Letërsi

Në "ishullin..." postmodern të Blushit

Shkruar nga Liberale

Kolana UETPRESS- 15 vjet

Titulli: Të jetosh në ishull

Autori: Ben Blushi

Ajo çfarë prezanton Blushi, me “Të jetosh në Ishull”, është një pikë reference, një pikë kthese e kërkimit të vatrave të pashterura të letërsisë...

Tematikë interesante nga historia, me veshjen e një letërsie të vërtetë që na vjen rasti ta hasim rrallë, të trupëzuar në historinë 4-shekullore të një familje fisnikësh të njohur të Shqipërisë...

Nga Behar Gjoka

Kemi të bëjmë me një prozë të gjatë, që merr përsipër të demistifikojë historinë, mitin, legjendat, derdhur përmes një tipologjie që rreket të zbulojë anën tjetër të medaljes, si me thënë pjesën e padukshme të jetës së qenies shqiptare. Pra, gjithçka që deri më tani, ne kemi njohur në një formë, më histori dhe mite, Blushi na e sugjeron në një formë tjetër, padyshim në një realitet letrar të mëvetësishëm dhe, kryesisht të lidhur më poetikën e postmodernes. Ky dekodim, dhe kjo prani e shenjave të rrokshme të letërsisë postmodrene, ndodh kryesisht me historinë shqiptare, por edhe më gjerë se sa kaq, dhe së dyti në thurjen tipologjike të saj, përmes mjetesh individuale.

...Frymëzimi, nga realitete të ndryshme, pra jetësore dhe konkrete, në rastin e Blushit nuk funksionon. Letërsia e tij, më tepër është një letërsi që buron nga leximi, dhe prej aty sendërgjon një botë letrare, që zakonisht vë në dyshim të vërtetën e tyre, por edhe paraqet sugjerimin e vetë, kryesisht e shkruar si letërsi postmoderne. Është një letërsi që vjen nga kultura, nga leximi i literaturës së shumtë dhe të larmishme, art dhe histori, filozofi dhe kulturë, e cila i ka mundësuar që të ketë njohjen e nevojshme me historinë shqiptare (edhe atë të përbotshme), si dhe me vetë realitetin shqiptar, kaq të ndërlikuar. Kjo rrethanë, pasohet nga ana tjetër, me qëndrimin autorial që ai mban ndaj kësaj bote, si një ligjërim letrar, më tepër paradoksal dhe që përcjellë një parodi të mirëfilltë. Të jetosh në ishull, është në një farë mënyrë një dialogim me të gjithë librat, që janë shkruar për Skënderbeun, si dhe për kohën e tij, pamëdyshje një dialogim që sjell në dritë një qëndrim kundërshtues, dhe mbi të gjitha vënia në dyshim të asaj që dimë, përqark kësaj bote.

...Në letërsi, ligjësitë estetike, pavarësisht tipologjisë së tyre, kurrsesi nuk kufizojnë hapësirat e lavrimit letrar. Arti, në përgjithësi, pra edhe letërsia, nuk kufizon dhe mbyll hapësira, të secilës lami të ekzistencës së jetës, përkundrazi ai i rrëzon këto kufizime. Me këtë, nuk dua them se Blushi është autori më i madh i kohës, por thjesht dua të nënvizoj se është një autor ndryshe, në marrëdhënie me letërsinë, e sidomos me lavrimin e romanit, që paraqet një rast të një fenomeni letrar, me anën e të cilit ka shenjuar dukshëm hapësirat e letërsisë postmoderniste. Shkrimin letrar, duke marrë shkas nga librat, pra si një përkujtesë librore, është një hulli që e ka çelur me herët në letërsinë botërore Borhesi, e cila në fakt lidhet me natyrën e poetikës dhe të letërsisë postmoderne. Po kaq, situata e letrares postmoderne, sjell në vëmendje situatën e tekstit si paratekst dhe intertekst, për të cilat Umberto Eco, në mes të tjerash nënvizon se në letërsi tashmë kemi: një estetikë, bosht i së cilës do të ishte ironia intertekstuale. Një pohim adekuat që na vjen në librin Si të shkruaj, i cili e vë situatën e lëtërsisë postmoderne në baza të mirëfillta teorike, si dhe hap shtigje të një paradigme tjetër verifikimi dhe shqyrtimi të letrares. Në letërsinë shqipe e ka vijuar me sukses të pazakontë Camaj, ku kam parasysh Palimpsest-in, dhe Dranja-n, të cilat përbëjnë kryeveprat e autorit. Megjithatë, situata e ndërthurjes së letërsisë me dijen, si dhe me rrjetat e shumëfishta të intertekstit, i hasim edhe në romanet e Rexhep Qoses, që shfaqen qysh në librin e parë, Vdekja me vjen prej syve të tillë, një cilësi që bartet edhe në tekstet e tjera të këtij autori. Ka dhe autorë të tjerë, të bashkëkohësisë që e paraplëqejnë shprehësinë postmoderne, por me romanet e Blushit, rrathët e postmodernes formësohen qartësisht, dhe lajmëtojnë se gjithnjë e më shumë po formësohet një fenomenologji në letrat shqipe të pas viteve ’90-të, që vihet re në shkrimin e prozës së gjatë më së shumti. Kjo gjasë e shkrim-mbishkrimit, pra e letërsisë që merr shkas nga literatura, si tekst që endet në një hapësirë interteksti, tashmë shndërrohet në një tipologji të pranishme.

Frymëzimi, nëse ka kuptim që të flitet për këtë shtysë, zakonisht tek ai buron nga njohja e literaturës, e prej këtu ndërton atë që quhet dialog me lexuesin, në një pozicion krejtësisht kundërshtues, që sendërgjon kështu optikën shkrimore të ngjyresave postmoderne. Të thotë kështu, përmes romaneve, jo mendimin që pëlqehet, por atë që ai aspiron, tashmë përmes letrares, që nuk rishkruan historinë, por e vë në dyshim, duke plasuar një tekst letrar të natyrës së tonaliteteve të postmodernes. Autori Blushi dekodon atë që ne jemi mësuar ta quajmë mitizim dhe hyjnizim të historisë shqiptare, si dhe të historisë së qenies njerëzore përgjithësisht. Atij si krijues, nuk i intereson kjo anë e pasqyrimit kronologjik dhe kryekëput të bazuar në fakte dhe gjurmë reale, por formëson faktologjinë letrare, që është ndryshe nga të tjerët, që kanë tentuar të shkruajnë tekste të kësaj poetike. Atij si autor, i intereson, bazuar vetëm se në hapësirën e teksteve, paraqitja e një realiteti që e vë në dyshim gjithçka, historinë dhe lavdinë, krenarinë dhe dështimin, sigurisht dhe vetëm për qëllime estetike, ndonëse herë pas here, faniten edhe çështje jashtëletrare, të pranishme në tekstet e romaneve.

...Në këtë rast, unë nuk mendoj se varet tërësisht nga marrëdhënia që ndërton lexuesi, ajo që shkruan Blushi apo çdo shkrimtar tjetër, sepse kjo varet vetëm nga lexuesi, pavarësisht nivelit dhe kërkesave që ka për letërsinë. Nëse është lexues që kërkon të vërtetojë historinë me anë të letërsisë nuk do ta marrë këtë përgjigje në romanet e Blushit dhe në asnjë libër të mirëfilltë letrar. Nëse është lexues i moralistikës, i filozofisë apo ideologjisë, sërish nuk ka asnjë rrethanë që ta marrë këtë përgjigje, e cila është e dëshiruar, por përgjithësisht mungon në tekstet e autorit. Nëse është lexues i letërsisë duhet të pranojë se realiteti letrar është një realitet imagjinar, pra vetëm se fiction dhe nuk është histori apo traktat. Pra, është një lojë, imagjinatë e përndezur, shkruar me logjikë letrare, dhe të kërkosh kodifikimin e lojës me rregulla që nuk kanë të bëjnë me lojën, që ka estetika, është si të hysh në hullitë e akademizmit didaskalik, të mjedisve shqipfolëse, që kërkon të vërtetojë të pavërtetueshmen, pra shpjegimin përfundimtar të letërsisë.

Arti për mua është i pavërtetueshëm, por mundet të shijohet dhe të shpjegohet aq sa mundet, gjithnjë në nivelin e shijes. Letërsia është një kënaqësi që ne e provojmë deri në fund të faqes, kur përshkohet nga vlerat letrare, madje edhe pavarësisht mungesave të pranishme, që shpesh ndeshen edhe tek mjeshtrat e letërsisë së përbotshme. Ajo çfarë prezanton Blushi, me “Të jetosh në Ishull”, është një pikë reference, një pikë kthese e kërkimit të vatrave të pashterura të letërsisë, sidomos në letërsinë e shekullit të ri. Me vatra, të pashterura të letërsisë, kam parasysh faktin që Blushi nuk e konsideron letërsinë si temë e madhe-temë e vogël, por vetëm një kërkim eksperimental, të lodrimit me gjithçka, përqark jetës së qenies. E parapëlqyera e tij, nga sa ofrojnë tekstet e romaneve, është të merret me kohën si pakohësi, të sugjerojë e të sendërtojë, të shkatërrojë-ndërtojë, tek e fundit, atë që quhet bota personale autoriale.

...Arti i shkrimtarit, në kohë dhe hapësirë, pavarësisht se është prozë apo poezi, është tek tekstet e tij. Nuk është tek jeta, që bën ai, së paku në bindjen time. Pasqyra, si me thënë, pasaporta e shkrimtarit, madje që nuk ka nevojë për vizë, është teksti dhe vetëm teksti letrar. Ne, nganjëherë kemi konceptin se të shkruash është një profesion, që në fakt na shpie pa dashje tek të qenit zeje dhe zejtar. Por, sërish në bindjen time, sidomos në marrëdhënie me vlerat letrare, nuk është kështu. Shkrimtari, është një qenie krejt e zakonshme, me shumë gjasa, si gjithë të tjerët por që bën diferencën në momentin që shkruan dhe realizon vlera letrare. Në momentin, që ai propozon një libër të mirë, këtu ai është veçuar, vetvetiu.

***

Tematikë interesante nga historia, me veshjen e një letërsie të vërtetë që na vjen rasti ta hasim rrallë, të trupëzuar në historinë 4-shekullore të një familje fisnikësh të njohur të Shqipërisë: ngjarje dhe personazhe historikë, por që lëvizin në libër edhe sipas trillit të autorit; ide, gjykime dhe vlerësime të autorit ndryshe nga versionet zyrtare dhe nga si i kemi mësuar më parë; por mbi të gjitha 2 momente të njohura, që ndoshta kanë ndryshuar rrjedhat e historisë së kombit shqiptar. Lulëzimi e djegia e Voskopojës, dhe procesi i gjatë i islamizmit të pjesës më të madhe të shqiptarëve me problematikën e saj.

Por ajo që e bën romanin e Blushit një vepër letrare të rëndësishme në letërsinë shqipe janë stili dhe mënyra e veçantë e rrëfimit, i pakrahasuar me ndonjë autor tjetër, njohja e thellë dhe e gjithanshme, shpesh deri në imtësi, e materilalit historik që ka trajtuar në vepër. Një euridicion mbresëlënës që nuk e gjen në autorët e tjerë.

Fragment

Sara doli në verandë dhe priti Isakun. Kur ai u ngrit nga gjumi, ajo i tha: Pashë babanë në ëndërr, po na pret. Isaku veshi këmishën e bardhë dhe pantallonat e zeza, ndërsa Sara mori arkën e vogël që e mbante poshtë krevatit dhe u nisën.

Deti ishte i qetë sepse qielli ishte i qetë. Rruga për në mal dukej si një litar që i mbante bashkë. Po të pritej ai litar, bota do ishte një shtëpi pa tavan dhe pa themel.

Isaku ngjitej përpara dhe Sara e ndiqte. Poshtë tyre, Kreta peshkonte në det.

Ishte një ditë e nxehtë dhe njerëzve nuk u hahej peshk. Megjithatë, peshkatarët dilnin në det sepse nuk mund të bënin ndryshe. Ata jetonin për të peshkuar dhe peshkonin për të jetuar. Ata që nuk peshkonin, laheshin, sepse në ishull të gjithë dinin not. Sara kaloi arkën e vogël në dorën tjetër. Arka tundej nga lindja në perëndim dhe peshonte, megjithëse ishte bosh.

Mali ishte i mbushur me pupla dallëndyshesh dhe Sarës iu duk sikur po shkonin në vendin ku Dedali mblodhi puplat për krahët e të birit. Kur u afruan te pllaja, Isaku ndaloi. Nga humnera vinte një erë e lehtë që fishkëllente si muzikë meshe. Një tufë dallëndyshesh që kishin ndaluar aty kërcyen dhe zbritën në det duke i lënë vetëm. Ajo eci me hapa të vegjël në drejtim të varreve. Prindërit ishin aty, të rrethuar me bar. Sara u ul në gjunjë dhe fshiu pluhurin mbi fytyrat e tyre prej guri. E kishte marrë malli për babanë, ndërsa nënën nuk e kishte parë kurrë kaq afër. Pa shkrimin e babait mbi trupin e nënës dhe ndjeu një nxehtësi që i vinte nga sytë. Kishte ardhur t’i fuste të dy në arkën e vogël, por katër numrat mbi varrin e babait dukej sikur i thoshin të kundërtën. Jo pa qëllim, mbi varrin e tij, ai kishte shkruar një datë që lidhej, si qielli me detin, me një datë tjetër. Po të mos ishin katër numrat mbi barin anonim, lufta e Kretës nuk do kishte fillim, sepse nuk ka lindje pa një datë. Por po të mos ishin katër numrat mbi varrin e babait lufta nuk do kishte fund sepse nuk ka mbarim pa një datë. Midis atyre dy datave shtrihej Arianit Komneni. Ai kishte vdekur duke besuar se lufta me turqit do kishte një fund, siç kishte pasur një fillim.

Sara lëvizi mbi gjunjë dhe pastroi pluhurin e kohës edhe nga varret e tjerë. Luftëtarët nga fshati kishin qenë njëmbëdhjetë dhe bashkë me nënën dhe babanë bëheshin trembëdhjetë. Ajo ndjeu Isakun që merrte frymë pas kurrizit të saj dhe iu kujtua trembëdhjeta e katrorit magjik. Sekreti i atij numri ishte aty. Ndoshta, nga poshtë tokës, babai e shikonte dhe qeshte si një Krisht i lumtur, i rrethuar nga dymbëdhjetë apostujt e tij. Po ta merrte në fshat do duhej ta ndante nga ata. Ajo do rrinte me babanë, por apostujt do mbeteshin pa Krishtin e tyre, si luftëtarë pa një prijës. Ktheu kokën nga Isaku dhe e pa gjatë në sy. Ai shkuli një tufë me bar mbi varrin e Arianit Komnenit dhe e hodhi në humnerë. Fijet e bari u shpërndanë në ajër dhe Sarës iu duk sikur ato ishin trembëdhjetë. Ajo ishte mësuar të numëronte dallëndyshet që fluturonin, por jo fijet e barit që binin në det. Qëndroi edhe pak e ulur në gjunjë, pastaj mori arkën e vogël dhe shkoi në buzë të humnerës. Isaku e pa dhe fytyra i shkëlqeu. Sara zgjati dorën mbi humnerë dhe kur e lëshoi arkën u ndie më e lehtë, si një njeri që ka humbur një peshë të tepërt. Arka u rrotullua disa herë në ajër sikur ishte çliruar nga një dorë që e kishte mbajtur njëqind vjet me vete.

Sara mori frymë thellë dhe pa horizontin që lidhte lindjen me perëndimin. Zjarret në brigjet e Azisë turke iu dukën më të vogla, sikur po shuheshin. U kthye nga ana tjetër dhe pa një varkë të vogël që kishte ndaluar në mes të detit. Në atë drejtim ishte perëndimi dhe fshati. Kur të kthehej në fshat, Ana Komnena do qeshte kur t’i thoshte se e kishte humbur arkën e vogël. Po ta pyeste, Sara do t’i thoshte se e kishte humbur ngaqë nuk i duhej. Por Ana Komnena nuk do ta pyeste.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH