Sport

Ndeshja me Anglinë, UEFA hoqi nga stadiumi foton e Adem Jasharit

Shkruar nga Liberale
Ndeshja me Anglinë, UEFA hoqi nga stadiumi foton e Adem Jasharit

Humbja me Anglinë është shoqëruar edhe me zemërim për reagimin që pati UEFA. Zyrtarët e Federatës Europiane të Futbollit, ndërhynë në koreografinë e Tifozave Kuq e Zi, duke hequr nga tribunat fotografinë e heroit të luftës çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit.

Në fotografinë e publikuar pak orë përpara ndeshjes nga grupimi i tifozëve të Kombëtares, dukej koreografia e miratuar nga UEFA, forcat e sigurisë dhe policia, ku shfaqeshin Aleksandri i Madh, Pirro i Epirit, Ded Gjo Luli, Skënderbeu dhe Adem Jashari, shoqëruar me parullën “Me sytë dhe zemrën te ju”.

Por, e papritura ndodhi përpara nisjes së ndeshjes, kur skuadrat mbërritën në stadium. Fotografia e Adem Jasharit ishte hequr nga tribunat me urdhër të zyrtarëve të UEFA-s. Tifozat Kuq e Zi reaguan, duke shprehur indinjatën e tyre.

“Edhe pse ne nuk ishim në shkallët e stadiumit, ajo që ndodhi ditën e djeshme me fshehjen e Bacës Adem ishte një ngjarje e shëmtuar. Luftërat kanë mbaruar dhe ne jemi për paqe, por mesa duket lobimi serb ka punuar aq fort në UEFA sa për ta larguar tmerrin e tyre, Adem Jasharin nga stadiumi. Ai është ende gjallë dhe mes nesh, kështu që do e keni sërish në çdo ndeshje e stadium, doni apo s’doni ju”, thuhej në reagimin e grupimit të organizuar të Kombëtares.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH