Editorial

Nderim kujtimit të shtrenjtë të një miku

Shkruar nga Liberale
Nderim kujtimit të shtrenjtë të një miku

Eugjen Merlika

Miqësia dyfishon gëzimet dhe ndan ankthet për gjysmë

BACON

22 shkurti për mua u hap me një lajm të hidhur, nga ata që trondisin themelet e shpirtit e mbeten gjatë në mëndjen që, si një zog i plagosur endet në kërkim të një strehe për të mbledhur thërrime jete, të kthyera në kujtime, të ngulitura në zemër e në kujtesë. Janë copëza jete të shpërndara në dhjetëvjeçarë të gjatë, në faza të ndryshme të saj, që si në një film të përfytyresës i lëshojnë vendin njëra tjetrës, së bashku me ndodhitë e së shkuarës.

Ai lajm I hidhur u sendëzua në një mesazh të ardhur me Watsap që nga New Yorku i largët: “Xhaxhi Eugjen, me dhimbje të madhe, ju njoftojmë që babi im i shtrenjtë dhe I dashur ndërroi jetë në krahët tonë, i rrethar me dashuri më 21 shkurt në mbrëmje. Lindita”.

Kështu  ndërroi jetë edhe Qemal Dema, njëri nga ne të mbijetuarit e komunizmit shqiptar, një mik e shok i hershëm i  kampeve të internimit e i burgjeve të “parajsës socialiste” shqiptare, jeta e të cilit filloi kalvarin që fëmijë, sepse të parët e Tij kishin patur mënçurinë të kuptonin se e keqja që i kërcënohej Shqipërisë nuk duhej pranuar, se duhej luftuar me rrënjë. Por ata që u munduan t’a bëjnë qenë të pakët, sepse Shqipëria ishte e pushtuar dhe ishte mjaft e vështirë të depërtohej në t’ ardhmen e saj, të gjindej e vërteta që fshihej mbas atyre që “luftonin” pushtuesin, apo më mirë shqiptarët largpamës.

Qe një tragjedi e egër ajo që pllakosi Shqipërinë. Ata që e paralajmëruan dhe u munduan t’a shmangnin e paguan me kokat e tyre e më shumë me gjysmë shekulli skllavëri bashkëkohore të familjarëve të tyre, të grave e fëmijëve, të motrave e vëllezërve. Mbi ta rëndoi për 47 vite shpata e mprehtë e “luftës së klasave”, që i degdisi në kampet e pafund të internimeve e të burgjeve me punë të detyruar, me mohime të çfarëdo të drejte njerëzore, me një jetë të tërë të kaluar nën mizorinë e terrorit, të pasigurisë, të frikës. Këta qenë therorët e gjallë të një padrejtësie makabre, që mbretëroi sovrane “mbi tokën e fshikulluar nga përndjekjet”.

I ndjeri Qemal qe njëri nga ata mbi të cilët furia terroriste komuniste u vërsul me të gjithë ortekun e saj shkatërrimtar. Ishte vetëm nëntë vjeç kur Dibra e tij mori ngjyrën e kuqe të miqve të Sërbit e Demajt, që kishin luftuar kundër brigatave partizane t’ardhura nga jugu i Shqipërisë, u shpërngulën për në kampet e sapokrijuara që mbinin si çibanë në çdo cep të Shqipërisë. Qemali ishte më i madhi i meshkujve të familjes e atij i u përcaktua fati i viktimës së parë të fisit të Demajve, fat që nuk i u nda deri në ditët e fundit të  shkërmoqjes së “perandorisë të së keqes”në brigjet e Adriatikut. Por Qemali kishte trashëguar vetitë më të mira të të parëve të tij, e në moshë të njomë në kampin e Tepelenës, n’atë “kamp pushimi”simbas ndonjë historiani të epokës komuniste e mbas komuniste, ai provoi burgimin e parë.

Dy herë i burgosur, pa i bërë keq asnjë mize në jetën e tij, dy herë viktimë e një drejtësie kriminale që kishte shpikur nenin 55/1 të kodit penal, për të ndëshkuar çdo mendim të qënë apo të paqënë, të shprehur apo të pashprehur kundër një regjimi të dhunës skajore e të varfërisë proverbiale. Ai do të kalonte jo pak, por njëzet vite të jetës së Tij n’ato burgje të diktaturës, për të ngritur “veprat e socializmit” falas si skllevërit e Egjyptit të lashtë që ngrinin piramidat, së pari si djalosh që nuk i kishte dirsur ende mustaqja e së dyti si baba i katër vajzave, të lindura në një nga sektorët më të këqij të kampeve të internimit, në Gradishtin e famshëm të viteve 50 e 60, pa drita, pa ujë që sillej me fuçi në një qerre prej një tjetër fshati në kodër, pa rrugë, pa shkollë, me bukën që vinte dhe ajo me një qerre, pa asgjë që të bënte të mendonje se këtu jetonin njerëz...

Tani që po shkruaj këto rrjeshta për mikun e viteve të gjata më kalojnë para sysh thërrimet e jetës të kaluar së bashku, lodra e shahut në Gradishtin e mjerimit, puna e rëndë në fushat e liruara nga ujët e Tërbufit, paraqitja e përditëshme para kapterr Andreas, nëna fisnike e Qemalit dhe dy vëllezërit e tij më të vegjël me të cilët luanim futboll në një fushë të improvizuar së bashku me shokë të kampit. Më pas u largova nga Gradishti, duke lënë aty një pjesë të familjes tek e cila kthehesha herë mbas here. Kështu kaluan vitet, Qemali krijoi familjen me Fluturën, një vajzë që vinte nga një tjetër fshat internimi e që ishte bijë e një fisi të njohur në Dibër, atë të Ndrejajve. Lindën vajzat që u rritën në kushtet e Gradishtit ashtu si shumë bashkëmoshatarë e bashkëmoshatare të tyre.

Kaluan vitet. Erdhën kohët mizore të gjysmës së dytë të viteve 70 me përndjekjet sistematike e të planifikuara që stërmbushën burgjet e tmerrshme. Ishin ditë,  muaj e vite të mbushura me ankthin e arrestimit, me mendimin se në mëngjez duhej të përshëndeteshim me familjarët, ndërmjet tyre bashkëshortet e fëmijët, sepse në darkë nuk dihej a do të ktheheshim në shtëpi. Gjykatat dhe hetuesitë ishin kthyer në kasaphana mishgrirëse që kalonin në duart e tyre rregullisht banorë të pafajshëm. N’atë periudhë krahas Kurt Kolës, Ahmet Kolgjinit, Eqerem e Fatmir Mujos, Mojs e Lekë Mirakajt, Naim Staraveckës, Fatbardh Kupit, Dine Dines, Eugjen Merlikës, Agron Kalasë, Tefta Tasit, Besa e Mynevere Dumes, Mehdi Bylykbashit e ndonjë tjetri të cilit i kërkoj falje për mos përmëndjen, të gjithë njerëz t’arrestuar në sektorët e ndryshëm të së njëjtës ndërmarrje, edhe Qemali u rikthye në “shtëpinë e përbashkët” të viktimave të paracaktuar që fëmijë për të kryer rolin e gogolit në shkretëtirën e çmëndurisë enveriane, së cilës i thureshin vargje, i kompozoheshin këngë, i ngriheshin monumente.

Për Qemalin kjo përvojë e përsëritur qe veçanërisht e vështirë, sepse vetëdijes së përkatësisë botës së kundërshtarëve të komunizmit, e për pasojë të viktimave të tij të pashmangëshme i shtohej edhe dhimbja e thellë për fatet e fëmijëve të mitur. Përse do të vuanin krijesat e tij të pafajshme? Deri kur do të ngopej regjimi me kufomat e krimeve të tij? Ishin pyetje pa përgjigje që secili në vetminë e tij i drejtonte Zotit të gjithfuqishëm.

Janë të ngjajshme jetët tona, të kaluara me të njëjtat dëshira për pak liri, me mundimet e përditëshme të jetës së skllavit, me frikën e arrestimit për vite të tëra, me trysninë oqeanike të pushtetit për të depersonalizuar njerëzit, me qëndresën e karaktereve që shkuan deri në flijim skajor, në dhjetë vite burg për të mos i u nënështruar së keqes të njëjtësuar me rroben e sigurimsave që medaljet e tyre të trimërisë i kishin të shënuara në dosjet e fëlliqësisë së tyre, duke “rekrutuar” njerëz të dobët, për t’i kthyer në varrmihës të shokëve të tyre. Ky ishte morali i asaj kaste kriminale që ende vazhdon të nderohet, t’i njihen “meritat”, të vazhdojnë të qeverisin Shqipërinë nëpërmjet bijve të tyre moralë e biologjikë. Ndërsa Qemalit, e jo vetëm atij, shteti mbas komunist i mbajti paratë e dëmshpërblimit të viteve të burgut, sepse dhjetë vite më parë, qeveria Meksi u kishte njohur të drejtën e një farë ndihme që jepej për banesat, mbasi ata vinin nga kasollet që nuk kishin më asnjë vlerë, ndërsa pjesa tjetër e popullsisë privatizoi me çmime simbolike apartamentet që u kishte dhënë shteti. Ato para që u ishin dhënë për të kompensuar në një farë mase strehimin i u mbajtën nga llogaria e dëmshpërblimit të viteve të burgut, në kundërshtim me të gjithë ligjet juridike që nuk pranojnë si të ligjëshëm retroaktivitetin e një ligji kur ai shkon në dëm të qytetarit. Kjo ishte demokracia zhgënjyese që vazhdon t’i quajë ish të përndjekurit si qytetarë të dorës së dytë, mbasi nuk mund t’i përcaktojë më me devizën enveriane të “armiqve të kllasës”.

Por Qemali, ashtu sikurse edhe shumë shokë të tij, nuk i u nënështrua kurrë, gjatë gjithë jetës së Tij, trysnisë së shtetit komunist dhe as përfaqësuesve të tij. Ai mbeti një shpirt i lirë e i pastër si bora e bardhë e Korabit të vendit të lindjes. Në vitet e gjata të burgut të dytë në kampin e Spaçit, ku u takuam përsëri, ai ishte si një vëlla i madh për ne të tjerët që ishim pak më të rinj. Tek ai gjenim gjithmonë buzëqeshjen karakteristike e zemrën e hapur për të pritur çdo lloj problemi që mund të kishim ne e familjet tona. Shpirti Tij i bardhë mbartëte në gjërësinë e hapësirës së tij të gjitha dertet tona edhe se kishte të mjaftueshme problemin e familjes që kishte lënë në mëshirë të fatit e në kujdesin e bashkëshortes së tij fisnike. Solidariteti me bashkëvuajtësit ishte njëri nga tiparet më të bukura të shpirtit të Tij. Ndanim së bashku atë pak ushqim që na sillnin bashkëshortet tona të mrekullueshme, heroinat e vërteta  të një epoke ogurzezë, që quhej komunizmi shqiptar. Ato i hiqnin nga goja e fëmijëve për të na sjellë diçka nga racionet e tyre të varfëra. E ne ndanim kafshatat e filxhanin e kafesë e i bënim urimet njëri tjetrit për mbarësinë e familjeve tona të raskapitura.

Qemali i ndjerë i kaloi vitet e burgut me urtësi, kurajë, durim e stoiçizëm, krenar për karakterin e Tij, por gjithmonë i thjeshtë, i dashur, gojëmbël. Karakteri i fortë tregonte një Njeri që nuk shkeli kurrë mbi parimet e Tij njerëzore dhe as mbi traditat fisnike të popullit të Tij, një Burrë me plot kuptimin e fjalës, që nuk u ndruajt kurrë  t’a shohë vehten në sy para pasqyrës së ndërgjegjes. Ajo ishte pasuria e Tij e çmuar morale e deri në çastet e fundit, kur mbylli sytë mes shoqes së jetës e familjes tashmë të madhe, ku spikasin vajzat e Tij, tani gra të realizuara në jetën profesionale e familjare në New Yorkun e Statujës së Lirisë, ai erdhi i qetë, pa brejtje ndërgjegjeje, i nderuar e i respektuar nga të gjithë ata me të cilët ndau fatin e hidhur në tokën ku lindi, por edhe vitet e qetësisë relative larg Atdheut, duke lënë deri në çastin e fundit porositë e Tij amanetësore.

Ai çast tepër i veçantë, i përjetuar në gjirin e njerëzve më të dashur  në kufirin mes jetës e mbasjetës, me qetësinë e tij hyjnore, kur njeriu pushon frymëmarrjen, lë në botën e shkuar trupin e tij e niset për të zbuluar atë “vënd nga s’na u kthye kurrë udhëtari”, ndoshta ishte shpërblimi i Perëndisë  për shpirtin e Tij të bardhë e për jetën e Tij të trazuar e të hirtë.

Ai ishte një njeri i thjeshtë, një nga ata që nuk shquhen për bëma të veçanta, për veprime të bujëshme, për vepra që shkruhen në histori. Ai qe e mbeti deri në fund një Njeri i Ndershëm. Mendoj se Vëndi i ynë ka më shumë nevojë se asnjëherë, për Njerëz të tillë e për shembullin e tyre, se sa për fyej të pispillosur që mbushin internetin e shumë sfera të jetës shqiptare.

Po e mbyll këtë kujtesë të thjeshtë për një mik të zemrës që çdo javë ngrinte zilen e telefonit e kërkonte të dinte gjëndjen time, për të shkëmbyer mes nesh gjithshka të re që përjetonim, me një shprehje të vyer të majës së piramidës së artit botëror të letërsisë, William Shakespeare-it:

Si shkon kjo botë, të jesh i ndershëm do të thotë të jesh i zgjedhur në mes të dhjetëmijë vdekësorësh

Itali, 23 shkurt 2021 /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH