Kryesore

Ndërkombëtarët mund të gjykohen, kritikohen, por jo të përjashtohen

               Publikuar në : 09:38 - 16/05/19 Ervis Iljazaj

Ervis Iljazaj

Është krijuar ideja se “ndërkombëtarët”, një faktor i rëndësishëm për politikën dhe shoqërinë shqiptare, është një nocion që ka të bëjë me disa persona, apo edhe ndoshta me ndonjë person të caktuar që përfaqëson jo në mënyrë shumë rigoroze politikën e vendit apo misionin. Në fakt, “ndërkombëtarët”, ata të cilët janë vërtet aleatët strategjikë dhe tradicionalë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, është një nocion më i gjerë sesa thjesht një zyrë përfaqësie këtu në Tiranë. Aleatët e shqiptarëve, sepse të kuptohemi janë të popullit shqiptar dhe jo të ndonjë politikani apo kryeministri të radhës, janë qeveritë në vendet perëndimore europiane dhe përtej Atlantikut. Edhe për faktin se, marrëdhëniet diplomatike apo miqësore krijohen më shumë midis popujve sesa midis liderëve të momentit.

Në këtë kuptim, debati i madh që ka lindur në Shqipëri për rolin e ndërkombëtarëve dhe misionin e tyre në politikën e brendshme, është një debat që nuk duhet të fokusohet në një koncept të ngushtë, për një dimension që është më i madh dhe më i thellë. Sigurisht, që përfaqësuesit e aleatëve tanë në Shqipëri kanë rolin e tyre të patjetërsueshëm dhe pa dyshim mëkatet e tyre.

Prandaj, puna e tyre në Shqipëri mund të gjykohet, madje të kritikohet, por jo të përjashtohet. Duhet ta kuptojmë njëherë e mirë, se politika shqiptare është tashmë tripolare dhe si e tillë, përjashtimi i tyre është i pamundur. Edhe për faktin se, Shqipëria si vend që është në proceset euroatlantike sovraniteti i saj ka çeduar tashmë në favor të këtyre organizatave ndërkombëtare. Duam apo s’duam ne, ndërkombëtarët në Shqipëri do të jenë në një mënyrë apo tjetër pjesë e qeverisjes dhe e funksionimit të shtetit. Kush nuk e kupton këtë, nuk ka kuptuar asgjë nga rruga që Shqipëria ka ndërmarrë drejt Perëndimit. Ose në të kundërt, mund t’i kthehemi fare kollaj nacionalizmit dhe forcave tona. Por kjo rrugë dihet se në çfarë qorrsokaku na çon.

Për situatën ku po kalon Shqipëria dhe kauzën e drejtë të opozitës për të cilën po bën betejën e saj, është kusht i domosdoshëm që retorika e saj t’i drejtohet jo vetëm Edi Ramës dhe qeverisë, por sidomos ndërkombëtarëve.

Për hir të vërtetës, opozita shqiptare do ta kishte më të lehtë aksionin e saj nëse përpara se të ndërmerrte aktin e djegies së mandateve të konsultohej edhe me aleatët tanë ndërkombëtarë, për t’i bindur ata se në këtë moment politik ku gjendet vendi nuk kishte rrugë tjetër për të mundësuar njëherë e përgjithmonë zgjedhje të lira dhe të ndershme pas 30 viteve tranzicion.

Sepse, në të vërtetë, opozita shqiptare betejën e saj më të madhe në këtë kauzë dhe rrugës që ka ndjekur për ta fituar atë, e ka me ndërkombëtarët më shumë sesa me Edi Ramën. Edhe për faktin se ky i fundit me keqqeverisjen e tij në mandatin e dytë ia ka bërë opozitës më të lehtë betejën e saj.

Patjetër që, pretendimet e opozitës se disa prej përfaqësuesve të huaj në Shqipëri shikojnë me një sy më të mirë qeverinë dhe Edi Ramën sesa opozitën. Gjithmonë siç është normale disa ndërkombëtarë në Shqipëri krijojnë marrëdhënie më të mirë me një palë apo një palë tjetër. Por, opozita duhet të ndërgjegjësohet se aleatët tanë ndërkombëtarë, sidomos BE-ja dhe SHBA-ja, nuk mund të përjashtohen nga situata politike. E gjithë përpjekja opozitare duhet të fokusohet për të bindur ata se kauza e tyre është në interes të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, aksioni i saj politik do të marrë një mbështetje që e meriton, të paktën për qëllimet që ka shprehur publikisht opozita./ Gazeta Liberale

(Visited 1 times, 1 visits today)

Etiketa:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *