spikaturit ishin: Ramazan Zela, Dalip Zela, Pren Gjin Plaku dhe Qazim Lika etj.

Aktiviteti patriotik e luftarak i popullit të Shetaj është një vepër monumentale që tregon qëndresë, burrëri, guxim, trimëri dhe besim të patundur në fitoren përfundimtare mbi okupatorët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Ndërkohë që të rinj të tjerë antifashistë që kanë kontribuarpër luftën janë të shumtë.

Fshati Shetaj është fshati i Mal Selmanit, patriot dhe bamirës i madh, si dhe pjesëmarrës në dy luftëra për mbrojtjen e vatanit.

Selim Reshit Muka (1924-1943).

Lindur në Shetaj më 29 Shtator 1924. Selimi pas vrasjes së Babait të tij, Reshitit, u angazhua për zgjidhjen e çështjes, në mënyrë paqësore, por kërkesës së Selimit për zgjidhjen e kësaj çështjeje nga kundërshtarët iu përgjigjën keq. Kështu në prill të vitit 1940, Sellmi hakmerret ndaj personit që kishte kurdisur vrasjen e të atit. Ai u inkuadrua në çetën që drejtohej nga kapiteni Mark Jak Trokthi nga Laçi, që vepronte në fshatrat e Krujës dhe të Kurbinit. Selimi më 7 prill 1942, është ekzekutuar në Kalanë e Krujës, me varje në litarë.

Me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Krujës, me nr. 10, datë 23. 01.1976, e ka shpallur Selim Reshit Mukën "Dëshmor të Atdheut".

Cili ishte Qazim Ismail Lika, i cili ka hyrë në epopenë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si “pioneri” i fshatit Shetaj?

QAZIM LIKA (1924-1951), ishte i biri i Ismail Likës nga Shetaj i Ishmit dhe File Ahmet Sheta me origjinë po nga Shetaj, nga një familje me tradita shumë të mira. Qazimi kishte lindur në Shetaj të Ishmit më 10 qershor 1924.

Qazimi, erdhi në jetë në një familje me tradita patriotike, luftarake e atdhetare. Qazim Lika, ishte burrëruar dhe bërë “djalë për pushkë”, siç thuhej në Ishëm për djemtë që u kishin “dalë mustaqet”.

Familja e tij ishte një nga familjet më të mira në fshat, që kishte trashëguar pyje e kullota, me punë të ndershme kishin vënë dhe pasuri. Ajo ishte nga familjet më ndershme dhe gëzonte respekt në mbarë fshatin e krahinën e Ishmit. Njihet e transmetohet në breza qëndrimi patriotik dhe emri i mirë që gëzoi ky fis në Shetaj, Ishëm dhe më gjërë. Qazim Lika u rrit në kushte të mira ekonomike. Babai i tij ishte një punëtor dhe një bamirës i madh. Në shtëpinë e tij u rritën jetimë. Qazimi me vëllezërit e tij u edukuan me frymën patriotike, krahas të tjerash ata shquheshin si njerëz të urtë dhe shumë punëtor. Vëllai i madh Selman Lika, kishte krijuar familjen e tij dhe ishte ndarë. Familja e Qazimit, ishte e lidhur tërësisht me luftën, duke venë në shërbim të saj gjithçka; shtëpinë, njerëzit dhe pasuri dhe mbi të gjitha zemrat e tyre. Vëllezërit e tij Selmani dhe Sulejmani dolën partizanë, ndërsa nëna me Qazimin bënin shërbime të tjera si bazë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Ai si një i ri antifashist, u dallua për aktivitet në shërbim të luftës çlirimtare, kryente detyra korrieri, shoqërues i partizanëve nga njëra bazë në tjetrën etj.

Gjatë kryerjes së këtyre detyrave Qazimi tregoi virtytet më të mira, të trashëguara nga familja e tij. Kështu Qazim Lika si pjesë e familjes të lidhur fuqishëm me luftën partizane dhe pas luftës u angazhua më detyra në policinë e vendit duke luftuar grupet kriminale dhe terroriste.

Ai jeton përjetësisht në memorie të fisit të Malilëve dhe jo vetëm, Ai është njohur si njeri shumë pozitiv i urtë dhe i sjellshëm me të gjithë, dhe një puntorë i madh, ai kishte kujt t'i ngjante, Babait dhe vëllezërve të tij. Ata ishin edukuar me punën dhe dashurinë për familjen, farfisin dhe atdheun. Qazimi ashtu si vëllezërit e tij Selmani e Sulejmani, ka qenë atdhetar, në luftë si korier partizan Qazimi shkroi një faqe të ndritur historie, burrërie e ndershmërie në shërbim të Atdheut.

Nëse depërtojmë në historikun e fshatit, gjejmë, se vëllezërit Qazimi, Selmani dhe Sulejmani, kanë qenë ndër figurat e shquara të luftës antifashiste, nga të parët në fshatin Shetaj që ju bashkuan luftës. Qazimi ndoqi shembullin e vëllezërve të tij. Ata u hodhën pa rezerva në luftën e madhe antifashiste, duke dhënë kontributin e tyre si familje dhe ai si individ.

Selman Lika u shqua për trimëri e guxim në luftë kundër okupatorit fashist dhe tradhtarëve të vendit. Në një nga luftimet ku ai mori pjesë me çetën e Ishmit, pjesë e Brigadës së XXIV Sulmuese. Ai shpëtoi mirë nga plumbat e armikut pasi shoku që luftonte në krah u plagos dhe më pas vdiq, tregonte djali i tij Haxhiu: Babai im, Selmani, pavarësisht moshës së tij. Ai ishte fiziikisht me zemër të fortë atdhetare dhe besnik i idealeve të çlirimit. Selman Lika, luftoi dhe u dallua në çdo betejë, si partizan dhe antifashist.

Qazimi, ishte gjithmonë i pari që merrte përgjegjësi për të përmbushur detyrën e korrierit. Ai nuk merrte parasysh asnjë lloj sakrifice. Ai ishte i edukuar me urrejtje të pakufishme për armikun dhe ushqente një dashuri të zjarrtë për popullin dhe për Atdheun. Qazim Ismail Lika edhe pas luftës, duke shërbyer në policinë e vendit, kundër grupeve reaksionare e diversioniste që vepronin në Krahinën e Ishmit. Qazimi i kreu me nder e plot sukses detyrat e ngarkuara. Qazimi ngelet një figurë elitare e burrërtore që i bënte nder çdo lloj detyre, një autoritet i padiskutueshëm dhe një shtetar dinjitoz e krenar për veprimtarinë në luftë dhe në punë. Ai kurdoherë zbatoi me besnikëri e atdhedashuri gjithë detyrat që ju ngarkuan, si dhe gjithmonë ka qenë vigjilent dhe i gatshëm për të kryer çdo misión e përgjegjësi shtetërore. Qazim Lika, si bir i popullit të Shetajt, si luftëtar për çështjen e madhe të Shqipërisë, mbeti si një figurë e shquar dhe shumë e dashur ndër bashkëfshatarët e tij dhe të bashkëluftëtarëve të lirisë.

Qazim Lika, ishte një ndër njerëzit më korrekt që ka njohur Shetaj dhe gjithë Krahina e Ishmit.

Historiografia shqiptare do t’i kujtojë gjithmonë njerëzit që kontribuan për çlirimin e Atdheut.

Nderimi që u bëjmë atyre duke i sjellë në kujtesë këta njerëz, që vunë në rrezik jetën e tyre, ka qenë dhe do të ngelet nderim e vlerësim për identitetin e shqiptarizmës. /Agim Lika/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH