Kryesore

Në Berlin për një telefonatë

               Publikuar në : 10:36 - 19/09/20 liberale

Vizita dyditore e kryeministrit në Gjermani për të sqaruar deputetët e CDU/CSU dhe qeverinë mbi dyshimet e fundit që rrezikojnë datën e konferencës ndërqeveritare Shqipëri- BE, që është hapja e vërtetë e negociatave. Paketa Antishpifje dhe ndryshimet e Marrëveshjes së 5 qershorit, rrisin skepticizmin gjerman

Kryeministri ka ndërmarrë një udhëtim në Gjermani me qëllim lobimin në Bundestag-un  dhe qeverinë e këtij vendi pasi qëndrimet e fundit tregojnë se skepticizmi i Merkel dhe deputetëve të CDU/CSU është rritur, duke vënë në rrezik çeljen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-se. Ndryshe nga ne, Maqedonia është sërish më përpara dhe nuk ka ndonjë rrezik për të marrë datën e konferencës ndërqeveritare, që përbën edhe hapjen zyrtare dhe të vërtetë të negociatave.

Radio Dojce Welle shkruante dje se ndër vendet dyshuese është edhe Gjermania. Kjo ka bërë që kryeministri së bashku me kreun e grupit parlamentar, të PS, Taulant Balla të përpiqet për të kthyer opinionin e deputetëve dhe ndoshta të kancelares Merkel, e cila pritet të ketë një telefonatë me kryeministrin gjatë vizitës së tij në Berlin.

Qarqe qeveritare nga Berlini i bënë të ditur ndërkohë DË se kryeministri shqiptar ka planifikuar të bëjë një telefonatë me kancelaren Angela Merkel.

Kryeministri Rama, ishte edh dje në Gjermani. Ai është takuar të enjten në mbrëmje, në një darkë me një grup parlamentarësh nga Bundestagu Gjerman. I pranishëm ka qenë edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Taulant Balla, i cili është edhe kryetar i Shoqatës Parlamentare të Miqësisë Shqipëri-Gjermani.
Sipas qarqeve ne Berlin, Rama ndodhet në Gjermani për të lobuar te grupi parlamentar më i madh në Bundestag, CDU/CSU, për t’i dhënë Shqipërisë po-në e hapjes së konferencës së parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave me BE–në. Por siç mësoi DË nga qarqet parlamentare pranë CDU/CSU, në takim nuk merrte pjesë as kryetari i grupit parlamentar të Ballkanit Perëndimor nga partia CDU/CSU, Johann Wadephul, dhe as kryetari i Komisionit për BE në Bundestag, Günther Krichbaum.

Ende shumë punë

Në një konferencë të Institutit Aspen në Berlin, të zhvilluar të enjten si dhe në një konferencë të mëparshme të zhvilluar javën e kaluar në Fondacionin Konrad Adenauer në Berlin, të dyja me rregulla “chattam house”,  ka dalë në pah, se deri tani vendet e zakonshme skeptike të BE-së, ndër to edhe Gjermania, nuk janë bindur ende se Shqipëria e meriton çeljen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Dy pikat më delikate në argumentimin e skeptikëve nga Gjermania janë: ligji anti shpifje dhe ndryshimet që iu bënë marrëveshjes së për ligjin elektoral në parlament, vetëm disa ditë pasi palët, opozita dhe qeveria, ishin dakortësuar pas ndërhyrjeve të diplomatëve perëndimorë në Shqipëri. “Do të duhet shumë punë diplomatike dhe politike deri sa të vijë te hapja e konferencës së parë ndërqeveritare”, thonë skeptikët në Berlin.

Paketa Anti shpifje është ndër të rrallat pika përplasjeje që kjo qeveria ka pasur më faktorin ndërkombëtar dhe ende është e paqartë sesi kryeministri pas një tërheqje disa muaj më parë edhe në saj të Opinionit të Komisionit të Venecias, e ka riaktivizuar atë sërish. Për këtë rifutje të paketës ligjore në programin e Kuvendit, reaguan vetëm dy ditë më parë edhe Këshilli i Europës edhe ambasadori i Delegacionit të BE, Soreca kërkuan që  që ndryshimet në paketën antishpifje të bëhen duke marrë parasysh rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Venecias.

Përmes një postimi në “Twitter”, ai deklaroi se mazhoranca është zotuar për të reflektuar këshillat e Komisionit të Venecias në draft. Kjo është e vetmja mundësi që paketa antishpifje të mos krijojë kosto dhe të kthehet në pengesën e fundit për të bllokuar çeljen e konferencës ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE. Rama ka premtuar se ligjet do të përshtaten sipas Opinionit të Venecias por kjo mbetet për t u parë.

Çështja tjetër është Akoma më serioze dhe ka të bëjë me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës, të cilat do të duhet të miratohen në mënyrë të njëanshme edhe në Kodin Zgjedhor. Dje opozita braktisi mbledhjen e Këshillit Politik pasi maxhoranca nuk mori parasysh kërkesën e saj për të marrë ekspertizën e ODHIR për çështjen e koalicioneve parazgjedhore që maxhoranca I hoqi nga Kushtetuta dhe tani do t’i ndryshojë në Kod, duke I lejuar vetëm si grupim parasysh në një listë të vetme.

Opozita thotë se kjo prek marrëveshjen e 5 qershorit, që u miratua me asistencën e faktorit ndërkombëtar. Edhe kjo pikë është parë nga Gjermania dhe shtete të tjera si një nga kushtet e paplotësuara nga Shqipëria. Rama, të enjten dhe të premten ka sqaruar këto dy tema, me qëllim që ato të hiqen nga lista e kushteve që bllokojnë datën e hapjes së negociatave me BE.

Nuk takohet me kancelaren

Por shenjat nuk duken dhe aq të mira. Edhe pse nuk ka pasur një njoftim zyrtar se kryeministri do të takohej me kancelaren Merkel, disa media folën për një takim të tillë në agjendë.
Kohët e fundit Shqipëria është lëvduar nga qeveria gjermane për angazhimin e saj për të ndërmjetësuar në konfliktin e Bjellorusisë. Por, ndryshe nga ç ‘ishte raportuar më parë nga disa mediume të Tiranës. Rama nuk ka pasur takim me kancelaren Angela Merkel, i thanë DË-së burime diplomatike nga Berlini. Sipas burimeve të DW, dje në mesditë, Edi Rama u nis për Bavari. /Gazeta Liberale

 

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back