Humoristi i njohur Julian Deda garoi për Primaret në kryeqytet. Ndonëse nuk arriti rezultatin e duhur, ai përmes një reagimi në rrjetet sociale, vlerësoi procesin. Julian Deda tha se mori pak vota, por ato që mori ishin vota bio dhe me cilësi.
“Faleminderit…!”, ka nisur ai një reagim, pas publikimit të rezultatit.
“Unë nuk ja dola dot, por këto Primare ishin vërtetë një gare e bukur, të cilën e kam shijuar pa fund. Kam takuar aq demokratë sa kisha mundësi, të cilët i falënderoj për fjalët e mira, njëkohësisht i kërkoj ndjesë atyre qe s’pata mundësi fizike t’i shtrëngoja dorën. Falenderoj gjithashtu të gjithë vëzhguesit e mi, që qëndruan deri në fund të një procesi të lodhshëm. Mirënjohje për këdo që besoi tek unë dhe më ndihmoi në këtë garë historike”, tha Julian Deda.
“E vërtetë, dola me shumë pak vota, por për mua s’ka rëndësi sasia, por cilësia e tyre, arsyeja se pse më kanë votuar. Jam i sigurt, që janë vota bio, vota frymëzimi. Askush në atë parti nuk me ka asnjë borxh, asnjërit nuk i është kërkuar me ngulm, askujt nuk i është thënë “votojeni Julin se ashtu është puna”, pra, janë vota pa interes. Janë thjesht vota zemre. Për këtë jam shumë mirenjohës”, shtoi ai.
“Unë besoj se nuk ju kam zhgënjyer, jam munduar ti jap bukuri, vërtetësi, sinqeritet, dhe frymë garës, duke ofruar personin tim si alternativë. Unë, përveç familjes, nuk kam asnjë pasuri tjetër, vetëm veten time, kështu siç jam. Besoj të më keni kuptuar. Një gjë është e sigurtë, kjo ishte gara ime e parë, por kurrsesi e fundit”.
“Megjithatë, beteja vazhdon, ajo mbaron më 14 Maj, ditën kur ne do triumfojmë kundër modelit më të shëmtuar politik të vendit”.
“Edhe një herë shumë faleminderit për gjithçka”.
Ka qenë i tillë reagimi i Julian Dedës, pasi nuk u preferua nga demokratët e Rithemelimit, si kandidat për të garuar përballë me Eion Veliajn, në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Pas numërimit të votave në kryeqytet, Belind Këlliçi shihet si favorit për të fituar në raundin final përballë mjekut Ilir Alimehmeti.