Koment

Ndeshja gjeopolitike Gjermani vs. Francë për Shqipërinë

               Publikuar në : 09:05 - 22/10/19 Blendi Lami

Blendi Lami

Dështimi për të afruar Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian mund të interpretohet gjithashtu si një dozë më shumë e ndasive shumëshekullore ndërmjet Gjermanisë dhe Francës.

 

  1. Fuqizimi i Gjermanisë në rajon

Nuk mund të thuhet se Shqipëria meritonte medoemos hapjen e negociatave për shumë arsye, të cilat nuk janë objekt i këtij shkrimi. Hapja e negociatave ishte më shumë një sinjal që u jepej shqiptarëve për të ardhmen e tyre të mundshme evropiane, nëse ekziston me të vërtetë një e tillë.

U mor një vendim politik në dritën e një zhvillimi të caktuar: vënia e disa kushteve konkrete nga Gjermania. Kjo nënkuptonte lëshim të sovranitetit nga Shqipëria tek Gjermania. Shqipëria, me një klasë politike të korruptuar dhe pa institucione efikase, bëhet “barrë” për Gjermaninë. Parimisht, ky është një zhvillim, në fakt, tërësisht paradoksal: nga njëra anë, një shtet sovran (Shqipëria) për shkak të paaftësisë institucionale, pranon kushtet e një shteti tjetër; nga ana tjetër, një shtet tjetër, superfuqia e Evropës (Gjermania) imponohet drejtpërdrejt – diplomatikisht – për të ndihmuar Shqipërinë në forcimin e saj institucional. Një bashkëpunim mes një shteti të dështuar dhe një shteti të fuqishëm për disa arsye: Gjermania shfaqet si një fuqi me influencë të thekuar në rajon, ka forcuar marrëdhëniet ekonomike me vendet ballkanike, ka marrë rol udhëheqës në orientimin e Shqipërisë për hyrjen në BE, sinjalizon fuqitë e tjera se ajo është e gatshme të ofrojë mbështetje financiare për Ballkanin. Pra, duke marrë në konsideratë, këto pika – por edhe të tjera – Gjermania shndërrohet në fuqi kryesore në Ballkan – një rajon ku përplasen shumë rryma.

Kemi të bëjmë me marrjen e këtij roli me peshë nga Gjermania dhe degradimin e mëtejshëm të sovranitetit të Shqipërisë. Si edhe fuqi të tjera të pranishme në Ballkan, Gjermania nuk mund të tolerojë destabilizime dhe kriza, që e influencojnë drejtpërdrejt. Turbullirat ballkanike ndikojnë në ecurinë e Bashkimit Evropian, dhe barra më e madhe bie mbi Gjermaninë. Ndaj, stabiliteti politik dhe ekonomik i rajonit ka rëndësi. Kjo është reflektuar më së miri në procesin e nisur më 2014, i njohur si “Procesi i Berlinit”, një përpjekje që ka rezultuar relativisht e dështuar. Për këtë arsye, Gjermania – me vënien e disa kushteve – mendoi të ndërmerrte një operacion më kirurgjikal në Shqipëri.

Një arsye tjetër e forcimit të pozitës së Gjermanisë në rajon është emigracioni, teksa mund t’i referohemi vitit 2015, kur Evropa – Gjermania më shumë se të gjitha shtetet e tjera – u përshi nga një krizë migratore. Për emigrantët nga Lindja e Mesme, rruga kryesore për në Gjermani kalonte nga Ballkani.

Një dimension tjetër i kësaj pranie gjermane nga rajon është “Intermarium”, një aleancë që ndryshe quhet “Iniciativa e tre deteve”, e cila përfshin vende që lagen nga Deti Adriatik, Balltik dhe i Zi. Këtë e bëri me projektin Nord Stream 2 (një projekt për furnizim të Gjermanisë me energji nga Rusia përmes Detit Balltik), i kritikuar ashpër nga SHBA. Në një kontekst, ku BE dhe NATO po dobësohen, Gjermania po vepron në mënyrë të pavarur. Këto janë vetëm disa të dhëna të fuqizimit të Gjermanisë në Ballkan.

  1. Dobësimi i kohezionit

Bashkimi Evropian bazohet në një koncept themelor: shmangien e konfliktit mes Gjermanisë dhe Francës. Pas Luftës së Dytë Botërore, forma e parë e BE ishte vendosja e paqes mes këtyre dy vendeve përmes integrimit të ekonomive përkatëse. Me një largim të mundshëm të Britanisë nga BE-ja, kohezioni në BE mbahet vetëm nga bashkimi Francë – Gjermani.

Politika zyrtare franceze është shprehur aktualisht se Franca dhe Gjermania nuk mund të varin shpresat për të ardhmen e tyre tek një fuqi të tretë, duke nënkuptuar se SHBA nuk luan më rolin e protektores. Macron ka propozuar një ushtri evropiane si alternativë për zëvendësimin e NATO-s, që është kritikuar për funksionimin e saj nga Trump. Madje, analisti i shquar i çështjeve gjeopolitike, George Friedman, e ka quajtur NATO-n një anakronizëm i kohëve të sotme, sepse, pas Luftës së Ftohtë, ka humbur rolin e saj. Me një dobësim të NATO-s, Franca dhe Gjermania kanë detyrën e ngritjes së një ushtrie të re, por me dilemën e madhe të drejtimit të kësaj ushtrie (pasi NATO është udhëhequr deri tani nga SHBA, dhe Gjermania dhe Franca nuk e kishin këtë problem).

Evropa është e fragmentarizuar, gjë që e demonstroi edhe në vendimin për Shqipërinë. Janë doktrinat përkatëse gjermane dhe franceze që mbizotërojnë edhe tek një vendim simbolik, siç do të ishte rasti i afrimit të Shqipërisë në BE, me hapjen e negociatave. Por Franca kërkon t’i demonstrojë Gjermanisë se nuk duhet t’i imponohet e vetme një shteti si Shqipëria me kushte specifike, por duhet të marrin iniciativa të përbashkëta.

Sipas Robert Kaplan, realitetet gjeopolitike të Evropës do të vazhdojnë të kontribuojnë në përçarjen politike dhe ekonomike në vitet që vijnë, pavarësisht nga institucionet pan-evropiane (d.m.th suksesi i pamundshëm i Bashkimit Evropian). Një Gjermani me ndikim më të madh brenda Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh dominancën gjeografike, demografike dhe ekonomike të saj, me një popullsi 82 milionë, krahasuar me 62 milionë të Francës, me një GDP 3.65 trilionë dollarë, krahasuar me 2.85 trilion dollarë të Francës, i jep një atribut më të madh për sa i përket lidhjeve ekonomike dhe politike – në rastin tonë edhe me Ballkanin.  Ndërkohë që ndikimi ekonomik i Francës është kryesisht i kufizuar në vendet e Evropës Perëndimore, ndikimi ekonomik gjerman përfshin Evropën Perëndimore dhe shtetet e Evropës lindore dhe jugore.

* * *

Pra, Franca ndihet e kërcënuar – edhe një herë tjetër në histori – nga Gjermania. Ky është një interpretim i qëndrimit të presidentit Macron në lidhje me mos-hapjen e negociatave me Shqipërinë, pa marrë në konsideratë ekuacionin e komplikuar për çështjen shqiptare, ku përfshihen edhe fuqi të tjera. Mos-hapja e negociatave – sado simbolike – ishte mund të emërtohet edhe një përplasje Gjermani vs. Francë. /Gazeta Liberale

 

Tags: , , , , , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back