Kryesore

Ndërkombëtarët në mes të Zgjedhores  

               Publikuar në : 09:59 - 21/05/20 liberale

Vizita e ambasadorëve të ShBA-së, BE dhe Gjermanisë në zyrën e kryeministrit dje dhe tek Basha një ditë më parë duket si ura lidhëse, ose imponimi i ndërkombëtarëve për kompromis në Reformën Zgjedhore, që do të sillte normalizimin e situatës për të shkuar drejt zgjedhjeve të ardhshme, ku të dyja palët do të duhet të heqin dorë nga pretendimet maksimaliste

Teatri ishte pika që derdhi gotën. Së pari,  për ta çuar opozitën tek protesta, edhe pse deri më tani si mbështetëse dhe jo organizatore dhe për të rrezikuar seriozisht Reformën Zgjedhore, e cila qysh prej uljes në tryezë të palëve është shoqëruar me debate, kushtëzime e kërcënime.

Një ditë pas takimit me kryeministrin Rama, ambasadorja e ShBA do të vizitonte sërish zyrën e kreut të qeverisë, e shoqëruar nga ambasadori gjerman dhe ai i BE-së.

Vizita e tre diplomatëve përkoi me nisjen e protestës së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, në hyrje të Pedonales “Murat Toptani”, duke lënë të kuptohej se biseda do të sillej rreth çështjes. Ndonëse reagimi i  Yuri Kim për zhvillimet e fundit në Tiranë u përmblodhën  vagullt në njoftimin e ambasadës së ShBA-së, ku theksohej rëndësia e gjithëpërfshirjes dhe diskutimet e mirë menduara në qeverisje -si një vend anëtar i NATO-s dhe aspirant i BE-së-,  ambasadorët e vendeve të BE-së qenë më të drejtpërdrejtë me kritikat. Ambasadori gjerman, Zingraf e cilësoi të vështirë për të kuptuar nxitimin e qeverisë për të shembur teatrin, veçanërisht në kohë pandemie, ndërsa përfaqësia e BE-së në Tiranë do të shprehej se ky akt ndodhte ndërsa ishte kërkuar dialog mes autoriteteve dhe shoqërisë civile.

Vizita e këtyre të fundit tek kryeministri Rama erdhi një ditë pas ndalesës së bërë në selinë blu, bashkë me të gjithë ambasadorët e vendeve të BE-së e  ku pas takimit me ta, Basha u shpreh se vendi po bënte hapa pas në plotësimin e 15 kushteve për çeljen e negociatave. Deklaratë që nënkuptonte se thelbi i vizitës së ambasadorëve në selinë blu ishte pikërisht Reforma Zgjedhore, si një prej katër parakushteve, që kërkon  edhe miratim gjithëpërfshirës. Opozita e zotuar para ndërkombëtarëve, qysh shtatorin e shkuar për të bërë pjesën e saj në përmbushjen e kushteve, pasi vendosi 31 majin si afat për mbylljen e Reformës, vendosi të mos marrë pjesë në mbledhjen e 19 majit.

Basha që iu përgjigj ambasadorit Soreca, ditë më parë, se opozita nuk e kishte bojkotuar Këshillin Politik, do të shprehej ditën e shembjes së teatrit se nuk do të kishte reformë. Por një ditë më vonë, në një qëndrim më të moderuar, deklaroi se opozita nuk mund të ishte fasadë dhe se dështimi i tryezës për Reformën Zgjedhore do të ishte përgjegjësi e Partisë Socialiste.

Në takimin e 19 majit me kryeministrin Rama, ajo që ambasada e ShBA-së theksonte qartë ishte  rruga e arritjes së dakordësisë për Reformën Zgjedhore. Për Kim, i djeshmi ishte takimi i tretë brenda pesë ditëve me kreun e qeverisë, ndërsa të martën ajo zhvilloi një bisedë edhe me kryetaren e KPK, me mesazhin se procesi i vetingut duhet të përshpejtohet.

Megjithëse ambasada e ShBA-së lajmëroi së shpejti një takim të zonjës Kim me kreun e PD-së, Basha, se ai me kreun e qeverisë dje ka pasur prioritet, ndërsa vizita e tre ambasadorëve  në të njëjtën kohë duket si mesazh apo qëndrim i unifikuar i Gjermanisë, BE dhe Shteteve të Bashkuara.

Nga protesta, kryedemokrati Basha deklaroi  se opozita ka treguar vullnet për Reformën Zgjedhore, ndërsa më herët bashkëkryetari i Komisionit Damian Gjiknuri iu  drejtua dy përfaqësuesve të PD dhe LSI me një letër për t’u rikthyer tek tryeza e diskutimeve. Duke iu kujtuar dy anëtarëve të Këshillit Politik, 31 majin e caktuar prej tyre, Gjiknuri kujtonte se kishte pak kohë për adresimin e çështjeve të mprehta në tryezën negociatore dhe se Kodi Zgjedhor ishte kusht i rëndësishëm për integrimin.  Për Bylykbashin, procesi i reformës zgjedhore është dëmtuar nga shembja e Teatrit.

“PD dhe opozita kanë pasur dhe kanë treguar vullnet për reformën zgjedhore. Ajo që ndodhi në 17 maj ishte se PS ka hedhur në herë besimin. Nuk kam parë asnjë sistem amerikan për reformën zgjedhore. Ne do jemi gati për lista të hapura dhe ndryshim sistemi”, u shpreh Basha, duke iu rikthyer tezës që artikuloi në fillim marsi për ndryshimin e sistemit zgjedhor, edhe pse kjo aq u pasqyrua e as u propozua në Këshillin Politik. Dy muaj më parë, Basha hodhi idenë e një Parlamenti me dy dhoma, ndërsa dje foli për  rikthim tek sistemi Maxhoritar.

“Për maxhoritar të pastër. Për kufizim të mandateve të deputeteve, të kryeministrit.  Por asgjë s’do të ketë kuptim që në krye të jetë kjo qeveri hajdute”, u shpreh Basha, ndërsa shtoi se ngjarja e 17 majit, me shembjen e Teatrit Kombëtar, tregoi se nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Ky qëndrim i kreut të PD-së do të vinte pasi deputetë të opozitës së re do të deklaronin se ambasada e ShBA kishte sugjeruar ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke cituar atë danez, përmes një e-maili dërguar anëtarëve të Këshillit Politik.

“Është njëlloj sugjerimi i një sistemi hibrid dhe duket një sugjerim i duhur për të arritur një konsensus në tryezë”, do të shprehej Rudina Hajdari, ndërsa sistemi zgjedhor ka qenë një nga pikat e opozitës parlamentare. Basha, i cili fillimisht do të thoshte se problemi nuk qëndronte tek sistemi, hodhi më pas idenë e ndryshimit të tij, të cilin e theksoi edhe dje në prononcimet për mediat, duke lënë të kuptohet se opozita vendos kushtet e saj dhe tanimë, me dinamikën e re të ngjarjeve, maxhoranca do ta ketë të vështirë përgjigjen përmes kërcënimeve se do t’i votojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor me deputetët e opozitës brenda. Sipas deputetit Murrizi, ambasada e ShBA-së duhet të reagonte publikisht mbi sugjerimin për modelin zgjedhor të Danimarkës, ndërsa sipas deputetit Gjoni, ambasadorja amerikane është angazhuar për të shtuar parametrat e demokracisë dhe për të siguruar zgjedhje të lira vitin e ardhshëm, përmes komunikimeve me opozitën e re.  Kreu i grupit parlamentar të PS-së, do të shprehej se nuk mendonte që ndryshimi i sistemit do të vinte si propozim nga miqtë e Shqipërisë dhe se ishin palët vetë që do të duhet të gjenin dakordësi.

Basha, do të shkonte përtej listave të hapura, të kërkuara nga opozita e re, duke sugjeruar Maxhoritarin e pastër.

“Kjo i jep forcë kërkesës tonë për zgjedhje të lira, një apel të painjorueshëm. Ditët në vijim do të përvijojmë hapat e mëtejshëm që synimi i kahershëm që t’ju jepet shqiptarëve liria e votës”, lajmëroi kreu i opozitës, ndërsa dy pikat  që sollën edhe ngërç në bisedimet e Këshillit Politik, ishte  që administrimi i zgjedhjeve të mos bëhej nga administrata publike dhe që gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor të mos gjendeshin të trysnuar nga procesi i vetingut.

“Që ajo të realizohet një orë e më parë, që t’i drejtohen kutive të votimit. Të shporrim me votë një hajdut kriminel dhe ordiner, me votën plebishitare”, tha Basha, ndërsa vitin e shkuar Opozita e Bashkuar ngulmoi tek zgjedhjet e parakohshme dhe përfaqësuesit në Këshillin Politik propozuan qeverinë kalimtare si garanci për zgjedhje të lira e të ndershme.

Kryeopozitari e cilësoi pak ditë më parë çështjen e Teatrit Kombëtar si vijën e kuqe, duke paralajmëruar aksionin politik  në rikthim tek protestat, por kryeministri Rama do të shprehej dy ditë më parë se asnjë parti nuk i vendosnin shumicës vija të kuqe, përveçse për reforma.

“Nuk na imponohen dot me dhunë. Opozita të vijë e të ulet për Reformën Zgjedhore. Të fitojë zgjedhjet dhe të ndërtoje Teatrin te Kodra e Diellit, ndërtoje një të ri aty ku ishte, krijo ndërmarrje tallash, teneqe mund të gjejnë se ka plot dhe ndërtoje. Qëllimi i një opozite në demokraci është që të fitojë zgjedhjet e jo të përmbysë qeverinë me dhunë”, do të shprehej kryeministri në një intervistë televizive.

Biseda të mira, i cilësoi ato të së martës me ambasadoren Kim, kryeministri Rama, duke zbuluar se kishte dakordësi të plotë për domosdoshmërinë e finalizimit të Reformës Zgjedhore, “me të gjithë gatishmërinë tonë për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODHIR”.

Nga ana e saj, opozita ka deklaruar se në Komisionin e Reformës Zgjedhore janë dorëzuar pesë draftet e saj, ku adresohen të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Por vizita e djeshme e ambasadorëve në zyrën e kryeministrit Rama, duket se shënjestron përtej kritikave ndaj shembjes së Teatrit – në rastin e ambasadorit gjerman -, apo uljes në tryezën zgjedhore të palëve -në rastin e ambasadorit Soreca. Ndërsa në dy takimet e mëhershme, ambasadorja Kim ka pasur fokus reformën zgjedhore, duket se diskutimet sillen rreth ndryshimit të sistemit zgjedhor, për të cilin  nga  Komisioni i Reformës Zgjedhore është thënë se kërkon ndryshime kushtetuese.  Vizita e  ambasadorëve  të martën në zyrën e Bashës dhe dje tek kryeministri duket si ura lidhëse, ose imponimi i ndërkombëtarëve për kompromisin, që do të sillte normalizimin e situatës për të shkuar drejt zgjedhjeve të ardhshme, ku të dyja palët do të duhet të heqin dorë nga pretendimet maksimaliste.

Bylykbashi: Teatri, gërmadhë e demokracisë, dëmtoi edhe reformën zgjedhore

Debati mbi reformën zgjedhore vijon të zhvillohet në tryezat e ndryshme politike, por pyetja është çfarë do të ndodhë në tryezën e këshillit politik?

Përgjigje kësaj pyetje i dha në Dita Jonë Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi opozitar në tryezën për këtë reformë.

“Edhe çështja Teatrit ka pasur një ndikim shumë të madh te reforma zgjedhore. Opozita kishte pranuar të sakrifikonte një pjesë të saj, të ulej me PS, e cila është fajtore për 3 palë zgjedhje radhazi, për të vendosur rregulla se si zgjedhjet e shqiptarëve në të ardhmen të jenë jo si ato të qershorit. Kemi bërë propozime shumë të rëndësishme në këtë tryezë. Të bësh zgjedhje normale nuk duhet më shumë se 20-25 nene. Ne kemi bërë propozime disa garanci shtesë”.

Bylykbashi u shpreh se procesi i reformës zgjedhore është dëmtuar nga shembja e Teatrit.

“Në këtë moment procesi është dëmtuar në mënyrë të atillë nga qeveria dhe nuk mund të pretendohet se teatri nuk është vetëm një gërmadhë politike, por është një gërmadhë e demokracisë. Nuk mund që të bëjmë një farsë dhe gjerat të duket sikur asgjë nuk ka ndodhur. Nuk është thjeshtë një histori teatri, por është një histori se si ka vepruar shteti. Teatri ishte kambana e fundit. Sa i përket qëndrimeve, akoma nuk ka një kompromis për këtë çështje. Sado ne të vendosim rregulla strikte, ne do ta çojmë përpara këtë, ne do të kërkojmë ulje drastike të financimeve private, pasi e ka bërë pis këtë proces”, u shpreh Bylykbashi.

Opozita e re letër ambasadores Kim: Vlerësojmë propozimin për lista të hapura

Grupi Nismëtar për Referendumin e Ndryshimit të Sistemit Zgjedhor i ka çuar ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim një letër ku e falënderon për nxitjen që i sipas tyre i ka bërë klasës politike për trajtimin e çështjes.Gjithashtu grupi nismëtar thotë se propozimi që u bëri përgjegjësve për Reformën Zgjedhore për të gjetur konsensusin, për votime me lista të hapura është i njëjtë me aspiratat e shoqërisë tonë për t’u zhvilluar si shoqëri demokratike

“Shumë e nderuar Zonja Ambasadore Yuri Kim! Ne, përfaqësues të Grupit të Qytetarëve, Nismëtarë të zhvillimit të një Referendumi të Përgjithshëm për Ndryshim e Sistemit Zgjedhor, Ju shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë për nxitjen që i keni bërë klasës politike për trajtimin e këtyre çështjeve. Si dhe Ju, ne vlerësojmë se demokracia përfaqësuese nuk mund të jetë funksionale nëse qytetarët nuk kanë mundësi të zgjedhin me votën e tyre ata që do i përfaqësojnë në Parlament dhe Këshilla Bashkiake.

Propozimi që Ju i bëni përgjegjësve për Reformën Zgjedhore për të gjetur konsensusin, për votime me lista të hapura është i njëjtë me aspiratat e shoqërisë tonë për tu zhvilluar si shoqëri demokratike.

Ju sigurojmë se ne, nuk do rreshtim së përpjekuri për të bërë të mundur Ndryshimin e Sistemit Zgjedhor, ndryshim të cilin e konsiderojmë jetik për Demokracinë e Shqipërisë.

Me respekt,

Përfaqësuesit e Grupit Nismëtar.

Kristaq Kume

Brizida Gjikondi. /Gazeta Liberale

 

Tags: , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back