Kryesore

Ndërpritet ndeshja, ‘plas’ sërish dhuna në stadiumet shqiptare

               Publikuar në : 17:06 - 13/04/19 Liberale

Dhuna në stadiumet tona është rikthyer këtë të shtunë në Kavajë.

Mësohet se në minutën ’78 është ndërprerë ndeshja mes Besës dhe Bylisit, pasi tifozët kanë qëlluar me sende të forta gjyqtarin anësor Agaraj, ndërsa situata doli jashtë kontrollit, ku është dashur edhe ndërhyrja e policisë.

Kjo përballje është domethënëse për objektivin që kanë vendosur këto ekipe në kampionat.

Kujtojmë se pak kohë më parë, një situatë e ngjashme, u përsërit edhe në stadiumin “Redi Maloku”, në Fushë-Krujë.

Episodi u regjistrua në fundin e takimit mes Kastriotit dhe Tiranës, i mbyllur me fitoren e vendasve 1-0.

Një rezultat që s’është kapërdirë mirë nga drejtues dhe lojtarë të bardhebluve.

Mësohet se vendimet e gjyqtarit kryesor, Olsi Sokoli kanë revoltuar jashtë mase trajnerin e Tiranës, Ardian Mema. Ai është futur në fushë për të kërkuar sqarime, por kjo situatë hasi në kundërshtimin e forcave të rendit.

Në këtë “luftë nervash” është goditur sulmuesi i Tiranës, Grent Halili. Kujtojmë që Halili është edhe djali i presidentit të Tiranës, Refik Halili.

Ky episod vjen vetëm pak ditë pas dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarit të takimit, Kamza-Laçi, Eldorian Hamiti.

Vlen të përmendim se dhuna e ushtruar ndaj gjyqtarit i kushtoi shtrenjtë kamzalinjve, të cilët u përjashtuan nga Superliga, ndërsa do e nisin sezonin 2019-2020 nga kategoritë e ulëta, më saktë në Kategorinë e Dytë të futbollit në vend.

Dhuna e përsëritur në stadiumet shqiptare vendosi në pozicione të kundërta Federatën Shqiptare të Futbollit me Policinë e Shtetit.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, la të nënkuptohej se mund të ketë edhe ndërprerje të kampionatit nëse Policia e Shtetit nuk merr përgjegjësinë që i takon për sigurinë e stadiumeve.

Policia në përgjigje të akuzave të FSHF-së për neglizhenca dhe mos ndëshkimin e shkelësve, informoi se janë marrë masa administrative dhe penale ndaj shkeljeve të konstatuara në ndeshjet e sezonit të fundit të futbollit.

Në reagimin e saj, policia thekson se janë proceduar penalisht 37 tifozë, drejtues klubesh, në lidhje me incidentet e shkaktuara gjatë zhvillimit të ndeshjeve të futbollit, goditje për shkak të detyrës, dëmtim prone, kundërshtim punonjësi policie, prishje rendi dhe qetësie publike, etj.

Pas vendimit për ndërprerjen e kampionatit, si shkak i dhunës në stadiume, vetë kreu i FSHF-së Armando Duka takoi kryeministrin Edi Rama.

Duka dhe Rama biseduan në lidhje me aktivizimin e policisë në stadiume, pasi heqja e tyre dështoi si eksperiment, duke parë incidentet që ndoqën njëra-tjetrën./ Gazeta Liberale

 

Etiketa: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *