Editorial

Në kërkim të eshtrave të babait

Shkruar nga Liberale
Në kërkim të eshtrave të babait

Nga Eugjen Merlika

“Siç e di, me të gjitha forcat e mija, po mundohem të sjell eshtrat e tim’eti në Atdhe”

“Sa herë që kërkoj shpjegime përgjigjet janë rrëshqitëse dhe pa përfundim.”

“Deri sa të kem jetë do të vazhdoj t’a kërkoj.... ose do të bëhen gërmimet ose duhet të më thonë se nuk duan të ndërhyjnë, por nuk duhet të tallen me mua.”

Shkëputa këto pak fjalë nga një e-mail, i marrë para disa ditësh nga Aldo Renato Terrusi, autori i romanit “Brenga ime shqiptare”, i botuar vjet edhe në Shqipëri. E pata njohur fizikantin Terrusi në një paraqitje të librit të tij në Asti, të Piemontit, të organizuar nga ANCIFRA, Shoqata e italianëve të riatdhesuar nga Shqipëria.

Drama e tij është prekëse e na kthen mbrapa në kohë, në vitet e para të regjimit komunist në Vendin tonë, që qenë sinonim i terrorit më të egër në të gjitha shfaqjet e tij. Historia e tij është mjaft e njohur për shumë lexues shqiptarë e nuk besoj të jetë nevoja t’a ftilloj me hollësi. Por drama e tij lidhet ngushtë, jo vetëm me tragjedinë e babait në Shqipërinë e Enver Hoxhës, por dhe me përfytyresën e këtij Vendi sot. Në një farë mënyre ajo është një njësi matëse, një provim që i bëhet institucioneve të shtetit të sotëm  shqiptar, të demokracisë apo të “demokraturës”, siç i pëlqen Predrag Matvejeviçit t’i emërojë sistemet paskomuniste ballkanike.

Aldo Renato Terrusi, qytetar italian i lindur në Shqipëri, ka njëzet vjet që përpiqet të gjejë eshtrat e babait të tij, Giuseppe Terrusi, ish drejtor i bankës së Vlorës, i arrestuar e dënuar nga gjykata shqiptare me 10 vjet privim lirije, i vdekur në burgun famëkeq të Burrelit më 1952. Ka trokitur në të gjitha dyert e institucioneve kompetente shqiptare, së fundi, para një muaji deri tek zv.ministri Ristani, kryetari i Task Forcës për gjetjen e eshtrave të viktimave të terrorit komunist. Përgjigjet e këtyre institucioneve, në njëzet vitet e kërkimeve, pra të qeverive blu apo rozë, mund të kuptohen qartë në frazat e e-mail-it të mësipërm.

Është bërë proverbiale ngadalësia e institucioneve të Shqipërisë pas komuniste për të njohur dhe kthyer detyrimet ndaj qytetarëve, sidomos t’atyre që janë përndjekur nga regjimi i mëparshëm. Kështu ndodhi me pasuritë e paluajtëshme si pronat, truajet apo shtëpitë e shtetëzuara, me dëmshpërblimet e punës së papaguar të mijra njerëzve të dënuar për motive politike në gjysëm shekullin e diktaturës, me inkuadrimin tepër të vështirë në institucionet shtetërore apo në  jetën politike të bijve  të ish të përndjekurve, edhe se të diplomuar jashtë shtetit, etj. etj. Shpjegimi i këtyre dukurive nuk është i vështirë të kuptohet : me përjashtime të rralla, klasa politike shqiptare, në thellësi të saj, ruan një ndjenjë armiqësie ndaj kundërshtarëve të komunizmit. Për pasojë, edhe problemet e tyre janë gjithmonë objekt konsumi demagogjik, por asnjëherë nuk ka një prirje të sinqertë për t’u vënë në rrugën e zgjidhjes. Por nëse e gjithë kjo mund të gjejë shpjegim në frazën e famshme të romakëve Vae victis (Mjerë të mundurit), ende sot aktuale në Shqipërinë “evropiane” të shekullit 21, rasti i një qytetari të huaj që, prej 20 vitesh, kërkon pa asnjë rezultat, jo pasuri të rrëmbyera dhe as dëmshpërblim për humbjen e babait dhe traumën psikologjike të rritjes si jetim, por thjesht vetëm eshtrat e atij babai, është një akt që , besoj, bën të skuqet nga turpi çdo shqiptar të ndershëm.

Para gjysëm shekulli qeveria shqiptare i dha mundësi gjeneralit italian të kërkonte e të mblidhte eshtrat e oficerëve dhe ushtarëve italianë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore, edhe se ishin eshtrat e një ushtrie pushtuese. Po ashtu, në vitet e fundit, Greqia ka mundur të kërkojë eshtrat e ushtarëve grekë të mbetur në tokën tonë, dhe ato të një ushtrie pushtuese. Në të dyja rastet Shteti shqiptar ka vepruar drejt e në përputhje me normat ndërkombëtare. Në këtë këndvështrim nuk ka asnjë justifikim qëndrimi mospërfillës kundrejt qytetarit italian Terrusi. Ai qëndrim bie ndesh me traditën e lashtë të mikpritjes shqiptare, simbas së cilës miku, edhe kur ka qënë hasëm, është vënë në krye të vatrës. Edhe shkrimtari italian është një mik i nderuar, jo vetëm sepse ka lindur në Vendin tonë e ushqen për shqiptarët ndjenjat më të mira, por edhe e, mbi të gjitha, sepse Shteti shqiptar i është borxhli për jetën e babait të tij. Ky i fundit qe një viktimë e pafajshme e një intrige t’ulët, t’orkestruar nga Enver Hoxha, për “të marrë hak” ndaj mospranimit të dashurisë së tij nga një vajzë 16-vjeçare italiane, që u bë më vonë bashkëshorte e viktimës.

Është i pakonceptueshëm cinizmi i autoriteteve të ngarkuara me detyrën e posaçme, që sorollasin për njëzet vjet, në kundërshtim me të gjitha ligjet e shkruara e të pashkruara të bashkëjetesës së qytetëruar, një njeri, për më tepër të huaj, që kërkon të çojë në Atdhe eshtrat e babait të tij, të vdekur në burgun e Burrelit, i dënuar pa asnjë faj. Nuk është i pranueshëm asnjë argument justifikues si mungesat e dokumentave, e njoftimeve për  vendin e varrit, e fondeve, apo çdo lloj tjetër që burokracia mund të sjellë si një gjethe fiku për të mbuluar këtë skandal të turpshëm. Shpjegimi i vetëm është mungesa e vullnetit dhe e qëllimit për të nxjerrë nga burgu i përjetshëm, nga toka e kuqe e Burrelit ato eshtra, duke varrosur edhe kujtimin sot në një indiferentizëm vrasës.

Nuk duhet të kishte asnjë pengesë për të gërmuar në pak qindra m² tokë të ish oborrit të burgut të Burrelit, që duket se ka qenë varreza e fshehtë e shifrave të larta të të vdekurve, brënda atyre mureve. Do të ishte dashur të gërmohej me shumë  kujdes për t’i nxjerrë ato eshtra sa më saktësisht, sikur të ishin një pasuri e vyer arkeologjike, për t’i sistemuar e, në bazë të ADN-së për të gjetur emrat e për t’u a dorëzuar familjeve. Kjo vlen për Terrusin, ashtu sikurse për qindra të tjerë, viktima të shkëlqyera t’atij burgu famëkeq, ndër të cilët dua të veçoj Ministrin e Arsimit të Shqipërisë etnike, profesorin e nderuar Xhevat Korça, ish Kryeministrin Koço Kota, ish Ministrin e parë të Arsimit të Shqipërisë komuniste, Gjergj Kokoshi, ish Kryetarin e nderuar të Vatrës, Arqile Tasi etj.

Kështu duhej të kishte vepruar një Shqipëri demokratike, e qytetëruar, e dekomunistizuar, e respektuese e traditave shekullore të popullit të saj. Fatkeqësisht nuk ndodh kështu e pasojat janë jo vetëm “brenga shqiptare” e Aldo Terrusit dhe familjarëve të viktimave të diktaturës, por edhe përkeqësimi i imazhit të Vendit, që nuk ka kurajon të shkëputet ende idealisht nga e shkuara e turpëshme e kriminale e tij, së cilës i trashëgon mendësinë duke përsosur metodat e mashtrimit dhe të hipokrizisë.

Një popull që ka nxjerrë nga gjiri i tij një Nënë Terezë e Burra shteti, t’aftë të shpëtojnë qindra jetë hebrenjsh në luftën e dytë botërore, mendoj se nuk e meriton një Imazh të tillë. I takon klasës së tij politike të reflektojë thellë mbi vetveten sepse Shqipëria e sotme nuk është diktatura e Enver Hoxhës, por nuk është as demokracia që ëndërrohej e që, në 23 vjet, duhej të kishte patur fizionominë e saj të qartë. Demokracia, ajo e vërteta nuk matet vetëm me numurin e pallateve, bizneseve, partive politike apo rrugëve të shtruara, por, mbi të gjitha me shërimin e plagëve të pafund të diktaturës në të gjitha fushat, në mendësi e në kulturë, në respektim ligjesh e të drejtash themelore, në dëmshpërblimin e gjithanshëm të viktimave të mbijetuara sikurse në respektimin e sinqertë të kujtimit të atyre që ajo u mori jetën. Në këtë drejtim, besoj se gjetja dhe kthimi i eshtrave familjeve të atyre që nuk patën as një varr të tyre, së bashku me nderimin e duhur,  është detyrë e parë e Shtetit, tregues qytetërimi dhe shenjë e prekëshme e vullnetit për të prerë kërthizën që na mban akoma të lidhur me të shkuarën tonë të afërt.

Maj 2013 /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH